.

   

- Foto ne dritare te njajt.
- Foto ne dritare te re.

Kerko foton:




 
 

Prek Cali Pretash Nilaj

Nikoll Nikprelaj dhe Kanga e Prek Calit

 

Per mbrojtjen e Kufijvet


Ty, o Zot, te kjoshim fale
Ç'po gjimon mali me mal,
Kah shkumbohej 'i trim Kelmendit,
Tu'u dal zot kujfijve t'vendit!
Syt i qesin flake e shkndija,
Zani i tij porsi duhija.
Ishte 'i burr me mende t'holle,
Per pa e pas' kurrnji dit' shkolle:
Njaj Prek Cali, trimi i trimit,
Then Kuvendin e Berlinit,
Kur pat marr' vendim Europa,
M'e da Shqipen copa-copa...!
Me Uc Turkunn bajn kuvend:
"Sot, o kurr, per njiket vend!"
Mire u shkon n'mend Ded Gjo' Luli,
Kur flamurin n'Deçiq nguli:
"Njashtu, pra, na m'u bashkue,
Gjithmone or'n e kem' pas' cue,
Kurr 'i huej s'na ka sundue!
Kur t'jem' Nji, jem' porsi shkambi,
Ku thej qafen mbar' Nizami.
Nji bashkim me forc' çelikut,
Ia pelset dy syt anmikut,
E, kur t'ndeshet rreth kufinit,
I del per hunde tambli i gjinit;
E prandej n'ia pashin giasen,
Le t’e pvesin “Kjamet Pashen”
Qi “Kjamet” ia pat njit vedit:
Prej srrethuemit kje gjue shkrepit,
Kur pat ardfh me sa taborre,
E zu vend neper llgore;
Mb’ Suk’ t’Mkushit e t’Toletes,
Porsi miza n’ulish’ t’bletes.
Ishate koha e “Hyrrjetit”,
Na pat msye ushtrija e “Mbretit”
Porsi sot, kushtrimi i vendit
I çoi n’kamb’ djelt e Kelmendit:
E t’u lshuen n’per ato pisha
Sikur dhenvet u bjen bisha,
Ata djelm i ran’ Nizamit
N’p’r ato qeta i qiten shkambit.
Turqit keqas na jan thye,
N’Gusi Pasha kenka kthye,
Edhe aty na kenka struke,
Porsi pul’ prej hutit nduke…
Nuk vonoi e u kthyen n’Turki:
Tash ndersen Malin e Zi
Qi, si nan’ po ka Rusine.
N’at uzdaj’ tash lyp’ Malsine…!
Por kjo nder’ nuk do t’i ecin:
N’fyt Kelmendi do t’i ngecin!
Njaj Prek Cali – trim drangue,
Si ‘i selvi, ne kambe, u çue:
N’Grabom re me nja dhet’ vete,
Trimat t’lidhun per me deke.
Ktu kish ardhum komisjoni
Sambas fjal’s qi tha Uilsoni.
Fjala s’ngiate e u xu kuvendi:
“Ktu – tha Preka – nuk asht vendi
Me ngul’ gur, me vu kufi!
Ky asht dheu i t’parve t’mij;
E, pa mbet’ n’grra e fmij,
Rrehet keqas kush mendon,
Se ato maje i kalon!
Kujtou mir’ ti Komisjon,
Se Kelmendi asht betue”
T’tane me deke e m’u farue,
Nji pllamb’ kuj mos me ia lshue.”
Nji ingleze, grue fisnike,
Kah i ndigjon kto fjal’ kreshnike,
Si me mall e paska pvete:
“Pse, ti Cali, kaq me t’xete,
Po i del zot kti vendit t’shkrete?”
“Moj fisnike, t’u ngiat jeta!
Mos kujto: s’jan’ male t’shkreta,
Por me pyje e kullota,
Kund ma t’bukura s’i ka bota!
Brez mbas brezit, une e dij,
Se ktu lene t’part e mij.
T’huejit ju bane perher’ mur,
T’tan me eshten tuj e thure…!
Edhe mue m’erdhi dita:
Kuj t’e msyej, me iu ba prita,
E n’kje Zoti se e ka shkrue,
Njektu jeten m’e mbarue!”
Komisjoni ra n’mendim,
Shpejt e shpejt e muer vendim:
Gjithka shkoi Preka tue prij
Njaty u ngul gur e kufi.

 

 


Si zane malit ne keto male


Si zane malit ne keto male
Legjendar i Malsise se Madhe
Ruejt i ka trojet shqiptare
Jane çue n'kamb Fuqite e Medha

Kete Shqipni copash me ba
Me coptua kombesine shqiptare
Na e perzune Dibren e Madhe
Muaren Çamerine e Kosoven

Malazezet ma kane zgjate doren
Me berzane Malesi e Shkoder
Pergjys Hotin e kane da
Kane marre Gruden e Traboinin

Pllam kaj pllam e duen kete ven
Por sharra n'gozhde has n'Kelmend
Por si bishe ka m'sy Mark Gali
Por si harushe a çua Preke Cali

Shtate krahinat hallet m'i kjajne
Çi n'Kelmend nuk kem cka bajme
N'kjoft se Prek Calin nuk e vrasim
O keta kufij gjalle nuk perkasim

Po ai Prek Cali ish ken me ore
M'jau ka kap pushken n'dore
Jane tund malet me gjithe bore
S'kemi pa me sy malesore

Shtate kralnite tha de t'nigiojne
Se Bjeshket e Kuqe gjalle s'i l'shojme
Qet Prek Cali flake prej altese flak per gojet
Gjalle s'i lshon Kelmendi trojet


 

 

S'ia luen kush kufijit Preke Calit

 

Bash ku rrine shqipet e malit
Ka pas ken kulla e Preke Calit
Ka pas ken nji kulle e bardhe
S'thone kot malet dere e pare
Dere kreshnish ku knohet lahuta
Hije i ka pas sofra dhe pushka
Mhyri i gishtit o prej trimnive
I pat shtat vulat e kralnive
Kur Kongresi o Berlinit
Ne na i dau o foshnjet prej gjinit
Trupin tone o e ndau me mur
Qysh se na ndau o shqipen flamur
Njaj Preke Cali u del perballe
Nuk t'i lshoj keto bjeshke per te gjalle
Ky Kelmend kreu i Malesise
Kurr nuk ndahet prej Shqipnise
Za po i Lshueka o mali malit
Çilja i here shtegun Preke Calit
Paskan ardhe krajlat e vjeter
Duen me vu nji kufi tjeter
Shtyjne ,me pllam shtyjne me percike
Duen me e ceu ne Velecike
Krahun shqipes o mos m'ja ngre
Flak do te marrin te tane ky dhe
Gjeth e bar per jete le te thahet
Gjalle pa dek Shqipnia s'ndahet!
Ka nxane ven mali me pyje
Ka nxane ven qielli me yje
N'bjeshkt e nalta kane zane ven gurrat
Po nigiojne se c'po thone burrat
Za po i Lshueka o mali malet
O s'ia luen kush o kufijt Preke Calit!

 
Prek Cali thërret:
Rrnoftë Shqipnia, poshtë komunizmi

Përgatiti: Ndue BACAJ

Gjithmonë shtërngatat, rrebeshet e moti i lig, godet të parët lisat e jo fijet e barit, e ky mot i lig ka shoqëruar gjatë thuajse tërë historisë së mbijetesës të Shqipërisë në përgjithësi e Malësinë e Madhe në veçanti.


Në përgjithësi motet me shtërngata e rrebeshe vinin nga lindja, apo nga fqinjët e ardhur më vonë në Ballkan po nga lindja, ku për të përballuar këto mote të ligj u pagua një çmim tepër i madh, aq sa nuk ka shkëmb e gur, pëllëmbë toke në mal, kodër apo fushë, që po ta shtryllësh, që nuk nxjerr gjak, Malësori, të cilët u flijuan vetë që të mbijetojë Malësia e Shqipëria.

Eh po të vijnë gjithnjë mortet e ligj nga të huajt disi do të ishte më e lehtë por kur të vijnë nga ata që për fat të keq quheshin shqiptarë, shtërngatat e rrebeshet janë disa herë më të rënda, pasi mirë thonë se çfarë ta bën i joti nuk ta bën i huaji. E kjo në trajtat e një lufte civile, apo gjenocidi komunist, ndodhi atëherë kur u tha se Shqipëria u çlirua e erdhi dita që Shqipërinë ta sundojnë shqiptarët, por kjo nuk ishte e thanun prej Zotit, pasi pak më shumë se një muaj pas datës së çlirimit, pra më 13 janar 1945, në Kelmendin e çliruar fillojnë të sulmojnë partizanë komunistë nga Jugu i Shqipërisë, ku natyrisht, malësorët kelmendas me viganin e mendjes dhe pushkës Prek Cali, i pritën ashtu siç erdhën si pushtues, pasi ata që në fillim demonstruan jo nacionalizmin, por internacionalizmin, jo të shenjtë të binomit Fé e Atdhe, siç ddonin malësorët, madje për komunistët ky binom ishte po aq i largët sa stepat e Rusisë prej nga vinte ideologjia sunduese.

Prek Cali, që ishte rritur në një familje patriotike nga Vermoshi, ku jeta e tij kishte qenë një stuhi e vërtetë në mbrojtje të trojeve shqiptare me diplomaci e pushkë në dorë, të paktën që viti 1908, 1911,1913, 1915,1923, 1926 e kuptonte fare mirë se këta që kishin ardhur në Kelmend nuk ishin gjë tjetër veçse shërbëtorë të armiqve Serbo-Sllavë, por mjerisht me pasaportë shqiptare. Gjithësesi, Prek Cali me burrat e tjerë Malësorë e dinte se lufta me këta djaj të kuq ishte tepër e vështirë, pasi ata kishin mbështetjen e atyre që i prunë në pushtet, të Titos, Mugoshës, Popoviçit e viçëve të tjerë, por gjithsesi ata qëndruan e luftuan heroikisht edhe atëherë kur në ndihmë të brigadës I-rë erdhën ato të brigadës së 23-të e 24-t, madje një pjesë edhe nga territori i Malit të Zi.

Kur lufla u ndez, si një luftë e vërtetë civile, Preka shpërndau burrat e vet, me 14 luftëtarë, u drejtua në male për të vazhduar rezistencën e për të mos dëmtuar më tepër as kelmendasit, e as labët e gënjyer. Megjithatë luftimet sollën viktima të konsiderueshme, rreth 52 partizanë dhanë jetën, që edhe sot nuk dihet pse, pasi Kelmendi ishte i çliruar. Pas një jave rezistencë, në shpellën, që sot quhet e Prek Calit në Vukël, duke llogaritur edhe premtimet e tradhëtinë e komunistëve, Preka u dorëzua. Tashmë Kelmendi i ngjante një gërmadhe të zhuritur e përvëluar, që kishte ardhur nga hakmarrja e komunistëve ndaj kësaj treve anti-sllavo-komuniste.

Në shkurt e mars të vitit 1945, Kelmendi numëronte 150 burra të pushkatuar, pa llogaritur sa shtëpi e pasuri u dogjën e u shkatërruan. Duhet të theksohet se gjatë luftimeve u vranë trimat Zhuk Toma nga Broja, Kolec Uci nga Vishnjeva e Gucisë, dhe Luc Gjon Uci nga Vukli. Flaka e shtëpive të djegura shkrumboi të gjallë Lukë Tomën nga Vishnjeva dhe Ded Gjon Bajraktarin nga Vukli. Me bajonetë ju nxorrën sytë dhe e varrosën të gjallë Fran Zef Ucin, nga shkëmbi hodhën Rrok Zefin dhe e varrosën në një varr të përbashkët në kodrën e Kuklit (Kozhnja) me dy djem të rinj Ujk Nikën e Fran Alinë, dhe po të gjallë varrosën Luc Gjon Bajraktarin e Luc Gjon Rapukën.

Maskruan mizorisht Gjergj Qosen nga Broja, Losh Fran Bracajn nga Vukli. Pushkatuan gjatë rruges për në Shkodër Ded Gjon Dedën, Gjek Selcën, Gjergj Lul Tomën dhe tre djemtë e Mar Bikut (Ujkën, Nduen e Marashin), më pas në një ditë të zezë marsi, udhëheqësin e Kelmendit, Prek CaIin, e Ded LuIash Smajlin nga Nikçi, së bashku me 12 burra të tjerë nga rrethi i Shkodrës. Si dhe shumë vite të gjata burgimi, ku gjatë kryerjes së dënimit kanë varur në burg Mark Gjeloshin nga Broja, Gjelosh Fran Zefin nga Nikçi, Ded Gjeloshin nga Vukli, ndërsa për të treguar tmerret në brezat e rinj, mbijetuan pas 20 vjet burg Maç Luca dhe Prel Tom Smajli, që u arratisë4n nga burgu për jashtë Shqipërisë.

Kontribuan në këtë masakër tipike për genocidin komunist, Shefqet Peçi, Zoj Themeli, i cili këndonte këngën: Luajma, Luajma Toskë Këmbën, të ja Q... Gegës Nënën. Ndërsa Mehmet Shehu, pasi u dorëzua Prek Cali i tha me dredhi, të thafshin krahët Prek që nuk bashkëpunove me ne, se e kishe mbyllë historinë me shkronja ari, por Preka që nuk ishte gënjyer me grumbuj ari nga kralët e Serbisë e Malit të Zi, ia ktheu me fjalët lapidar "S'ka çfarë më duhet jeta nën hijen e Trobojnicës (flamuri malazez), ma mirë me u kalbë në dhé e historia një ditë ka me na nderua, e ti atëherë ke me kenë turpi i saj, ndërsa malësorët ndera e saj."

Kumbuese do të vinin edhe fjalët e fundit para pushkatimit të Prekës, që ndonëse 75 vjeç, komunistët ia prenë jetën, i cili tha: "Rroftë Shqipnia nanë edhe pa ne, poshtë komunizmi..." E vërtet ashtu ndodhi, ndonëse tepër vonë, madje atëhere kur menduan se kjo bishë e kuqe kishte "vdekur", u zgjua vrullshëm, duke përsëritur historinë e baballarëve, ndonëse me metoda më moderne.

Madje përvjetori i 56-të i kësaj masakre të pashoqe kërkon që nipat, mbesat e Kelmendasve, Malesorëve e Shqipëtarëve patriotë e nacionalistë, të kthejnë me paqe e harmoni demokracinë, që e humbëm me gjak e jetë njerëzish, e kjo është një pjesë e heronjve, që luftuan e u flijuan që në vitin 1945 për demokraci, ja dhe shtatorja e Prek Calit në Shkodër, që duhet të jetë edhe në Malësi të Madhe, e atij dhe shokëve të tij, që na thërrasin se po vjen qershori, zoti e dhashtë të bekojë Shqiptarët.


nga Klajd Kapinova, New York

Në afërsi të Lezhës dhe jo larg Shkodrës, në Malin e Jushit (Rranzat e Bushatit) në një shtëpi të thjeshtë malësore babait Pjetër e nënës kreshnike Rudes, u lindi fëmija i parë “familjari bujar, piramida e kufirit shqiptar, krenarie e Këlmendit dhe e Malësisë së Madhe, atdhetari i zjarrtë, Martiri i Demokracisë: Prek Pjetri (Cali) Hasanaj.” (Pjetër Kola Lajçaj, ‘Kumtesë mbi monografinë e Prek Calit’, Revista KUVENDI, E përmuajshme kombëtare, informative dhe kulturore, Shkurt, 2005, Michigan, USA, f. 65 – 73).
Familja e re Cali (Hasanaj - Selmanaj), kishin pasur një vajzë e tre djem. I pari ishte Preka, Toma, që nuk e pati jetën e gjatë, mbasi si fëmijë u mbyt tek po lahej në ujërat e ëmbla të lumit fushor Buna. Një tjetër fatkeqësi, rëndon familjen Cali, moshën 21 – vjeçare, djali i tretë, me armë zjarri aksidentalisht humbet jetën. Motra e vetme e Prekës, Lula, u martua, kur u rrit në Rapsh të Hotit me Syn (Gjelosh) Mashin.
Prekë Cali, si fis i parë vojvodë në Selcë nga 12 lagjet e këtij vendi, duke pasur edhe kryet e vendit në Kelmend. Bjeshkët e këtij fisi, duke qenë e kufizuar me Kuçin (trevë ilire) sot si pjesë e Malit të Zi, përherë u takonte barra më e rëndë në mbrojtje të tokave të të parëve. Kësisoj, të parët e fisit, sikurse ishin edhe trimat e anashkaluar në histori, si: Memi i Smajlit, Turk Isufi, Ujk Isufi, axha (ungji) i Prekë Calit Ucë Turku (vojvodë i Selcës), Dedë Shabani, Dul Doshi dhe djali i tij i pashëm Kir Duli, Nikë Turku, Gjokë Nikë Selmani, Marash Mark Selmani etj., të cilët, gjithnjë janë përleshur flakë për flakë me synimet shoviniste të kuçasve malazias. Ata me përkrahjen e Perandorisë Ruse, kërkonin të gllabëronin tokat arbërore si Vermoshin, Vuklin e Nikçin, sëbashku me bjeshkët e tyre të përmendura…
Preka nga shtati ishte shumë i gjatë e i pashëm. Ata që e kanë njohur nga afër thonë, se kishte shpatulla shumë të gjëra, kraharor të zhvilluar, trup vigan plo enërgji, fisnik në shpirt, i matur në fjalë dhe veprime, gojëtar i pashoq, në kuvende e oda burrash. Pushkën e kishte një shok të pandarë, që nuk e hiqte asnjëherë nga dora. I pëlqente të vishej me rrobat tradicionale të malësorit çakshirë, xhamadan, jelek dhe kapic të bardhë mbi flokë, alltinë turke dhjetshe të veshur me argjend në brez dhe një grumbull vargjesh të argjentë varur.
Tek Preka, mbi të gjitha spikatën virtytet pozitive tradicionale të malësorëve, të cilat i reflektoi në marrëdhëniet e përditshme mes miqve e shokëve. Deri në moshën 30 –vjeçare asnjëherë nuk synonte të dilte përpara vojvodëve dhe as krerëve të tjerë, që ishin më të moshuar se ai. Kjo është një edukatë e vlerë fisnike e malësorëve tanë, e transmetuar brez pas brezi në oda e kuvende burrash.
Ishte zemërbutë dhe i afër për miq e dashmirë të vet dhe të atdheut. Luan i vërtetë në fushën e betejës. Gjithmonë i pari, aty ku ishte fronti më i vështirë, aty ku dërdhej gjaku i flamurit e trojeve të shenjta të atdheut.
Studiuesi dhe bashkëluftëtari Marash Mali, kujton: “Ucë Turku, bisedonte shumë herësh në veçanti me Prekën. Ai kishte krijuar përshtypjen se ai kishte shumë cilësi, pothuaj të rralla, që e naltësonin dhe nderonin përsonin e tij në të ardhmen, sidomos për çashtjet patriotike, por asnjiherë nuk ia thonte këto.”
Ai ishte i martuar dy herë, me gruan e parë Dranden jetoj shumë pak, sepse ajo vdiq e re, nga sëmdja më e përhapur e kohës në Malësi, që ishte tuberkolozi, duke i lënë një vajzë të vetme Agen në moshën 4 vjeç. Kurse nga martesa e dytë me Pashë Prekën, nuk pati fëmijë. Sikurse dihet Pashka, vinte nga dera e patriotit e luftëtarit të shquar Gjekë Selcës. Pas pushkatimit të kryetrimit kelmendas, u detyrua të braktisë kullën në Vermosh, të cilën e përvetësoi pa të drejtë regjimi, për nevoja të veta ushtarake. Pashka, mundi të gjente strehim në shtëpinë e malësorit Dak Lucit, gruaja e të cilit Gjystja, ishte mbesa e Prekë Calit, ku, qëndroj për shumë vite deri sa mbylli sytë në fund të viteve ’60.
Në Konferencën e Londrës të vitit 1913, Fuqitë e Mëdha të Europës, vendosën arbitrarisht kufijtë mes pjesës veriore të Shqipërisë e shteteve kufitare: Mali i Zi (Malësia) e Serbisë (Dardania).
Marash Mali, sot i moshuar me banim në Florida (USA), sërisht kujton vendosmërinë e Prekës për çështjen e kufijve, duke iu dretjuar Komisionit, që kishte dalë në terren e po verifikonte kufijtë: “…Shtetet e Mëdha dhe ambasadorët e tyne, Komisioni Qendror i Kufijve edhe deri Gjykata e Hagës, Native American i ka njoftë si toka shqiptare. Ju si amanetqarë të Misionit, që keni marrë përsipër jeni tue e shpërdorue. Ato zhgarravina në hartë nuk i njofim. Me ne, nuk ka mujtë me luejtë as ushtria e Sulltanit turk. Këto troje i kemi larë me gjak, gjatë gjithë shekujve, kundra atyne që deshtën të Native American i marrin. Edhe sot luftarët e Kelmendit, janë gadi të vdesin për trojet e veta, ashtu si dikur të parët e tyne. Prandaj ndigjoni fjalët që po ju them: Mos kërkoni të luani me kufijtë tanë, që janë aprovue se është tokë shqiptare, përndryshe…Mendohuni mirë se atë majë nuk e kaloni lehtë!
Njeni nga të Komisionit tha: - “Zotni Cali, për pak çaste Komisioni don me bisedue mes vedi.” Ata u larguan në nji anë dhe nuk qëndruan shumë. Meqenëse i kuptuan intrigat e përfaqësuesve jugosllavë, vendimin e morën shpejt. Kur u kthyen njeni prej delegatëve iu drejtue Prekës, duke i folur: - “Zotni Cali, Komisioni, vendosi që ju bashkë me shokët që ju shoqërojnë t’i prini Komisionit, duke e shkel terrirorin tuej që keni pas me fiqnjët.”
Mjerisht Brada e Vezirit mbeti jashtë kufijve, se ishte tepër në thellësi të territorit jugosllav. Ajo ishte pronë e shkrelasit Gjon Nik Sykut, njeni nga familjet e njohuna shkrelase me banim në Breg të Matës. Ai çdo verë dilte në atë bjeshkë me kopenë e madhe të bagëtive, me autorizim të autoriteteve malazeze.”
Emri me veprën e tij mbushur me atdhedashuni, u bë simbol qëndrese, për malësorët, që e mbështetën, mbasi e deshtën me gjithë zemër. Popullariteti i Prekë Calit, ishte i padiskutueshëm. Ja disa pasazhe përshkrimi, të kryetrimit azgan:
“Bile, ai qe i vetmi malësor, që u bë i njohur deri në selitë e krajlive europiane. Ndue Gjon Smajli, një plak shumë i vjetër kelmendas, i cili në vitet shtatëdhjetë ishte akoma i gjallë, kishte qenë njeriu më i afërt i Prekë Calit në veprimtarinë e tij për çështjen e kufijve veriorë. Ai më pati folur edhe për një dokument identiteti të Prekë Calit, të firmosur dhe vulosur nga shtatë krajla. Sipas këtij dokumenti, Prekë Cali konsiderohej njeriu i paprekshëm nga shtatë krajlitë. Një lloj imuniteti i veçantë, që zor ta ketë pasur ndonjë shqiptar tjetër. Mbase ishte pikërisht ky imunitet, tek i cili besonte Prekë Cali, që e shtyu të dorëzohej i gjallë, pas dështimit të Kryengritjes së Kelmendit.” (Spathari, f. 93).
E Preka, lëshoi kushtrimin ndër malësorë, se “gjallë a vdekun” tokat shqiptare si amanet brezash, do t’i ruaj përmes tytës së ngrohtë të pushkës. Malësia në mote, ka mbrojtur trojet me dinjitet e krenari nacionale. “Vendasit ndër shekuj, kanë shkruar historinë me gjak arbëror, me një betim solem të quajtur ‘tabe’, që do të thotë besëlidhje e qëndrueshme, me moton: “Besa e Zotit, është besa e burrave, për Nder - Atdhe - Besë e Fe”.
“Lidhja e Shkodrës”, e organizuar mes maleve më 13 maj 1944, erdhi si imperativ i kohës, kundërpesh e çerdheve me gretha të frontit komunist, që ishin krijuar (si kërpudhat pas shiut), për të ardhur në pushtet me krime e mashtrime ideologjike. E gjithë programi konkret nga fraza e parë dhe deri tek e fundit, përshkruante vendosmërinë luftës deri në fund ndaj komunizmit si terror i zi, nami i së cilës kishte marrë dhen si epidemi, e po synonte të trokiste drejt Veriut të Shqipërisë.
Pjetër Smajlaj, sjellë nga kujtesa episode, që i ka rrëfyer babai Kolë Pjetër Smajlaj me miq, që kanë bujtur shpesh në familjen e tyre bujare. Preka, gjithnjë ka qenë i veshur me kostumin popullor tradicional të Kelmendit, me ornamentet e qendisura me kujdes nga vendasit. Ai, asnjëherë nuk e ndante nga brezi koburen e argjentë, që ia kishte dhuruar Mbreti Ahmet Zogu I. E pinte shumë duhanin e fortë të Sheldisë me çibuk. Mendimi i tij visar, përparimtar e i guximshëm, dallohet për mprehtësi e logjik të shëndosh në bashkbisedimet me të huajt e bashkatdhetarët e çdo krahine të Shqipërisë.
Ai me Malësi, ka zbatuar me ndërgjegje normat ligjore kanunore, që buronin mirëfilli nga ‘Kanuni i Lek Dukagjinit’. Kanuni, mori emrin e Lekës si Princ i Veriut të Shqipërisë. Ai ishte mik i Gjergj Kastriotit, rival dhe zot i zonave të kufizuara me Kryetrimin e Krujës, që pas vdekjes së Gjergjit, për 10 vjet (1467 – 1477), rifilloj luftën kundër ushtrisë së Perandorisë turke. Ky ligj (Kanun), është një kompleks parimesh, ligjesh, normash, zakonesh, me të cilat rajoni malor është qeverisur gjatë, në epokën kur turqit zotëronin drejpërdrejt në pjesën tjetër të Shqipërisë. Për zbatimin e tyre, ka vendosur populli i krahinës…
Preka, ishte e mbeti më i dëgjuari e i respektuari në kohën e vet në viset e Veriut. Ende sot, flitet e shkruhet me respekt nga autorët e rinj, që me dokumente autentike po venisin helmin e historisë deformuesve të kohës së absurdit totalitar. Kjo për më tepër, duket në stimën e lartë, që shfaqin kelmendasit dhe në tërësi e gjithë Veriu i Shqipërisë, shqiptarët në Mal të Zi e Dardania martire.
Kelmendi, shkruan studiuesi e publicisti malësor Ndue Bacaj, në gazetën nacionale ‘Shqipëria etnike’ (Shkodër, 2004), nuk është shkelur nga asnjë këmbë italiani apo gjermani. Treva e lavdishme, nuk ka arritur të pushtohet asnjëherë nga ushtritë e huaja.
Edhe sot, ekziston shprehja malaziase, për stërgjyshërit e Prekë Calit: “Pusho kangën o zogu i malit/Se po të dëgjon Memi i Smajlit”. Dhe është Prekë Cali, që ka kundërshtuar vendimet e qeverive të mëdha, që kanë qenë në dëm të Shqipërisë e trojeve tona.
Ishte ai, dhe vetëm Prekë Cali, që apeloi vendimin e marrë prej tyre, që kufiri i vendosur nga Bishti i Krajës, Ura e Përroit të Thatë, Qafa e Grishajve, Thana Binoke në Shkrel, Qafa e Terthores të zhvendoset dhe fitoi kufirin e sotëm ekzistues me Malin e Zi. Prandaj, 820 partizanëve sllavo - serb, sulmuan kështjellën e tij në Vermosh, tre muaj para se të “çlirohej” Shqipëria.
Ai u tërhoq nga Vermoshi e u vendos me shtabin e tij në Vukël. Serbo - sllavët, u larguan pa kryet e Prekë Calit, por të fituar nga ana e tjetër, sepse dy brigada shqiptare të shtetit amë luftonin gjoja për “çlirimin” e Kosovës.”
Me ardhjen në pushtet të qeverisë së Mbretit Ahmet Zogu, ai herë pas here bën kërkesa dhe proteston pranë qeverisë, për të ngritur zërin për Vermoshin, pranë organizatave ndërnacionale. Në këtë kohë, përplaset Prekë Cali me Ahmet Zogun, mbasi ai ishte përkrahës i forcave të opozitës asokohe. Pas rënies së qeverisë së Fan S. Nolit, qeveria monarkiste, Prekën me disa të tjerë i internuan burgun e kalasë së Gjirokastrës.
“Lirimi i Prekës, nuk ishte i rëndomtë. Qytetarët e Gjirokastrës, në sheshin e qytetit e përgëzuan me urime e ngrohtësi njerëzore, si të parakalonte një mbret. Preka, përmes gazetave, që e kishin intervistuar, falënderon për së tepërmi qytetarët e Gjirokastrës. Ai nuk u pajtua kurrë me pushtimin fashist dhe prej ditëve të para të pushtimit u vu në anën e forcave nacionaliste. Ishte kundërshtar dinjitoz edhe i komunizmit.” (Lajçaj, f. 70)
Kur situata u qetësua dhe gjakrat e urretjes midis shqiptarëve ranë në qetësi, Mbreti i Shqiptarëve Ahmet Zogu I (1895 –1961), rishikoj vendimin e dënimit ndaj figurës së shquar të Prekë Calit.
Ndonëse me vonesë, Mbreti e kuptoj, se nuk ishte ashtu sikurse i kishin thënë, mbasi kelmendasi me trima, kishte luftuar për çështjen nacionale të trojeve të Veriut.
Mbreti u tregua fisnik, tek e liroi dhe ftoi në rezidencën e tij në Tiranë, për t’u takuar miqësisht.
Qysh kur dy burrat e njohur i shtrenguan dorën njeri tjetrit, Mbreti Zogu I, i kërkoi ndjesë, duke i thënë se:
“ - Të kam internue, se kam pas të dhana, se ju jeni marr me politik dhe je kundër meje. A asht e vërtet kjo?
- Jo, iu përgjigj Preka, vetëm me politik as nuk jam marr as nuk merrem!
- Po kundër meje a je? – ia ndërpreu Zogu I.
- Vetë nuk jam kundër teje dhe nuk kam ken kundër shqiptarve. Un kam luftue e do të vijoi me luftue vetëm kundër atyne, që duan të na marrin trojet tona. Vetë jam vetëm shqiptar e për Shqipnin nuk më dhimbset jeta.”
Pas bisedës së përzemërt e me sinqeritet, në shej patriotizmi e miqësie të re, Mbreti i Shqiptarëve Zogu I, e bëri Prekë Calin Kapiten Rezervë. Kreu i fronit mbretëror, i dhuroi heroit kelmendas naganin me dorezë të bardh me nënshkrimin: “Ahmet Zogu I”.
Preka me kelmendas, kishin një motiv më shumë e arsye, pse kishin dalë në fushë të mejdanit, për jetë a vdekje, sepse nuk donin, që tokat e tyre, të ishin pjesë e Perandorisë Sllave; nuk donin, që fëmijët të merrnin emra sllav, zakone e tradita të pushtuesit; nuk donin, që të harronin varret e të parëve të larë me lumenj gjaku trimash. Gjithsesi, shqiptarët etnik nuk donin asgjë, që ishte dhuratë e verbër e pushtuesve sllav.
Edhe kur këta erdhën në pushtet, ai, nuk e ndërpret luftën në të mirë të popullit, duke iu kundërvu me armë në dorë satanait pa fe, atdhe, ide e shthurje morale, sa që shpesh thuhej, se gratë partizane ishin në përdorim kolektiv.
Studiuesi malësor 85 - vjeçar Marash Kolë Mali (1920), ish - burgosur politik në kohën e diktaturës në Shqipëri (një familje e njohur vojvod në Dedaj të Shkrelit, shënimi im K.K.), në librin e fundit shkruar në Florida, Ngjarje historike dhe figura të shquara shqiptare, rikujton:
“U ba nji Mbledhje e madhe me krenet e Malsisë së Madhe, nën drejtimin e Kolonel Mulo Bajraktarit, i cili ishte komandant i vullnetarve të Malsis asokohe edhe për malet andej kufinit. I deleguem i ardhun prej Shkodre ishte Ndoc Çoba, ish politikan dhe n/Kryetar i parlamentit Shqiptar. I ftum ishte edhe i deleguemi i partizanve i quajtun Ramadan Reçi, të cilët qendrën e tyne e kishin në Reç (mbi Koplik të Sipërm, shënimi im K.K.). Çun Junuzi, asokohe si komunist punonte ilegalisht, e me qendër ishte në Aliaj të Kastratit. Mbasi folën Mulo Bajraktari e i deleguemi i Shkodrës Ndoc Çoba (Ministër i Financave më 1920, Delegat në Kongresin e Durrësit, më 1918, të Lushnjës më 1920, shënimi im K.K.) fjalën e mori Ramadan Reçi: “Ju po e shifni se dy okupatorët italo - gjerman, pra Boshti po e humb luftën. Ne nuk duhet të kemi tjetër mbeshtetje e as lidhje me ta, për arsye, se fituesit e tjerë aleat, nuk duhet të na gjejnë të mbështetun me të humbunit, mbasi vetëm pasoja të këqija do të kemi. A nuk do të ishte ma mirë që ne, për hirë të vendit e popullit tonë t’u mbshtemi që tani fituesve? Unë them se po!”.
Ndërsa Çun Jonuzi, tha: “Malësia e Madhe ka nji besëlidhje, që asnji parti dhe as aktivitet politik të mos zhvillohet në këtë krahinë. E pse atëherë bahet kjo mbledhje këtu në territorin e Kastratit, për të na lan ne sherrin tek dera e shpisë?!” Mul Delija, e kapi për krahu dhe e largoi Çunin nga mbledhja, e cila po përfundonte pa asnji vendim.
I fundi, që e mori fjalën ishte Prek Cali, i cili me nji za të naltë e të shqerrun tha: “Ai djaloshi i Reçit, foli e deshi të na tregoj, se kush e humbi dhe kush e fitoi luftën. Ky tjetri kastratas, u ankue se me këtë mbledhje i paskena prue sherrin te dera e shpisë. Kjo nuk asht e vërtet, mbasi sherri i popullit tonë janë vetëm komunistët, që kan zanë vend këtu afër. Mua më duket, se sikur po rrim duarkryq ose në gjum, pa marrë asnji vendim. Prandaj, po u baj thirrje të bashkohemi dhe të dëbojm këta, sa nuk asht vonë prej andej, e nqoftëse ndonjenit nuk i pëlqen kështu, vetë me djemtë e Kelmendit, do t’ia tres farën e do t’i dëboj prej Rranxave të Malsis!…” (Mali, f. 340).
Preka, sëbashku me trimat, në të cilin bënte pjesë i riu 26 – vjeçar Mirash Fran Rrukaj, kur morën vesh, se një batalion me ushtar partizan, Natën e Krishtlindjes, më 24 dhjetor 1944, kishte kaluar Rapshën e Hotit, e po synonte të futej në drejtim të Lugjeve të Kelmendit, kryetrimi me parinë e vendit e luftëtarët, kishte zënë pritat në grykat e dy luginave mbi Urë të Tamarës.
Ai më parë, u çoi fjalë partizanëve, se: “Na nuk dona vllavrasje, shkoni ka keni ardh, se s’keni rrugë këtej.” Mirëpo komandanti nuk mori asgjë parasysh dhe filloi ofensiven. Për shumë kohë gjamët e pushkve ushtonin. Armët e Kelmendit pritën e thyen partizanët. Komandanti që kishte disa spijuna vendali, u mundue me çdo mjet trathtie t’i binde malsorët të dorzoheshin, por ata ishin në shpin e tyne dhe kështu luftimet vijun panderpremje. Partizanët, në panik filluen me pa, se Kelmendi nuk u dorëzonte pa vdek të gjithë. Atëherë, ai kërcnonte partizanët, se kushdo që do të tërhiqet asht dezertor e dihej se çfarë e priste…”, kujton i arratisuri nga burgu i Tiranës (1952), shkodrani me banim në Florida Kolec Pikolini, në librin me kujtime: “Rregjimi i hienave” (Shtëpia Botuese Camaj – Pipa, Shkodër, 2001, f. 51)
Kryepatrioti, ishte infomuar me saktësi nga rojet besnike të Major Llesh Marashit, të cilët kishin zbuluar batalionin partizan, duke marshuar nga Lugina e Shkrelit me armë e municion drejt Kelmendit. Atdhetari ballist Llesh Marashi, urdhëron Kolë Nikë Prelën (Marçinaj) t’i bie kumbonëve të kishës.
Sipas urdhërit (të firmosur nga terroristi “hero i popullit” Shefqet Peçi), që mori Komanda e Brigadës së I – rë (nga Shtabi i Korparatës së III – të) Batalioni i I - rë u nis në drejtim të Kelmendit. Batalioni, vendoset në formacion luftarak e vazhdon të tërhiqet në drejtim tjetër nga rruga, që të çonte në Vermosh, përmes kishës së Kastratit. Kryengritësit sulmuan batalionin, e arritën t’a shpartallonin për disa orë, duke e çarmatosur. Armët dhe municionin e kapur i dërguan në shtabin e Prekë Calit.
Forcat e batalionit të ndjekjes, bashkë me forcat e poskomandës së Bajzës, që e kishin marrë informacionin, donin ta shtypnin kryengritjen pa filluar ajo, ndaj mësyne drejt Grishës, më 23 janar 1945, për të arrestuar Luket Marashin dhe krerët e tjerë të kryengritjes.
Në këto rrethana, plasi kushtrimi në Grishaj. Vullkan u bë shtëpia e bë shtëpia e Luket Marashit, që ishte një poetencial i madh besë e burrërie në Malësinë e Madhe. Forcat kryengritëse, u gjenden përballë forcave ndëshkimore të Sigurimit të Shtetit e të ushtrisë, që sulmonin në ballë të gjerë.
Praktikisht, lufta kishte filluar para kohe, pra, në mëngjesin e datës 24 janar. Në këto përpjekje u vra Pjetër Gjoka, i cili në krye të 40 burrave të Shkrelit, zbriti si ortek bore në poskomandën e Dedajt, e mori ate dhe, duke kaluar nëpër Zagore, i drejtohet vertik Bajzës. Grishajt e kishin zmbrapsur sulmin dhe ishin hedhur në kundërsulm. Në ballë printe oficeri i ri Zef Toma, që ra duke luftuar trimërisht. Atë natë luftimesh, do të binte edhe Lulash Cuku. Gjaku i tij do të shenjtërorente besën e do të nxirrte kushtrimin. U plagosën Pjetër Gjokë Hoti, që vdiq pas disa ditësh. U plagos nga forcat komuniste toger Gjosh Nikaj.
Kryengritësit me në krye Llesh Marashin, u mblodhën në oborrin e kishës së Bajzës, ku, frati At Ciril Cani rreh kumbonën e kishës e i lutet Zotit, që bijtë e Malësisë, të fitojnë kundër pjelles së djallit të kuq. Kryengritësit sulmuan drejt Koplikut, nën drejtimin e Llesh Marashit. Mbas luftimesh të ashpra, ata morën postkomandën dhe spitalin dhe më pas krejt qytetin. Kontribut të veçantë dha familja e Shaban Binakut. Mësymja vazhdoi deri në Hanin e Dedë Zefit. Të ndaluarit, u liruan të gjithë, pasi iu morën armët. (Butka, f. 19)
“Po në të njajtën kohë edhe me bekimin e famullitarit të Shkrelit, Dom Nikollë Gazullit, Kolë Nikë Prela Marçinaj (Çekdedaj - Bzhete), u bien kumbonve për me mobilizue Shkrelin për në luftë. Kështu burrat e Shkrelit, u nisën për t’u bashkue me forcat e kryengritjes në Koplik.” (Franz Llesh Grishaj, ‘Shkreli dhe roli i tij në Kryengritjen Antikomuniste e Malësisë së Madhe të vitit 1945, Revista KUVENDI, Shkurt, 2005, Michigan, USA, f. 24 - 49).
I sigurtë në “historit” e veta, përfaqsuesi e historishkruesi komunist ushtaraku Ndriçim Plasari, në librin me trillime: Shpresë për popullin, tmerr për armikun (Tiranë, 1971), kushtuar Brigadës I - rë Sulmuese, duke i ndjekur luftimet nga shtëpia e vet shkruan: “… Kolona i kishte kthyer shpinën Brojës dhe pararoja porsa kishte shkelur mbi Urën e Tamarës, kur plasi pushka dhe çfarë pushke. Qëllonin nga kodra mbi urë, qëllonin nga Broja, qëllonin edhe nga Bardhaj. Batalioni kishte hyrë në një kazan të zjarrtë.
Armiqtë qenë njoftuar për ardhjen e një reparti partizan në Kelmend, kishin llogaritur foecën e tij prej afro 300 vetësh, kishin llogaritur edhe rrethnat e tjera në dobi të tyre dhe qysh herët, në mëngjesin e 15 janarit kishin zënë pritë këndej dhe andej përroit, me qëllim të caktuar, ta godisnin dhe ta asgjësonin batalionin tonë.
Një goditje e tillë partizanëve u ra krejt papritur. U krijua një gjendje kaq e vështirë sa më s’bëhet. S’kishte tjetër rrugëdalje, veçse të qëndrohej me çdo mënyrë në vend, duke kundërvepruar me të gjitha forcat. Ndihmë e shpejtë s’mund të pritej as nga një anë. Forcat e tjera të brigadës ndodheshin dy ditë larg, në Shkodër. Batalioni s’kishte ndërlidhje me radio.
Reaksionarët kishin zënë vend nëpër shkëmbinjtë dhe që andej villnin zjarr kundër luftëtarëve tonë të rrethuar plotësisht. Partizanët përdornin për mbrojtje çdo send të rastit, shkëmb, gropë dru. Që andej qëllonin në drejtim të qerdheve të zjarrit armik. Sulmi për të çarë rrethimin ditën ishte i pamundur. Edhe lëvizja më e vogël kontrollohej nga reakionarët… Ishin vrarë komandanti i batalionit, Fejzi Micoli, dhe një numër luftëtarësh…
Në të vërtetë bajraktarët trathtarë Preng Cali e Llesh Marashi me shokë kishin grumbulluar rreth vetes 300 – 400 burra të armatosur dhe përpiqeshin të shtonin gjithnjë e më shumë forcat e tyre. Ata kishin marrë lidhje me misionin ushtarak anglez në Shqipëri, i cili qe treguar i gatshëm t’u jepte çdo ndihmë dhe përkrahje. Aeroplanët anglezë i kishin furnizuar mbeturinat e reaksionit me armë, municione dhe veshmbathje. Me ndihmën e anglezëve trathtarët kishin hartuar planin e një kryengritjeje kundërrevolucionare. Do të sulmonin dhe të merrnin Shkodrën me Koplikun…” (Plasari, f. 566 - 567)
Partizanët nga ana e tjetër, nuk e mendonin, se do të hasnin në rezistencë aq të fortë, prandaj po vinin të qetë. Kur filloj pushka, këta nuk kishin nga të shkonin, sepse ishin të izoluar në shtigjet e ngritura dhe nuk kishte forcë ushtrie t’i shkatërronte pozicionet mbrojtëse të malësorëve, që ishin fortifikimet natyrore shumë të sigurta. Malësorët kishin epërsi ndaj partizanëve, sepse sëpari bënin një luftëe mbarojtëse dhe njihnin shumë mirë vendin e tyre, ku, gjatë luftimeve u vranë, plagosën dhe ranë në lumë shumë partizanë.
“Prekë Cali bashkë me me 15 burra, u ngujuan në shpellën e famshme mbi fshatin Vukël, që u mbiquajt Shpella e Prek Calit. Mark Luka dëshmon: “Na, ketë shpellë e zgjodhëm për me ba qëndresën e fundit, me e la vedin e me vdek per së mbari. Për shtatë ditë rresht, gryka e shpellës nuk ka pushue as natë as ditë prej plumbave e zjarrit të mitrolozave. Komunistët vendosën me na marrë me uri e me pabesi. Na u dorzuem me një kusht, që të vinte Frati i Vuklit, kryetari i këshillit, si dhe të mos dhunoheshim. Por komunistët nuk e mbajtën fjalën e dhanë. Dhe as besimin e Fratit. Kur na çuen ke shtabi i batalionit, në Rrapsh të Hotit, Mehmet Shehu, u ndodh ballë për ballë me Prek Calin:
- E, Prekë Cali, - i tha Mehmeti, - të pat ardhur dita ta mbyllesh historinë tënde me shkronja ari, po të bëheshe me ne! Pse bëre kështu?
- Zotni, - iu përgjigj Prekë Cali, - faji bie mbi ju, se ju u batë aleat me anmikun shekullor tonin, me Serbin.” (Butka, f. 16)
Preka e besniku deri në fund Mirash Fran Rrukaj, e dinin se mbas kësaj që ndodhi, brigadat partizane do të dyndeshin nga Rapsha e Kelmendit, si dhe nga krahu tjetër i Gusisë, ku, kishin përkrahjen e vëllezërve siamez sllav. Në këto kushte, nacionalistët morën udhën e arratisë. Hienat e pangopshëm komunist, u lëshuan nga të dy krahët mbi krahinën e Kelmendit.
Mehmet Shehu, me brigadën e vet ndeshkuese të inkuizicionit kundërmalësorë e kundërkatolikë, vendoset në fushim në fushën e Rapshës. Malësorët, prisnin gjëmen e madhe në shtëpitë e tyre. Nuk kishte informacion, se kush e kishte radhën: Kelmendi apo Kastrati.
Në natën e 1 janarit 1945, kryexhelati terrorist Mehmet Shehu e përgjaku Kelmendin. Me urretjen patologjike të trashëguar nga koha e pushtimit turk, sulmi i hienave të kuqe ishte i befasishëm. Nga Gryka e Grabonit dy toga me “druzhe” (shok) sllavoserb, marshuan drejt Kelmendit. Ata hapën zjarr tek Ura e Tamarës mbi popullatën e pambrojtur, me synime të pastra spastruese pa mëshirë.
Brigadat e Ndjekjes, të drejtuar nga kriminelët Mehmet Shehu e Fejzi Micoli, e forcat e Sigurimit të stacionuar në 26 kampet e burgjeve, hetuesisë, torturave etj., në Qarkun e Shkodrës, të mbështetur nga Ushtria Jugosllave, më 15 janar 1945 përfundimisht pushtojnë Vuklin.
Sikurse pritej, menjëherë bishat partizane iu vërsulën luftëtarëve malësorë, i lidhën dhe ushtruan dhunë mbi ta. Si në kohën e skllevërve i lidhën me konop njëri pas tjetrit, duke i shtyrë, ndonëse ata mezi lëviznin, nga mundimet me ditët e tëra pa gjumë. Më pas i hypën në një kamion e shpejt i nisën për Shkodër. Njësitë partizane, që i shoqëronin ishin të vogla, pasi pjesa më e madhe e tyre qëndruan aty, për të filluar terrorizimin e tërë Kelmendit.
Ata që janë dëshmitar të kësaj poshtërsie të pashembullt, e kanë parë me sytë e tyre, provuar mbi shpinën e vuajtur tërë torturat, që asnjëherë s’mund t’i parashikonte mendja e njeriut. Të gjithë të plagosurit i lidhën pas kalit dhe ashtu nën tortur, ata pothuajse ishin në prag të vdekjes së sigurt.
Prekë Cali, me 15 trima kelmendas kapen rob, duke i kaluar gjyqit ushtarak, i cili i dënoi me pushkatim. Brigadat e Ndjekjes bënë kërdi, duke derdh gjak malësori shqiptar. Ata si të uritur vranë e shkatërruan, dogjën dhe prenë, e sëfundi pushtuan Kelmendin e papushtuar në shekuj.
“Ishte mbasdite e unë po qëndroja me nji shok përbri zyrës së Posttelegrafës. Diku u dëgjuan të shtëna armsh. Njerëzit kishin marrë lajmin, se Prek Cali asht dorëzu e pritet t’a binin para Postës. U shihnin grupe individësh. Dikush në heshtje e të tjerë shakllabana që banin komente. Pas disa kohe u panë kamionat. Ato lëviznin ngadalë, saqë u afruan pak nga pak aty ku populli të mund t’i shihte shumë mirë “reaksionarët”, që s’mundën t’i përballonin ushtrisë.
Ishin pikrisht këto komente që banin njerzit servila e katila, që asnjiherë nuk u ngopën me gjakun e sternipave ilirian. Binte në sy shtati i tyne si lisat e bjeshkve të Kelmendit, ku mes tyne dallohej trupi vigan i martirit Prek Cali. Disa fundrrina komunist filluan t’i pshtynin e përbuznin ashtu të lidhun. Kjo pamje e shemtum ma prekte shpirtin. Edhe unë, si kureshtarët që erdhen duke u shtu rrinim të ngrim në heshtje me keqardhje, që vriste me logjiken e përbuzjes ndaj masakruesve të burrit vigan kelmendas, që shikonte se ku po shkonte qyteti i tyne i dashtun Shkodra, e cila pretendonte se ishte qyteti ma i zhvillum në Shqipni…
Grupi i Prek Calit doli në gjyqin komunist. Ai i zhvillua në nji ndërtes dykatshe, diku në veriperendim të Gjimnazit. Unë ndoqa tri seanca, si dëshmitar okular në at se çfar dëgjova e pash ndaj Prek Calit. Në fillim të seancës nuk lejohej me marr pjesë shumë popull, mbasi komunistët kërkonin që gjyqi të zhvillohej sa ma shpejt. Prek Cali, nuk ishte vetëm i pushkës, besës, traditës etj., por edhe nji trim që me gojën e vet nxirrte fjalë të matuna, i qetë, që mohonte pa frik të gjith akuzat e rreshtume kunder tij.
“Unë jam këtu, - u shpreh Prek Cali – ndër të tjera, për me marr pergjegjesin e luftës kundra partizanve që u ba në Kelmend. Dhe për t’drejt tjetër nuk keni pse m’akuzoni. Kam luftue kundra shkjeve, kur deshten me na nda prej nanes Shqipni dhe kam mbrojt at çka asht e jona. Mundësi ma të madhe nuk kam pas. Vërtet jam malcor pa shkoll, por jam shqiptar. Ju m’keni marr ne bes e s’kam nevoj me ju kerkue falje. Un as Mbretit si kam kerkue falje, kur m’ka denue se isha opozitar…” (Pikolini, f. 55)
Por këta, ndonëse përdoren barbarinë komuniste, nuk arritën me tutë (friksu) dhe mposht krenarinë e Malësisë. Malësori e pagoi, por kurrë nuk trathtoi truallin e shtëpisë së vet, duke mbrojtur lirinë nga ofensiva komuniste asokohe.
Me shumë urretje, se nuk mundën të kapnin luftëtarët nacionalistë të lirisë, forcat terroriste partizane: “… banë nji kërdi të zezë, tue torturue deri edhe gra e fëmi. Ata mashkuj apo luftëtar, që gjendeshin në shtëpi i arrestonin, u digjnin shtëpitë, u merrnin pasuninë, ndersa familjet (e luftëtarëve në arrati) tyne i internonin në krahinat e vendit…
Edhe Preka, me nji çetë luftarësh trima e besnik, vendosi e u ngujua në nji shpell, që ishte mjaft e ilzolueme e i përngjante nji fortese të vogël, me nji shprese fare të vogël, se mund të bante si dikur Kelmendi me ushtrin turke, të cilët zinin vende në ndonji luginë ose bregore, duke mos i ndjekur kryengritësit nëpër male.
Me partizanët, ndodhi e kundërta: Ata i ndoqen çetat kamba kambës dhe kur u mirëinformuan, se ku ishin i rrethuan dhe i derguan njerëz për t’u marrë vesht me ta At David Picin, i cili, u tregoi se ishin të rrethum dhe se partizanët kërkonin të dorëzohen pa pushkë. Prek Cali nuk i trembej vdekjes, por ai mendoj, se nji vdekje me gjyqe, asht ma krenare për t’u njoh nga publiku, se për çka e si do të dënohen…
Nga ana e tjetër, Preka kishte disa djem të rinj (Sipas tregimeve të Fritz Radovanit dhe Don Tomë Laca, kujtoj, se Preka, ka pas me vete në shpellë, një djalë të ri që ishte i vëtëm (dëshire) në familje, dhe komunistët i kanë thanë atij, se do t’ia falim jetën djaloshit të ri. Por në fakt, kur janë dorëzuar, duke i prerë në besë kanë vrarë (pushkatuar) të parin atë djalë dëshire, shënimi im K.K.), që nuk donte të rrezikohen, sikur ky të bante rezistencë me armë. Prandaj, u kërkoj partizanve, nëpërmjet Fratit disa kushte:
- Meqë udhëtimi do të bahej me ecje në këmb nëpër Kelmend, të lejohen të kalojnë të armatosun;
- Të mos i cënojnë (keqtrajtoj) kush me dorë;
- Gjykata të bajnë punën e saj.
Këto kushte komunistët ia premtuen, por si zakonisht nuk i mbajtën. Ata porsa kaluen nji copë rrugë të shoqnuem e të rrethuem me shumë partizan, i çarmatosën u lidhën duart, i ulën drejt e në Koplik, ndërsa ne e nesre në qytetin e Shkodrës, në të ashtequjtunin Burgu Gjerman…
Prek Cali asokohe 70 vjeç, ishte i burgosun në nji dhomë më vete e kur të burgosunit ndryheshin në dhoma, ate e nxirrnin dhe shëtiste i vetëm. Ai kishte nji tjetër trajtim prej të burgosurve të tjerë.” (Mali, f. 341)
Në mjedisin e Fushë Çelës, trimin legjendar, e ka rruar pa i njomur mjekrën me pastë rroje një partizane, që shihte nga afër stoicizmin. Skenat e dhunës ndaj Prekë Calit janë të papërshkruar, e ndoshta Shekspiri i madh anglez, do të ishte i pafuqishëm nga fantazia e torturave që kanë përdorur këta.
Preka, ka qenë i bindur se do ta vrasin, por është prerë në besë nga komunistët, të cilët i kanë prmetuar në fillim, se do t’ia falin jetën djaloshit të ri, që ende sot nuk kam mundur që t’i mësoj emrin e mbiemrin, mbasi familja e tij tashmë është e shuar. Përpara momentit të pushkatimit, Prekën, e kanë mbështetur tek muri i Vorrezave Katolike të Rëmanit në qytetin e Shkodrës, të ulur ndjenjur me cigare në gojë (për tallje), i veshur me çakçirë dhe i prishur në fytyrë nga plumbat. Rrëfimin dhe vojimin kur është pushkatuar, ia ka bërë Don Tom Laca.
Atë ditë më 25 mars të vitit 1945, në muret e qytetit të Shkodrës u shpërnda një afishe e madhe e cila kishte këtë titull: “Pushkatohen kriminelat e Luftës dhe Armiqtë e Popullit”, ku, më pas vijojnë emrat:
1. Prenk Cali
2. Dom Ndre Zadeja
3. Luigj Gjeto Kastrati
4. Ndok Nik Bardhoku
5. Ndrek Loka
6. Arif Selim Hyseni
7. Ded Lulash Smajli
8. Gjok Nikaj
9. Dul Bajrami
10. Mark Luc Gjoni
11. Tom Lek Daka
12. Maliq Bajrami
13. Gjok Nikoll Voci
14. Pjetër Ded Gjedashi.
Studiuesi e publicisti Mërgim Korça, gjatë hulumtimeve për përgatitjen e dorëshkrimit: Në përkujtim të Kryengritjes Armatosur të Malësisë Madhe, shkruan:
“Si sot e kam parasysh, kur e pruene duer lidhë n’shehët t’Shkodrës kreshnikun Prenk Calin! Ecte kryenaltë, me mjekër t’dendun aj, si me kenë fitues. Por shkjau, brateja e partizanve ngjallnjyes, ia kish n’vesh t’vjerrun trimit inadin. E ndalne mjedis Fushës Çelë, e ulne n’gjuj e nji partizane e ekzaltueme ia rroi mjekrrën pa lagë atij. Mjes gishtave t’duerve t’mija me t’cillat kishem mlue ftyrën, kureshtja m’bate me e pa si i shkojshin lotët kreshnikut qi za nuk xirrte dhimbet!
Kjo pamje e mbrame qi kam e prijsit maleve qi pat thye shkjetë n’luftimet e 1911 - ës e të 1913 - ës. Mbas kësaj veç kur ndjeva se e kishin denue me vdekje dhe me 25 mars njimij’ e nandëqind’ e katërdhet’ e pesë e kishin pushkatue Prenk Calin. Ksisoji komunistat shqyptarë e vrane animikun e betuem të shkjaut dhe e hapne rrugën m’u shkue uji n’mulli t’tyne!”
E më poshtë, qëndrimin stoik të Prekë Calit, e ilustron me një burim mnga arkivi:
“Në dokumenta arkivi figuron replika n’Rapsh t’ Hotit n’mjes t’lidhunit Prenk Calit edhe Mehmet Shehit, por ajo kurr nuk u ka ardhë për marë historianve lakej t’diktaturës t’a përmendshin…
I tha Mehmeti: “- E more Prenk Cali, të pat ardhur dita t’a mbyllje historinë tënde me shkronja ari po t’ishe bërë me ne. Pse bëre kështu?”
I gjegjet trimi legjendar burrnisht:

“- Zotni, faji bjen mbi ju se ju u batë aleatë me anmikun tonë shekullor, me Serbin!” (Korça, f. 5, 6)
Por odiseja e të ngujuarve në shpellë, nuk do të përfundonte me dorëzimin e tyre. Të parët që u pushkatuan, ishin: Dedë Lulash Smajli dhe Dedë Gjon Deda, të cilit i kishin prerë me parë mishin dhe trupin me sopatë. Fran Zef Bajraktarit, ia nxorrën sytë dhe e varrosën të gjallë me gurët e malit. Luc Gjon Bajraktarin, e prenë në qafë me bajonetë dhe e hodhën në greminë. Fran Zef Bajraktarin e groposën të gjallë, pasi i dogjën kullën. Marash Vat Lumajn, e pushkatuan para popullit të Vermoshit, si agjitator kundër bolshevizmit. Dedë Prek Nikën, e sollën nga kampi i Tepelenës dhe e pushkatuan pa gjyq, në mes të kelmendasve. Uk Mark Biku, u pushkatua në mes të katundit Brojë, për të ngjallur panik. Nik Mark Rezaj, i cili qëndroi 21 ditë i varur në burgun e Koplikut, u pushkatua përsëri pa gjyq. Gjelosh Fran Pellumbi, vdiq në burgun e Kavajës nga torturat çnjerëzore, me fjalëte fundit: Poshtë komunizmi! Pas një gjyqi në Shkodër, u dënua me vdekje kreshniku i Vermoshit, plaku 70 vjeçar Prek Cali. Ky gjyq, do të dënonte plot 25 vetë, nga të cilët edhe 4 me burgim të përjetshëm, ndërsa të tjerët kryesisht me 30 vjet burg. Kështu Kelmendi u përzhit dhe u ndeshkua përsëri. (Butka, f. 17 – 18)
Këto janë kelmendasit, që kishin të ruajtur në gene prej gjeneratave virtytet më të mira, si mikprirës e bujar, trima sypatrembur e atdhedashës, njerëz të besës e fetar. Ata e donin meshtarin si antarë të familjes, duke i besuar fjalën e nderit…
Malësia, humbi 137 bijë të saj, trimat e devotshëm në kryengritje. U burgosën 345 burra e u internuan 41 familje të shpallura reaksionare. Malësia, u vesh me petkun e zisë. Malësorët trima, denbabaden të patundur në trojet e tyre, u shpërngulën në kampet e internimit të Tepelenës, të Kavajës, të Vloçishtit, në burgjet e kampet e punës, më çnjerëzore që ka njohur historia. (Butka, f. 21)
Në momentin, që do ta ekzekutonin toga e zezë e pushkatimit komunist, kërkojnë që të denuarit me pushkatim të kthehen mbara (me shpinë) dhe t’ua mbyllin sytë. Por Prekë Cali, në mënyrë kategorike kundërshton, duke thënë fjalët:
“ - Nuk shkohet n’Parajsë me shpin dhe me sy t’mbyllun” dhe siç ishte duarlidhur, ngrehi kryet lart, hapi gjoksin, duke shkyer pullat e këmishës dhe u tha:
“ - Kështu vdes shqiptari”.
Para se të rrëzohej, ai trup si një lis, nga plumbat e shqiptarëve të armiqve të nacionit të vet, zëri i fuqishëm i malësorit të bjeshkëve, ushtroi si jehona e luginave:
“ - Rrnoft Shqipnia! Rrnoft populli shqiptar! Heret a vonë Shqipnia do të fitojë.” (Lajçaj, f. 70)

Do të pëlqente, që në shenj nderimi dhe respekti për gjakun e derdhur nga martirët nacionalistë në Shqipëri e Kosovë, të citoj pjesë nga poezia e jezuitit, përsonalitetit të shquar, poetit brilant të nacionit Don Ndre Mjedja, shkruar në vitin 1911. E, mos i harroni këto vargje, …jo, kurrë mos i harroni!…

O Shqype, o zogjtë e malëvet, kallxoni
A shndritë rreze lirije mbi ato maje?
Mbi bjeshkë të thepisuna e nd’ograjë
Ku del gurra e gjimon përmallshëm kroni?
A keni ndie ndokund kah fluturoni
Nëpër shkrepa me ushtue kangën e saj…
U kputne hekrat, e lirim malcori,
Lirim deti kumbon e ja sjellë bregut;
Lirfim përgjigjen qysh kah Labradori
E Virgjin’ja e New York – u, syni i tregut.
Të lumtë, o Ëashington! U zhvillat qielli…
E ndjeu toka njatë shend e u gëzue si fëmija
Që i qeshet lokes kur ja rreshë krahnorit;…
Lirin’ e keni ju! Na hekra kemi.
Na terr e niegull deri në ditt ma të vona;
Na pa emën kërkund, pa Atdhe; na jemi
Sherbtorët e të huejve nëpër vende tona.
Porsi berre qi bleu mishtari vemi
Mbas shkopit, të kalamenduna, ku s’dona…
Frymë të re tui shprazun për gjithkahna, hija
E Skanderbegut. Qe ndër djepa rrisin
Nanat e Hotit djelmënin ushtore,
E idhnim n’anmikun nëpër gji ju qisin.
E nalt ndër maje, bukuri mbretnore,
Hapi flatrat e mnershme qi përshndrisin,
Me thoj t’harkuem Shqypja Arbënore.
__________________

Kenge per Prek Calin
(per mbrojtjen e kufijvet)

Ty, o Zot, te kjoshim fale
C'po gjimon mali me mal,
Kah shkumbohej 'i trim Kelmendit,
Tu'u dal zot kujfijve t'vendit!
Syt i qesin flake e shkndija,
Zani i tij porsi duhija.
Ishte 'i burr me mende t'holle,
Per pa e pas' kurrnji dit' shkolle:
Njaj Prek Cali, trimi i trimit,
Then Kuvendin e Berlinit,
Kur pat marr' vendim Europa,
M'e da Shqipen copa-copa...!
Me Uc Turkunn bajn kuvend:
"Sot, o kurr, per njiket vend!"
Mire u shkon n'mend Ded Gjo' Luli,
Kur flamurin n'Deciq nguli:
"Njashtu, pra, na m'u bashkue,
Gjithmone or'n e kem' pas' cue,
Kurr 'i huej s'na ka sundue!
Kur t'jem' Nji, jem' porsi shkambi,
Ku thej qafen mbar' Nizami.
Nji bashkim me forc' celikut,
Ia pelset dy syt anmikut,
E, kur t'ndeshet rreth kufinit,
I del per hunde tambli i gjinit;
E prandej n'ia pashin giasen,
Le t’e pvesin “Kjamet Pashen”
Qi “Kjamet” ia pat njit vedit:
Prej srrethuemit kje gjue shkrepit,
Kur pat ardfh me sa taborre,
E zu vend neper llgore;
Mb’ Suk’ t’Mkushit e t’Toletes,
Porsi miza n’ulish’ t’bletes.
Ishate koha e “Hyrrjetit”,
Na pat msye ushtrija e “Mbretit”
Porsi sot, kushtrimi i vendit
I coi n’kamb’ djelt e Kelmendit:
E t’u lshuen n’per ato pisha
Sikur dhenvet u bjen bisha,
Ata djelm i ran’ Nizamit
N’p’r ato qeta i qiten shkambit.
Turqit keqas na jan thye,
N’Gusi Pasha kenka kthye,
Edhe aty na kenka struke,
Porsi pul’ prej hutit nduke…
Nuk vonoi e u kthyen n’Turki:
Tash ndersen Malin e Zi
Qi, si nan’ po ka Rusine.
N’at uzdaj’ tash lyp’ Malsine…!
Por kjo nder’ nuk do t’i ecin:
N’fyt Kelmendi do t’i ngecin!
Njaj Prek Cali – trim drangue,
Si ‘i selvi, ne kambe, u cue:
N’Grabom re me nja dhet’ vete,
Trimat t’lidhun per me deke.
Ktu kish ardhum komisjoni
Sambas fjal’s qi tha Uilsoni.
Fjala s’ngiate e u xu kuvendi:
“Ktu – tha Preka – nuk asht vendi
Me ngul’ gur, me vu kufi!
Ky asht dheu i t’parve t’mij;
E, pa mbet’ n’grra e fmij,
Rrehet keqas kush mendon,
Se ato maje i kalon!
Kujtou mir’ ti Komisjon,
Se Kelmendi asht betue”
T’tane me deke e m’u farue,
Nji pllamb’ kuj mos me ia lshue.”
Nji ingleze, grue fisnike,
Kah i ndigjon kto fjal’ kreshnike,
Si me mall e paska pvete:
“Pse, ti Cali, kaq me t’xete,
Po i del zot kti vendit t’shkrete?”
“Moj fisnike, t’u ngiat jeta!
Mos kujto: s’jan’ male t’shkreta,
Por me pyje e kullota,
Kund ma t’bukura s’i ka bota!
Brez mbas brezit, une e dij,
Se ktu lene t’part e mij.
T’huejit ju bane perher’ mur,
T’tan me eshten tuj e thure…!
Edhe mue m’erdhi dita:
Kuj t’e msyej, me iu ba prita,
E n’kje Zoti se e ka shkrue,
Njektu jeten m’e mbarue!”

Komisjoni ra n’mendim,
Shpejt e shpejt e muer vendim:
Gjithka shkoi Preka tue prij
Njaty u ngul gur e kufi.


Kelmendasit: Nga fitoret me Vuçi Pashën te kanibalizmi i Mehmet Shehut
E Merkure, 20-02-2008, 07:10pm (GMT+1)

Nga Gjovalin Gjeloshi

Dimri i robëruar

Prek Cali, drejtuesi kryesor i kryengritjes se Kelmendit te janar-shkurtit 1945
Ai dimër ishte ndryshe, më i ftohtë se të tjerët, i akullt, dëborë pafundësi. Mbi bjeshkë, hisja e qiellit të Kelmendit nuk dukej prej shumë ditësh. Retë ishin të acarta, të ftohta. Kishin atë ngjyrën gri të pluhurit të një paslufte. Në këtë gjendje ato rrinin pezull mbi kokën dhe supet e bjeshkëve. Lufta thoshin se kishte pushuar e vendi ishte çliruar, por ato re ndillnin luftë. Edhe retë dukej se po luanin ritin e dëborës. Kur nuk shkrihet bora e parë që bie thonë se pret tjetrën. Edhe retë e murrme, gati si ajo ngjyra e kapotës ushtarake, nuk largoheshin. Siç duket, prisnin një luftë tjetër. Kelmendasit i njihnin retë, sidomos ato që paralajmëronin luftë. Kishin 5-6 shekuj të mësuar me to. Ata shihnin te retë shenja të veçanta, ashtu siç shikohen shenja te shpatulla e dashit apo shpueri i pulës. Ata e parashikonin se çfarë e priste Kelmendin, kështjellën e tyre të pamposhtur…

Nga Shkoder locja, nga qyteti i tyre i dashur, vinin lajme që më mirë mos me i ndigjue, apo mos me u besue veshëve. I gjithë dhjetori i 1944-ës ishte kthyer në ditë zie në të gjitha rrugët dhe shtëpitë shkodrane. Kalaja e Shkodrës po njihte sundimtarin më të zi të pesë shekujve të fundit. Vllezërit e tyre shkodranë, miqtë, të njohurit e deri te udhëheqësit e tyre shpirtërorë, kleri katolik, po kalonin ditët në agoni. Komunistët shqiptarë, vllezër të armiqve të tyre shekullorë, serbo-malazezëve, po silleshin me kryeqendrën e tyre më keq se pashallarët turq. Ishin kthyer në dhoma torturash shumë shtëpi deri edhe objektet fetare. Kishin filluar vrasjet civile.

Çfarë bëhej? Pushtuesi kishte ditë që e kishte kaluar Hanin e Hotit. Shkodra e pafajshme po trajtohej prej komunistëve shqiptarë më keq se Berlini i pas pak muajve, prej ushtrive aleate, ku u dorëzuan nazistët e fundit. Terror, britma, klithma, arrestime, burgosje, vrasje e varje, tortura ç’njerëzore, vdekje nëpër burgje, çizme e shtypje më e rëndë se e gjermanëve. Kasaphanë, asnjëherë si e malazezëve kur turreshin mbi Shkodrën e ëndërruar, ishte më gjakatare. Baltë e vrer kundër kishave, e pakrahasuar me atë të turqve. Pushkatimet e para të vllezërve të tyre, kelmendasve nënshkodrakë, në Malin e Koljave, në Trush, në Breg të Matës etj.

Të gjitha këto, a nuk ishin të mjaftueshme që atje lart në “bjeshkët e kuqe” të nxitej instikti vetëmbrojtës i kelmendasve? Fatkeqësisht, ato çka thuheshin për komunizmin nuk qenkan vetëm fjalë apo propagandë shpifjesh. Ata e kishin vënë me pahir “tribojnicën” jugosllave përkrah flamurit me shqype, te kompanjeli i Kishës së Madhe. Në kujtesën e kelmendasve kishin kaluar shumë dimra të vështirë, dimra luftrash e vuajtjesh, por asnjë i robëruar. Ky ishte dimri i parë që ata vërtet nuk donin luftë, por nuk donin as robëri, nuk donin as miqësi të imponuar me shkjaun. Ata nuk mund të prekeshin në shpirtin e tyre të lirë.

13 janar - 26 shkurt 1945

Në kaq ditë, pat filluar dhe pat mbaruar kjo luftë e imponuar dhe aspak e dëshiruar prej kelmendasve. Kjo luftë, deri më 1990-ën, e shkruar vetëm në kujtesën e atyre që mbijetuan e pak edhe në arkivat shtetërore, është lufta e parë antikomuniste, jo vetëm në Shqipëri. Kjo luftë, që ishte edhe dështimi i parë pas ikjes së nazistit të fundit prej Hanit të Hotit, nuk u përmend asnjëherë…

Kelmendin e mësynë. Atij populli trim, i cili kurrë “nuk nguci as nuk duroi askënd”, i duhej dhënë një mësim, i duhej ulur dinjiteti i malësorit që i ruajti dlirësinë e shpirtit dhe pastërtinë e bjeshkëve. “Kelmendasi, - shkruan At zef Pllumi, - asht’ prototipi i atij shqyptarit që nuk don me iu nënshtrue kurrkuj.” Ata luftëtarë lirie të përhershme quheshin në zhargonin e fjalëve komuniste “mbeturinat e fundit të reaksionit të Veriut”. Drejt Kelmendit filloi mësymja e batalioneve të para, që në fakt nuk përbënin mësymjen e parë ushtarake. Përpara 400 vjetësh mësynte Arsllan Pasha i Podgoricës, por këtë radhë nuk ishte ai. Nuk ishte as Ibrahim Aga që i shpallte luftë Kelmendit më 1617-ën dhe as Mehmet Beu i Stambollit, i cili mësynte këtë kështjellë më 1633. Kelmendasit nuk e kishin zemrën të thyer kur luftonin më 1638-ën me Vuçi Pashën, i cili komandonte ushtrinë prej 15 mijë ushtarësh, por e kishin zemrën të plagosur atë dimër të 1945-ës, kur nuk kishin tashmë përballë pashën më të tmerrshëm të sulltanit. Në përbërje të kësaj ushtrie sot nuk ishin mercenarë si serbë, dalmatë, boshnjakë apo bullgarë, si atëherë, por fati i zi i kishte sjellë të gjithë shqiptarë përballë shqiptarëve. Kelmendin, këtë radhë nuk po e mësynte as Pasha i Begollajve të Pejës, i cili e mësynte më 1700-ën dhe as Brahim Pasha i Trebinjës, i cili i shpallte luftë më 1739-ën. Atë dimër në Kelmend nuk tentonte të hynte Sulejman Pasha me ushtrinë e vet si më 1740-ën dhe as Krajl Nikolla i Malit të Zi në vitet e mëvonshme. Kësaj radhe, në krye të ushtrisë nuk ishte Mark Milani, që u printe 12 mijë ushtarëve për të pushtuar Kelmendin, por ishte Mehmet Shehu, gjakatari i njohur, i prekuri me “sindromin” antinacionalist, antikatolik, antiverior, anti gjithçkaje të shtrenjtë të ruajtur deri atëherë me fanatizëm në malet tona dhe pro sllav e prokomunist.

Pushka e parë

Historia thotë se Luftën e Parë Botërore e shkaktoi një vrasje. Një serb vrau princin austro-hungarez, Franc Ferdinant, i cili në atë kohë po vizitonte Sarajevën. Luftën e përgjakshme dhjetëvjeçare të Trojës së lashtë e shkaktoi një grabitje femre: Helena. A thua nuk do të shkaktohej Lufta e Parë nëse studenti serb nuk do të qëllonte princin? Kushedi. Fillimin e luftës së Kelmendit e shkaktoi vrasja e një malësori prej partizanëve: Mark Gjeloshi i Rehovicës, sapo kishte dalë prej mullirit me barrën e bluar. Ai shpejtonte për të çuar në shtëpi bukën e fëmijëve. Pushka ia preu në mes. Ajo krismë ishte fatale. Ajo breshëri prej mitrolozi të lehtë këputi në mes çdo mundësi që këta shqiptarë të merreshin vesh mes vedit. Ndoshta përleshja ishte e pashmangshme, sepse komunistët nuk bënin asnjë pakt me askënd, por gjithsesi koha do të bënte punën e vet. Mbase do të kalonin ditë e do të gjendeshin burra edhe në palën mësymëse që të bënin bilancin e një përleshjeje të panevojshme. Megjithatë, këto fjalë tashmë tingëllojnë bosh. “Shpata ishte hequr nga milli.” Koinçidencë e keqe. Partizanët vranë një njeri të pafaj që po ngarkonte barrën, mbase të miellit të fundit të magjes për atë dimër.

Ura e Tamares, vendi ku u zhvilluan luftimet me te pergjakshme
Ura e Tamares u bë kësisoj në mënyrë të pashmangshme fushëbeteja e parë e kësaj lufte mizore. Zjarri i befasishëm u derdh mbi brigadat partizane prej drejtimeve të Brojës, Gropave të Sterës, Katabuqit etj. Lugina e Cemit ushtoi prej luftës vëllavrasëse, por gjithsesi jo civile: përballë kishte brigada ushtarake të njohura për terrorin e tyre, më shumë mbi popullsinë civile sesa mbi armikun. Uji i lumit të Cemit e humbi kthjelltësinë. U skuq me gjak shqiptarësh që doktrina komuniste po i ngrinte në luftë kundër njëri-tjetrit.

Megjithëse bilanci i kësaj përleshjeje ishte tragjik dhe Batalioni i Parë i Brigadës së Parë sulmuese rrezikohej të dilte komplet jashtë luftimit, komanda e njoftonte qendrën se, “Brigada e Parë vazhdon të jetë një forcë e shëndoshë luftarake… Morali i tyre qëndron lart. Nuk shihet në ta ndonjë lodhje apo pakënaqësi.” Ndërsa, një ditë më parë ishin vrarë bij nënash. Nuk ka rëndësi se në ç’llogore i kishte vendosur koha. As pas këtij çmobilizimi të plotë të batalionit partizan, askujt prej udhëheqjes nuk i shkonte në mendje të bënte analizë, të merreshin në konsideratë vështirësitë dhe të mendohej ndryshe, pos luftës. Jo, ushtarët ishin pa dhimbje. Ata ishin “mish për top” në duart e shtabit të divizionit. Ndërsa kelmendasit, kuptohej se tashmë ishin “armiku”.

Lufton vendi dhe jo Kelmendi

Kushedi se qysh kur e prej kujt ka ardhur kjo shprehje, por një gjë dihet: “Bajlozët” që mësynë njëri pas tjetrit këtë vend, që “shkuan me shpatë dhe u kthyen pa kokë”, për të larë disi turpet e humbjeve, sepse ushtritë mësymëse ishin gjithmonë disa herë më të shumta në numër se forcat e Kelmendit, thanë: “Atje lufton vendi dhe jo kelmendasit.” Në të vërtetë edhe ata vetë e dinin se luftonte “vendi dhe Kelmendi”.

Pas ballafaqimit të parë të forcave partizane me kelmendasit, të njëjtin fat pësuan edhe tentativat e tjera për të kaluar Urën e Tamares. “Dëshmitari” i vetëm okular i të gjithë atyre përgjakjeve është vetëm Cemi. Çdo përpjekje për të kaluar atë lumë të rrëmbyeshëm e të akullt haste në një kundërveprim luftarak të paimagjinueshëm prej forcave qeveritare. Ato ditë, çdo shkrep e çdo gëmushë e Kelmendit u kthye në llogore për këta petrita të paepur dhe çdo gur u bë plumb për kundërshtarët. Lufta frontale, megjithëse me forca shumë të pabarabarta midis palëve, u bë shkatërrimtare për batalionet partizane. Përveç qëndresës së pashoqe me armë, në ndihmë të Kelmendit vinte edhe dimri i ashpër. Partizanët i mbërtheu paniku. Shumica tashmë nuk mendonin më për luftën, por mendonin për të strehuar e për të shpëtuar kokën. Ata u shpërndanë në atë terren të panjohur, ku të mundnin, si turma pa prijës. Në këtë luftë, prej palës vendase nuk ishin “ca mbeturina reaksioni” siç dëshironte t’i quante propaganda e kuqe, por ishin pothuaj të gjithë ata që mundnin të luftonin. Ishte Kelmendi, me burra e me gra. Ishin të gjithë Vukli e Nikçi, këtë radhë jo “mashkull për shpi”, por “shpi për shpi”, megjithëse pak më e tërhequr; ishte Selca, me heronjtë e saj më të spikatur. Në këtë epope të përgjakshme nuk mungonin gratë luftëtare që dhanë edhe jetën. Pashkë Elezja e Katrinë Nikja, gra të Nikçit, që u vetësakrifikuan kur ranë në dorë të partizanëve, të cilët iu kërkuan t’i çonin drejt shtigjeve që ata nuk i njihnin. Ishte i pamundur përparimi i brigadave partizane në ato drejtime që ata i kishin vënë vetes objektivat. Morali i forcave partizane të rrethuara nga të ftohtit, dëbora e gërxhet e panjohura kishte njohur fundin. Vetëm tre vetë në Pshtan Gjon Sokoli e Zef Nik Marku të Nikçit si dhe Ujk Mash Leka i Selcës mbajtën të gozhduar për 12 orë një batalion të forcave partizane. Ata e kaluan qafën vetëm mbi trupat e tyre të vrarë. Kudo në Brojë, Qafë të Cjapit e gjithkund luginës së Cemit forcat ushtarake hasnin në qëndresën e pashoqe të malësorëve dhe ishin të detyruar të ktheheshin në bazën e nisjes. Do të mbetet gjithmonë në historinë e malësisë akti i tri grave të Selcës: Mri Lucja, Mri Mirukja dhe Make Docja që “kapën” rob një skuadër partizanësh, të cilët edhe pse me armë ishin të dalë jashtë luftimit prej kushteve të vështitra të motit. Veçse ato nuk bënë gjë tjetër, por u prinë dhe i çuan në shtëpitë e tyre për t’i sjellë në jetë. Aty-këtu gjendeshin trupa të ngrirë. Në dy javë e më tepër luftë frontale, forcat, tashmë të “qeverisë së përkohshme”, që kishin sulmuar Kelmendin, kishin shkuar tashmë drejt inekzistencës.

Tashmë nuk mund të fshihej gjendja reale dhe shtabi i divizionit të dytë nuk mund të raportonte më në Tiranë “për gjendjen e shkëlqyer të forcave tona në mësymjen e Kelmendit”. Kelmendi nuk mund të nënshtrohej me 2-3 batalione dhe Mehmet Shehu nuk mund ta drejtonte më operacionin nga Shkodra, ku ishte dislokuar prej ditës që kishte marrë detyrën e komandantit të operaciont kundër Kelmendit. Qëndresa e Kelmendit po rrezikonte seriozisht pushtetin e sapovendosur të komunistëve, i cili edhe pa pasojat e kësaj lufte ishte në curulajë. Rezistenca burrërore e kelmendasve po jepte shpresa për forcat antikomuniste në të gjithë Shqipërinë e Veriut, por edhe për forcat antikomuniste që vepronin jashtë. Qeveria e përkohshme e komunistëve akoma nuk ishte njohur dhe kjo luftë, së paku edhe zgjatja e saj, do t’iu kushtonte shumë në legjimitetin e fitores së komunistëve, të cilët e kishin larë më shumë me gjakun e shqiptarëve këtë fitore sesa me gjakun e ushtarëve pushtues, aq më tepër që Kelmendi nuk ishte i panjohur në kancelaritë e Europës dhe fama e luftës së drejtë të tyre në shekuj i kishte kaluar kufijtë e rajonit. Në luftën e Kelmendit u aktivizuan edhe nacionalistë të tjerë nga Trieshi, Gusia etj., si dhe disa serbo-boshnjakë çetnikë që kishin ikur për të shpëtuar nga hakmarrja e Titos.

Në Kelmend kishte ngecur sharra në gozhdë, bëhen plane të tjera për mësymje të përgjithshme e ndërmerren veprime luftarake në shkallë shumë më të gjerë se sa deri në këto momente. Mehmet Shehu i afrohet Kelmendit, duke u dislokuar në Rapsh të Hotit që të ndiqte luftimet më nga afër. Nga 24 brigada që numëronte ushtria nacional-çlirimtare në vjeshtën e vitit 1944, katër prej tyre morën urdhër për të sulmuar Kelmendin. Edhe pse nga pala tjetër bëhej fjalë vetëm për një batalion forcash, komandanti i operacionit iu shmang luftës frontale. Duhej dredhia, ndryshe realizimi i kësaj detyre ishte i vështirë. Kelmendi tashmë u sulmua nga tre drejtime të ndryshme. Nga Tuzi i Malit të Zi, andej nga nuk e priste askush prej malësorëve, sepse prej asaj ane u kishte ardhur vetëm shkjau. Batalione të tjera do të merrnin rrugën nga Shkreli, nëpërmjet Bogës dhe do të kapërcenin Alpet dhe drejtimi i tretë ishte sërish Rapsha dhe Grabomi, prej nga ishin bërë të gjitha mësymjet e para. Kësisoj, Kelmendi u rrethua dhe u la me gjak.

Ndëshkime mesjetare

Mac Luca, i fundmi i mbetur gjalle sot, nga te ngujuarit ne shpelle me Prek Calin
Është lufta. Është edhe paslufta. Secila ka ligjet e saj. Mund të jesh ushtar në luftë dhe ke vrarë, sepse po të mos vrasësh do të të vrasin, por mund të jesh një rob ose thjesht një civil i paarmatosur pas përfundimit të konfliktit. Me përjashtim të një rasti, ku u kap rob një komandant batalioni dhe pas një gjyqi të improvizuar pa dijeninë e drejtuesit të kelmendasve, Prêk Calit, u pushkatua, malësorët u sollën me dinjitet me robërit, të cilët nuk ishin të paktë gjatë kësaj lufte. Janë plot rastet që partizanët e lodhur e të rënë moralisht të zënë rob nga malësorët i kanë futur në shtëpi, i kanë veshur e mbathur, ngrohur e mbajtur dhe pasi iu kanë mbushur torbën me ushqime janë lënë të lirë të shkojnë andej nga kanë dëshiruar ata, madje edhe i kanë përcjellë. Trupat e gjetur të partizanëve të ngrirë në dëborë janë varrosur me respekt e nderime. Bij nënash, shqiptarë. Por, do të përmbysej ky respekt prej forcave partizane të drejtuar nga njerëz me instikt kanibalisti sapo kelmendasit u mundën. Në këto rreshta përkujtimorë unë nuk do të shkruaj emra që ranë në luftë frontale apo guerile, sepse gjithsesi ata u vranë me armë në dorë. Po të shkruaja emra malësorësh duheshin rreshtuar edhe emrat e partizanëve. Ata që luftonin me njëri-tjetrin në këtë rast nuk ishin armiq, vetëm mendimet e kundërta, për atë kohë që po vinte, i kishin hedhur në anë të ndryshme.

Ndëshkimet që u ndërmorën në hakmarrje të kryengritjes së kelmendasve ishin mesjetare. Me dhjetëra, faj e pa faj, u masakruan, u dogjën të gjallë në kulla, u prenë në fyt si bagëtia, u mbuluan me gurë e dhè për së gjalli, hodhën nga shkëmbinjtë të copëtuar, u mbytën me hunj e pastaj u qëlluan me pushkë të vdekur, u pushkatuan në sy të familjarëve, fëmijëve e nanave.

Dedë Gjon Bajraktarin e Vuklit e djegin të gjallë në shtëpinë e vet, pasi e shkëpusin ashtu të plagosur nga gjiri i nënës dhe nga ledhatimet e fëmijëve të vegjël. Për një javë rresht vinte era e mishit që kanibalët kishin pjekur. Në kullën e Fran Zef Nikçit djegin edhe trimin nga Trieshi, Lukë Tomë Trieshi, i cili banonte në Gusi, por i ishte përgjigjur thirrjes së Kelmendit për luftë. Po kështu bëjnë edhe me Zhukë Tomën. Luc Gjon Bajraktarin bashkë me vojvodën e Vuklit, Luc Gjon Rapukën, e pushkatojnë në Buçë, ashtu siç pushkatuan edhe tre vllezër njëherësh në Brojë: Marash, Ujk dhe Ndue Mark Bikun. Edhe katër vëllezër të tjerë të pushkatuar: Pal, Lekë, Mark e Lulash Vuksani, edhe këta më banim në Gusi. Nikën, djalin e Luc Gjon Bajraktarit, e presin në qafë te varri i komandantit Fejzi Micoli. Të njëjtën gjë bëjnë edhe me Losh Fran Alinë. Edhe serbo-boshnjakut Pero Kolashini i presin fytin me thikë. Fran Zef Bajraktarin e masakrojnë, duke i nxjerrë sytë dhe e mbulojnë me gurë për së gjalli. Ndërsa Shyta Tomë Lucës i rrjepin kryet për së gjalli dhe ashtu e mbulojnë me dhè. Mark Tomë Lucën me të atin, Tomë Luc Prelën, i mbytën në hunj derisa u doli shpirti. Idriz Kadri Muçën, pasi e mbytën e qëlluan me pushkë për së vdekuri dhe Dedë Gjon Dedën e Gusisë e mbytën në Koplik, duke e torturuar. Lazër Dedë Shyti u pushkatua në Godi, në fund të Vermoshit. Lul Mirash Ujka, Preldakaj u pushkatua në Ravinos, bjeshkë e Nikçit. Gjon Locin e pushkatuan në oborr të shtëpisë së tij; Fran Gjokë Lulën, gjoja se po e ulin në Koplik për t’i bërë gjyqin e vrasin në Leqe të Hotit; Marash Vatën e Vermoshit e pushkatuan te kisha e këtij fshati dhe Nikë Lulash Smajli pushkatohet në Gërçar. Nik Mark Ujkën e pushkatojnë në një ditë me Dom Lek Sirdanin. Rrok Zef Gjon Rapukën, nipin e vojvodës, e hodhën copa-copa në She të Noriut dhe Rrok Gjon Rapukën e hodhën nga shkëmbi në vendin e quajtur Shpella e Dhelpnës. Nuk u kursye as Mria e Tomë Dosh Prekës, e cila u pushkatua bashkë me të kunatin Fran Dosh Preka.

U pre në besë legjenda

Maç Luca ishte më i riu prej atyre që në përfundim të luftës u mbyllën për me vdekë në shpellë bashkë me Prêk Calin. Sot është më i vjetri e rrjedhimisht edhe i vetmi i mbetur gjallë, një burrë me moshë mbi 80-vjeçare, por aspak i lodhur për vuajtjet e tmerret që ka kaluar. Kur tregon zërin e ka të plotë, paçka se herë-herë mallëngjimin nuk e nënshtron dot. Lotët i bashkohen poshtë mjekrës.

“Na prenë në besë, - thotë ai, - në besë të Zotit e të fratit. Prek Cali nuk dorëzohej, por as ne që qëndruam me të. Nuk e di as sot se çfarë roli pati Padër David Pici në dorëzanin e besës sonë, por di se ai ishte ndër të vetmit priftërinj që nuk u dënua e as nuk u pushkatua. Bela rastësisht. Prêk Calin në shpellë e mbaj mend të ulur në një çullë. Pinte vazhdimisht duhan. Ishte i lodhun e i plakun vigani. Mbaj mend se pyeste vazhdimisht: “Bac, edhe sa ditë don me ardh data…” Duket se ai e priste një datë, një ditë”, - përfundon së treguari monumenti i gjallë Maç Luca.

Mbase një premtimi që “po të qëndroni e të luftoni Ju Kelmendasit, ne do t’iu ndihmojmë e do të ndërhyjmë”, priste atë ditë që nuk erdhi kurrë. “Kurrë” është, edhe kur vjen vonë. I thonë 45 vjet.

Pushkatimet e Prêk Calit, Dedë Lulash Smajlit etj dhe të ushtarakëve të vërtetë të Kelmendit, Gjek Marash Preka (Selca) e Gjergj Lul Toma e mbyllin këtë urrejtje që nuk e kishin parë ndonjëherë malet e Kelmendit edhe kur atje tentonin të hynin ushtritë pushtuese të huaja.

“U thoni malësorëve të Kelmendit që të mos hanë peshk prej lumit të Cemit për ca kohë, sepse ata janë ushqyer me mishin e kufomave të baballarëve të tyre që unë i kam hedhur nga shkëmbinjtë në këtë lumë”, - do të ngërdheshej kanibali Mehmet Shehu në fund të operacionit. Kështu u mbyll kjo mënxyrë e pashembullt për t’u hapur historia 45-vjeçare e vuajtjeve. Kelmendi do të paguante haraçin e mosnënshtrimit.

Vonë, një kelmendas, i cili ishte gjyshi im, dergjur në shtratin e vdekjes, në fund të vitit 1981, kur i treguan lajmin e radios se, Mehmet Shehu kishte vrarë veten, duke lëvizur me zor buzët foli këto fjalë: “E ka vrarë gjynahi i popullit, - tha, - nuk e ka vrarë veten.”

 


 




 

 



  Copyright © gusht.2000 by " www.malsia.eu.eu®S GjonBala