Shefki Ollomani

SHQIPËRIA ETNIKE
/Ëndërr apo Realitet?!/
(Shkruar:2006 - 2007)


SHKUPI
SHKUP - Tetor 2007


Editor
Azam Dauti


Recensent
Dr.Nehat Sadiku


PARATHËNIE

Shqipëria Etnike nuk ra nga Qielli,
ajo mbiu nga Dheu

Hartimi i Kapitullit I dhe II të këtij libri publicistik u referohet, përveç tjerave, këtyre librave:

1.Historia e Shqipërisë - Tiranë 1985
2.Zhan Klod Faveirial: Historia (më e vjetër) e Shqipërisë - Tiranë 2004
3.Aristidh Kola: Gjuha e Perëndive - Tiranë 2003

Pasi që ky libër nuk është studim shkencor mbi historinë tonë kombëtare dhe nuk ka për qëllim që lexuesve t'ua mësojë historinë tonë kombëtare apo botërore, ndaj edhe referimet, citatet dhe pjesët e marra nga këto libra janë shkruar pa thonjëza dhe pa fusnota.

Për hartimin e këtij libri, historia (sidomos ajo politike) vetëm është vënë në shërbim të politikës aktuale, në rolin ndihmës të veprimtarisë patriotiko-revolucionare e luftarake të Lëvizjes sonë Kombëtare për çlirimin dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike.

*****
Ky libër publicistik historiko-politik fillon me histori, sepse historia është rruga që ka bërë kombi ynë nga lashtësia e deri në ditët tona. Historia e vjetër dhe e re kombëtare, rajonale e botërore është udhërrëfyesja më e mirë, më e saktë dhe më e qartë për veprimet dhe veprimtarinë tonë sot e nesër për të bërë Shqipërinë e Bashkuar Etnike.

Ai popull që nuk ka të kaluar, nuk ka as të ardhme. Ai popull që e harron të djeshmen, nuk e kupton as të sotmen dhe e saboton edhe të nesërmen e tij. Ai komb që nuk e rrespekton të djeshmen, nuk e çmon të sotmen dhe nuk e meriton as të nesërmen. Ai popull që nuk mëson nga dështimet e kaluara, do të gabojë sot dhe do të dështojë edhe nesër.

Historia nuk është një seri përrallash të bukura apo të trishtueshme, ajo është një thesar vigan njohurishë, diturishë, përvojash e mësimesh të paçmueshme për njerëzit, popujt dhe për mbarë njerëzimin.

Ai popull që e çmon historinë, e kupton drejt atë dhe i zbaton në jetën dhe në luftën e tij të përditëshme mësimet e historisë, ai popull është i zgjuar dhe ka ardhmëri të ndritur.

Historia është thesari i bëmave tona: dëshmuese e së kaluarës, shembëll e mësim për të tashmen dhe paralajmërim për të ardhshmen.

Çdo njeri, çdo popull e çdo shtet, si dhe mbarë bota, kalon nëpër tri faza të veçanta të jetës dhe të zhvillimit të saj:
1.e kaluara,
2.e tashmja dhe
3.e ardhshmja,
të cilat janë të lidhura pazgjidhshmërisht me njëra-tjetrën, plotësojnë njëra-tjetrën dhe përbëjnë një tërësi të vetme që quhet pastaj historia e njeriut, historia e shtetit, historia kombëtare dhe historia e njerëzimit apo botërore. Prandaj nuk duhet të injorohet asnjë fazë e historisë së një populli dhe historisë së njerëzimit.

Shekulli i ri ka ardhur, kohë të reja kanë lindur.
AUTORI


I - PARAHISTORIA E SHQIPËRISË ETNIKE

1.PELLAZGJIA

Gjurmët më të hershme të qenies së njeriut në trojet shqiptare shfaqen në periudhën kohore të Paleolitit të mesëm që përfshin periudhën rreth 100.000 vjet më parë apo para erës sonë. Njeriu që popullonte këto vise në atë kohë, sipas shkencës antropologjike, quhet njeriu i Neandertalit. Këtë e vërtetojnë zbulimet e shumëta arkeologjike të bëra në të gjitha trojet shqiptare të Ballkanit të sotëm, troje të cilat në atë periudhë dhe deri në Mesjetën e hershme përfshinin dy të tretat e Gadishullit Pellazgjik - Ilirik - Ballkanik, që nga Sllovenia e sotme në veri dhe deri në Peloponez (Moré) të Greqisë së sotme në jug. Dhe nga deti Adriatik në perëndim deri në Thrakinë e sotme në Lindje, si dhe nga deti Egje në jug e deri në brigjet e lumit Danub në veri.
Vazhdimësia e përhershme e banimit të trojeve parahistorike dhe antike shqiptare që nga Paleoliti (Koha e Vjetër e Gurit), Neoliti (Koha e Re e Gurit) dhe deri te periudha kohore e Bronzit dhe Hekurit, tregon qartë e shkencërisht se Shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e drejtpërdrejt të këtyre banorëve të stërlashtë e fillestarë të Pellazgjikut (Ilirikut - Ballkanit), të cilët më vonë do të fillojnë ta quajnë veten me emra të ndryshëm, por që ishin dhe mbetën të njëjtët për nga etnia, gjuha, gjaku, kultura dhe arti i tyre i përbashkët, që u zhvilluan pandërprerje e në vazhdimësi përmes mijëravjeçarëve deri në ditët tona.
Deri kah fundi i Paleolitit dhe fillimi i Neolitit, banorët e Pellazgjikut jetonin në bashkësi primitive njerëzore. Me fillimin e Kohës së Re të Gurit (Neolitit) kjo bashkësi njerëzore u zhvillua me një hov më të madh dhe nga shoqëria primitive kaloi në shoqërinë e civilizuar, duke zhvilluar ndërtimtarinë, artin e kulturën dhe duke ndërruar rrënjësisht mënyrën e të menduarit dhe të jetës.
Rreth kësaj periudhe, në fillim të Neolitit (10.000-5000 vjet p.e.s.), kjo bashkësi njerëzore, këta banorë të parë të këtij Gadishulli e quajtën veten Pellazgë, kurse vendin ku banonin e emërtuan Pellazgji-a ( Iliriku i mëvonshëm, Ballkani i sotëm). Pellazgët u zhvilluan shumë shpejtë në të gjitha llojet e shkencave, duke themeluar edhe 12 "Perënditë" e Olimpit me në krye Zeusin, të cilët më vonë i përvetësuan Helenët (Grekët). Perënditë tjera pellazge ishin edhe Dodona në Epir, Kabiret në Samotrakë dhe Eleuzia në Atikë.
Pellazgët ishin shumë të vjetër, të stërlashtë, parahistorikë, që përbënin një rracë mitike, si titanët dhe ciklopët. Në vitin 1900 p. e. s, Pellazgët zinin një hapësirë tokësore nga Orno në Bosfor, ku ngritën fortesa e qytete të njohura si Larisa, Tursi, themeluan mbretërinë e Argosit dhe të Sikionit, formuan dinastitë e Tebës, Thesalisë, Arkadisë, Tirintit, Mikenës, të Likozurit etj.
Pellazgët, lelegët, kaukanët, karianët etj ishin bartësit e kulturës së neolitit dhe të fillimit të epokës së bronxit në truallin e Shqipërisë dhe të Greqisë. Këto ishin fise të vjetra vendëse, të cilët më vonë u mbuluan nga helenët e ardhur dhe u asimiluan prej tyre. Ndër ta Pellazgët ishin fisi më i madh dhe më i rëndësishëm, prandaj edhe njoftimet e historianëve për ata janë më të hollësishme.
Homeri i përmend Pellazgët në epopenë e "Iliadës" si banorë të Thesalisë, të cilët gjatë luftës së Trojës mbajtën anën e trojanëve (trojanët ishin Ilirë nga fisi i Dardanëve), kurse në "Odisenë", që është e një kohe më të vonëshme, Pellazgët zihen në goje si banorë të Kretës. Shkrimtarë më të rij si Hesiodi, Herodoti, Hekateu, Tuqididi dhe të tjerë më pas si Helaniku, Dionizi i Halikarnasit, Straboni etj. na japin njoftime të tjera mbi këto fise, duke i vendosur ata në Peleponez, në Azi të Vogël, në Itali etj. Ata flasin për vendbanime pellazgësh në Athinë, pastaj në Lemno dhe Kretë, në Sicili, Etruri etj. Njoftojnë për mbeturina muresh në vende të ndryshme të Greqisë që ata ua atribojnë Pellazgëve. Ndërsa gjuhën e tyre, pellazgjishten, e cilësojnë si gjuhë barbare, d.m.th. jo greke, të cilën e humbën kur u helenizuan. Tregojnë se Pellazgët kishin një kulturë të lartë dhe prej tyre helenët mësuan kultin e perëndive, bile përvetësuan edhe një varg emra perëndish pellazgjike. Përmendin disa emra vendesh e qytetesh të trashëguara nga Pellazgët si Larissa, Gortyna, Agro, Tyrren etj.
Ndër këta, Herodoti, thotë se në kohën e tij në Epir ishte akoma i gjallë kujtimi i banorëve të dikurshëm Pellazgë, të cilët kishin ardhur këtu nga Thesalia kufitare. Kurse Straboni, duke u mbështetur te Efori, Hesiodi, Eskili dhe Euripidi thotë se vendbanimi i hershëm i Pellazgëve ishte Arkadia dhe që këtej këta shtegtuan në Epir, në Thesali, Kretë, Lesbos dhe Troadë.
Por, megjithëse të ngatërruara dhe kontradiktore, njoftimet e autorëve të vjetër bashkohen në një pikë të rëndësishme, në faktin se ata mohojnë çdo lidhje gjenetike midis Pllazgëve dhe fiseve të mëvonëshme helene. Ata Pellazgët i bënin vendës, me origjinë hyjnore, siç thotë Homeri, ose të mbirë nga dheu siç thotë Hesiodi, kurse helenët ishin të ardhur.
Në Epokën e Bronzit (5.000-1.000 vjet p.e.s.) Pellazgët u ndanë në tre kryefise të mëdha: 1.Ilirët, 2.Maqedonët dhe 3.Thrakët. Këto tre fise ndaheshin pastaj në disa nënfise të tjera. Fisi më i madh nga këto tre fise ishin Ilirët. Edhe pse të ndarë në tre fise shumë të mëdha dhe në disa qindra nënfise, Pellazgët, megjithatë, përbënin një tërësi, një bashkësi etnike, një popull të vetëm me një gjuhë të ngjashme ( me shumë dialekte e nëndialekte) dhe me një art, kulturë e formim psiqik të përbashkët.
Dy fiset e mëdha pellazge: Maqedonët dhe Thrakët u zhdukën dhe u asimiluan nga luftërat dhe stuhitë e kohës, kurse vetëm fisi më i madh pellazgjik - Ilirët mundën të mbijetojnë dhe të arrijnë deri në ditët tona, duke ndërruar vetëm emrin nga Ilirë në Arvanitas - Arbër - Arbëreshë dhe më në fund u quajtën Shqiptarë. Edhe atdheu i Pellazgëve ndërroi emër nga Pellazgjia parahistorike, në Antikë u quajt Iliria, në Mesjetë mori emrin Arbëria, kurse në kohën tonë më të re u emërua Shqipëria.
Pas ndarjes së bashkësisë etnike të Pellazgëve në tre fise të mëdha secila nga këto formoi shtetin e vet. Për dallim nga dy fiset tjera, fisi i Ilirëve, pasi ishte i përbërë nga shumë nënfise tjera bukur të mëdha, formoi disa mbretëri apo shtete ilire, si dhe Lidhje shtetesh Ilire. Shteti i Maqedonisë dhe i Thrakisë u shuan më herët, kurse nga shtetet ilire mbijetoi vetëm Iliria e Jugut - Shqipëria e sotme Etnike, e cila shtrihet që nga Sanxhaku e Molla e Kuqe në veri dhe deri te Gjiri i Artës në Jug.
Meqenëse Maqedonët antikë, Thrakët dhe Ilirët janë popuj vëllezër, të lindur e të rritur nga babai Pellazg e nëna Pellazgjia, atëherë vetëkuptohet se ata kanë të njëjtin territor, të njëjtin gjak, të njëjtën gjuhë e kulturë, të njëjtët heronj e heroina dhe të njëjtët "perëndi". Shqiptarët si pasardhësit e vetëm të tyre, janë edhe trashëgimtarët legjitimë të kësaj pasurie materiale e shpirtërore, kurse Shqipëria Etnike është vazhdimësi dhe trashëgimtare e territoreve parahistoriko-antike të Pellazgjisë.
Për shkak të pozicionit të saj gjeografik, Shqipëria ka qenë përherë në udhëkryqin e perandorive dhe qytetërimeve të vjetra e të reja.
Në lashtësi, për shekuj me rradhë, ajo është gjendur në kufirin politiko-ushtarak e kulturor ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, ndërmjet Perandorisë Romake dhe asaj Bizantine, ndërmjet perandorive bullgare, serbe e greke. Ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Europës Perëndimore.
Trojet pellazgo-iliro-shqiptare në Parahistori, në Antikë dhe deri në Mesjetën e hershme përfshinin dy të tretat e Siujdhesës Pellazgjike-Ilirike, por me fillimin e dyndjeve të fiseve sllave dhe fiseve tjera barbare drejt kësaj siujdhese në Mesjetën e mesme dhe të vonëshme, trojet iliro-shqiptare filluan të ngushtohen, kurse popullsia e tyre filloi të zvogëlohet.
Tragjedi të mëdha, të përgjakshme e të njëpasnjëshme e kanë goditur Shqipërinë Etnike. Luftëra pushtuese të perandorive të shumëta, kryengritje të njëpasnjëshme për liri e pavarësi kombëtare, si dhe grindje e përleshje të brendshme ndërfisnore e kanë përcjellur nëpër mijëvjeçarë e deri në ditët tona popullin shqiptar dhe atdheun e tij.

II - RRUGËTIMI I SHQIPËRISË
ETNIKE

1.ILIRIA

A - ANTIKA (Mijëvjeçari I p.e.s. - Shek.V të e.s.)

Burimet historike dëshmojnë se në epokën e hekurit territori i Shqipërisë banohej nga ilirët, një nga popullsitë e mëdha të Evropës së atëhershme, që shtrihej në gjithë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Rreth fundit të shekullit XII ose fillimit të shekullit XI para erës sonë në territorin e tyre shfaqen për të parën herë objekte prej hekuri.
Kështu duke zënë fill në kapërcyell të epokës së bronzit, procesi i formimit të etnosit ilir përshkon në mijëvjeçarin e dytë rrugën e gjatë të diferencimit nga masa e pasigurt etnike që u formua pas shkatërrimit të botës neolitike dhe përfundon nga fundi i këtij mijëvjeçari. Si e tillë, kjo epokë krijon në pjesën perëndimore të Ballkanit atë substrat etno-kulturor, mbi bazën e të cilit formohet më vonë etnosi dhe kultura ilire. Bartësit e këtij substrati mund të identifikohen me atë popullsi parailire, që në burimet historike njihet si pellazge.
Pikëpamje më e re është ajo që e konsideron kulturën ilire si një dukuri të formuar historikisht në vetë truallin ilir në bazë të një procesi të gjatë dhe të pandërprerë të saj gjatë gjithë epokës së bronzit dhe fillimit të asaj të hekurit.
Nga studimet më të reja të mbështetura jo vetëm në burimet e shkruara historike, por edhe në të dhënat arkeologjike si dhe në ato gjuhësore, rezulton se trualli historik i Ilirëve përfshinte tërë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik që nga Sllovenia e sotme dhe lumi Savë e Danub në veri, deri tek gjiri i Ambrakisë në jug, pra deri në kufijtë e Helladës së vjetër. Dhe që nga rrjedhja e lumenjve Moravë e Vardar në lindje, deri në brigjet e Adriatikut dhe detit Jon në perëndim.
Burimet historike, arkeologjike dhe gjuhësore dëshmojnë për praninë e Ilirëve edhe jashtë trevës historike të tyre. Grupe të tëra Ilirësh, midis tyre dhe mesapët dhe japigët u vendosën në Itali gjatë bregut të Adriatikut dhe në krahinat jugore të saj.
Në Azi të Vogël u shpërngulën grupe popullsish dardane, paione, të cilat do të përmenden edhe në eposin homerik si pjesëmarrës, përkrah trojanëve në luftën e tyre kundër grekëve. Prania e elementit etnik ilir është vërtetuar arkeologjikisht nga burimet e shkruara edhe në rajonet veriore të Maqedonisë e të Greqisë, si në Akarnani e në Etoli.

B) - FISET ILIRE

Në shekujt e parë të mijëvjeçarit të fundit para erës sonë ishin formuar tanimë bashkësitë fisnore ilire dhe në përgjithësi ata kishin zënë vend në trojet e tyre historike. Ndër fiset më të hershme ilire që luajtën dhe një rol ku më shumë e ku më pak të rëndësishëm në ngjarjet historike të mëvonshme, për t’u përmendur janë: thesprotët, të cilët zinin ultësirën bregdetare që nga gjiri i Ambrakisë e deri tek lumi i Thiamit (Kalama), në veri të tyre vinin kaonët, vendbanimet e të cilëve arrinin deri tek malet e Llogarasë dhe gryka e lumit Drinos. Molosët banonin në pllajën pjellore të Janinës. Gjatë luginës së Vjosës në të majtë banonin amantët, ndërsa në të djathtë bylinët, kurse në rrjedhjen e sipërme të Vjosës banonin parauejtë. Në lindje të bylinëve shtrihej territori i atintanëve. Taulantët shtriheshin në zonën bregdetare nga Vjosa e deri tek lumi i Matit dhe në veri të tij, përgjatë brigjeve të Adriatikut të Mesëm, fisi i ardianëve. Në viset e Ballkanit Qendror dy ishin fiset më të mëdha dhe më të rëndësishme ilire: paionët në luginën e mesme të Vardarit, dhe dardanët që banonin në rrafshin e Kosovës, të cilët shtriheshin në veri në tokat midis degëve jugore e perëndimore të Moravës deri aty ku këto bashkohen për të formuar Moravën e Madhe.
Midis fiseve të hershme të Ballkanit Veriperëndimor ndër më të fuqishmit ishin liburnët, të cilët banonin në bregdet dhe në ishujt deri tek lumi Krka, në jug të tyre vinin dalmatët, kurse në viset e Bosnjës së brendshme, autariatët.
Përveç këtyre fiseve, në territorin e gjerë të Ilirisë do të shfaqen më vonë, në rrethana krejt të reja historike e politike, edhe një numër i madh bashkësish të tjera ilire, midis të cilave edhe bashkësi të tilla që do të kenë një peshë të madhe në zhvillimin e ngjarjeve politike të shtetit ilir, si enkelejtë, dasaretët etj. Ndër fiset më të përmendura ilire janë: taulantët, ardianët, dardanët, paionët, dalmatët, albanët, penestët, molosët, kaonët, thesprotët etj.

TAULANTËT - Banonin në zonën e Adriatikut, që nga lumi Vjosa, deri në prapatokën e Dyrrahut. Ky fis luajti një rol shumë të rëndësishëm në historinë ilire të shek. IV – III p.e.s., duke u vënë në krye të shtetit ilir, të cilin e kishin krijuar më parë enkelejtë. Në trevat e taulantëve më vonë shfaqet fisi i Albanëve dhe i Parthinëve.

ENKELEJTË - Banonin në krahinat përreth liqenit të Ohrit. Ata krijuan dinastinë e parë të mbretërisë Ilire, në fund të shek. V p.e.s.. Një nga qytetet e tyre kryesore ishte Enkelana. Pas shek. IV ata nuk përmenden më. Në trevat e fisit të enkelejve përmenden edhe dasaretët. Enkelejtë kanë qenë peshkatarë të zotë.

DASARETËT - Janë një fis i madh në Ilirinë Juglindore. Njiheshin në lashtësi sidomos për prodhimin e drithërave të bukës. Një nga qytetet më të njohura ishte Pelioni (qyteza në Selcë të Poshtme të Pogradecit). Qytet tjetër i madh i këtij fisi ishte edhe Antipatra (Berati).

ALBANËT - Banonin në prapatokën e qytetit të Dyrrahut. Kryeqendra e tyre ishte Albanopoli (Zgërdheshi i Krujës). Fisi i albanëve i dha emrin e vet shqiptarëve, gjatë mesjetës së hershme, kur ata njihen si albanë, arbër.

ARDIANËT - Fillimisht shtriheshin rreth gjirit të Rizonit (Boka e Kotorrit) dhe të lumit Narona (Neretva). Ardianët e shtrinë pushtetin e vet në të gjitha krahinat e tjera që më parë ishin nën sundimin e taulantëve. Ardianët luajtën një rol shumë të madh në luftërat kundër pushtuesve romakë, gjatë shek. III – II p.e.s., në kohën kur sundoi dinastia ardiane e Mbretërisë Ilire. Kryeqendra e ardianëve ishte Shkodra.

DARDANËT - Ishin fisi më i madh ilir që u vu në krye të Mbretërisë Dardane, në Ballkanin Qendror, kryesisht në Kosovë. Dy fise të tjera dardane të njohura ishin thunatët dhe galabrët. Qyteti më i rëndësishëm i dardanëve ka qenë Damastioni, i njohur si kryeqendër e nxjerrjes së metaleve. Dardanët përmenden si luftëtarë të fortë, xehetarë shumë të mirë, blegtorë dhe tregtarë të njohur.

PAIONËT - Fise ilire që banonin në luginën e sipërme të Vardarit në kufi me dardanët, duke u shtrir deri tek lumi Struma. Përmenden për herë të parë nga Homeri, si aleat të trojanëve. Në gjysmën e parë të shek.IV paionët krijuan mbretërin e tyre, e cila u detyrua t’u bëjë ballë për shumë kohë sulmenve të maqedonasve. Paionët prenë në shek.IV-II p.e.s. monedhën e tyre prej argjendi.

DALMATËT - Banonin në brigjet e Adriatikut. Ishin blegtorë të njohur, shquheshin për punimin e llojeve të ndryshme të veshjeve prej liri e leshi. Veshja e njohur me emrin dalmatika në shekujt e parë u përdor edhe nga aristokracia romake, prej nga kaloi edhe në veshje rituale kishtare. Qyteti më i njohur i tyre ka qenë Delmini.

PENESTËT - Banonin në luginën e Drinit të Zi e përreth saj. Përmenden për herë të parë në vitet 170 – 169 p.e.s. Luajtën rol të rëndësishëm në Luftën e Tretë Ilire – romake. Përfshiheshin në Mbretërin Ardiane. Kishin 14 qytete e kështjella, ndër të cilat përmenden Uskana, Oeneu, Draudaku etj.

MOLOSËT - Janë një nga tri fiset kryesore që banonin në qendër të Epirit antik dhe që luajtën rol shumë të rëndësishëm drejtues në historinë e lindjes dhe të formimit të shtetit të Epirit.

KAONËT - Ky fis epirot kishte shtrirje të gjerë, që nga lumi Thyamios (sot lumi Kallama), deri në luginën e Drinosit, në Gjirokastër. Kryeqendra e kaonëve, Foinike (Finiqi i Sarandës), në shek. III p.e.s. u bë kryeqendra e gjithë shtetit të Epirit. Qytet tjetër i madh i kaonëve ishte Antigonea (Saraqinishti i Gjirokastrës).

THESPROTËT - Banonin në Epir, në jug të lumit të sotëm Kallama, deri në gjirin e Ambrakisë. Përmenden në shkrimet e lashta që nga shek.V p.e.s., si fis që sundoheshin nga dy kryetarë të zgjedhur çdo vit nga gjiri i parisë.

Fise të tjera të njohura janë edhe labianët (për rreth liqenit të Shkodrës), pirustët (në Mirditë) dhe parthinët në ultësirën bregdetare të Adriatikut.

C) - SHTETET ILIRE

Zhvillimi i pronës private, që çoi në thellimin e diferencimit social, u bë burim konfliktesh në shoqërinë ilire të shek.VIII-V p.e.s. Në këtë kohë morën përpjesëtime të mëdha luftërat ndërfisnore dhe inkursionet plaçkitëse për det e tokë, që arrinin deri në Greqi dhe në brigjet e përtejme të Adriatikut. Të tillë kanë qenë inkursioni i enkelejve për plaçkitjen e thesarit të Delfit ose ato të detarëve liburnë, të cilët me anijet e tyre të lehta dhe të shpejta zotëruan për një kohë brigjet e Adriatikut, që nga Korfuzi deri në brigjet italike.
Në procesin e këtyre konflikteve, fiset e vogla ilire filluan të lidhen dhe të formojnë gjatë veprimeve të tyre të përbashkëta në luftërat agresive ose mbrojtëse, aty nga fundi i shek.VII p.e.sonë, federatat e para. Një federatë e tillë ishte ajo e taulantëve, që nën mbretin Galaur dhe më pas, gjatë shek. VII-VI p.e.sonë invadoi disa herë Maqedoninë duke i shkaktuar asaj dëme të rënda dhe sakrifica të mëdha në njerëz. Gjatë shek. VI-V p.e.s. federata të tilla formuan edhe disa fise të tjera, si molosët, thesprotët, kaonët, parauejtë, orestët, lynkestët, paionët, dardanët etj.
Zhvillimi social-politik, që vihet re, veçanërisht tek fiset ilire të jugut në fund të shek.V p.e.s., pasqyron qartë një shoqëri, që jetonte etapën e fundit të organizimit fisnor, atë kalimtare për në rendin skllavopronar. Mbi bazën e kësaj shoqërie do të lindin në fundin e shek.V - fillimin e shek.IV p.e.s. formacionet e para shtetërore ilire.
Në fundin e shek.V p.e.s. Ilirët hynë në rrugën e zhvillimit skllavopronar. Në shekujt që pasuan e deri në pushtimin romak krahinat më të përparuara ilire, ato jugore, kryesisht bregdetare, njohën zhvillimin e tyre më të lartë shoqëror e politik të pavarur.
Midis formacioneve shtetërore që u formuan në trevën e gjerë ilire, ai që arriti një shkallë të lartë të zhvillimit politik dhe që luajti një rol të shquar në ngjarjet politike të kohës qe Shteti Ilir apo Mbretëria Ilire. Që nga dukja e këtij shteti emrat Ilir dhe Iliri morën, përveç kuptimit të gjerë etnik, edhe një kuptim të ngushtë politik, që u lidhën me fatet historike të këtij formacioni shtetëror dhe të popullsisë së tij, e cila në burimet e shkruara do të njihet me emrin Illyrii propriedictii (Ilirë të mirëfilltë).
Në kohë të ndryshme Mbretëria Ilire ushtroi pushtetin e vet, natyrisht me luhatjet që i imponuan rrethanat politike, në një territor të gjerë që përfshinte krahinat prej lumit Naretva (Narona) në veri e deri te lumi Vjosa (Aous), në jug me një shtrirje drejt lindjes deri te liqenet Lyhnide në kufi me Maqedoninë dhe më në veri me Mbretërinë Dardane.
Në krahinat më jugore ilire u formua një shtet tjetër i rëndësishëm ilir i njohur me emrin Shteti i Epirit, i cili shquhet sidomos në ngjarjet politike të fundit të shek. IV dhe të çerekut të parë të shek. III p.e.s. Në kohën e shtrirjes më të gjerë të tij, ai përfshinte tokat prej lumit Vjosa (Aous) e deri në gjirin e Artës (Nikopolit), duke u kufizuar nga jugu me Akarnaninë, kurse nga lindja me Thesalinë e Maqedonisë.
Në këtë hapësirë kanë ekzistuar si formacione shtetërore të pavarura edhe një varg qytetesh shtete, si Dyrrahu, Apolonia, Ambrakia, historia politike e të cilave u zhvillua herë në lidhje të ngushtë e herë në kundërshtim me atë të Shtetit Ilir dhe të atij të Epirit.
Popullsitë ilire të krahinave të brendshme qendrore e veriore nuk njohën deri në fillim të erës sonë një organizim politik shtetëror. Edhe në këtë kohë ato arritën të organizohen vetëm në federata fisnore, siç është rasti i dalmatëve ose i fiseve të tjera.

1.Mbretëria e Enkelejve

Mbretëria e Parë Ilire është dinastia e Bardhylit (shek.IV-335 p.e.s.).
Që nga shek. XI p.e.s. ekonomia ilire mori një zhvillim dhe organizim të ri. Në disa degë të ekonomisë, si në blegtori, në zejtari e më vonë edhe në bujqësi lindi prona private. Rritja e prodhimit ndihmoi në dendësimin e marrdhënieve tregtare të brendshme dhe me vendet fqinje, si me Greqinë, me Italinë e me krahina të tjera lindore. Kjo bëri që të veçohet aristokracia fisnore dhe ushtarake, e cila u vu në krye të fiseve të veçanta. Këto filluan të bashkonin edhe fise të tjera rreth vetes, duke krijuar federatat. Që nga shek. VII p.e.s. u krijuan federatat e taulantëve, e molosëve dhe e fiseve të tjera. Federata taulante drejtohej nga Galauri. Nga fundi i shek. V p.e.s. u krijua shteti ilir. Mbreti i parë që njohim është Sirra. Qendra e kësaj mbretërie ndërroi vend që nga juglindja, ku u formua Mbretëria e Enkelejve, në jugperëndim, në Mbretërinë e Taulantëve dhe më vonë tek Ardianët, në krahinat veriore.
Në shek.IV p.e.s., Bardhyli e rrëzoi mbretin Sirra nga froni dhe mori drejtimin e shtetit ilir, duke themeluar dinastinë e tij, që e kishte qendrën rreth liqenit te Ohrit, te fisi i Enkelejve. Bardhyli rridhte nga shtresa artizanale, ishte zejtar. Mendohet se ai e mori pushtetin me anë të kryengritjes, i përkrahur nga shumë luftëtarë, të cilët e mbështetën, meqë ai ishte i paanshëm. Politika e shtetit ilir gjatë gjithë kohës së dinastisë së Bardhylit pati si qëllim përfshirjen nën sundimin e vet edhe të atyre tokave të banuara nga ilirët që ishin të pushtuara nga maqedonasit. Për t'i çliruar këto toka, Bardhyli mundi tre mbretër maqedonas dhe i detyroi t'u paguanin ilirëve tribut vjetor. Në vitin 360 p.e.s., kur maqedonasit u përpoqën ta ndryshonin këtë gjendje me luftë, mbetën të vrarë 4000 maqedonas, së bashku me mbretin e tyre, Perdikën. Për të dobësuar ndikimin e maqedonasve në kufijtë jugorë të tyre, në Epir, enkelejtë lidhën aleancë edhe me tiranin e Sirakuzës. Vetëm kur Maqedonia, me në krye Filipin II, arriti të shuante grindjet politike në vend, pozita e Ilirëve ndaj fqinjëve lindorë u dobësua. Në vitin 359 p.e.s., Bardhyli, edhe pse në moshë 90-vjeçare, u vu në krye të ushtrive ilire dh përballoi sulmet maqedonase, të cilat më në fund e detyruan të lëshonte të gjitha qytetet që më parë i kishte pasur Maqedonia në varësi. Pasardhësit e Bardhylit vazhduan këtë politikë, por ata nuk arritën të çliroheshin nga varësia maqedonase.

2.Mbretëria e Taulantëve (335-231 p.e.s.)

Mbretëria e Dytë Ilire është dinastia e Glaukut
( viti 335-231 p.e.s.)

Pas shuarjes së kryengritjes që bënë Enkelejtë me në krye djalin e Bardhylit, Klitin, për t'u shkëputur nga Maqedonia, qendra e shtetit ilir kaloi te Taulantët, ku Glauku krijoi dinastinë e tij mbretërore. Politika e mbretërve të dinastisë së Glaukut, në ndryshim nga ajo e Enkelejve, qe shumë më aktive dhe më e gjerë. Ndaj Maqedonëve u zhvillua një politikë e papajtueshme. Pas vitit 323 p.e.s., Glauku arriti të çlironte të gjitha tokat që maqedonasit ua kishin marrë Enkelejve. Pas kësaj maqedonasit u përpoqën të futnin nën varësinë e tyre Dyrrahun e Apoloninë, që do t'i bënte ata zotër të Adriatikut. Pas kryengritjes së vitit 312 p.e.s., që u bë në këto qytete, Dyrrahu e Apolonia ranë nën pushtetin e Mbretërisë Ilire të Glaukut. Në vitin 309 p.e.s., që u bë në këto qytete, Dyrrahu e Apolonia ranë nën pushtetin e Mbretërisë Ilire të Glaukut. Në vitin 309 p.e.s. Glauku me një ushtri të madhe zbriti në Epir dhe vendosi në fron mbretin Pirro. Kjo ndikoi në dobësimin e grupit promaqedonas në Epir. Bardhyli i ri, pasardhës i Glaukut, krijoi marrëdhënie miqësore me Epirin, por këto nuk vazhduan gjatë, se Pirroja i shtriu pushtimet e tij deri në Shkumbin. Politikën e paraardhësve vazhdoi më me forcë dhe mbreti Monun (viti 280 p.e.s.), i cili u bë edhe zotërues i Dyrrahut, ku preu monedha argjendi me emrin e vet. Ai arriti të rimëkëmbëte e të forconte shtetin ilir. E gjithë periudha e sundimit të dinastisë së Glaukut shënon faqe të rëndësishme për historinë ilire. Shteti Ilir i Ultësirës Bregdetare të Adriatikut u bëri ballë synimeve hegjemoniste të Maqedonisë dhe pushtimeve epirote, duke siguruar një zhvillim të hovshëm ekonomik e kulturor në të gjithë Ilirinë. Ekonomia qytetare gjatë pothuaj një shekulli përjetoi një lulëzim të plotë. U ngritën shumë qytete të reja me arkitekturë urbane bashkëkohore dhe me mure mbrojtëse të fuqishme. Arti e kultura morën një zhvillim të paparë deri atëherë në Iliri. Ndër qytetet kryesore ilire që morën zhvillim janë Damastioni, Bylisi, Albanopoli, Dimali, Shkodra, Lisi, Meteoni, Ulqini, Rizoni etj. Disa prej tyre prenë edhe monedhat e veta prej bronzi ose prej argjendi. Këto qytete luajtën rol të rëndësishëm jo vetëm në ekonominë e kulturën e vendit, por edhe në historinë politike të Ilirisë. Përfshirja e kolonive helene, Dyrrahu e Apolonia, në shtetin ilir dhe përzirja e banorëve të tyre me ilirët, ndikuan në rritjen e fuqisë ekonomike dhe në zgjerimin e marrdhënieve tregtare me të gjitha krahinat e Ballkanit dhe jashtë tij.

3.Mbretëria e Ardianëve (231-168 p.e.s.)

Kjo mbretëri u formua në shek.III p.e.s., pas dobësimit të pushtetit të taulantëve. Mbretëria Ardiane përbën bashkimin më të rëndësishëm politik që u formua nga ilirët. Themelues i saj ishte Agroni. Dinastia e tij mbretëroi gjatë viteve 231-168 p.e.s. Mbretëria Ardiane bashkoi nën pushtetin e vet gjithë tokat ilire të Veriut me ato që u përkisnin më parë enklejeve dhe taulantëve, duke shtrirë kufijtë shtetërorë që nga lumi Vjosa, në jug, deri në Dalmacinë e mesme, në veri, dhe në lindje që nga trevat rreth liqenit të Ohrit deri në bashkimin e dy Drinave, në Kukës. Kryeqytet i Mbretërisë Ardiane u bë Shkodra. Në këtë kohë shteti ilir arriti organizimin më të lartë social-politik. Lindën edhe një sërë qytetesh të reja ilirie. Baza e shoqërisë ilirie ishin qytetarët e fshatarët e lirë dhe skllevërit. Fshati ilir tek ardianët kishte një numër të madh fshatarësh të shpronësuar, të cilët ishin të detyruar qe një pjesë të prodhimit t'ua dorëzonin zotërve të vet. Regjimi politik i shtetit ishte mbretëri e trashëgueshme. Drejtimi i mbretërisë bëhej edhe me bashkësundues ose me miqtë e mbretit. Fronin mbretëror kishin të drejtë ta zinin edhe gratë. Qytetet kishin të drejtën e vetëqeverisjes së tyre, brenda kuadrit të shtetit ilir; në krye të tyre qëndronin polidinastët, sundimtarët e qyteteve. Në kohën e mbretit Gent pushteti i mbretit ishte i pakufizuar.

4.Shteti i Epirit ose Mbretëria e Molosëve
(shek. V-IV.p.e.s.)

Në periudhën antike treva që nga malet e Llogarasë dhe të Kudhësit me rrjedhjen e mesme të Vjosës në veri dhe deri në gjirin e Ambrakisë dhe në kufijtë e Etolisë në jug, që nga malet e Pindit në lindje e deri tek brigjet e detit Jon në perëndim, përbënte një njësi gjeografike-politike më vete të formuar historikisht dhe të njohur me emrin Epir.
Shteti i Epirit ndodhej në jug të shtetit të ardianëve. Ai shtrihej nga lumi Vjosa deri në gjirin e Ambrakisë dhe nga deti Jon deri në malet e Pindit. Popullsia e këtij shteti ishte ilire, prandaj edhe shkrimtarët grekë i quajnë epirotët "barbarë", sipas traditës së kohës antike, kur të gjithë popujve jogrekë u vihej ky epitet. Në Epir jetonin 14 fise të mëdha me shumë fise të tjera më të vogla. Fiset kryesore ishin molosët, kaonët e thesprotët. Organizimi shtetëror i Epirit filloi që në shek.V p.e.s. Mbreti i parë epirot që njohim, është Admeti, mbret molos. Mbretëria Molose krijoi një oraganizim politik e ushtarak më të fuqishëm se të tjerët. Kjo i dha mundësi asaj të njihej në Ballkan si shtet i fortë në qendër të Epirit, aq sa në fundin e shek.V p.e.s. Sparta e Athina bënë përpjekje të mëdha që secila të kishte përkrahjen e shtetit molos. Tharypa, mbret molos (42-85 p.e.s.), i edukuar që në moshë të re në shkollat e Athinës, ndërmori një sërë reformash, duke përsosur organizimin e mbretërisë së tij. Me këto reforma ai përshpejtoi njëkohësisht ndikimet greke në Epir. Forcimi i organizimit shtetëror i dha mundësi Mbretërisë Molose të zgjeronte kufijtë e vet. Edhe pasardhësit e Tharypës, Alketa dhe Neoptolemi, që sunduan në gjysmën e parë të shek.IV p.e.s., e vazhduan politikën e zgjerimit të territorëve shtetërore. Prandaj në shkrimet e vjetra, Alketa përmendet si "sundimtari më i lartë i Epirit". Kjo bëri që molosët të viheshin në krye të bashkimit të parë politik të epirotëve, me krijimin e Lidhjes Molose, në fillimet e shk.IV p.e.s.
Lidhja Molose kishte karakter federativ monarkik. Në të merrnin pjesë disa fise epirote, në krye të të cilave qëndronin molosët. Çdo fis merrte pjesë në qeverisjen e shtetit me anë të përfaqësuesve të zgjedhur prej tij. Në krye të shtetit qëndronte mbreti, që vinte nga dinastia molose e Ajakidëve. Ai kishte pushtet të trashëgueshëm. Mbreti ishte edhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë. Pas mbretit qëndronte prostati, i cili ishte mbrojtës i ligjeve të vendit dhe i interesave të atyre që e kishin zgjedhur, duke kufizuar pushtetin mbretëror. Përkrah tij vinte sekretari. Të dy këta fuksionarë të lartë të shtetit zgjedheshin çdo vit nga Kuvendi i Popullit, i cili përgadiste ligje e vendime. Lidhja Molose e vazhdoi politikën e zgjerimit të kufijve të vet. Në mesin e shek. IV p.e.s., nën varësinë e saj u vunë tokat e koinonit të thesprotëve e të kaonëve. Me këtë molosët siguruan daljen në detin Jon. Lidhja Molose krijoi një aleancë të qëndrueshme me Filipin II të Maqedonisë, kur kjo ishte kthyer në një mbretëri kryesore në Ballkan. Në vitin 4 p.e.s., me kërkesën e Tarantit (Taranto), mbreti molos Aleksandër kaloi në Italinë e Jugut për të mbrojtur kolonitë helene që po kërsënoheshin nga fiset italike. Në fillim ushtria e tij pushtoi Apuljen, Heraklenë e qytete të tjera. Fitoret ushtarake të epirotëve i detyruan shumë qytete italike, madje edhe Romën, të lidhnin marrëveshje me Aleksandrin. Por pas disa vjetësh fiset italike, me forca të mëdha të bashkuara, i thyen epirotët në luftën e zhvilluar në afërsi të Kozencës në vitet 1-0 p.e.s.
Shkrimtari grek i shek. IV p.e.s. numëron në këtë kohë në Epir vetëm 14 fise, por nga burimet e tjera historike-epigrafike rezulton që ky numër të ketë qenë shumë më i madh. Nga fiset më kryesore ilire, të cilat luajtën një rol të rëndësishëm në historinë politike të kësaj krahine, përmenden sidomos thesprotët, kaonët, molosët etj.

5.Mbretëria Dardane

Doli në skenën historike në shek.IV p.e.sonë dhe u bë një prej faktorëve relevantë, politikë dhe ushtarakë në Evropën Juglindore gjatë shekujve III-I p.e.s. Shteti i Dardanisë, duke i bërë sfidë dominimit romak për një kohë të gjatë. Dardania shtrihej në territorin e Kosovës së sotme, të Maqedonisë Veriperëndimore, të Serbisë Jugore dhe në një pjesë të Sanxhakut. Në gjysmën e dytë të shek.III p.e.s, në kuadër të mbretërisë hyri edhe Peonia dhe qyteti me rëndësi gjeo-strategjike Bylazora (Veleshi i sotëm). Kosova, duke përfshirë edhe territorin e Shkupit, përbënte hapësirën qëndrore të kësaj mbretërie.
Dardania kishte një pozitë të volitshme gjeografike dhe gjeostrategjike, që mundësoi krijimin e ndërlidhjeve me hapësirat fqinje dhe ato më të largëta. Territori i saj, duke u përshkuar nga luginat e lumenjve Vardar, Drin, Moravë, Ibër dhe Sitnicë, përbënte një udhëkryq të rrugëkalimeve të rëndësishme ballkanike që shpinin drejt Egjeut, Adriatikut dhe Detit të Zi.
Në Dardani jetonin një varg fisesh, por nga burimet e shkruara ngelën të njohur vetëm fisi i dardanëve, galabrëve, daunëve dhe i thunatëve Pa dyshim, fisi i dardanëve, pas konsolidimit dhe fuqizimit të aristokracisë fisnore, në shekujt VI-IV p.e.sonë, mori rolin udhëheqës mbi bashkësitë fisnore duke i dhënë emrin mbretërisë. Në shek.V p.e.s. këto fise banonin në hapësirën midis lumenjve Axios (Vardar), Drilon (Drin), Margus (Moravë) dhe Timakus (Timok).
Në shek.IV p.e.s. u krijua Mbretëria Dardane, e cila shtrihej në territorin e Kosovës së sotme e të krahinave të tjera përreth. Kufijtë e saj shkonin në veri deri te qyteti i Nishit, kurse në jug deri në Kukës dhe në rrjedhën e sipërme të Vardarit. Mbreti i parë dardan që njohim, është Longari. Pas tij erdhën mbretërit Bato dhe Monun. Rolin kryesor në mbretëri e luajti fisi dardanëve.
Mbretëria Dardane kishte krijuar një ushtri të fuqishme dhe të organizuar shumë mirë. Veçori e luftëtarëve dardanë ishte se ata hidheshin të gjithë së bashku në sulm dhe po kështu së bashku tërhiqëshin me radhë të shtrënguara, duke mos lënë në sheshin e luftës as të plgosurit e tyre. Forca e kësaj ushtrie u tregua sidomos në shek.III p.e.s., kur dardanët qenë në gjendje të mbroheshin nga dynjet e fuqishme të keltëve, të cilët zbritën nga Evropa Qendrore. Madje dardanët treguan gatishmërinë të ndihmonin edhe Maqedoninë, që të përballonte këto sulme.
Siç dëshmojnë shkrimtarët e lashtë, historia e Mbretërisë Dardane është mbushur me luftëra të pandërprera kundër Maqedonisë dhe më vonë kundër romakëve. Me Mbretërinë Ardiane, dardanët mbajtën marrëdhënie miqësore, por patën edhe konflikte, të shtyrë nga aristokracia skllavpopronare, që luftonte për interesa të ngushta, dhe kjo pati pasoja shumë të rënda ekonomike e politike si për ardianët, ashtu edhe për dardanët. Në mesin e shek. III p.e.s., kur sundonte mbreti Longar, ushtritë dardane u përpoqën të shtrinin kufijtë e tyre deri në brigjet e Adriatikut, duke shfrytëzuar faktin që ushtritë ardiane të mbretëreshës Teuta ndodheshin në Epir. Ky operacion ushtarak fillimisht pati sukses, por me kthimin e ushtrive ardiane nga Epiri, dardanët u detyruan të lëshonin tokat e pushtuara e të ktheheshin në kufijtë e mëparshëm. Pas kësaj Longari i drejtoi ushtritë e tij në jug dhe pushtoi tokat e Mbretërisë Paione, që ndodheshin në veri të kufijve të Maqedonisë, ndërmjet Dardanisë dhe Maqedonisë.

2.ARBËRIA

A) - MESJETA (Shek. V - XIV)

Nën sundimin e Dioklecianit e më tej të Konstandinit, Perandoria Romake iu përshtat një organizimi të ri administrativ. Njësia më e madhe administrative u bë prefektura, që përmbante disa dioqeza, të cilat nga ana e tyre ishin të ndara në një numër edhe më të madh provincash. Prefektura e Ilirikut (praefectura praetorio per Illyricum), përfshinte dioqezat e Dakisë e të Maqedonisë.
Në këtë të fundit bënin pjesë pronvincat e Prevalit, Dardanisë, Epirit të Vjetër dhe Epirit të Ri, që përfaqësonin hapësirën gjeografike të banuar nga pasardhësit e ilirëve, shqiptarët, përgjatë gjithë mesjetës e deri në kohët e reja.
Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, më 395, trevat iliro-shqiptare hynë në përbërje të Perandorisë Bizantine, siç quhet zakonisht pas kësaj date Perandoria Romake e Lindjes sipas emrit antik të kryeqytetit të saj, Bizant, që për nder të Konstandinit të Madh u quajt Konstandinopojë.
Ashtu siç i kishin dhënë në shek. III-IV Perandorisë Romake një numër perandorësh e gjeneralësh të shquar, po ashtu gjatë periudhës së hershme bizantine (shek. V-IX), trevat iliro-shqiptare i dhanë Perandorisë Bizantine disa perandorë, ndër të cilët shquhen në mënyrë të veçantë Anastasi I nga Durrësi (491-518) dhe Justiniani I nga Taurisium i Shkupit (527-565). Me reformat dhe me masat e zbatuara në administratën civile e ushtarake, këta dy perandorë përgatitën kalimin nga antikiteti në mesjetë dhe hodhën bazat e asaj që do të ishte perandoria më jetëgjatë në historinë e qytetërimit mesdhetar.
Që në shek. VII-VIII situata etnike në Ballkan u stabilizua dhe nuk përmenden më dyndje popujsh. Kjo gjendje etnike e shekujve të hershëm të mesjetës, në atë që u konstitua si atdheu mesjetar i shqiptarëve (Albania-Arbëria), mbeti në thelb e pandryshuar edhe në shekujt e mëvonshëm, kur nuk ka njoftime për dyndje të reja popujsh.
Në kuadrin e trevave shqiptare, Arbëria (Arbanon-Arbanum-Raban) zinte në mesjetë një vend të veçantë. I vendosur në qendër të tyre, në hapësirën e përfshirë mes Lezhës-Dibrës-Ohrit-Vlorës, dhe i përshkruar mes për mes nga boshti i rrugës strategjike Egnatia, Arbëria u bë bërthama e trojeve shqiptare në të cilën në mënyrë më konsekuente e intensive u zhvilluan proceset ekonomike, politike, kulturore e psikologjike, që plazmuan qenien historike të kombit shqiptar. Me të drejtë, studiues si M. Shuflai, K. Jireçek, G. Prinzig, M. Angold, e kanë vlerësuar këtë territor si "bërthamën e trojeve shqiptare".
Emri i vendit, Arbëri, dhe i banorëve të tij, Arbër-Arbëreshë, trashëgohej nga kohët antike. Në fakt, në shek. II të erës sonë, gjeografi aleksandrin Ptolemeu, njoftonte praninë në këto territore të një fisi me emrin Albanoi dhe të kryeqendrës së tyre, Albanopolis. Këta etnonimë iu trashëguan vendit dhe banorëve të tij edhe në mesjetë. Dhe falë rolit qendror që Arbëria dhe Arbërit luajtën në fatet historike të universit shqiptar, këta emra etnikë u shtrinë dora-dorës edhe në viset e tjera në veri, në jug e në lindje të tyre, ku banonte e njëjta popullsi.

B) - FAMILJET FISNIKE ARBËRORE

Kapërcimi i mijëvjeçarit të parë u karakterizua nga ndryshime të thella në strukturat ekonomike e sociale të shoqërisë shqiptare. Si rezultat i një procesi që vazhdonte prej kohësh, në shek.XI ishte krijuar një klasë pronarësh të mëdhenj (dinatët), që përbëhej nga pjesëtarë të aristrokacisë civile dhe të klerit. Ndërkohë, në krahun tjetër qe shtuar masa e pronarëve të vegjël dhe e bujqve ushtarë (stratiotë), që për njërën ose për tjetrën arsye i humbnin pronat e tyre dhe detyroheshin të vendoseshin në pronat e dinatëve e t’i punonin ato si qiramarrës (mortites) ose si punëtorë me mëditje (mistotes). Procesi i fedualizmit u përshpejtua së tepërmi me zbatimin e institucionit të pronjës nga shteti bizantin. Prona përfaqësonte një numër të caktuar ekonomish fshatare që perandori bizantin me anë të një diplome të posaçme (krysobullë) ia jepte një personi për përdorim.
Në Shqipëri, format e para të pronës dëshmohen që në fillimet e shek.XI. Dokumente të tjera të mëvonshme vërtetojnë se marrëdhëniet feudale kishin përparuar në zonat bujqësore të vendit, në fushën bregdetare perëndimore si dhe në krahinën e Devollit, në atë të Dibrës, të Kosovës etj. Këtu përmenden gjithnjë e më shpesh bujarë nga familjet Skurra, Arianiti, Muzaka, Vrana etj., që ngjitën shkallët më të larta të karrierës ushtarake në provincë e në qendër. Kështu, aty nga viti 1001 patrici David Arianiti ishte caktuar strateg i Selanikut. Një i afërm i tij, Kostandin Arianiti, me titullin magistër, rreth vitit 1050 kryente detyrën e komandantit të provincave perëndimore, kurse durrsaku Gjon Vrana, më 1185, ishte dukë i themës së Durrësit. Një bujar nga Muzakajt e Oparit aty nga viti 1080 bënte pjesë në rrethin e komandantëve më të besuar të perandorit bizantin Aleksi I Komnen. Perandorët bizantinë u dhanë bujarëve shqiptarë prona, privilgje, si edhe tituj nga më të lakmueshmit. Ndonjë familje shqiptare, si p.sh. ajo e princërve të Arbërit, në shek.XIII, e Skurrajve, e Topijave dhe e Shpatajve të Epirit, në shek.XIII-XV, arritën të krijonin edhe lidhje familjare me dinastitë perandorike bizantine si dhe me dinastitë perëndimore.
Familjet mesjetare më të përmendura të Arbërisë janë: Matrënga, Arianiti, Skurra, Blinishti, Zenebishi, Shpata, Muzaka, Jonima, Frëngu, Ganxha, Gropa, Topia, Dukagjini, Kastrioti, Balshaj, Spani, Golemi, Zaharia, Dushmani, Gjurashi, Shestani...etj.

C) - PRINCIPATAT ARBËRORE

1.Principata e Arbërit

Duke filluar nga shek.XI, burimet historike i japin një vend të veçantë viseve shqiptare midis Drinit e Shkumbinit, të cilat quheshin Arbanon (Arbër). Që në kohë këtu ishin zhvilluar struktura politike autonome. Perandoria Bizantine, e ndodhur në vështirësi të mëdha, ishte e shtrënguar t'i njhte fisnikërisë së Arbërit të drejta e privilegje gjithnjë më të mëdha. Më 1166 burimet historike perëndimore për herë të parë përmendin një sundimtar vendës me titullin prior Arbanensis (i pari i Arbërit). Në fund të shek.XII, në Arbëri sundonte një dinasti vendëse. Themeluesi i saj ishte Progoni (1190-1198). Sundimin e tij e trashëguan bijtë, në fillim Gjini (1198-1208) e pas tij Dhimitri (1208-1216). Nën drejtimin e këtij të fundit Principiata e Arbërit arriti kulmin e fuqisë së saj. Dokumentet perëndimore të kohës i atribuojnë atij titujt gjykatës (judex) e princi i Arbërve (princeps Arbanorum), kurse ato bizantine e quajnë arkond i madh (megas arhon). Martesa me Komnenën, vajzë e mbretit serb Stefan Nemanja dhe mbesë e perandorit bizantin Aleksi III Engjëll, i solli Dhimitrit edhe titullin e lartë bizantin të panhypersebastit. Dhimitri kishte në varësi një numër krerësh të tjerë të Arbërit që ai i quante "njerëzit e mi" (homines mei). Ndërmjet tyre përmendet edhe shtëpia e njohur e Jonimëve. Krushqia e lidhur me Nemanjën nuk e mënjanoi rrezikun e ekspansionit serb në tokat e Principiatës së Arbërit. Por, pas vitit 1204, rrezik më imediat përbënte Dukati venedikas i Durrësit, një ndër formacionet latine që u krijuan në territoret e Perandorisë Bizantine pas Kryqëzatës IV. Për të siguruar aleatë, Dhimitri nënshkroi më 1209 një traktat me Republikën e Raguzës (Dubrovniku i sotëm).

2.Principata e Artës

Aty nga fundi i shek. XIII në Epir fillon të shquhet familja fisnike Shpata. Në vitin 1304 një dokument anzhuin i rendit Shpatajt midis aristokratëve më në zë të Shqipërisë.
Ashtu si dhe për shtëpitë e tjera fisnike shqiptare, edhe për Shpatajt procesi i fuqizimit dhe i emancipimit politik kishte ndjekur një rrugë vazhdimisht në ngjitje, derisa gjeti shprehjen më të plotë pas shembjes së Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit (1355). Në atë çast Shpatajt e fisnikë të tjerë shqiptarë e shtrinë sundimin e tyre politik në krejt Epirin dhe, në vitet që pasuan, filluan të zgjerohen në krahinat fqinje jugore të Akarnanisë e të Etolisë.
Pas betejës së Akelout (Akarnani në vitin 1358) krahinat jugore të Epirit, të Akarnanisë e të Etolisë u përfshinë në kuadrin e dy formacioneve shtetërore shqiptare. I pari, me qendër në Artë, kishte në krye fisnikun Pjetër Losha, kurse i dyti, me qendër në Angjelokastër (Akarnani), drejtohej nga despoti Gjin Bua Shpata. Pas vdekjes së Pjetër Loshës më 1374, Despotati shqiptar i Artës dhe ai i Angjelokastrës u bashkuan nën sundimin e despotit Gjin Bua Shpata. Zotërimet e këtij të fundit përbënin tani një vazhdimësi territoresh prej gjirit të Korintit, në jug, deri në derdhjen e lumit Akeront (Glyki), në veri, ku puqeshin me zotërimet e Gjon Zenebishit.

3.Principata e Zenebishëve

Emri i Zenebishëve, si një ndër familjet fisnike më të shquara të Shqipërisë së Poshtme, përmendet krahas dyerve më në zë shqiptare në një dokument të vitit 1304. Shkëlqimin më të madh kjo familje e arriti pas gjysmës së dytë të shek. XIV, kur në krye të saj ishte sebastrokratori Gjon Zenebishi (?-1418). Kryeqendra e këtij të fundit ishte kështjella e Gjirokastrës, e cila përmendet për herë të parë pikërisht në këtë kohë si rezidencë e Zenebishëve. Në vitet 70 të shek. XIV zotërimi i Zenebishëve përfshinte, veç Gjirokastrës dhe rrethet e saj, luginën e Drinos, Delvinën dhe një pjesë të mirë të zonës së pasur të Vagenetisë (Çamërinë e Sipërme), deri në derdhjen e poshtme të lumit Gliki, ku zotërimet e Gjon Zenebishit kufizoheshin me ato të vjehrrit dhe aleatit të tij, Gjin Bua Shpatës së Artës.

4.Principata e Topiajve

Në kapërcim të shek. XIII-XIV, roli i familjes së shquar fisnike të Skurrajve në trevën e Arbërit u kishte kaluar fisnikëve të familjes Topia. Emri i kësaj familjeje nuk përmendet para shek.XIII.
Në vitet 70 të shek. XIII bëhet fjalë për një pinjoll të saj, përfaqësues i aristokracisë ushtarake me titullin miles. Në atë kohë Topiajt ditën t'i bënin vend vetes, duke u shkëputur nga Bizanti e duke vendosur lidhje të ngushta me anzhuinët e Napolit si dhe me Papatin e Romës. Këtij të fundit Topiajt i premtuan kalimin e tyre nga riti ortodoks në atë katolik. Për rrjedhojë, kisha e Romës u njohu Topiajve si zotërim të familjes tokat midis rrjedhës së Matit dhe asaj të Shkumbinit, të cilat përputheshin pak a shumë me shtrirjen e Principatës së dikurshme të Arbërit. Të drejtat e Topiajve mbi këto vise u konfirmuan më 1338 edhe nga anzhuinët e Napolit, të cilët e konsideronin veten kryezot të Durrësit e të Arbërit si dhe Topiajt vasalë të tyre. Zotërimi i Topiajve arriti fuqinë dhe shkallën më të lartë të organizimit në kohën e princit Karl Topia

5.Principata e Muzakajve

Historiania bizantine e shek. XI-XII, Ana Komnena, përmend e para emrin e një fisniku nga familja Muzaka, i cili rreth vitit 1090 ishte ndër komandantët më të besuar të perandor Aleksi I Komneni. Origjina e familjes ishte nga zona e Oparit, ku Muzakajt kishin zotërimet fillestare të tyre me fshatrat Voskop, Lavdar, Xerje, Bec, Mazrek, Marjan, Dushan, Zerec etj. Kronisti Gjon Muzaka (1510) kujton se varret e të parëve të familjes ndodheshin pranë kishës së Shën Triadhës në Lavdar të Oparit. Autoriteti dhe roli politik i Muzakajve dëshmohet qartë që në shek.XIII.
Në fund të shek. XIII, duke përfituar nga marrëdhëniet e tyre me pushtetin qendror bizantin, Muzakajt mundën të siguronin prona të shumta në krahinat fqinje të Tomoricës, Skraparit, Këlcyrës e Beratit në perëndim dhe në ultësirën e Korçës në lindje.

6.Principata e Arianitëve

Arianitët ishin një familje e vjetër fisnike. Zotërimet e tyre shtriheshin përgjatë luginës së Shkumbinit e Rrugës Mbretërore (Egnatia) dhe në lindje arrinin së paku deri në afërsi të Manastirit.
Në burimet historike emri i familjes fisnike të Arianitëve haset për herë të parë në shek. XI në veprën e Gjergj Kedrenit: Përmbledhje Historishë. Ai tregon se në fillim të shek. XI (1001-1018) perandori i Bizantit emëroi patricin David Arianitin si strateg të Selanikut dhe, më pas, si strateg të Shkupit. Ai luftoi kundër bullgarëve në Strumicë e në Shkup. Edhe djali i tij, Konstandini, përmendet në vitet 1049-1050 si ushtarak në shërbim të Perandorisë Bizantine. Në një marrëveshje që Karli I Anzhu lidhi me disa fisnikë shqiptarë, në fund të shek. XIII (1274), përmendet ndër këta edhe sebast Aleks Arianiti. Emri i Arianitëve do të vazhdonte të ishte i pranishëm edhe më shumë nëpër dokumente të shek. XIV. Në dy dokumente të vitit 1304 të princit të Tarentit, Filipit, dhe të mbretit të Sicilisë, Karlit II, ndër emrat e disa familjeve fisnike shqiptare, që u njiheshin privilegjet e mëparshme, është shënuar edhe emri i Arianitëve. Në një letër të vitit 1319, që papa Johani XXII ua drejtoi disa fisnikëve shqiptarë, është shënuar emri i protolegatorit Guljelm Arianiti. Në Epitafin e Glavinicës, të qëndisur në vitin 1373, gjendet edhe emri i qëndistarit Gjergj Arianiti.
Nën zotërimin e Arianitëve mund të kenë qenë për një kohë edhe qytetet e Manastirit e të Follorinës, para se të binin nën pushtimin osman. Në këtë rajon Arianitët kanë zotëruar kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradi), që osmanët e ripagëzuan me emrin Demir Hisar, kështjellë në një pozicion kyç, nga mund të kontrolloheshin disa rrugë tregtare shumë të rëndësishme. Si kufij natyrorë jugorë të shtetit të Gjergj Arianitit kanë qenë lumi Devoll dhe zotërimet e Muzakajve, kurse në veri shteti i Kastriotëve. Në perëndim Arianitët kanë pasur dalje të gjerë në detin Adriatik në jug të Durrësit dhe në rajonin e Myzeqesë. Gjergj Arianiti kërkonte të kishte nën zotërimin e tij edhe Vlorën e Kaninën bashkë me rrethinat e tyre, që formonin rajonin bregdetar shqiptar, i cili, në rrugë detare, ishte më afër bregdetit italian. Në një dokument të fundit të shek. XV, ky rajon është shënuar si pjesë e "Arbërisë së Arianitit", emërtim i përdorur krahas "Arbërisë së Skënderbeut".

7.Principata e Balshajve

Ndër principatat e pavarura shqiptare, që lulëzuan pas mesit të shek. XIV, më e rëndësishmja ishte ajo e familjes Balsha me origjinë nga qyteza Balëz, në afërsi të qytetit të Shkodrës. Gjatë pushtimit serb të atyre anëve, emri i kësaj familjeje mbetet në errësirë. Megjithatë ka arsye të mendohet se Balshajt qenë një ndër dyert e shumta fisnike shqiptare, të shpronësuara dhe të keqtrajtuara të kësaj treve, për të cilat flet më 1331 kryepeshkopi i Tivarit, Guljelmi i Adës. Gjithsesi, pas mesit të shek. XIV, tre vëllezërit Balsha, Strazimiri, Gjergji I dhe Balsha II, e vunë këtë familje në ballë të politikës dhe të proceseve shtetformuese shqiptare, duke shfrytëzuar edhe momentin e përshtatshëm që pasoi vdekjen e car Stefan Dushanit. Me shthurjen e Perandorisë së tij, vëllezërit Balshaj iu vunë punës për ta kthyer Gentën (Zetën), ashtu si Dioklenë e dikurshme, në një shtet të pavarur nga mbretëria serbe.
Me zotërimin e Ulqinit, të Tivarit e të vetë Shkodrës dhe të skelës së Shëngjinit, si dhe me shtënien në dorë përfundimisht të Budvës më 1367, Balshajt ishin në gjendje të kontrollonin lëvizjet tregtare nëpër Adriatik.

8.Principata e Dukagjinëve

Burimet historike, ndonëse japin të dhëna fragmentare, tregojnë se gjatë mesjetës Dukagjinët kanë qenë një familje fisnike e rëndësishme, prandaj emrin familjar të tyre e trashëguan ndër shekuj rajone të gjera fushore e malore të Shqipërisë së Epërme, si edhe e drejta tokësore shqiptare e këtyre viseve. Për ta kanë qarkulluar edhe gojëdhëna mesjetare, të cilat, pavarësisht nga sfondi fantazist i tyre dhe kronologjia e gabuar që kanë, dëshmojnë se Dukagjinët kanë qenë një familje e vjetër fisnike, e cila ka ndikuar në jetën politike shqiptare, madje edhe më tej.
Trojet e Dukagjinëve shtriheshin në Shqipërinë e Epërme. Ato kanë ndryshuar duke u zgjeruar ose duke u ngushtuar, në varësi të jetës së trazuar politike të shek. XIV-XV. Dukagjinët kanë qenë një familje e madhe fisnike. Në krye të tyre kanë qëndruar një ose dy persona, të cilët janë zëvendësuar nga pinjollë të tjerë më energjikë. Trojet e tyre Dukagjinët i kanë administruar herë si zotër të pavarur dhe herë si vasalë të sundimtarëve më të fuqishëm. Dukagjinët kanë zotëruar për një periudhë kohe, ndonëse me ndërprerje, rrugën që kalonte nga Deja, përpjetë rrjedhës së Drinit për në Rrafshin e Dukagjinit e më tutje. Ata duhet të kenë zotëruar edhe Pejën.

9.Principata e Gjon Kastriotit

Kastriotët ishin familje fisnike dhe dinastia drejtuese më e rëndësishme e jetës politike dhe ushtarake të Shqipërisë në shek.XV.
Sipas dy historianëve më të hershëm shqiptarë, Marin Barlecit e Dhimitër Frëngut, Kastriotët ishin nga Mati që, sipas mendimit të kohës, shtrihej deri në bregdet. Në këtë përfundim ata janë nxitur nga pozicioni gjeografik kyç i trevës së Matit, si vend-kryqëzimi i rrugëve që lidhnin krahinat e ndryshme të shtetit të Kastriotëve si në kohën e Gjon Kastriotit, ashtu edhe në atë të Skënderbeut.
Pozita shoqërore e familjes Kastrioti u fuqizua si rrjedhojë e përpjekjeve të pinjollëve të ndryshëm të saj, disa prej të cilëve kjo rrugë i shtriu përtej vendorigjinës së tyre. Gjyshi i Skënderbeut, Pal Kastrioti, sipas Gjon Muzakës, kishte dy fshatra si feud në Dibër. Kurse i biri i Pal Kastriotit, Gjoni, krijoi një nga shtetet më të rëndësishme në Shqipëri.
Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shek. XIV në krye të zotërimeve të Kastriotëve duhet të ketë dalë Gjon Kastrioti. Në këtë periudhë zotërimet e tij duhet të jenë zgjeruar, sidomos në drejtim të lindjes, në rajonet e Prizrenit, të Gostivarit e të Tetovës.
Shtetin e Gjon Kastriotit e përshkonin rrugë tregtare shumë të rëndësishme. Ndër to, në rrafshin perëndim-lindje më të rrahurat ishin dy. Njëra rrugë lidhte viset bregdetare me Prizrenin, që duhet të ketë qenë qendra administrative e shtetit të Gjon Kastriotit. Në këtë qytet të lashtë kryqëzoheshin rrugë tregtare shumë të rrahura dhe që shkonin në drejtim të Prishtinës, të Pejës, të Tetovës etj. Traseja e rrugës së dytë kalonte nga bregdeti nëpër krahinën e Matit, vijonte në drejtim të Dibrës dhe ndiqte rrjedhjen e sipërme të lumit Vardar për të arritur në Shkup. Në dokumentet mesjetare këto dy rrugë janë shënuar me emra të ndryshëm të qyteteve nga ato kalonin: rruga e Lezhës, rruga e Prizrenit, rruga e Prishtinës dhe rruga e Shkupit. Interesat ekonomikë e tregtarë të Gjon Kastriotit shtriheshin edhe përtej zotërimeve të tij, në Fushë-Dardani, madje edhe përtej Shkupit.
Pesha dhe roli i shtetit të Gjon Kastriotit në jetën e vendit erdhi gjithnjë duke u rritur. Fuqizimin më të madh ai e arriti në kohën kur në krye të tij doli djali i vogël i Gjonit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

10.Shteti i Gjergj Kastriotit-
Skënderbeut

Gjergj Kastrioti lindi rreth vitit 1405. Ishte fëmija i parafundit në familjen me shumë fëmijë të Gjonit e të Vojsavës. Këta kishin katër djem (Stanishën, Reposhin, Konstandinin e Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën, Jellën, Angjelinën, Vlajkën e Mamicën).
Kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një shteti të rëndësishëm, që shtrihej së paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje deri në detin Adriatik në perëndim. Qendra administrative e tij duhet të ketë qenë Prizreni. Këtu duhet të ketë lindur edhe Gjergji.
Që kur Gjergji ishte fëmijë, familja e Kastriotëve i ndjeu rrjedhimet shkatërrimtare të pushtimeve osmane. Dokumentet tregojnë se në vitin 1409 Gjon Kastrioti ishte detyruar t'u dorëzonte peng osmanëve një nga djemtë e tij, ndoshta Stanishën, dhe më pas edhe djalin e vogël, Gjergjin. Ky u dorëzua si peng rreth moshës nëntëvjeçare, kur osmanët pushtuan Krujën (në fillim të vitit 1415) që ishte në kufi me zotërimet e Kastriotëve.
Funksionet si kuadër osman për vite të tëra Skënderbeu i ushtroi në Shqipëri, duke u lidhur me mjedisin vendas dhe interesat e familjes së tij. Emri i Gjergj Kastriotit për herë të parë përmendet në Shqipëri bashkë me ata të vëllezërve të tij në dokumente të vitit 1426 për çështje pronësie. Në këtë kohë Skënderbeu kishte mbaruar shkollën e iç-ogllanëve dhe ishte në Shqipëri si spahi, më pas u bë subash i Krujës dhe qëndroi në këtë post zyrtarisht deri në fund të vitit 1438.
Pas vitit 1439 Skënderbeu nuk përmendet më në tokat shqiptare. Në këtë kohë në Ballkan po fillonin trazira të reja, si rrjedhojë e aksioneve ushtarake antiosmane të Janosh Huniadit. Prandaj sulltan Murati II e largoi Skënderbeun nga posti i subashit të Krujës, duke e emëruar sanxhakbej me sa duket larg tokave shqiptare, ndoshta në Nikopol të Bullgarisë.
Në tetor të vitit 1443 trupat hungareze të komanduara nga Janosh Huniadi, pasi kaluan Danubin, u futën në thellësi të Ballkanit dhe filluan "Fushatën e Gjatë" që vazhdoi deri në fillim të vitit 1444. Ato marshuan në drejtim të viseve verilindore shqiptare. Kudo ato gjetën gatishmërinë e banorëve të krahinave ku kalonin për të luftuar së bashku kundër të njëjtit armik. Vetë Huniadi shkruante ato ditë se ushtria e tij po "rritej nga dita në ditë me shumë bullgarë, arbër, serbë, boshnjakë".
Në betejën e Nishit, të 3 nëntorit 1443, ndodhej edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, që kishte detyrën e funksionarit të lartë osman, atë të sanxhakbeut të Nikopolit. Shpartallimin e forcave osmane në betejën e 3 nëntorit 1443 dhe vazhdimin e marshimit të trupave të J. Huniadit në drejtim të Bullgarisë, Skënderbeu e gjykoi si çastin më të përshtatshëm për çlirimin e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth vetes disa qindra bashkatdhetarë pjesëmarrës në betejën e Nishit, dhe i shoqëruar nga i nipi Hamza Kastrioti, Skënderbeu mori rrugën në drejtim të atdheut.
Në fillim Skënderbeu hartoi planin për ringritjen e shtetit të Kastriotëve, që, siç është shprehur në fillim të vitit 1445, formohej nga dy pjesë të mëdha "nga Dibra dhe Mati", që i ndante lumi Drin. Dibra, sipas konceptit të kohës për shqiptarët, të shprehur, p.sh., nga Marin Barleci dhe nga Gjon Muzaka, shtrihej në lindje deri në masivin malor të Mokrës (malet Jakupicë afër Shkupit), kurse Mati deri në Detin Adriatik.
Gjatë kthimit nga Nishi, Skënderbeu arriti në Fushë-Dardani, vijoi rrugën Prishtinë-Prizren, që ishte e lirë nga osmanët, dhe më tej zbriti në rajonin e Dibrës. Kjo ishte pjesa më e begatë dhe më e populluar e zotërimeve të Kastriotëve, prandaj ai e përmend atë të parën kur e cilëson veten dhe të vëllanë, Stanishën, si "zotër të Dibrës dhe të Matit".
Dibra përbëhej nga dy rajone: nga Dibra e Poshtme dhe Dibra e Sipërme. E para ishte zonë fushore (Pollogu) dhe shtrihej përgjatë rrjedhës së sipërme të lumit Vardar, fillonte nga Gostivari dhe arrinte në lindje deri te Gryka e Dervenit, në afërsi të Shkupit. Burimet historike të shek. XV, madje edhe më të hershme, tregojnë se afër Gostivarit e në veriperëndim të tij gjendej qendërbanimi më i madh i atij rajoni, fshati Dibrishë (Debresh), që është edhe sot, emrin e të cilit ka pasur për një kohë edhe rajoni në rrjedhjen e sipërme të lumit Vardar. Rruga që lidhte Kërçovën me rajonin e Gostivarit në dokumentet mesjetare del e emërtuar "Rruga Kërçovë-Dibër" dhe banorët e fshatit Llopushnik, në juglindje të Gostivarit, përmenden në to si ruajtës të saj. Edhe në krahinën e Dervenit, që shtrihet në lindje të Tetovës, gjendet mikrotoponimia Dibër, që në sllavishten e vjetër kishtare (dëbër) ka kuptimin luginë, grykë. Ky duhet të ketë qenë emërtimi i vjetër i kësaj krahine, të cilin pushtuesit osmanë e zëvendësuan me fjalën përkatëse të tyre Derven (derbend). Kjo shërben si një e dhënë që tregon se shtrirja lindore e Dibrës së Poshtme arrinte deri në afërsi të Shkupit.
Në jug të Dibrës së Poshtme shtrihej Dibra e Sipërme, që ishte kryesisht një rajon malor me shtrirje të gjerë. Këtu, në pjesën verilindore të Dibrës së Sipërme, në veri të Krushevës e në segmentin rrugor Përlep-Kërçovë, ishte qyteti mesjetar Debërshtë, emër që vazhdon ta mbajë edhe sot. Kurse në veri të liqenit të Ohrit ishte qyteti mesjetar e nahija Debërc, emër që e mban ende sot krahina e luginës së lumit Sasheska në verilindje të Strugës, nëpërmjet së cilës kalon rruga nga Struga dhe Ohri për në Kërçovë. Martin Segoni, Gjon Muzaka etj., kanë rrëfyer se qyteti i Ohrit ishte në Dibër. Këto dëshmojnë për shtrirjen e gjerë të rajonit të Dibrës së Sipërme gjatë shek. XV dhe mesjetës në përgjithësi.
Pasi mori në dorëzim Krujën, Skënderbeu futi natën në kështjellë bashkëluftëtarët e fshehur në rrethinat e saj dhe, në bashkëpunim me krutanët, paralizoi garnizonin osman. Ai i la të lirë ushtarët osmanë që të largoheshin nga Shqipëria, duke përfshirë edhe dizdarin e kështjellës, Ballabanin, i cili pas dy dhjetëvjeçarësh do të vihej në krye të trupave osmane për të rimarrë Krujën.
Kur zbardhi dita, më 28 nëntor të vitit 1443, krutanët i kishte pushtuar një gëzim i papërmbajtur dhe, siç shprehet Barleti, "të gjithë kishin në gojë lirinë, kudo oshëtinte zëri i ëmbël i lirisë". Në prani të gjithë krutanëve mbi muret e kështjellës së Krujës u ngrit flamuri i lirisë, ai i Kastriotëve. Me këtë rast, sipas Marin Barletit, Skënderbeu u mbajti banorëve të Krujës një fjalim të zjarrtë e plot patos patriotik. Duke vlerësuar lart gatishmërinë e madhe të shqiptarëve për të luftuar, sipas M. Barletit, Skënderbeu iu drejtua krutanëve me fjalët lapidare: "Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të armatosur! Lirinë e pashë se e keni kudo: në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja".
Forcat e Skënderbeut pa humbur kohë nisën sulmet për çlirimin e një vargu kështjellash të tjera në afërsi të Krujës. Së pari morën Petrelën dhe pas saj iu drejtuan dy kështellave në lindje të Krujës, Gurit të Bardhë dhe Stelushit, të cilat kontrollonin rrugët tregtare që lidhnin viset bregdetare me ato lindore. Luftëtarët e Skënderbeut ndërkohë kaluan në Dibrën e Sipërme, ku në bashkëveprim me trupat e Gjergj Arianitit e të Zahari Gropës çliruan qytetin e Ohrit dhe kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradit), të ngritur në veriperëndim të Manastirit dhe që kishte një pozicion shumë strategjik për kontrollin e rrugëve që lidhnin Përlepin e Manastrin me rajonet në perëndim të tyre. Bashkë me Ohrin dhe Sopotnicën në duart e shqiptarëve ranë edhe Struga, Kërçova, si dhe kështjella më të vogla që kontrollonin rrugët tregtare në hapësirat e Dibrës së Sipërme. Gjithashtu Skënderbeu në jug të Shkupit mori për herë të parë në zotërim të Kastriotëve rajonin malor të Mokrës (malet Jakupicë). Ai vuri nën kontroll rrugën e rëndësishme Shkup-Kërçovë, traseja e së cilës kalonte përgjatë luginës së lumit Treska (Ilirida).
Po kështu vepruan fisnikët shqiptarë në viset e tjera të vendit. Në Shqipërinë e Epërme kështjellën e Jeliçës (Jenipazarit-Pazarit të Ri) dhe atë të Zveçanit duhet t’i kenë marrë Spanët, kurse rajonin e Pejës Dukagjinët. Në jug të vendit viset e çliruara arritën deri në brigjet e lumenjve Devoll e Seman.
Në hapësirat shqiptare që u çliruan me kryengritjen e përgjithshme të vitit 1443 gjendeshin zotërimet e shumë fisnikëve shqiptarë. Më të rëndësishmet prej tyre i përbënte shteti i Kastriotëve, që u ringrit shumë shpejt nën drejtimin e Skënderbeut e të vëllait të madh të tij, Stanishës. Ai gjendej në qendër të viseve të lira, shtrihej në vijën detare Lezhë-Durrës dhe arrinte në lindje deri në afërsi të Shkupit. Në veri të shtetit të Kastriotëve shtriheshin zotërimet e Dukagjinëve, të Zahariajve, të Spanëve, të Dushmanëve, të Gjurashëve etj. Në gjirin e tyre përfshihej Rrafshi i Dukagjinit e Drenica, krahinat e Plavës e të Gucisë, të Jeliçës (Sanxhakut), të Gentës (Zeta) etj.
Kuvendi i fisnikëve shqiptarë u mbajt më 2 mars 1444 në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Në të morën pjesë udhëheqës të kryengritjeve të mëparshme antiosmane, si dhe pjesëtarë të tjerë të aristokracisë shqiptare. Midis tyre ishin: Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andre Topia (bashkë me dy djemtë, Kominin e Muzakën dhe të nipin Tanushin), Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Pjetër Spani (bashkë me katër djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruon dhe Mirkon), Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu (dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje), Zahari Gropa, Lekë Dushmani bashkë me Pjetrin e fisnikë të tjerë fqinjë me ta, Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi bashkë me bijtë e tij, Gjergjin e Gjonin) etj.
Kuvendi vendosi që bashkimi i shqiptarëve të bëhej në formën e një besëlidhjeje politike ndërmjet drejtuesve të zotërimeve të lira dhe fisnikëve të tjerë të vendit, që u njoh me emrin Besëlidhja Shqiptare e Lezhës. Ajo ishte një aleancë politike e ushtarake. Si kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu, kurse si institucioni më i lartë vendimmarrës u bë Kuvendi i anëtarëve të Besëlidhjes, i cili do të mblidhej herë pas here për çështje të rëndësishme. Nëpërmjet Kuvendit realizohej dhe shprehej bashkimi i shqiptarëve.
Vendim tjetër shumë i rëndësishëm i Kuvendit ishte krijimi i ushtrisë së përbashkët dhe caktimi i Skënderbeut si komandant i përgjithshëm i saj. Ushtria e Bësëlidhjes përbëhej nga dy pjesë: nga forcat e përhershme dhe nga ato të përkohshmet që mobilizoheshin vetëm në rast lufte.
Organet drejtuese të Besëlidhjes Shqiptare, që u krijuan me vendimet e Kuvendit të Lezhës, qysh në fillim u ndërthurën me aparatin shtetëror administrativ, ushtarak dhe ekonomik të Kastriotëve dhe me kalimin e viteve u njësuan natyrshëm me të, sepse në krye të tyre ishte i njëjti personazh historik, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Organet drejtuese të Besëlidhjes Shqiptare u shfaqën me tiparet e një pushteti qendror, ndikimi i të cilit erdhi duke u forcuar gjithnjë e më tepër mbi të gjitha viset e lira shqiptare, aq sa edhe aparati administrativ dhe ekonomik i fisnikëve të tjerë shqiptarë u bënë pjesë e tij. Viset e lira shqiptare u përfshinë kështu në një administratë të vetme shtetërore, që kishte tiparet e një monarkie feudale.
Organet qendrore drejtuese, vendimmarrëse, këshillimore dhe ushtarake të shtetit shqiptar ishin: Kryetari i Shtetit, Kuvendi i Fisnikëve, Këshilli i Lartë dhe Këshilli i Luftës.
Kryetari i Shtetit drejtonte të gjitha organet e mësipërme dhe qëndronte në krye të piramidës shtetërore.
Krahas organeve të mësipërme, që formonin pjesën vendimmarrëse dhe drejtuese të aparatit shtetëror, vepronin edhe organe të tjera shtetërore, që merreshin më çështje organizative, ushtarake, ekonomiko-financiare dhe të politikës së jashtme. Aparati shtetëror ishte shtrirë në të gjitha viset e lira shqiptare dhe vepronte sipas ndarjeve administrative të vendit, të cilat, si kudo në mesjetë, ishin tradicionale si ndarje krahinore e kishtare.
Organizimi shtetëror i shoqërisë shqiptarë gjatë epokës së Skënderbeut dhe shekujve të mëparshëm të mesjetës ka qenë ngritur mbi bazën e një korpusi legjislativ të shkruar. Pjesë e këtij korpusi legjislativ kanë qenë edhe statutet e qyteteve shqiptare, të cilat, sipas burimeve historike të kohës, kanë qenë të shkruara. Këto dëshmojnë më së miri se veprimtaria shoqërore e shtetërore në Shqipëri zhvillohej mbi bazën e një korpusi legjislativ të shkruar.
Shteti shqiptar, i bashkuar nën drejtimin e Skënderbeut, kishte simbolet e veta, që mbështeteshin në traditën vendase dhe shprehnin sovranitetin e tij.
Skënderbeu krenohej me historinë e lavdishme të kombit shqiptar. Prandaj, ai mbajti si emër të dytë vetjak përgjegjësen e emrit të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, që te osmanët ishte Iskander (Skënder në gjuhën shqipe). Siç e dëshmon edhe M. Barleti, emërtimet gjeografike Maqedoni dhe Epir janë përdorur në mesjetë si sinonime të emërtimit etnogjeografik Arbëri. Për më tej, krahas evokimit të lavdisë së Pirros dhe të epirotëve të lashtë (sinonim i emrit "arbër" gjatë mesjetës), Skënderbeu përdori edhe simbolet shtetërore të Pirros së Epirit (shqiponjën dhe përkrenaren e zbukuruar me një kokë dhie), të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë (shenja e Diellit), si dhe simbole pellazgjike. Simbolet dhe evokimet e mësipërme dëshmojnë për formimin e tij kulturor humanist dhe tregojnë se ai mbështetej në traditën vendase për t'i dhënë një frymë sa më kombëtare shtetit të tij dhe luftës së shqiptarëve kundër pushtimit osman.
Shtetin e tij Skënderbeu e emërtoi me emrin etnogjeografik kombëtar mesjetar Arbëria (Albania) edhe pse në të u përfshi një pjesë e viseve shqiptare. Titulli zyrtar i Skënderbeut ishte Zot i Arbërisë (Dominus Albaniae), të cilin e gjejmë të shënuar në vulën e në shkresat zyrtare të tij, si dhe në letrat e kancelarive të huaja që i janë drejtuar atij si kryetar i shtetit shqiptar.
Shqiponja dykrenore ishte simbol i njohur shtetëror i Perandorisë Bizantine dhe i familjes së Muzakajve, që kishin krushqi me Kastriotët. Edhe Arianitët dhe Gjurashët kishin shqiponjën dykrenore si simbol të tyre. Kurse ylli me gjashtë dhe shtatë cepa ishte përdorur si simbol nga Muzakajt dhe nga Balshajt. Ylli me gjashtë cepa duhet të ketë qenë vendosur edhe ndërmjet krerëve të shqiponjës në flamurin e Skënderbeut, si një element dallues kundrejt flamurit të Perandorisë Bizantine.

3. SHQIPËRIA

A)- VILAJETET SHQIPTARE

Në shek. XIII, Shqipëri (Albania) dhe Shqiptarë (Albanenses) quheshin trevat dhe popullsitë nga kufijtë e Dioklesë apo Gentës (Mali i Zi) e deri në gjirin e Prevezës. Udhëtarët e huaj dallojnë në të gjithë këtë shtrirje një popullsi me tipare etno-kulturore unitare.
Zgjerimi i Perandorisë Osmane, pas pushtimeve të realizuara në shek. XV, bëri të nevojshëm ndryshimin e organizimit të saj shtetëror.
Krahinat e Gadishullit Ballkanik u përfshinë në tri ejalete: ejaleti i Bosnjës në veri të gadishullit, ejaleti i Rumelisë në qendër dhe ejaleti i Detit në ishujt e detit Egje dhe në një pjesë të bregdetit jugor. Çdo ejalet u nda në një numër sanxhakësh.
Territoret e Shqipërisë bënin pjesë në ejaletin e Rumelisë. Ato u ndanë në disa sanxhakë. Numri, shtrirja dhe emërtimi i tyre ka ndryshuar herë pas here. Sanxhakut të Shkodrës, të cilit më 1499 i ishin shtuar krahina të Malit të Zi dhe në fillim të shek. XVI edhe krahina të Rrafshit të Dukagjinit, iu shkëput krahina e Gjakovës, që i kaloi sanxhakut të Dukagjinit. Sanxhakut të Vlorës iu shkëputën krahinat e Delvinës dhe të Çamërisë, me të cilat u krijua sanxhaku i Delvinës. Sanxhakët e Elbasanit, të Ohrit, të Dukagjinit, të Prizrenit, të Vushtrrisë, të Shkupit dhe të Janinës mbetën siç ishin më parë. Në filim të shek. XVI sanxhaku i Manastirit fitoi një rëndësi të veçantë, sepse selia e bejlerbeut të Rumelisë u zhvendos nga Shkupi në Manastir, prandaj ai njihet edhe me emrin pashasanxhaku i Manastirit. Sanxhakët u ndanë në njësi më të vogla, të cilat u quajtën kaza, kurse këto të fundit u ndanë në nahije.
Harta administrative e Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik u bë pak a shumë e qëndrueshme vetëm pasi kaloi tallazi i Krizës Lindore. Por edhe tani trojet shqiptare mbetën të copëtuara midis katër vilajeteve. Madje, një pjesë e trungut etnik (krahina e Ulqinit) dhe disa vise të brezit anësor (krahinat e Podgoricës, të Shpuzës, të Vranjës, të Leskocit e të Nishit) tani mbetën jashtë Perandorisë Osmane, pra jashtë katër vilajeteve, pasi u aneksuan nga Mali i Zi dhe nga Serbia në vitet 1878-1880. Më 1888 ndarja e katër vilajeteve në sanxhakë dhe e sanxhakëve të tyre në kaza, ndarje e cila mbeti në fuqi deri në fund të sundimit osman, ishte në këtë mënyrë: Vilajetet, Sanxhakët dhe Kazatë.

Vilajeti i Shkodrës:
1.Sanxhaku i Shkodrës (kazaja e Shkodrës, Tuzit, Lezhës, Pukës, Mirditës, Krujës).
2.Sanxhaku i Durrësit (kazaja e Durrësit, Kavajës, Shijakut, Tiranës).

Vilajeti i Kosovës:
1.Sanxhaku i Shkupit (kazaja e Shkupit, Kumanovës, Kaçanikut, Shtipit, Radovishtës, Koçanës, Kratovës, Peçevës, Egri-Palankës).
2.Sanxhaku i Prizrenit (kazaja e Prizrenit, Lumës, Tetovës).
3.Sanxhaku i Pejës (kazaja e Pejës, Gjakovës, Gucisë, Beranës, Tërgovishtës).
4.Sanxhaku i Prishtinës (kazaja e Prishtinës, Mitrovicës, Vushtrisë, Gjilanit, Preshevës).
5.Sanxhaku i Tregut të Ri (kazaja e Tregut të Ri, Senicës, Kolashinit, Akovës, Novi Varoshit, Prepoljes).
6.Sanxhaku i Toplicës (kazaja e Nishit, Pirotit, Vranjës)

Vilajeti i Manastirit:
1.Sanxhaku i Manastirit (kazaja e Manastirit, Ohrit, Follorinës, Kërçovës, Përlepit).
2.Sanxhaku i Korçës (kazaja e Korçës, Starovës, Bilishtit, Oparit, Kolonjës, Kosturit, Hurupishtit).
3.Sanxhaku i Elbasanit (kazaja e Elbasanit, Çermenikës, Peqinit, Gramshit).
4.Sanxhaku i Dibrës (kazaja e Dibrës, Radomirës, Matit, Rekës).
5.Sanxhaku i Selfixhesë (kazaja e Selfixhesë, Kozhanit, Naseliçit, Lapsishtit, Grebenesë, Kajlarit, Elasonës).

Vilajeti i Janinës:
1.Sanxhaku i Janinës (kazaja e Janinës, Leskovikut, Konicës, Filatit, Ajdonatit, Mecovës).
2.Sanxhaku i Gjirokastrës (kazaja e Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Himarës, Delvinës, Pogonit).
3.Sanxhaku i Beratit (kazaja e Beratit, Vlorës, Myzeqesë, Mallakastrës, Skraparit, Tomorricës).
4.Sanxhaku i Prevezës (kazaja e Prevezës, Margëllëçit, Paramithisë, Lorosit).

Popullsia që banonte në territoret e 4 vilajeteve ishte më 1850, afërsisht 1 700 000 banorë, kurse më 1912 rreth 2 354 000 banorë. Kjo rritje shumë e ngadalshme (40% brenda 60 vjetëve) përcaktohej nga niveli ekonomik e shoqëror shumë i prapambetur i vendit, konkretisht nga përqindja e lartë e vdekshmërisë së fëmijëve, nga epidemitë e shpeshta që pllakosnin Turqinë, nga mesatarja e ulët e moshës së popullsisë dhe nga mërgimi i dendur që pushtoi këto vise pas mesit të shek.XIX.
Për nga numri i banorëve katër vilajetet kishin dallime të ndjeshme ndërmjet tyre. Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit të sundimit osman, popullsinë më të madhe e kishte vilajeti i Kosovës, i cili kishte në të njëjtën kohë edhe numrin më të madh të popullsisë shqiptare. Pastaj vinin me radhë vilajeti i Manastirit, i Janinës dhe i Shkodrës. Sipas statistikave zyrtare osmane të vitit 1912 popullsia e të katër vilajeteve shqiptare ishte afërsisht kjo:


Vilajetet Popullsia Popullsia shqiptare Popullsia popullsia shqiptare
Vilajeti i Kosovës 909 700 258 900
Vilajeti i Manastirit 694 800 375 900
Vilajeti i Janinës 559 700 330 800
Vilajeti i Shkodrës 190 000 186 500
Gjithsej 2 354 200 1 452 100




B) - OXHAQET (PARITË) SHQIPTARE

Në shek. XVI-XVII shtresa drejtuese në rajonet e ish-principatave shqiptare, duke përjashtuar ndonjë sanxhakbej, myfti apo kadi të dërguar nga vise të tjera, ishte me prejardhje vendase. Për më tepër, një pjesë e saj vinte nga radhët e fisnikërisë shqiptare të parapushtimit, por tashmë, pavarësisht nga kjo prejardhje, ajo ishte pjesë e pandarë e tërësisë së klasës feudale osmane.
Në fund të shek. XVIII u dalluan familje të mëdha çifligare, si: Ali pashë Tepelena, Bushatllinjtë, Begollajt në Pejë, Rrotullarët në Prizren, Toptanët, Alltunët, Biçakçinjtë, Vërlacët e Vrionët në Shqipërinë e Mesme, Velabishtajt, Ngurzajt, Vlorajt, Delvinajt e Kokajt në jug. Mbi të gjithë dallohej Ali pashë Tepelena, i cili zotëronte mbi 900 çifligje në Shqipërinë e Jugut, në Maqedoni e në Greqinë e Veriut.
Ndryshimet që u kryen në planin ekonomik, sollën pasoja të rëndësishme edhe në fushën shoqërore e politike, që u pasqyruan në fuqizimin e pronarëve të mëdhenj çifligarë vendas, në kurriz të pushtetit qendror, i cili pa ata nuk ishte në gjendje të ushtronte sundimin e vet mbi provincat. Këto familje të mëdha feudale, oxhaqet, bashkuan me pushtetin ekonomik edhe atë vendor, vendosën sundimin e tyre në vend, të cilin e bënë në fakt të trashëgueshëm.
Duke pasur nevojë për forca ushtarake që të mund të përballonte rreziqet e brendshme e të jashtme, dhe duke qenë e detyruar që të siguronte me anën e feudalëve vendas shuma sa më të mëdha të hollash për të mbuluar shpenzimet gjithnjë në rritje, Porta e Lartë jo vetëm nuk mundi ta ndalte procesin e fuqizimit politik të feudalëve provincialë, por edhe u mbështet kryesisht tek ata më të fuqishmit. Sulltanët qenë të detyruar t’u besonin feudalëve të mëdhenj vendas detyrat më të rëndësishme administrative e ushtarake dhe t’i njihnin ata zyrtarisht si pari. Familjet e këtyre parive formuan në Shqipëri një elitë aristokrate feudale, oxhaqet. Të tilla oxhaqe ishin dyert e Kryezinjve në Gjakovë, të Biçakçinjve në Elbasan etj. Kurse oxhaqet e Begollajve në Pejë, të Bushatllinjve në Shkodër, të Toptanëve në Krujë, të Asllanpashallive në Janinë e në Gjirokastër etj.

C) - PASHALLËQET SHQIPTARE
(1771 - 1831)

1.Pashallëku I i Shkodrës i sunduar nga Bushatllinjtë (1771 - 1796)

Pas dëbimit të Çaushollajve, Mehmet bej Bushatlliu ende nuk ishte emëruar qeveritar i sanxhakut të Shkodrës, por, i përkrahur nga dy tarafet esnafore dhe nga forca malësorësh me rrogë, ai ishte në fakt sundimtari i vërtetë i vendit, derisa Porta e njohu atë si mytesarif të sanxhakut të lartpërmendur në gusht të vitit 1757, duke i dhënë edhe titullin pashë. Nga kjo kohë e deri më 1831 familja e Bushatllinjve, e mbështetur në shumicën e ajanëve të sanxhakut, të bylykbashëve dhe të bajraktarëve, si dhe nga një pjesë e mirë e zejtarëve, të tregtarëve e të detarëve, mbajti pa ndërprerje këtë pushtet duke e trashëguar.
I përbërë nga sanxhakët e Shkodrës, të Dukagjinit, të Ohrit dhe të Elbasanit, qysh në vitin 1771 u krijua kështu një formacion politik i bashkuar në dorën e një pashai të fuqishëm shqiptar, Pashallëku i madh i Shkodrës.
Më 14 korrik 1775 vdiq veziri plak i Shkodrës. Porta e Lartë emëroi në vendin e tij një besnik të saj, vezirin Mehmet pashë Kystendilin, dhe urdhëroi Ahmet Kurt pashën të hynte në zonën e Durrësit. Mirëpo ky vendim nuk përputhej me interesat e Bushatllinjve. Ata zgjodhën Mustafa pashë Bushatlliun për komandant të ushtrisë shkodrane.
Motra e sulltanit nuk ngurroi më 1781 t’ia hiqte komandën e sundimtarit të Beratit dhe t’ia jepte Mahmud pashë Bushatlliut (1749-1796). Për të siguruar mbrojtjen e rrugës tregtare midis Shkodrës e Prizrenit, ajo ndërhyri që Bushatlliut të ri t’i jepej edhe qeverisja e sanxhakut të Dukagjinit.
Pas vendosjes së pushtetit të Mahmut Bushatlliut në këto vise, rrugët u hapën e u sigurua qarkullimi i lirë nga bregdeti gjer në thellësi të Kosovës e të Maqedonisë, prodhimet e të cilave drejtoheshin për në skelat e Adriatikut.
Më 1784 Mahmud Pasha arriti të siguronte për vëllanë e vet, Ahmet Beun, qeverisjen e sanxhakut të Ohrit bashkë me gradën pashë. Ndërkohë ai i siguroi kunatit të vet, Sulejman pashë Vërlacit, qeverisjen e sanxhakut të Elbasanit. Në këtë mënyrë Mahmud pashë Bushatlliu e përtëriu Pashallëkun e Shkodrës. Qysh nga viti 1782, Mahmut Pasha kishte forcuar pushtetin në pashallëk e po vepronte me vullnetin e vet, duke mos përfillur fermanet e Portës së Lartë.
Menjëherë pas nënshtrimit të Malit të Zi, Mahmud Pasha u vërsul në drejtim të Elbasanit e të Beratit, sepse armiku i vjetër i Bushatllinjve, Ahmet Kurt pasha, kishte tërhequr nga ana e vet pashanë e Elbasanit dhe u kishte mbyllur limanet ulqinakëve. Gjatë muajve korrik e gusht 1785, pasi siguruan nga ana juglindore bashkëpunimin e Ali pashë Tepelenës, armikut të sundimtarit të Beratit, që e kishte penguar të merrte qeverisjen e sanxhakut të Janinës, Mahmud Pasha dhe i vëllai Ahmed Pasha, e nënshtruan qeveritarin e Elbasanit dhe e ndëshkuan Ahmet Kurt pashën, duke i rënë kryq e tërthor sanxhakut të tij. Duke u kthyer nga Korça, Mahmud Pasha dhe Ahmet Pasha nga Buzi i Tepelenës, thyen ushtrinë kryesore të qeveritarit të Beratit në Peqin, pikërisht aty ku ushtria shkodrane kishte pësuar disfatën e madhe dhjetë vjet më parë.
Këto fushata e ngritën më lart autoritetin e Bushatllinjve në sy të të gjithë feudalëve shqiptarë dhe i ndanë ata në përkrahës e në kundërshtarë të tyre. Në të njëjtën kohë, këto fushata shkaktuan zemërimin e Portës së Lartë dhe të Senatit të Venedikut dhe, nga ana tjetër, tërhoqën vëmendjen e atyre shteteve evropiane që kishin interesa të kundërta me Perandorinë Osmane. Në radhë të parë ishte diplomacia e Austrisë, që filloi ta inkurajonte Bushatlliun për veprime më të guximshme kundër varësisë ndaj Stambollit.
Për shkak të fushatës kundër sanxhakëve të Elbasanit e të Vlorës, që Porta e Lartë e quajti veprim rebel, sulltani i shpalli dy Bushatllinjtë dhe Ali pashë Tepelenën si kryengritës dhe në vjeshtë të vitit 1785 dha urdhër për të përgatitur një ekseditë të madhe ndëshkimore kundër Shkodrës.
Këto masa e shtynë Bushatlliun që ta shndërronte mosbindjen e tij në kryengritje. Ndërkaq afrimi i luftës së Rusisë dhe Austrisë kundër Perandorisë Osmane që po shqetësonte diplomacinë evropiane, i nxiti disa nga pashallarët shqiptarë, me Mahmud Pashën në krye, ta shikonin kryengritjen si rrugën e vetme për shpëtimin nga sundimi i një perandorie që dukej se po shembej. Ndaj Mahmud Pasha, në vend që të pranonte faljen dhe gradën e vezirit që i ofroi Porta e Lartë në prag të luftës me Rusinë e Austrinë, në prill të vitit 1786, shpalosi zyrtarisht flamurin e luftës.
Në muajin maj të vitit 1788, Mahmud Pasha u takua në kështjellën e Rozafës me një përfaqësues të ambasadorit rus në Venedik. Në këtë takim Bushatlliu pranoi të vazhdonte kryengritjen kundër "armikut të përbashkët" (Perandorisë Osmane) dhe u zotua të lehtësonte hyrjen e trupave ruse në Stamboll, duke pushtuar Shqipërinë deri në Manastir e një pjesë të Maqedonisë deri në Selanik.
Në korrik të vitit 1796 tri reparte të sundimtarit të Shkodrës hynë në Mal të Zi. Malazezët dhe malësorët e tri krahinave shqiptare të lidhur me ta i kishin dërguar fjalë vezirit të Shkodrës se do të luftonin gjer në pikën e fundit të gjakut po t’i sulmonte. Dhe me të vërtetë forcat e Bushatlliut ndeshën në një mbrojtje shumë të fortë, që i detyroi ato të tërhiqeshin dhe që bëri të dështonte sulmi. Në shtator, Kara Mahmud Pasha e përsëriti sulmin mbi Malin e Zi, por edhe këtë herë ushtria e tij nuk përparoi dot, kurse ai vetë bashkë me shtabin e tij, në të cilin ishin edhe katër oficerë francezë, ra në kurth, me sa duket i tradhtuar, u rrethua dhe u vra nga malazezët (1796).
Megjithëkëtë, rezultatet kryesore të veprimtarisë politike të Kara Mahmud Pashës, përhapja e forcimi i lidhjeve ekonomike midis krahinave të Shqipërisë Veriore e Verilindore dhe bashkimi i tyre nën pushtetin e një familjeje të fuqishme feudale shqiptare ishin dy hapa të mëdhenj përpara drejt krijimit të shtetit kombëtar shqiptar. Prandaj veprimtaria e Bushatlliut shënoi një kthesë me rëndësi në historinë ekonomike e politike të Shqipërisë.

2.Pashallëku i Janinës i sunduar nga
Ali Pashë Tepelena ( 1787 - 1821)

Ashtu si në Shqipërinë Veriore, edhe në atë Jugore, anarkia nxiti veprimtarinë politike të familjeve të vjetra feudale, të cilat ishin nga më të fuqishmet.Në sanxhakun e Vlorës familjet rivale për pushtetin lokal ishin ajo e pashallarëve të Vlorës dhe dega e tyre, familja e Velabishtajve, që ishte vendosur në fshatin Velabisht, afër Beratit. Që të dyja përpiqeshin të shtinin në dorë jo vetëm pushtetin e sanxhakut të Vlorës, por edhe atë të sanxhakut të Delvinës. Në gjysmën e parë të shek. XVIII më shpesh sunduan pashallarët e Vlorës, por, me lidhjet që krijoi Mahmud pashë Velabishti me feudalët e vegjël të Tepelenës, të Përmetit, të Skraparit etj.
Me rrënjë të vjetra në krahinën e Tepelenës, Hysot u dalluan si shtëpi bylykbashësh në fundin e shek. XVII, pikërisht kur Perandoria Osmane filloi të mbushte radhët e forcave të armatosura të saj me ushtarë me pagesë. Përfaqësuesi i saj në mbarim të shek. XVII deri në mesin e dhjetëvjetorit të dytë të shek. XVIII ishte Mustafa agë Hysoja ose Muço Hysoja. Në dokumentacionin e kohës ai përmendet herë si çaush jeniçerësh e herë si dizdar i kështjellës së Tepelenës, por kryesisht përmendet si një aga i pasur e i fuqishëm që ndiqej prej disa qindra trimash luftëtarë. Ai njihej gjithashtu si rebel dhe si një nga krerët e kryengritjes së Labërisë në vitet 1704-1714 për të mos paguar xhizjen, ndërsa djemtë e tij dalin si sipërmarrës të kësaj takse të rëndësishme shtetërore në krahinën e Myzeqesë dhe të Mallakastrës, të cilën mund ta vilnin, sidomos në periudhën e anarkisë feudale, vetëm feudalët më të fuqishëm. Muço Hysoja ishte një nga krerët labë më në zë dhe shtëpia e tij, njëra nga më të shquarat e Labërisë, që kishte filluar të ngjiste shkallët e hierarkisë së lartë administrative dhe të rivalizonte me oxhaqet kryesore të Shqipërisë Jugore në luftën për pushtetin politik.
Pjesëmarrja e Myftar bej Hysos si komandant ushtarak me rrogë në luftën veneto-osmane të viteve 1714-1718 dhe vrasja e tij në rrethimin e kështjellës së Korfuzit në vitin 1716 e rritën rolin e të birit, Veli Beut, si pretendent për kreun e sanxhakut të Delvinës. Ky pinjoll i Hysove, që kishte hyrë dhëndër në oxhakun e Mahmud pashë Konicës, arriti të ngrihej në radhët e mirmiranëve dhe në mesin e shek. XVIII u emërua qeveritar i sanxhakut të Delvinës me gradën pashë. Por grindjet për pushtet vijuan dhe u acaruan më tej, prandaj Veli pashë Hysoja nuk qëndroi gjatë në pushtet. Sidoqoftë kjo shtëpi tashmë ishte në radhët e oxhaqeve shqiptare. Nën drejtimin e Ali Beut, djalit të Veli Pashës, ajo do të bëhej shtëpia më e fuqishme e Shqipërisë Jugore dhe e gjithë Shqipërisë.
Stërnipi i Muço Hysos dhe djali i Veli Pashës, Ali Beu, nuk e filloi karrierën e tij si hajdut rrugësh, sikurse mëtohet në gojëdhënat që janë pasqyruar në shumicën e literaturës së shkruar për jetën e Ali pashë Tepelenës (1740-1822), e sidomos për dyzetë vitet e para të jetës së tij. Përkundrazi, ai u rrit e u edukua si të gjithë djemtë e tjerë të oxhaqeve feudale të kohës së vet. Ali Beu u arsimua si një bir pashai dhe, duke u ndihmuar nga të afërmit dhe sidomos nga miqtë e shtëpisë së vet, që e kishin lidhur të ardhmen e tyre me atë të kësaj shtëpie të dëgjuar, u vu shpejt në krye të formacioneve ushtarake me pagesë të krahinës së vet aq të kërkuara nga qeveritarët e ndryshëm të sanxhakëve e sidomos nga valiu i Rumelisë. Si i tillë, ai u lidh me krushqi dyfishe me oxhakun feudal të Asllanpashallive të Gjirokastrës më 1768 dhe u bë një nga prijësit ushtarakë më të dëgjuar. Pa arritur moshën 40 vjeç, ai fitoi më 1784 gradën pashë në rreshtat e ushtrisë perandorake të Rumelisë.
Ali Pasha i Tepelenës hyri në Janinë dhe vendosi sundimin e vet në fund të vitit 1787. Ai e vlerësonte drejt Janinën kur e quante "kyç të Shqipërisë".
Ardhja e Ali pashë Tepelenës në krye të sanxhakut të Janinës (1787) shqetësoi jo vetëm feudalët e vegjël, të cilët ose iu nënshtruan ose u arratisën, por edhe qeveritarët fqinjë dhe kapedanët e malësive të vetëqeverisura. Këta shihnin tek ai njeriun e fortë dhe të etur për pasuri e pushtet, i cili, duke pasur funksionin e derbend-pashës, do të orvatej të shtrinte autoritetin e tij mbi sanxhakët e tyre dhe do t’u vinte fre veprimeve anarkiste, së pari në sanxhakun e Janinës e pastaj edhe në të tjerët. Edhe autoritetet venedikase nuk u shqetësuan më pak, duke parë tek ai mbrojtësin e interesave ekonomikë të vendit në dëm të tregtarëve e të lundërtarëve venedikas, sikurse kishin bërë e po bënin qeveritarët e fuqishëm të Shkodrës.
Vështirësitë që i krijuan Ali Pashës kundërshtarët vendas e të huaj të cilët u lidhën kundër tij, u kapërcyen pas përpjekjeve që vazhduan për një kohë mjaft të gjatë. Ali Pasha qysh në vitet e para vendosi autoritetin e vet në rrugët që lidhnin Janinën me Artën e Manastirin përveç atyre me Thesalinë; por atij iu deshën dhjetë vjet që të vendoste lidhjet me një pjesë të qyteteve të sanxhakut të Delvinës ose të shtinte në dorë bregdetin nga Butrinti në Prevezë, përveç qytetit të Pargës, që kaloi në duart e francezëve e pastaj të rusëve. Për të siguruar kalimin e qetë të karvaneve në zonën lindore e juglindore të sanxhakut të Janinës, ku vepronin çetat suliote, atij iu deshën plot gjashtëmbëdhjetë vjet luftë, kurse për të vendosur sundimin e plotë mbi sanxhakun e Delvinës e të Vlorës iu deshën rreth njëzet e pesë vjet. Sidoqoftë, me këmbënguljen e tij të jashtëzakonshme dhe duke përfituar me zgjuarsi nga rrethanat politike të brendshme e të jashtme, Ali Pasha mundi t’ia arrinte qëllimit të vet, t’i jepte thuajse fund anarkisë dhe të vendoste sundimin e tij mbi bregdetin shqiptar, nga gryka e Shkumbinit deri në Gjirin e Prevezës.
Shtrirja e pushtetit të Ali pashë Tepelenës edhe në sanxhakun e Janinës, ose përqendrimi i qeverisjes së sanxhakëve të Tërhallës e të Janinës në një dorë të vetme, krijoi bërthamën e Pashallëkut të Janinës (1787).
Në politikën e brendshme Ali Pasha veproi me shkathtësi të madhe, për të mos i lejuar familjet e vjetra feudale, të cilat kishin qenë mbështetja kryesore e Portës së Lartë, të bashkoheshin kundër tij. Prandaj, ai i goditi me shpejtësi duke shkatërruar jo vetëm pushtetin e tyre politik, por edhe atë ekonomik.
Duke qenë se shtylla kryesore e sundimit të vet ishte ushtria, Ali Pasha vëmendjen kryesore ia kushtoi asaj. Themelin e kësaj ushtrie e bënin ushtarët me rrogë, me prejardhje kryesisht nga malësitë e varfra të Shqipërisë Jugore. Këta ushtarë të varfër plotësonin nevojën e jetesës së familjeve të tyre me rrogat që merrnin dhe për këtë arsye interesat e tyre ishin të lidhura me ato të parisë feudale sunduese, së cilës i shërbenin. Ushtria ndahej në reparte këmbësore, që përbënin forcën kryesore të saj, por në të filluan të dukeshin edhe bërthama kalorësie e artilerie.
Pashallëku u pajis edhe me një aparat administrativ e gjyqësor sipas organizimit osman. Në krye të aparatit të pashallëkut qëndronte vetë Aliu si një sundimtar absolut. Ai ndihmohej nga një këshill i lartë apo divan, që përbëhej nga djemtë e tij si dhe nga miqtë më të ngushtë e më besnikë, sikurse ishin Thanas Vaja, Jusuf Arapi, Tahir Abazi, Meço Bono, Veli Gega, Hysen Poda, Dalip Përmeti, Dervish Hasani, Ago Vasjari, Mehmet Myhyrdari etj. Përveç pushtetit ekzekutiv, Ali Pasha kishte kthyer në pronë private të tij edhe thesarin, i cili nën kujdesin e tij të veçantë, ishte gjithmonë në gjendje të përballonte shpenzimet.
Duke vënë nën pushtetin e vet Thesalinë, Morenë dhe Shqipërinë Jugore nga Preveza deri në Shkumbin, familja e Ali pashë Tepelenës arriti kulmin e fuqizimit të vet. Me shtrirjen e pushtetit të vezirit të Janinës në gjithë Shqipërinë e Jugut, u bë një hap i rëndësishëm përpara për bashkimin politik të trojeve shqiptare. Ky ishte një objektiv, drejt të cilit bashkoheshin synimet e feudalëve më të fuqishëm shqiptarë të çerekut të parë të shek. XIX.
Gjatë viteve 1815-1819, meqenëse kushtet ndërkombëtare dhe ato të brendshme nuk ndihmonin në realizimin e procesit të bashkimit të trojeve shqiptare, Ali Pasha u detyrua t’i përmirësonte marrëdhëniet e tij me Stambollin. Kështu, ai mundi të ruante të paprekur sundimin e familjes së tij në Thesali, në Shqipërinë Jugore, dhe në sanxhakët e Ohrit dhe të Elbasanit, ku u mundua të përforconte autoritetin e vet duke tërhequr nga ana e tij një varg feudalësh kryesorë, të cilëve u la në dorë postet drejtuese dhe sipërmarrjet.
Porta e Lartë, që kishte ndjekur me kujdes të veçantë veprimtarinë e dy vezirëve dhe sidomos atë të vezirit të Janinës, nuk priste veçse rastin të ndërhynte kundër tij. Më 1819 sulltani kishte arritur në përfundimin se "Ali pashë Tepelena ... ka ndërmend të shtjerë në dorë edhe Gegërinë" dhe "po shkuan punët kështu, në Shqipëri ka për të plasur kryengritja".
Sulltan Mahmudi II, e kuptoi rrezikun e madh që i vinte Perandorisë Osmane nga ngritja dhe fuqizimi i pushtetit të Ali Pashës dhe sidomos nga përpjekjet e tij për të nënshtruar gjithë Shqipërinë e Veriut, prandaj kur pa qartë se veziri i Janinës nuk arriti të bëjë për vete pashallarët e kësaj treve, më 1819 vendosi të vinte në jetë planin e vet kundër tij, të ndërprerë më 1810. Atë e ndihmoi në këtë vepër edhe qëndrimi i vezirit të Shkodrës, i cili pranoi të vihej në shërbim të Portës së Lartë për të luftuar e shkatërruar Ali Pashën.
Në përputhje me këtë vendim, Aliu mblodhi në sarajet e veta, në Janinë, krerët e krahinave shqiptare e greke të pashallëkut dhe u kërkoi këtyre, si përfaqësues të popullsisë myslimane e të krishterë, që ta përkrahnin në luftën kundër sulltanit. Ai shpalli më 23 maj 1820 se, në rast fitoreje, do të krijonte një shtet monarkik konstitucional shqiptar, të përbërë nga zotërimet shqiptare dhe nga Thesalia, në krye të të cilit do të vihej vetë. Greqia qendrore dhe Moreja mund të formonin një shtet grek autonom, i cili do të vihej nën protektoratin e tij.
Në mesin e korrikut 1820, kur u duk se erdhi koha e përshtatshme, sulltani shpalli papritur fermanin për likuidimin e Pashallëkut të Janinës, i cili u lexua edhe në Janinë. Ali Pasha nuk iu bind urdhrit dhe deklaroi se do të mbrohej me luftë. Atëherë Porta e Lartë e shpalli "fermanlli", jashtë ligjit.
Kështu më 23 janar 1822 trupat osmane e pushtuan kështjellën me përjashtim të një pjese të brendshme të saj, ku mbeti i rrethuar Ali Pasha me rreth 50 veta besnikë dhe me gruan e tij, Vasiliqinë. Në këto kushte Ali Pasha nuk mundi të qëndronte gjatë. I mashtruar edhe nga njerëzit e vet, që ishin vënë në shërbim të Hurshid Pashës dhe që i premtuan se do të falej, Aliu ra në kurthin e kryekomandantit osman. Ky e siguroi se sulltani kishte nxjerrë fermanin e faljes, i cili nuk mund të zbatohej para se ai të tërhiqej në ishullin e liqenit dhe të dorëzonte fortesën e fundit, ku po vazhdonte qëndresën i vetmuar. Ali Pasha e priti me plumb të ngarkuarin e Hurshid Pashës, i cili, në vend të fjalës së premtuar, lexoi dënimin me vdekje. Më 5 shkurt 1822, Ali pashë Tepelena. u vra me armë në dorë në manastirin e Shën Pandelemonit, në ishullin e liqenit të Janinës. Koka e tij u ekspozua më pas në oborrin e sulltanit.
Me vrasjen e Ali Pashës mori fund konflikti ndërmjet pushtetit qendror osman dhe sundimtarit të fuqishëm shqiptar të Pashallëkut të Janinës, i cili kishte për qëllim të arrinte shkëputjen e këtij pashallëku nga varësia e Stambollit dhe ta shndërronte atë në një shtet shqiptar të pavarur ose autonom.
Megjithëkëtë, edhe në Pashallëkun e Janinës, ashtu sikurse në atë të Shkodrës, pushteti ishte i deleguar nga sulltani sovran dhe ushtrohej në emër të tij. Prandaj edhe Pashallëku i Janinës mbeti një zotërim autonom pa u kthyer ende në një shtet shqiptar.

3.Pashallëku II i Shkodrës (1797 -1831)

Ndërsa po fuqizohej e zgjerohej Pashallëku i Janinës dhe po theksoheshin prirjet e sundimtarit të tij për t’u shkëputur nga varësia e Portës, Pashallëku i Shkodrës, hyri në vitet e fundit të shek. XVIII, kur qeverisej nga Ibrahim pashë Bushatlliu, në rrugën e bindjes ndaj Stambollit. Këtë veprim e bëri me kusht që interesat e shtresës së tij dhe sidomos trashëgimia e pushtetit nga familja e tij të mos cenoheshin. Si përfaqësues i grupit më të fuqishëm feudal në Shkodër, ai u njoh prej sulltanit në maj ose në qershor 1797 si qeveritar i Pashallëkut të Shkodrës me gradën bejlerbej, kurse i nipi Mehmet Pasha u emërua qeveritar i sanxhakut të Elbasanit dhe, pak më vonë, edhe i atij të Ohrit. Por kjo njohje u arrit vetëm pasi ata pranuan shlyerjen e shumave të detyrimeve të prapambetura nga Kara Mahmudi, i cili i kishte përdorur ato për të financuar kryengritjen.
Për ta përdorur në mbrojtjen e kufijve të perandorisë dhe kundër fuqizimit të Pashallëkut të Janinës, Porta e Lartë i dha Ibrahim Pashës gradën e vezirit më 1799, kur këtë gradë ia dha edhe Ali pashë Tepelenës, që kishte mbajtur qëndrim të vendosur kundër rrezikut francez.
Në sajë të kësaj politike të brendshme e të jashtme, Pashallëku i Shkodrës njohu për disa vjet një periudhë relativisht të qetë, që i dha mundësi zhvillimit ekonomik të vendit dhe rritjes së mëtejshme të autoritetit të Ibrahim Pashës në Shqipërinë Veriore. Ai u bë sundimtar i pavarur e zot absolut në vendin e tij. Më 1802 vdiq Mehmet Pasha dhe sanxhaku i Elbasanit kaloi në duart e Ali Pashës së Beratit. Megjithëse midis vezirit të Shkodrës e atij të Beratit filluan mosmarrëveshje për punë të këtij sanxhaku, sulltani duke parë te Bushatlliu një nga funksionarët e lartë më të bindur, në tetor 1803 ia besoi atij postin e valiut të Rumelisë, pasi ia hoqi atë Ali pashë Tepelenës. Detyrën që iu ngarkua në vitin 1804, për të shfarosur një varg krerësh separatistë në Rumeli, Ibrahim Pasha e përmbushi me sukses.
I kënaqur prej valiut shkodran, sulltani jo vetëm ia konfirmoi ofiqet dhe sipërmarrjet që kishte pasur, por i dha atij edhe të drejtën të emëronte në sanxhakun e Elbasanit dhe të Dukagjinit njerëzit që dëshironte vetë. Bushatlliu emëroi në Elbasan dhëndrin e vet Ahmet pashë Tiranën, kurse në Pejë ithtarin e vet Mustafa pashë Gjakovën. Kështu Pashallëku i Shkodrës arriti përpjesëtimet tokësore që kishte pasur në kulmin e sukseseve të vezirëve Bushatllinj paraardhës.
Vdekja e papritur e Ibrahim Pashë Bushatlliut më 1809 shënoi fillimin e procesit të shthurjes së këtij pashallëku. Ibrahim Pasha la pas dy djem të rritur, Tahir Pashën dhe Dervish Beun. Porta e Lartë ia la pushtetin Tahir Pashës, por meqenëse ai ishte i mitur (nuk kishte mbushur as pesë vjeç) lindi grindja në gjirin e oborrit të Shkodrës për çështjen e qeverisjes, që hapi rrugë për një thellim të mëtejshëm të procesit të thërmimit të pashallëkut të Shqipërisë Veriore.

*****

Të gjitha këto ngjarje treguan ndarjen në dy fronte armiqësore të pashallarëve shqiptarë, që ishin njëri kundër bashkimit të vendit nën një pushtet të vetëm, kurse tjetri pro këtij bashkimi. Kjo përçarje u kristalizua pikërisht kur mendohej se lidhja e krushqive midis dy familjeve më të fuqishme të parisë shqiptare, mund të shpinte në marrëveshje midis tyre për t’u kryer kthesa e madhe politike e bashkimit të klasës feudale shqiptare dhe e shtetit të saj, pa të cilën nuk mund t’i jepej fund pushtimit shekullor osman. Mirëpo përçarja e krerëve shqiptarë ishte ende një plagë e thellë, që ushqehej në radhë të parë nga partikularizmi i theksuar i disa oxhaqeve kryesore feudale.
Porta e Lartë nuk la pa e shfrytëzuar këtë gjendje. Ajo jo vetëm pranoi ta emëronte Mustafa Pashën mytesarif të sanxhakut të Shkodrës, por shqyrtoi edhe mundësinë për ta ngritur atë në shkallën e vezirit dhe për t’i krijuar kushtin e domosdoshëm që të grumbullonte rreth vetes të gjithë krerët, kundërshtarë të vijës së bashkimit të klasës feudale shqiptare nën një udhëheqje të vetme politike. Një vendim të tillë ajo e mori kur Mustafa Pasha dërgoi 800 krushq të vinin të merrnin nusen e tij në Janinë. Më 25 maj 1812, kur krushqit shkodranë po ktheheshin në Shkodër bashkë me nusen, mbërriti i dërguari i Portës së Lartë me fermanin në fjalë. Në atmosferën e gëzimit të dasmës, shpallja e fermanit që e emëronte Mustafa Pashën mytesarif të sanxhakut të Shkodrës e të njësive që vareshin prej tij dhe që e ngrinte atë në shkallën e vezirit, zhduku ato mundësi të pakta për afrimin e qeveritarëve të Shqipërisë Veriore e Verilindore me qeveritarin e Shqipërisë së Jugut, i hapi rrugën jo vetëm shembjes së afërt të dy pashallëqeve, por edhe asgjësimit ekonomik e politik madje dhe fizik të dy familjeve sunduese që nuk arritën të merreshin vesh e të bashkoheshin me njëra-tjetrën.
Pashallëqet shqiptare të shek. XVIII - fillimi i shek. XIX, shënuan një hap të parë drejt bashkimit politik të vendit, siç ishte arritur deri diku deri në shek. XIV. Por, të ngritur mbi themele ekonomike ende jo të shëndosha, kur mungonte uniteti në gjirin e klasës feudale shqiptare dhe, të ndodhur në kushte jo të favorshme ndërkombëtare, këto pashallëqe nuk mundën të bënin hapin vendimtar të shkëputeshin vetë nga varësia e Stambollit dhe të shkëpusnin edhe Shqipërinë nga sundimi i Perandorisë Osmane.

4.RILINDJA KOMBËTARE

A) - LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE

Shek. XIX shënoi për popullin shqiptar, ashtu si për popujt e tjerë të Ballkanit, një epokë të re, atë të Rilindjes. Ai ka hyrë në historinë moderne të vendeve të Ballkanit si shekulli i lëvizjeve dhe i revolucioneve kombëtare, që ndoqën njëri-tjetrin dhe që çuan në çlirimin e shumicës së popujve të këtij gadishulli nga zgjedha e Perandorisë Osmane dhe në formimin e shteteve të pavarura.
Rilindja Shqiptare përbën një lëvizje të gjithanshme kombëtare, me një përmbajtje të re ideologjike, politike, kulturore, ekonomiko-shoqërore dhe organizative. Ajo synonte të zgjidhte detyrat që i takonin revolucionit kombëtar, të çlironte vendin nga sundimtarët e huaj osmanë, të bashkonte trojet shqiptare në një shtet të vetëm e të pavarur, t’u hapte rrugën zhvillimit e përparimit ekonomiko-shoqëror, politik e kulturor të Shqipërisë.
Gjatë Rilindjes lindi dhe u zhvillua ideologjia e re kombëtare, e cila, duke u ngritur mbi ndarjet krahinore e fetare, shprehte aspiratat jo më të krahinave të veçanta, por të të gjithë Shqipërisë dhe të të gjithë shqiptarëve.
Rilindja solli elemente të reja edhe në organizimin e drejtimin e lëvizjes çlirimtare shqiptare, duke e ngritur atë në një shkallë më të lartë. Nga kuvendet e besëlidhjet krahinore e ndërkrahinore, që drejtonin veprimet e përbashkëta luftarake në shkallë të gjerë, u kalua në formimin e organizatave udhëheqëse mbarëshqiptare, që drejtonin lëvizjen në shkallë kombëtare, siç qenë Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) e Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900) gjatë shek. XIX, si dhe komitetet kombëtare në fazën e fundit të Rilindjes.
Rilindja, edhe pse ishte në thelb një lëvizje ideore, karakterizohej gjithashtu nga veprime të armatosura të shtresave më të gjera të popullsisë kundër sundimtarëve osmanë. Rilindësit më të përparuar e vlerësuan lëvizjen e armatosur si një mjet të domosdoshëm për të siguruar të drejtat kombëtare dhe për çlirimin e vendit. Këto lëvizje të armatosura, që ndoqën njëra-tjetrën, gjatë shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, nisën me kryengritjet kundër reformave të Tanzimatit në vitet 30-40 e vazhduan deri te kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Rilindja shënoi një hapje ndaj kulturës përparimtare botërore nga më të mëdhatë që kishte njohur kultura shqiptare deri atëherë. Ishte koha kur kombi shqiptar vendosi lidhje më të dendura me idetë dhe kulturën përparimtare të popujve të tjerë, përfitoi nga thesari i kulturës së Perëndimit dhe sidomos nga Rilindja Evropiane, nga iluminizmi i saj. Pikërisht nën ndikimin e këtyre faktorëve të rinj u formuan mendimtarët, ideologët dhe iluministët shqiptarë të epokës së Rilindjes.
Rilindja trashëgoi nga shekujt e mëparshëm një pasuri të çmuar historiko-kulturore, me vlera morale e politike, mbi të cilën ajo u mbështet dhe të cilën e zhvilloi më tej në një rrafsh të ri, me një platformë të re ideologjike e politike. Ajo iu drejtua historisë dhe e përdori këtë trashëgimi për të afirmuar të drejtën e popullit shqiptar për të jetuar i lirë e i pavarur. Rilindësit i kthyen sytë nga e kaluara historike, jo vetëm pse kombi shqiptar, ashtu si kombet e tjera, merr prej andej burimin e tij, por edhe për t’i vënë provat e lashtësisë së tij në shërbim të detyrave që qëndronin para lëvizjes kombëtare: për të rritur krenarinë e bashkatdhetarëve në luftën e vështirë për çlirimin kombëtar, për të ndihmuar në ngritjen e ndërgjegjes së tyre kombëtare, për të forcuar më tej individualitetin e shqiptarëve si komb dhe bashkimin e tyre përballë sundimtarëve osmanë, për t’u dhënë një mbështetje historiko-shoqërore kërkesave kombëtare dhe për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik të huaj ndaj çështjes shqiptare. Rilindësit e përdorën historinë si një mjet të fuqishëm në shërbim të kësaj çështjeje, si edhe për të hedhur poshtë pohimet e atyre shteteve, të cilët, për të arritur më lehtë synimet e tyre ekspansioniste ndaj Shqipërisë, ua mohuan shqiptarëve historinë.
Ndryshe nga ai i vendeve fqinje ballkanike, historicizmi i Rilindjes Shqiptare, argumentimi i karakterit historik të përkatësisë etnike të trojeve shqiptare, shërbeu si mbështetje për bashkimin politik të shqiptarëve dhe të territoreve të banuara prej tyre jo vetëm në të kaluarën, por edhe në periudhën më të re, në shek. XIX.
Epoka e Rilindjes dhe Lëvizja Kombëtare që u zhvillua gjatë saj përbëjnë një proces unik e tërësor. Megjithatë, sikurse është pranuar në historiografinë shqiptare, ajo ndahet në disa periudha ose faza.
Faza e parë fillon në vitet 30 të shek. XIX dhe vijon deri në vitet e shpërthimit të Krizës Lindore, më 1876-1877.
Faza e dytë përfshin vitet 1878-1881, kur në kushtet e Krizës Lindore, një element i rëndësishëm i së cilës ishte edhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare, u shënua një kthesë e rëndësishme në zhvillimin e saj, u krijua organizata mbarëshqiptare – Lidhja e Prizrenit.
Faza e tretë e lëvizjes kombëtare shtrihet nga vitet 1881 dhe mbyllet më 1908, me revolucionin e turqve të rinj. Në këtë periudhë Lëvizja Kombëtare Shqiptare, edhe pse nuk njohu pika të atilla kulmore, siç ishin vitet e Lidhjes së Prizrenit, erdhi duke u rritur, si nga pikëpamja cilësore, me zhvillimin e mëtejshëm të mendimit politik e të kulturës, ashtu edhe nga organizimi i saj.
Faza e katërt (1908-1912) hapet me fitoren e Revolucionit xhonturk dhe mbaron me Shpalljen e Pavarësisë të Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Kjo është periudha e rritjes së lëvizjes politiko-kulturore (më 1908-1910) dhe e kryengritjeve të mëdha shqiptare kundër sundimit osman në vitet 1910-1912, të cilat dallohen si nga përmasat e shkalla më e lartë e organizimit, ashtu edhe nga programi politik autonomist që parashtruan. Lëvizja kombëtare u bë në këto rrethana një faktor i rëndësishëm ndërkombëtar, ndërsa kryengritjet shqiptare të viteve 1910-1912 e dobësuan pushtetin osman në Ballkan dhe i hapën rrugën shkatërrimit të tij përfundimtar pas luftërave ballkanike të viteve 1912-1913.
Kryengritjet, sidomos ajo e përgjithshme e vitit 1912, përgatitën truallin për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, që ishte një fitore e madhe historike me të cilën mbyllet epoka e Rilindjes Kombëtare. Por, i shpallur në vitet e luftërave ballkanike dhe për shkak të vendimeve të padrejta të Konferencës së Londrës të Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha (1912-1913), shteti i pavarur shqiptar nuk arriti të bashkojë, siç ishte përcaktuar në platformën politike të Rilindjes, të gjitha trojet e Shqipërisë, pjesa më e madhe e të cilave mbeti jashtë kufijve të tij, nën robërinë e shteteve fqinje, të Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë. Në këto rrethana çështja kombëtare shqiptare mbeti e pazgjidhur përfundimisht, duke u kthyer në periudhat më pas në një problem i lëvizjes për çlirimin kombëtar të asaj popullsie shqiptare që mbeti në ato shtete dhe duke u bërë njëherazi një faktor që ndikoi fuqishëm në marrëdhëniet e shtetit shqiptar me këto vende fqinje.

B) - LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT
(1878-1881)

Fillimi i Krizës Lindore i gjeti shqiptarët në marrëdhënie të acaruara me Perandorinë Osmane. Asnjë nga kërkesat e ngritura prej tyre gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nuk ishte pranuar nga Porta e Lartë. Shqipëria nuk gëzonte asnjë të drejtë kombëtare. Në viset e saj, administrata e vilajeteve ndodhej gjithnjë në duart e nëpunësve turq.
Porta e Lartë vazhdonte t’i diskriminonte shqiptarët, të mos i njihte si komb më vete dhe shqiptarët e tri besimeve si elementë të të njëjtit komb. Ngritja e shkollave shqipe vijonte të ishte e ndaluar, në një kohë kur rrjeti i shkollave të huaja po zgjerohej nga viti në vit. Trojet shqiptare qëndronin të copëtuara ndërmjet vilajeteve të ndryshme. Me këtë copëtim, Porta e Lartë vijonte t’ua mohonte atyre karakterin etnik shqiptar.
Kriza Lindore e viteve 70-të i gjeti shqiptarët të rrethuar nga mospërfillja e Fuqive të Mëdha, asnjëra prej të cilave nuk ishte shprehur publikisht për njohjen e të drejtave të tyre kombëtare.Në radhë të parë ishte rreziku që kryengritja shqiptare të shkaktonte ndërhyrjen në favor të Portës së Lartë të Fuqive të Mëdha, të cilat nuk dëshironin që të prishej status quo-ja në Gadishullin Ballkanik. Por edhe sikur kjo të prishej, qarqet patriotike shqiptare ishin të bindura se Fuqitë e Mëdha, meqenëse nuk e përkrahnin, qoftë edhe në parim, idenë e pavarësisë politike të Shqipërisë, madje as atë të autonomisë së saj administrative, do të shfrytëzonin rastin ose për ta okupuar atë ushtarakisht (Austro-Hungaria dhe Italia), ose për ta copëtuar atë midis shteteve fqinje (Rusia, Anglia, Franca). Gjendjen ndërkombëtare të çështjes shqiptare e ndërlikonte sidomos politika e tri monarkive fqinje ballkanike. Krahas mobilizimit ushtarak për luftën kundër Perandorisë Osmane, Serbia, Greqia e Mali i Zi po zhvillonin një veprimtari të dendur diplomatike e propagandistike, për të siguruar nga ana e Fuqive të Mëdha miratimin e aspiratave të tyre mbi trojet shqiptare.
Kriza Lindore krijoi kështu një situatë mbytëse, madje të rrezikshme për kryengritjen çlirimtare kundërosmane në Shqipëri. Ajo e ktheu mundësinë e copëtimit të Shqipërisë nga një rrezik potencial në një rrezik real. Në këto rrethana qarqet politike shqiptare nuk e shtruan çështjen e kryengritjes së armatosur për pavarësinë e Shqipërisë. Derisa të krijohej gjendja e favorshme ndërkombëtare, ato i vunë vetes si qëllim të vijonin përpjekjet për të arritur bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane, zgjidhje kjo që nuk e cenonte politikisht status quo-në në Evropën Juglindore dhe që do të krijonte kushtet për sigurimin e tërësisë e të paprekshmërisë së territoreve shqiptare.
Krijimi i një vilajeti autonom shqiptar u bë kështu, në fillim të Krizës Lindore, program i përbashkët politik si për atdhetarët më radikalë rilindës, ashtu dhe për qarqet atdhetare të moderuara. Megjithatë, ndërmjet programit autonomist të të dyja rrymave kishte ndryshime në këto drejtime: të parët e vlerësonin autonominë administrative si një etapë drejt pavarësisë kombëtare të Shqipërisë; të dytët e shikonin si qëllim në vetvete, si program maksimal të aspiratave të tyre politike; të parët mendonin ta realizonin vilajetin autonom me rrugën e kryengritjes; të dytët, që kishin besim në dashamirësinë e sulltanit, shpresonin ta arrinin me anën e reformave që do të bënte Porta e Lartë.
Lufta ruso-turke krijoi një gjendje të re për të gjitha kombet e shtypura nga Perandoria Osmane dhe për të gjitha monarkitë e Gadishullit Ballkanik. Kudo sundonte bindja se kjo luftë do të përfundonte me disfatën e Portës së Lartë. Të gjitha shtetet ballkanike u vunë në lëvizje për të plotësuar në përfundim të kësaj lufte bashkimin e tyre kombëtar dhe, ca më shumë, për të përmbushur aspiratat e tyre aneksioniste në dëm të kombeve të tjera të gadishullit.
Nismën për ta vënë në jetë idenë e kryengritjes çlirimtare kundërosmane e mori Komiteti Shqiptar, që u formua në Janinë në maj të vitit 1877, në krye të të cilit u vu Abdyl Frashëri, një nga ideologët, diplomatët dhe organizatorët më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në këtë Komitet bënin pjesë personalitete, që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat e vilajetit të Janinës, si Mehmet Ali Vrioni (Berat), Mustafa Nuri Vlora (Vlorë), Sulejman Tahiri (Tepelenë), Myslim Vasjari (Kurvelesh), Sabri Gjirokastra (Gjirokastër), Mihal Harito (Zagori), Mehmet Goroshiani (Përmet), Vesel Dino (Prevezë) etj.
Çeljen e parlamentit turk në dhjetor të atij viti patriotët shqiptarë, sidomos antarët e Komitetit të Janinës, e shfrytëzuan për të organizuar në kryeqytetin perandorak një takim në shkallë kombëtare. Për këtë qëllim, përveç deputetëve të parlamentit, u thirrën në Stamboll edhe personalitete të njohura shqiptare që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhjen e parë, që u mbajt më 18 dhjetor 1877, u miratua forumi i organizatës atdhetare revolucionare me emrin Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, ose siç u quajt shkurt Komiteti i Stambollit. Kryetari i Komitetit u zgjodh Abdyl Frashëri. Megjithëse nuk dihet ende përbërja e plotë e këtij Komiteti, janë njohur tanimë si anëtarë të tij Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zija Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Koronica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mane Tahiri etj.
Në fillim të vitit 1878 situata në front u përmbys plotësisht. Pasi kaluan malet Ballkan, ushtritë ruse filluan të përparonin me shpejtësi në drejtim të jugut, pa ndeshur ndonjë rezistencë serioze nga ana e ushtrive osmane. Më 4 janar 1878 ato pushtuan Sofjen, më 18 janar Edrenenë dhe më 28 janar arritën në fshatin Shën-Stefan, në periferi të Stambollit. Nga paniku që pushtoi Perandorinë Osmane përfituan ushtritë serbe, të cilat marshuan pa vështirësi drejt vilajetit të Kosovës dhe, pasi morën Pirotin, Nishin, Kurshunlinë dhe Vranjën, në fund të janarit arritën në Gjilan. Po ashtu, ushtritë malazeze pushtuan më 10 janar Tivarin, më 19 janar Ulqinin dhe një javë më vonë dolën në brigjet e liqenit të Shkodrës e të lumit të Bunës.
Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane.
Traktati i Shën-Stefanit i shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 për qind të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Traktati i Shën-Stefanit nuk e zinte fare në gojë Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit të Shën-Stefanit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj. Serbia, e cila do të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e verilindore të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi, sipërfaqja e të cilit do të rritej më tepër se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit, të Krajës, të Anamalit, të Hotit, të Grudës, të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës, të Gucisë dhe të Rugovës. Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, me Traktatin e Shën-Stefanit trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja. Perandoria Ruse e gjymtonte kështu rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin e shtetit kombëtar.
Ndërkaq, në prill të vitit 1878, opinioni publik shqiptar u informua nga shtypi ndërkombëtar për kundërshtimin që kishte gjetur Traktati i Shën-Stefanit në fuqitë e tjera të mëdha. Në të vërtetë, kundërshtimin më të rreptë ai e pati nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria, të cilat u shqetësuan së tepërmi nga rritja e shpejtë e ndikimit të Rusisë në Gadishullin Ballkanik nëpërmjet Bullgarisë së Madhe. Për këtë arsye, me këmbënguljen e tyre, u vendos që kushtet e përcaktuara në Traktatin e Shën-Stefanit të rishikoheshin nga një kongres i posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili, sipas vendimit që u mor më vonë, do të mblidhej në Berlin më 13 qershor 1878.
Shqetësimi që pushtoi shqiptarët për fatin e atdheut, u shpreh me një lumë protestash, që shpërthyen gjatë muajve prill e maj 1878 nga të katër anët e vendit kundër Traktatit të Shën-Stefanit. Pothuajse në çdo qendër kazaje u zhvilluan mbledhje popullore, në të cilat u morën vendime për të kundërshtuar me çdo kusht copëtimin e trojeve shqiptare. Në shumicën e rasteve, në përfundim të këtyre mbledhjeve u hartuan protesta me shkrim drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilat shprehej vendosmëria e shqiptarëve për të mbrojtur deri në njeriun e fundit çdo pëllëmbë të tokës amtare.
Një nga çështjet kryesore, që u shtrua gjatë pranverës së vitit 1878, në mbledhjet popullore të krahinave të vendit ishte formimi i lidhjes shqiptare, karakterin kombëtar të së cilës e mbrojtën si patriotët radikalë, ashtu dhe qarqet e moderuara. Si procedurë për formimin e saj udhëheqësit politikë vendosën të shfrytëzonin traditën e lashtë shqiptare. Sipas kësaj tradite, sa herë që vendin e kërcënonte rreziku i jashtëm, secila krahinë thërriste kuvendin e vet krahinor dhe pastaj përfaqësuesit e tyre mblidheshin në një kuvend të jashtëzakonshëm, i cili formonte, sipas rastit, besëlidhjen ndërkrahinore ose lidhjen e përgjithshme.
Nismën për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm e mori Komiteti i Stambollit. Por, për të mos shkaktuar reagimin e hapur të organeve qeveritare osmane, Komiteti i Stambollit vepronte, si edhe më parë, në rrethanat e fshehtësisë së plotë. Si vend për mbledhjen e Kuvendit u caktua Prizreni, qyteti kryesor i Kosovës dhe një nga më të mëdhenjtë e Shqipërisë, që ndodhej në afërsi të krahinave, ku do të zhvillohej qëndresa e armatosur e Lidhjes për mbrojtjen e tërësisë së atdheut. Me organizimin e drejtpërdrejtë të veprimeve për thirrjen e Kuvendit u ngarkua një Komision i posaçëm, shumica e anëtarëve të të cilit ishin nga Prizreni e Gjakova. Ndërmjet tyre njihen Ymer Prizreni dhe Ahmet Koronica, ndërsa thirrjen për mbledhjen e Kuvendit e lëshoi qysh në fund të prillit një nga përfaqësuesit më të shënuar të qarqeve atdhetare të moderuara, Ali bej Gucia (më vonë: Ali pashë Gucia), pronar i madh tokash dhe kundërshtar i vjetër i Tanzimatit e i Traktatit të Shën-Stefanit.
Lëvizja për thirrjen e Kuvendit Kombëtar u gjallërua në kulm gjatë gjysmës së dytë të majit. Sapo u përhap lajmi se Kongresi i Berlinit do të mblidhej më 13 qershor 1878, në viset e të katër vilajeteve u zhvilluan mbledhje për të zgjedhur delegatët që do të niseshin për në Prizren. Nga viset shqiptare të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit dhe të Janinës, nuk u caktua si delegat për në Prizren asnjë nga elementët sulltanistë.
Kuvendi Kombëtar u hap më 10 qershor 1878. Por atë ditë në Prizren nuk kishin arritur të gjithë delegatët e krahinave shqiptare. Mungonin delegatët e vilajetit të Shkodrës, nisjen e të cilëve e kishin penguar intrigat e valiut turk, Hysen Pashës. Po ashtu, nga vilajeti i Janinës arritën vetëm dy delegatë (njëri nga të cilët ishte Abdyl Frashëri), pasi të tjerët ishin ende në udhëtim. Nga të dhënat e derisotme dokumentare nuk ka qenë e mundur të përcaktohet lista e plotë e delegatëve, as numri i saktë i atyre që u ndodhën të pranishëm në ditën e hapjes së Kuvendit të Përgjithshëm të Lidhjes. Njihen më se 110 emra, shumica e të cilëve vinin nga vilajeti i Kosovës. Ishin këta përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore, çifligarë e agallarë, tregtarë e zejtarë, klerikë e nëpunës, bajraktarë e malësorë. Kishte personalitete të shquara politike të së kaluarës, por edhe emra të rinj që po hynin në jetën politike të vendit, figura që kishin marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit ose që kishin luftuar prej kohësh kundër ushtrive të monarkive fqinje ballkanike. Ndër figurat më të shquara që merrnin pjesë në Kuvendin e Përgjithshëm njihen: Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Ymer Prizreni (kryetar i komisionit organizator të Kuvendit), Abdullah pashë Dreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Zija bej Prishtina, Jashar bej Shkupi, Shaban bej Peja, Filip Doda, Sulejman Vokshi, Shuajip Spahiu, Ali Ibra, Abdyl Frashëri etj.
Vendimi i Kuvendit të Prizrenit për themelimin e Lidhjes ishte një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pasi me anën e tij iu dha goditja e parë dhe e fuqishme përpjekjeve të Stambollit për ta veshur Lidhjen me karakter islamik dhe u hodhën themelet e një organizate kombëtare shqiptare, e cila, qysh në ditën e parë të saj, pati një karakter atdhetar.
Menjëherë pas themelimit të Lidhjes u formuan organet e saj të larta. Në krye të Lidhjes qëndronte Këshilli i Përgjithshëm me funksione legjislative dhe me seli në Prizren, nga i cili do të vareshin degët krahinore. Kryetar i tij u zgjodh Iljaz pashë Dibra. Për të ushtruar funksionet ekzekutive u formua Komiteti Qendror i Lidhjes Shqiptare, i përbërë nga tri komisione, secili me një përgjegjës të veçantë: komisioni i punëve të jashtme (Abdyl Frashëri), komisioni i punëve të brendshme (Haxhi Shabani) dhe komisioni i të ardhurave financiare (Sulejman Vokshi).
Krijimi i organeve të larta të Lidhjes së Prizrenit dhe pajisja e tyre me funksione pushtetore ishin një fitore tjetër që korrën forcat atdhetare, pasi me anën e tyre u hodhën themelet për krijimin në Shqipëri të një pushteti të veçuar nga ai i Portës së Lartë. Kjo fitore u përforcua me caktimin në krye të organeve të larta të personaliteteve që militonin në Komitetin e Stambollit (Abdyl Frashëri e Sulejman Vokshi), ose që u takonin qarqeve të moderuara (Iljaz pashë Dibra e Haxhi Shaban Prizreni). Për fitoren e plotë të krahut patriotik nuk mbetej tjetër hap, veçse pajisja e besëlidhjes me një statut ose kanun, siç quhej në atë kohë, të ndërtuar mbi platformën rilindëse.
Lidhja vendosi të ngrinte një ushtri të rregullt, të disiplinuar dhe të ndërgjegjshme, të aftë për të mbrojtur atdheun. Në Talimat përfshihej edhe një shtojcë që përmbante një varg masash konkrete për dislokimin e menjëhershëm të forcave të armatosura të Lidhjes së Prizrenit në pikat kryesore strategjike, si në Guci, në Rugovë, në Kolashin, në Prepol, në Senicë, në Tashllixhe, në Mitrovicë, në Gjilan, në Palankë, në Shkodër e gjetkë. Prej këtej ato do të mbronin viset shqiptare, nëse Kongresi i Berlinit do t’ua jepte Serbisë, Bullgarisë e Malit të Zi. Sipas Talimatit, Kuvendi Kombëtar parashihte të ngrinte, në rast nevoje, një ushtri kombëtare prej 190 mijë vetash.
Kongresi i Berlinit u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark.
Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale.
Edhe shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomiste. Këtë kërkesë ia përcolli me anën e Abdyl Frashërit Kongresit të Berlinit edhe Lidhja e Prizrenit me peticionin që miratoi më 15 qershor.
Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, të mbledhura në Kongresin e Berlinit, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Edhe pse në Berlin luhej fati i popullit shqiptar, Fuqitë e Mëdha e injoruan qenien e tij. Madje, delegacioni shqiptar, i ngarkuar nga Lidhja e Prizrenit, i cili shkoi në Berlin me nismën e vet për t’i parashtruar Kongresit të drejtat e Shqipërisë, nuk u përkrah nga askush. Abdyl Frashëri, kryetari i delegacionit, u përpoq ta bindte kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, në një takim që pati me të, që ta përfshinte në rendin e ditës së një seance edhe çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk pranoi duke u shprehur brutalisht se "nuk ka një komb shqiptar".
Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj. Ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit.
Sipas traktatit të ri, përfitimet politike e territoriale të Rusisë u pakësuan si në Gadishullin Ballkanik, ashtu edhe në Azinë e Vogël. Ideja e një principate bullgare, nën sovranitetin e sulltanit, mbeti në fuqi, por kufijtë e saj u zvogëluan gati trefish. Kongresi i Berlinit vendosi që territori i saj të shtrihej midis lumit Danub dhe maleve Ballkan. Viset në jug të maleve Ballkan do të formonin një provincë autonome të Perandorisë Osmane me emrin Rumelia Lindore. Viset e Maqedonisë, së bashku me krahinat lindore të Shqipërisë, të cilat me Traktatin e Shën-Stefanit i jepeshin Bullgarisë, do të mbeteshin gjithashtu nën sundimin osman. Kongresi i Berlinit ua njohu pavarësinë Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ai ripohoi gjithashtu vendimin e mëparshëm për t’i dhënë Rumanisë Dobruxhën Veriore dhe për t’i shkëputur asaj provincën e Besarabisë në favor të Rusisë. Kufijve të Serbisë e të Malit të Zi ai u bëri ndryshime të rëndësishme. Me këmbënguljen e Austro-Hungarisë u vendos që Serbia të mos zgjerohej nga ana jugore (në drejtim të Novi Pazarit, të Mitrovicës dhe të Prishtinës, të cilat Vjena i lakmonte për vete), por nga ana juglindore, duke i dhënë asaj krahinat e Pirotit, të Trenit, të Vranjës e të Nishit; këto, me Traktatin e Shën-Stefanit, i qenë premtuar Bullgarisë. Për të njëjtën arsye, me këmbënguljen e Vjenës, Malit të Zi iu pakësuan së tepërmi përfitimet territoriale nga ana veriore, në drejtim të Hercegovinës dhe të Novi Pazarit. Sipas Traktatit të Berlinit, ai do të zgjerohej kryesisht nga ana jugore: do të merrte krahinat e Tivarit, të Podgoricës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës e të Kolashinit. Aneksimi i Ulqinit nuk iu njoh, por Cetina fitonte të drejtën që anijet tregtare malazeze të lundronin lirisht në lumin Bunë dhe në liqenin e Shkodrës.
Vendimet e Kongresit të Berlinit e shtuan zemërimin e shqiptarëve kundër Fuqive të Mëdha dhe kundër Portës së Lartë. Nga të katër anët e vendit u bënë protesta për të kundërshtuar shkëputjen e trojeve shqiptare në favor të shteteve fqinje. Kudo u shpreh gatishmëria e masave popullore për të mos lëshuar, qoftë në veri, qoftë në jug, asnjë pëllëmbë tokë të banuar nga popullsi shqiptare.
Pas vrasjes në Gjakovë të mareshal Mehmet Ali pashës, Porta e Lartë u dha të kuptojnë Fuqive të Mëdha se e kishte tepër të vështirë të përmbushte kundrejt Malit të Zi detyrimet territoriale që rridhnin nga Traktati i Berlinit. Por knjaz Nikolla nuk donte të dinte për asnjë justifikim. Nga frika se me kalimin e kohës mund të ndryshonin rrethanat ndërkombëtare në dëm të saj, Cetina kërkonte vazhdimisht ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha për ta detyruar Perandorinë Osmane të dorëzonte sa më parë krahinat e Podgoricës, të Shpuzës, të Zhabjakut, të Plavës, të Gucisë e të Rugovës, të cilat Kongresi i Berlinit ia kishte dhënë Malit të Zi. Veç kësaj, si kundërpeshë ajo po e vononte dorëzimin e Ulqinit, të Dinoshit dhe të Bregut të Bunës, të cilat i mbante të pushtuara qysh nga koha e luftës, por që sipas Traktatit të Berlinit duhej t’i ktheheshin Perandorisë Osmane.
Lëvizja kombëtare, të cilën e udhëhoqi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, lindi nga vrulli atdhetar i shtresave më të ndryshme të popullsisë së Shqipërisë dhe u zhvillua në truallin historik të përgatitur gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nga lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënonte, si organizatë, një hap të madh cilësor nga pikëpamja e funksioneve politike, e shtrirjes territoriale dhe e mjeteve të luftës në krahasim me besëlidhjet e mëparshme. Ajo ishte e para organizatë kombëtare që krijoi degë të saj në të gjitha krahinat shqiptare dhe e para organizatë atdhetare që përdori për interesat e lartë të atdheut krahas pushkës edhe penën. Për më tepër, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e para organizatë, e cila jo vetëm u vesh qysh në fillim me funksione pushtetore, por arriti në fund të fitonte atributet e një qeverie të përkohshme shqiptare, pothuajse krejtësisht të pavarur nga autoriteti i Perandorisë Osmane.
Lidhja e Prizrenit u shtyp pasi erdhi deri në pragun e sendërtimit të programit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Materialisht ajo u shtyp nga dhuna ushtarake dhe nga terrori policor i Perandorisë Osmane. Në të vërtetë ajo u mbyt edhe nga konspiracioni ndërkombëtar që organizuan kundër saj Fuqitë e Mëdha. Por edhe pse u shtyp, ajo pati një varg arritjesh me rëndësi të madhe historike.
Me qëndresën e armatosur që zhvilloi për mbrojtjen e Plavës, të Gucisë, të Hotit, të Grudës, të Kelmendit e të Ulqinit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit tregoi se trojet shqiptare nuk mund të trajtoheshin si plaçkë tregu për të kënaqur interesat e Fuqive të Mëdha ose lakmitë pushtuese të monarkive fqinje. Madje, në saje të kësaj qëndrese ajo i detyroi Fuqitë e Mëdha jo vetëm të rishikonin tri herë me radhë vendimet e tyre në lidhje me përfitimet e Malit të Zi në dëm të trojeve shqiptare, por edhe të hiqnin dorë përfundimisht nga lëshimi i Çamërisë shqiptare në dobi të Mbretërisë Greke.
Lidhja e Prizrenit krijoi më në fund një pikë të shëndoshë referimi si me programin e saj politik, ashtu edhe me formën e saj organizative për lëvizjet e mëvonshme çlirimtare të shqiptarëve deri në fitoren e pavarësisë kombëtare, në nëntor të vitit 1912.

*****

Lufta për çlirimin kombëtar, për formimin e një shteti të bashkuar shqiptar, ashtu si në vendet e tjera të Ballkanit, edhe në Shqipëri nuk mund të zhvillohej jashtë ndikimit të Fuqive të Mëdha dhe të raporteve ndërkombëtare të kohës.
Në shek. XIX Fuqitë e Mëdha e kishin vënë Perandorinë Osmane nën ndikimin e tyre, ishin bërë tanimë një faktor i dorës së parë që përcaktonte fatin e saj dhe të zotërimeve të saj duke përfshirë edhe ato ballkanike. Të bindura tanimë përfundimisht se kjo Perandori po shkonte drejt shembjes së pashmangshme, këto shtete punonin për të forcuar më tej ndikimin në zotërimet e saj dhe mbi shtetet që do të dilnin pas rrënimit të saj. Në këto rrethana, si lëvizjet kombëtare, ashtu edhe procesi i formimit të shteteve nacionale, nuk mund të zhvilloheshin në mënyrë të pavarur dhe jashtë ndikimit e vullnetit të Fuqive të Mëdha. Ashtu si këto lëvizje, edhe ajo kombëtare shqiptare, ishin bërë pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Zgjidhja e çështjes kombëtare në këto vende përcaktohej në një shkallë të konsiderueshme nga këto marrëdhënie ndërkombëtare.
Kështu, edhe pse patën shpërthyer në Serbi kryengritja e parë më 1804 dhe e dyta më 1815, ndërsa në Greqi e në Rumani më 1821, këto vende u çliruan nga robëria osmane vetëm pas disfatës që Turqia pësoi në Luftën ruso-turke të viteve 1828-1829, kur, sipas traktateve të paqes ndërmjet Rusisë e Perandorisë Osmane, u njoh autonomia e principatës serbe dhe e Malit të Zi, u përforcua autonomia e principatave të Vllahisë e të Moldavisë dhe u njoh pavarësia e Greqisë, e cila u sanksionua edhe me Traktatin e Londrës të Fuqive të Mëdha më 1830. Edhe Bullgaria, ndonëse u përfshi më 1876 nga një lëvizje kryengritëse kundër robërisë osmane, u shpall si principatë autonome (pjesa veriore e saj) dhe si njësi shtetërore nën vasalitetin e sulltanit, me emrin Rumelia Lindore (pjesa jugore), pas shpartallimit të Perandorisë Osmane në Luftën ruso-turke të viteve 1877-1878 dhe pas Traktatit të Shën-Stefanit dhe atij të Berlinit më 1878.
Rol vendimtar ka pasur faktori i jashtëm edhe në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, si dhe në fatin e çështjes shqiptare në përgjithësi. Por, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, ndërhyrjet e këtij faktori në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të periudhës së Rilindjes kanë qenë, me ndonjë përjashtim, me rrjedhoja negative për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Asnjë nga Fuqitë e Mëdha nuk e mori në mbrojtje çështjen shqiptare dhe nuk u angazhua për zgjidhjen e saj. Ky qëndrim mospërfillës, madje edhe opozitar i shteteve evropiane ndaj çështjes kombëtare shqiptare, që do të vazhdonte edhe pas Rilindjes, ndonëse ka qenë diktuar nga interesat e tyre të njohur politikë dhe strategjikë në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri, si edhe nga synimi për të ruajtur ekuilibrin ndërmjet tyre, ka qenë përcaktuar edhe nën ndikimin e faktorit fetar. Dihet se afria e besimit fetar ka nxitur jo vetëm Rusinë, ku identifikimi populist i kombit me fenë ishte më i spikatur, por edhe Fuqitë e tjera të Mëdha evropiane të përkrahnin lëvizjen kombëtare të popujve të krishterë të Ballkanit. Ndërkaq, lëvizja kombëtare e popullit shqiptar, shumica e të cilit i përkiste fesë myslimane, përgjithësisht nuk ka gëzuar një përkrahje të tillë edhe kur ka përjetuar kulmet e saj, madje të atilla që rrallë mund të ndeshen edhe në vendet e tjera të Ballkanit, siç kanë qenë periudha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881) dhe ajo e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912.
Por edhe Fuqitë e Mëdha, ndonëse përgjithësisht i sinkronizonin veprimet e tyre kur ndërhynin në Perandorinë Osmane dhe posaçërisht në Shqipëri, nuk kanë mbajtur gjithnjë e të gjitha të njëjtin qëndrim ndaj çështjes shqiptare. Janë të njohura sidomos qëndrimet e veçanta të Austro-Hungarisë, e cila, edhe pse kur ishte fjala për ndërhyrjet në Perandorinë Osmane vepronte si një nga gjymtyrët më të rëndësishme të koncertit të shteteve evropiane, punonte njëherazi për të nxitur zhvillimin kulturor të shqiptarëve, që e shihte si një mjet për forcimin tek ata të ndjenjave kombëtare. Kjo politikë diktohej, pa dyshim, nga interesat e saj ekonomikë e politikë në Shqipëri, si vend me një pozicion të rëndësishëm në Adriatik, nga synimi i Vjenës për të shfrytëzuar për këta interesa Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Në pragun dhe sidomos gjatë luftërave ballkanike (1912-1913) Austro-Hungaria nisi të përkrahte në fillim idenë e vendosjes së një administrimi autonom në Shqipëri e më pas, në periudhën e përgatitjes së Shpalljes së Pavarësisë, atë të një shteti kombëtar shqiptar.
Ndërhyrja e faktorit të jashtëm në çështjen shqiptare ka qenë e shumëfishtë: krahas Fuqive të Mëdha në lëvizjen shqiptare ndërhynin jo vetëm me mjete propagandistike e diplomatike, por edhe me agresionin e hapur ushtarak, edhe shtetet fqinje (Serbia, Greqia dhe Mali i Zi). Duke filluar nga vitet 30 të shek. XIX, këto shtete ndiqnin një politikë ekspansioniste për pushtimin e tokave shqiptare. Në këto kushte Rilindja Shqiptare u detyrua ta drejtonte tehun e luftës njëherësh në dy fronte: kundër sunduesve osmanë për çlirimin kombëtar dhe kundër lakmive shoviniste të shteteve fqinje, të cilat përkraheshin nga Fuqitë e Mëdha, sidomos nga Rusia, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë. Lufta në dy fronte, me dy objektiva, përbënte një veçori të lëvizjes shqiptare të epokës së Rilindjes, e cila e bënte atë të dallohej nga lufta që zhvilluan kombet e tjera të Ballkanit në shek. XIX. Megjithatë, kjo veçori nuk i përjashtoi aspak shqiptarët e lëvizjen e tyre kombëtare nga fronti i përbashkët i qëndresës së popujve të Ballkanit kundër zgjedhës shekullore osmane, gjatë së cilës u treguan të gatshëm për të bashkëpunuar me popujt fqinj të Gadishullit Ballkanik dhe dhanë një kontribut të çmuar.
Pasojat e ndërhyrjeve të jashtme Shqipëria i ndjeu tepër rëndë. Brenda 40 vjetëve të fundit para Shpalljes së Pavarësisë (1912), Fuqitë e Mëdha dhe sidomos shtetet fqinje ballkanike, që përkraheshin prej tyre, ndërhynë, madje edhe me mjete ushtarake, dy herë në çështjen shqiptare: në vitet 1878-1881, kur iu kundërvunë Lidhjes së Prizrenit dhe kërkesave të vazhdueshme të saj për një shtet autonom shqiptar dhe kur me vendimet e Kongresit të Berlinit gjymtuan rëndë territoret shqiptare, si dhe më 1912-1913, kur edhe pse e njohën shtetin e pavarur, të porsashpallur shqiptar, i shkëputën atij më shumë se gjysmën e territoreve dhe të popullsisë, që ua aneksuan shteteve fqinje.
Historia e Lidhjes tregoi se pengesa kryesore për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar nuk vinte vetëm nga Perandoria Osmane, por edhe nga faktori ndërkombëtar. Shqiptarët u bindën se luftën çlirimtare duhej ta zhvillonin duke u mbështetur në radhë të parë në forcat e tyre njerëzore e materiale dhe se duhej të punonin njëkohësisht për të siguruar përkrahjen e Fuqive të Mëdha, sidomos të atyre që kishin filluar të anonin nga zgjidhja e drejtë e çështjes kombëtare shqiptare. Lidhja provoi gjithashtu se brenda vendit Lëvizja Kombëtare Shqiptare mbështetjen politike, morale, materiale e luftarake duhej ta kërkonte te shtresat e gjera të popullit dhe te bashkimi i të gjitha forcave shoqërore e politike të kombit shqiptar, pa dallim feje, krahine e përkatësie shoqërore.

C) - LIDHJA E PEJËS

Gjatë vitit 1898, ndërsa Porta e Lartë vazhdonte të shtypte me të njëjtën ashpërsi lëvizjen shqiptare, atdhetarët rilindës e shtuan veprimtarinë për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të popullit, për bashkimin dhe organizimin e tij në qëndresën kundër sunduesve osmanë. Qeveria turke vazhdoi të shtypte me forcën e armëve lëvizjen dhe popullsinë e zonave kryengritëse shqiptare.
Në këto rrethana të ndërlikuara rifilluan përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për bashkimin e gjithë popullit dhe për krijimin e një lidhjeje të re, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit, do t’i udhëhiqte shqiptarët në luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për çlirimin e saj.
Vatër e përpjekjeve të tilla për formimin e një lidhjeje të re, ashtu si në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) edhe tani, më 1899, u bënë përsëri qytetet e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Dibrës, të cilat kërcënoheshin drejtpërdrejt nga qarqet shoviniste të Serbisë, të Bullgarisë e të Malit të Zi.
Lidhja e re shqiptare u krijua pas një pune të madhe përgatitore, organizative e politike, që atdhetarët shqiptarë brenda vendit, të udhëhequr nga Haxhi Zeka dhe shoqëritë patriotike jashtë atdheut, sidomos ato të Bukureshtit dhe Komiteti Shqiptar i Stambollit bënë në fundin e vitit 1898 dhe në janar të vitit 1899. Gjatë kësaj kohe u mbajtën mbledhje të gjera të përfaqësuesve të popullsisë së qyteteve e të rrethinave, si në Pejë, në Mitrovicë, në Prishtinë, në Vuçiternë, në Drenicë e në qendra të tjera të vilajetit të Kosovës, ku shqiptarët dhanë besën dhe shprehën gatishmërinë për të formuar lidhjen. Këto mbledhje të njëpasnjëshme të popullsisë shqiptare, si edhe letërkëmbimi i dendur i Haxhi Zekës me qendrat e ndryshme të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës, tregojnë se organizatorët e Lidhjes kishin ndërmend të thërrisnin një kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku të merrnin pjesë delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe të të gjitha besimeve, myslimanë, katolikë e ortodoksë. Edhe përfaqësuesit e popullsisë së Shkodrës, të Dibrës, të Prishtinës, të Pazarit të Ri, si edhe të Shqipërisë së Jugut , kërkonin që të thirrej sa më shpejt kuvendi që po përgatitej për organizimin e shqiptarëve në një lidhje të përgjithshme.
Në këtë periudhë përgatitore udhëheqësit e lëvizjes shqiptare përcaktuan edhe programin e këtij kuvendi, i cili, i përpunuar tanimë që në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe në memorandumet shqiptare të viteve 1896-1898 përmbante dy çështje themelore: ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe formimin e një Shqipërie autonome, ku të përfshiheshin të katër vilajetet shqiptare.
Fryt i këtyre përpjekjeve ishte thirrja e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, i cili i zhvilloi punimet e tij në Pejë më 23-29 janar të vitit 1899, ku morën pjesë përfaqësues të parisë dhe të popullsisë së vilajetit të Kosovës, si dhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të Manastirit e të Janinës. Këtu u shpall formimi i lidhjes së re shqiptare që, sipas shembullit të Lidhjes të Prizrenit të vitit 1878, u quajt Lidhja e Pejës. Kryetar i Kuvendit dhe i Komitetit drejtues të Lidhjes u zgjodh Haxhi Zeka.
Kuvendi i Pejës mori vendime të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore e të dorës së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë kundër çdo orvatjeje që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare. Kuvendi e vuri theksin sidomos te rreziku i aneksimit të vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit dhe shprehu gatishmërinë për të mobilizuar gjithë shqiptarët në rast se atdheu sulmohej nga cilado anë qoftë dhe veçanërisht në rast se sulmoheshin këto vilajete, që shtetet fqinje dhe Fuqitë e Mëdha i përfshinin në të ashtuquajturën Maqedoni. Në rast lufte ishte vendosur të bëhej një ndarje e tillë e forcave shqiptare, që do të mbronin atdheun: ato të sanxhakut të Prishtinës, të Pazarit të Ri e të Dibrës do të ruanin kufijtë verilindorë kundër Serbisë, forcat e Pejës, të Plavës dhe të Shkodrës kufirin me Malin e Zi dhe ato të vilajetit të Janinës (të Shqipërisë së Jugut) do t’i kundërviheshin Greqisë.
Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore e të dorës së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë kundër çdo orvatjeje që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare. Kuvendi e vuri theksin sidomos te rreziku i aneksimit të vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit dhe shprehu gatishmërinë për të mobilizuar gjithë shqiptarët në rast se atdheu sulmohej nga cilado anë qoftë dhe veçanërisht në rast se sulmoheshin këto vilajete, që shtetet fqinje dhe Fuqitë e Mëdha i përfshinin në të ashtuquajturën Maqedoni. Në rast lufte ishte vendosur të bëhej një ndarje e tillë e forcave shqiptare, që do të mbronin atdheun: ato të sanxhakut të Prishtinës, të Pazarit të Ri e të Dibrës do të ruanin kufijtë verilindorë kundër Serbisë, forcat e Pejës, të Plavës dhe të Shkodrës kufirin me Malin e Zi dhe ato të vilajetit të Janinës (të Shqipërisë së Jugut) do t’i kundërviheshin Greqisë.
Me shtrirjen e pushtetit të Lidhjes në krahinat e ndryshme të vendit, ajo filloi të shndërrohet në një organizatë mbarëshqiptare. Në vjeshtën e vitit 1899 lëvizja kombëtare, e udhëhequr nga Lidhja Shqiptare e Pejës, hyri në një fazë të re, filloi lufta kundër administratës osmane në tërësi për të vendosur një administratë shqiptare. Kjo luftë u gërshetua me qëndresën e armatosur të masave kundër përpjekjeve të Portës së Lartë për të shpërndarë komitetet e Lidhjes dhe për të rivendosur autoritetin e organeve shtetërore osmane në viset ku qeveriste Lidhja.
Në pranverën e vitit 1900, duke përfituar nga gjendja e krijuar pas shpërthimit të kryengritjeve në Dibër e në Kosovë, Haxhi Zeka bëri një përpjekje të re për të mbledhur një kuvend tjetër shqiptar, ku të kërkohej autonomia e Shqipërisë.
Qeveria e sulltanit, e nxitur edhe nga Fuqitë e Mëdha, të cilat qenë çliruar nga lëvizja maqedone, që tanimë kishte rënë, kundërshtoi çdo kërkesë të shqiptarëve dhe kaloi në sulm të hapur kundër lëvizjes kombëtare në Shqipëri. Në shtator të vitit 1900 Porta e Lartë vetëm kundër vilajetit të Kosovës hodhi 40 mijë ushtarë. Goditjen kryesore Stambolli e drejtoi kundër qëndresës popullore në Shkup, Tetovë, Dibër, Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë e në qendra të tjera.
Në këto kushte Lidhja dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare në tërësi pësuan humbje të rënda, që çuan në rënien e tyre dhe të luftës për autonominë e Shqipërisë.
Në fundin e vitit 1900 Lidhja e Pejës u shtyp pa arritur të përmbushte detyrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Megjithatë, ajo la mbresa të thella në ndërgjegjen e popullit dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në organizimin e mëtejshëm të luftës së armatosur kundër sunduesve osmanë.

5.PAVARËSIA E SHQIPËRISË

A) – HYRJE

Përvoja e lëvizjes kombëtare e viteve të fundit u tregoi shqiptarëve se një nga rrugët për të krijuar kushte të favorshme në luftën për autonominë e Shqipërisë dhe për të larguar rrezikun e copëtimit të vendit ishte përmbysja e regjimit autokrat të sulltanit dhe vendosja e një rendi kushtetues, që të njihte të drejtat kombëtare të popujve të shtypur. Për t’ia arritur këtij qëllimi, një varg personalitetesh shqiptare hynë në bashkëpunim me lëvizjen nacionale-borgjeze të turqve të rinj.
Megjithatë, kishte një pikë takimi ndërmjet lëvizjes së turqve të rinj dhe Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që qëndronte në luftën kundër absolutizmit të sulltanit, e cila ishte një çështje që bashkonte shqiptarët e popujt e tjerë të shtypur me xhonturqit, megjithëse synimet e tyre në këtë luftë ishin të ndryshme. Ndryshe nga turqit, shqiptarët me përmbysjen e regjimit të Abdyl Hamitit II synonin të siguronin autonominë dhe të hiqnin qafe zgjedhën turke. Prandaj një pjesë e atdhetarëve u përfshinë në lëvizjen e turqve të rinj qysh në fillimet e saj dhe luajtën atje një rol të rëndësishëm. Një nga themeluesit e komitetit të parë xhonturk "Bashkim e Përparim" (1899) ishte shqiptari nga Struga, Ibrahim Temo, student i shkollës së lartë ushtarake-mjekësore të Stambollit. Edhe pas arratisjes së tij nga Turqia në Rumani (nëntor 1895), doktor Ibrahim Temo mbeti një nga veprimtarët më të dalluar të lëvizjes xhonturke dhe njëherazi një nga pjesëmarrësit më aktivë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në lëvizjen e turqve të rinj morën pjesë gjithashtu Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi Ohri, Hoxha Kadriu (Prishtina), Jashar Erebara dhe mjaft atdhetarë të tjerë brenda e jashtë atdheut.
Duke qenë tanimë të bindur se Turqia Evropiane do të shkëputej nga Perandoria Osmane, qoftë si rrjedhojë e ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha, qoftë për shkak të lëvizjeve çlirimtare shqiptare e maqedone, xhonturqit i shtuan përpjekjet për organizimin e kryengritjes së armatosur. Ky orientim i ri, si edhe premtimet që u bënë shqiptarëve, maqedonëve e popujve të tjerë për t’u dhënë, bashkë me kushtetutën, "lirinë, barazinë, vëllazërimin dhe drejtësinë", i siguruan udhëheqjes xhonturke përkrahjen e këtyre popujve e në mënyrë të veçantë të shqiptarëve.
Zgjerimi i veprimtarisë së organizatave xhonturke në Shqipëri e në Maqedoni u dha mundësi turqve të rinj të fillonin kryengritjen. Më 3 korrik të vitit 1908 ngriti krye reparti ushtarak i Resnjës, i komanduar nga oficeri shqiptar Ahmet Njaziu. Kjo kryengritje u pasua nga ajo e majorit turk Enver Beut, që shpërtheu më 6 korrik në Demir Hisar. Këto dy ngjarje shënuan fillimin e Revolucionit xhonturk, që u përhap pastaj në qytetet kryesore të Shqipërisë e të Maqedonisë, të cilat u bënë vatra e tij kryesore.
Lëvizja shqiptare, që solli si rrjedhim thirrjen e Kuvendit të Ferizajt, i ka fillimet e saj në dhjetëditëshin e fundit të muajit qershor të vitit 1908. Qëndresa e armatosur filloi në rrethet e Mitrovicës qysh në prill-maj të vitit 1908 dhe vijoi më pas me grumbullimet e protestat e shqiptarëve në Prizren, në Prishtinë e në tërë vilajetin e Kosovës. Vatër e kësaj lëvizjeje u bë Ferizaj.
Tubimin e tij të parë Kuvendi i Ferizajt e mbajti më 14 korrik. Në këtë mbledhje delegatët u shprehën kundër ndërhyrjeve të huaja, kundër refomave, që do të sillnin copëtimin e trojeve shqiptare dhe diskutuan për masat që duheshin marrë për mbrojtjen e vendit nga një invazion i mundshëm i jashtëm.
Kryengritësit kërkuan reforma për tërë Turqinë Evropiane, me të cilat t'u siguroheshin shqiptarëve dhe gjithë popujve të Perandorisë të drejta të plota kombëtare, të barabarta me ato të turqve, dhe që këto të garantoheshin me ligj e me kushtetutë.
Në të vërtetë turqit e rinj pas ardhjes në fuqi hoqën dorë nga premtimet, që u kishin bërë shqiptarëve për t’u dhënë të drejtën e autonomisë. Në çështjen kombëtare ata mbajtën qëndrim të hapur shovinist. Përballë prirjeve autonomiste të popujve të shtypur, xhonturqit vunë doktrinën e "osmanizmit", e cila ishte shpallur në kushtetutën e vitit 1876 (Neni 8) dhe u përfshi pastaj edhe në programin, që Komiteti Qendror "Bashkim e Përparim" miratoi në mbledhjen e mbajtur në Selanik, në ditët e para të shtatorit të vitit 1908. Me ndihmën e kësaj doktrine, që i shpallte të gjithë shtetasit e Perandorisë "osmanllinj" dhe si të tillë gjoja të barabartë para ligjit, turqit e rinj synonin të mohonin ekzistencën e popujve të tjerë e të çështjes kombëtare në Turqi dhe të mos u njihnin kombësive joturke të drejtat më elementare. Ata shpallën gjuhën turke si gjuhë zyrtare e të detyrueshme në organet shtetërore e në shkollat. Doktrina e osmanizmit tregoi se xhonturqit do të vijonin politikën e vjetër të asimilimit të popujve të shtypur, të turqizimit të tyre. Një politikë e tillë i ktheu në fraza boshe parimet e mëdha demokratike të shpallura nga xhonturqit gjatë revolucionit: "Liri", "Barazi", "Vëllazëri" dhe "Drejtësi".
Atdhetarët rilindës, pa marrë parasysh pengesat që nxirrnin xhonturqit, duke e vlerësuar gjithnjë si detyrë kryesore luftën për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha turke, shfrytëzuan mundësitë legale që u krijuan pas shpalljes së kushtetutës për të organizuar në përmasa mbarëshqiptare lëvizjen politike-kulturore, për ngritjen e mëtejshme të ndërgjegjes kombëtare dhe për bashkimin e popullit. Për këtë qëllim menjëherë pas revolucionit u ngritën klubet kombëtare, që u shtrinë në qytetet e në fshatrat e vendit dhe në qendra të tjera të Perandorisë ku kishte shqiptarë, filloi ngritja e shkollave shqipe, dhënia e mësimit të gjuhës amtare në shkollat e huaja në Shqipëri dhe u bënë përpjekje për miratimin e përdorimin e një alfabeti të vetëm për gjuhën shqipe.
Më 31 korrik 1908 u themelua klubi "Bashkimi" i Manastirit, me kryetar Fehim Zavalanin që sapo ishte liruar nga internimi, nënkryetar Gjergj Qiriazin dhe sekretar Naum Naçin. Menjëherë pas themelimit të tij, klubi i Manastirit dërgoi në qytetet e tjera të vendit emisarët e vet për të propaganduar idetë kombëtare të shqiptarëve, siç ishin bashkimi i vilajeteve të Shqipërisë dhe ruajtja e tërësisë së saj. Në shembullin e tij dhe me nismën e atdhetarëve, u formuan në muajt gusht-shtator 1908 klubi i Korçës, i Vlorës, i Elbasanit, i Shkodrës, i Shkupit ("Klubi arsimor shqiptar"), i Kumanovës, i Tetovës, i Beratit, i Selanikut, i Stambollit, i Pogradecit, i Janinës, i Filatit. Në periudhën e mëvonshme u ngritën klubet shqiptare në qytetet dhe në qendrat e tjera të Shqipërisë, në Tiranë, Durrës, Gramsh, Gjirokastër, Ohër, Strugë, Gjilan, Dibër, Vuçiternë, Tepelenë, Delvinë, Filat, Follorinë, Kurvelesh, Përmet, Pogon, Konicë, Negovan, Bellkamen etj. Në gjithë Shqipërinë u ngritën atëherë më shumë se 40 klube.
Si lëvizja kombëtare, ashtu edhe klubet nuk e humbën karakterin e vet luftarak e të pavarur. Të ndodhur nën vëzhgimin e vazhdueshëm të autoriteteve osmane, klubet e kishin gjithnjë më të vështirë të zhvillonin legalisht e haptazi veprimtarinë e tyre politike-kombëtare. Për këtë arsye pranë tyre u krijuan komitete të fshehta, të cilat merreshin me propagandën kundërosmane dhe me organizimin e luftës për autonominë e vendit.
Me veprimtarinë e tyre klubet dhe komitetet e fshehta luajtën një rol të rëndësishëm në organizimin e lëvizjes kombëtare në këtë fazë të re të zhvillimit të saj. Me nismën e klubeve, për herë të parë në historinë e vendit, filluan të botoheshin brenda në Shqipëri dhe në disa qytete të tjera të Perandorisë gazeta në gjuhën shqipe. Në Korçë dolën njëra pas tjetrës gazetat: "Korça" (1908-1910), nën drejtimin e Sami Pojanit; "Lidhja Orthodokse" (1909-1910) dhe "Koha" (1911-1912), nën drejtimin e Mihal Gramenos; në Manastir "Bashkim’i Kombit" (1909, 1910), nga Fehim Zavalani dhe më pas "Drita" (1911-1912), nga Mustafa Hilmi Leskoviku; në Shkup "Shkupi" (1911-1912), nën drejtimin e Jashar Erebarës; në Janinë "Zgjim’i Shqipërisë" (1909-1910), nga Abdyl Hakiu; në Elbasan "Tomori" (1910), nga Lef Nosi dhe organe të tjera. Nga organet kryesore të shtypit shqiptar ishin gjithashtu "Lirija" në Selanik (1908-1910), nga Mithat Frashëri; "Shqipëtari" në Stamboll (1909-1911), nga Dervish Hima etj. Pranë klubit të Manastirit e klubeve të tjera u ngritën shtypshkronja për botimin e gazetave dhe të librave shqip.
Jashtë Shqipërisë vijuan të botoheshin organe të tilla të rëndësishme të shtypit atdhetar shqiptar, si "Shqypeja e Shqypenis" (1909-1911) në Sofje, nën drejtimin e Josif Bagërit "Shkopi" (1907-1908) dhe "Rrufeja" (1909-1910) në Egjipt, "Dielli" (1909-1910) në Boston, "Liri e Shqipërisë" (1911-1915) në Sofje etj. Në vitet 1908-1912 në Shqipëri dhe jashtë botoheshin më shumë se 35 organe të shtypit shqiptar.
Përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe, si edhe zhvillimi i kulturës kombëtare në përgjithësi, shtruan në rend të ditës nevojën e caktimit të një alfabeti të vetëm. Rilindësit me të drejtë e shihnin mungesën e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike, një shenjë dasie, që pengonte bashkimin e shqiptarëve. Zgjidhja e saj do të ndihmonte si në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ashtu edhe në konsolidimin e unitetit kombëtar dhe të bashkimit politik të popullit shqiptar.
Nismën për thirrjen e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi "Bashkimi" i Manastirit, që luante rolin kryesor ndërmjet klubeve shqiptare.Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të ShBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj.
Delegatë të tij ishin shkrimtarët dhe publicistët më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, si Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mithat Frashëri, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Thoma Avrami, Sotir Peci, Shahin Kolonja, Luigj Gurakuqi, Adam Shkaba; veprimtarë të lëvizjes kombëtare dhe të klubeve shqiptare, si Bajram e Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja, Fehim Zavalani, Dhimitër Mole, Nyzhet Vrioni, Rrok Berisha, Leonidha Naço, Dhimitraq Buda, Akil Eftimi, Shefqet Frashëri, Refik Toptani, Gligor Cilka, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim efendiu (nga Shkupi), Ramiz Daci, Xhemal Beu (nga Ohri), Fahri Frashëri (nga Resna) etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi.
Pas shumë diskutimesh Komisioni vendosi që të mos merrej në vështrim asnjëri nga tri alfabetet e përmendura më sipër, por të krijohej një alfabet i ri mbi bazën e atij latin, duke u dhënë shkronjave latine vlera fonetike në përputhje me nevojat e gjuhës shqipe.
Atë që nuk e çoi dot deri në fund Kongresi i Manastirit, e zgjidhi përfundimisht vetë jeta e popullit shqiptar. Alfabeti thjesht latin, duke qenë i papërzier e më homogjen nga karakteri i shkronjave, më i lehtë e më praktik për shtyp, u përhap gjithnjë e më shumë dhe nga fundi i Luftës së Parë Botërore u bë tashmë alfabeti i përbashkët e i vetëm për gjithë shqiptarët, alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe.


B) - KRYENGRITJET SHQIPTARE
1909-1911
Me rivendosjen e pushtetit të tij në kryeqytet dhe në provinca Komiteti "Bashkim e Përparim", megjithëse edhe këtë herë fitoren mbi forcat e kundërrevolucionit hamitian të prillit 1909, ia detyronte në një masë të madhe mbështetjes që i dhanë shqiptarët, e vazhdoi më me ngulm e në mënyrë të dhunshme politikën e vet nacionaliste, për të forcuar Perandorinë "një e të pandashme" Osmane, duke i mohuar popullit shqiptar dhe popujve të tjerë joturq çdo të drejtë kombëtare.
Krahas goditjeve kundër lëvizjes arsimore e kulturore shqiptare, në acarimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve e xhonturqve ndikuan fuqishëm edhe ekspeditat ushtarake të Xhavit Pashës në Kosovë dhe në Shqipërinë e Veriut në përgjithësi, të ndërmarra kryekëput me nismën e qeverisë së Stambollit.
Në fillim të majit të vitit 1909 qeveria xhonturke nisi nga Shkupi drejt Gjakovës një ekspeditë të re ndëshkimore, të drejtuar nga Xhavit Pasha, komandant i Divizionit të 18 të Mitrovicës. Në krye të 10 batalioneve të këmbësorisë, të pajisura me 32 topa, Xhavit Pasha hyri më 16 maj në Pejë. Pasi la këtu tri batalione "për të mbajtur rregullin", Xhavit Pasha u hodh në Gjakovë, ku kërkoi nga popullsia e qytetit të dorëzonte armët, të bëhej regjistrimi i popullsisë, të vileshin taksa të dyfishta për bagëtinë dhe të zgjeroheshin dritaret e kullave. Meqë krerët e Malësisë së Gjakovës që ishin thirrur në qytet, i kundërshtuan këto kërkesa, Xhavit Pasha u nis me pesë batalione këmbësorie dhe me dy bateri artilerie drejt Malësisë së Gjakovës.
Në gjysmën e parë të korrikut të vitit 1909, kur në Shqipërinë e Veriut vijonte ende qëndresa e armatosur kundër ekspeditave të Xhavit Pashës, Ismail Qemali, atë kohë i arratisur në Itali, publikoi thirrjen drejtuar "Vëllezërve shqiptarë!", e cila, e botuar në formë manifesti në mijëra kopje, u shpërnda në të gjitha anët e Shqipërisë?. Shqiptarët, vinte në dukje Ismail Qemali në këtë thirrje, kanë 100 vjet që po luftojnë për të drejtat njerëzore dhe për lirinë, megjithatë sot rrezikohen të humbasin si komb. Duke njohur thelbin nacionalist të regjimit xhoturk, Ismail Qemali përpiqej të bindte shqiptarët të mos i mbështesnin shpresat te Komiteti "Bashkim e Përparim". Pas shpalljes së lirisë (kushtetutës), theksonte ai, shqiptarët më shumë se çdo komb tjetër shpresuan se do të kishin mundësi të punonin për përparimin e gjuhës së tyre, por u gënjyen. Si dëshmi për këtë përmendeshin dhunimet në Shqipërinë e Poshtme, vrasjet që po bënte Xhavit Pasha në Shqipërinë e Sipërme, si edhe përçarjet që xhonturqit po mbillnin midis shqiptarëve.
Por, pa përfunduar ende ekspedita ushtarake në Lumë, shpërtheu kryengritja në Malësinë e Dibrës, ku, përveç popullsisë vendase, ishin mbledhur edhe shumë nga kryengritësit kosovarë. Këtu u mbajt një tubim i gjerë, ku morën pjesë rreth 2 000 veta nga Malësia, Dibra e Poshtme, Mati e Mirdita, që vijoi dy ditë me radhë, më 14 e 15 shtator. Në tubim u kërkua që shqiptarët të luftonin për vetëqeverisjen e atdheut të tyre. Për të penguar shtrirjen e lëvizjes në gjithë sanxhakun e Dibrës, Porta e Lartë, përveç batalioneve që ndodheshin në qytetin e Dibrës, dërgoi më 27 shtator forca të tjera ushtarake nga Selaniku.
Dhuna e ushtruar nga Xhavit Pasha dhe nga ushtria osmane mbi shqiptarët e thelloi edhe më shumë hendekun midis popullit shqiptar e xhonturqve, forcoi te shqiptarët bindjen se interesat e tyre si komb ishin krejt të veçantë nga ata të xhonturqve.
Në shtator të vitit 1909 me urdhër të valiut të Kosovës u mbyll shkolla shqipe e Pejës, ndërsa në janar u dëmtua dhe më pas u mbyll shkolla shqipe e Gjilanit. Në shkurt të vitit 1910 valiu i Kosovës urdhëroi të mbyllen të gjitha shkollat shqipe të këtij vilajeti dhe të hiqej mësimi i gjuhës shqipe nga shkollat shtetërore turke. Hasan Prishtina, Nexhip Draga e atdhetarë të tjerë kosovarë protestuan menjëherë kundër këtyre veprimeve dhe kërkuan nga Stambolli largimin e valiut nga Kosova.Veprime të njëjta kundër shkollave shqipe u ndërmorën në vilajetin e Janinës, ku drejtoria e arsimit në fillim kundërshtoi kërkesat për hapjen e shkollave të reja shqipe (në Leskovik, Filat etj.), ndërsa në mars të vitit 1910 urdhëroi të ndalohej mësimi i gjuhëve të tjera në shkolla, përveç turqishtes.
Dhuna e egër që xhonturqit ushtruan për mbledhjen e taksave e të tatimeve, për grumbullimin e armëve e të rekrutëve ishte më e fuqishme në Kosovë, ku shpërtheu hapur pakënaqësia e shqiptarëve. Qysh në pranverën e vitit 1910 qëndresa e shqiptarëve të Kosovës merr gjithnjë e më shumë trajtën e një lufte të armatosur. Të rinjtë, për t’iu shmangur shërbimit ushtarak, dilnin në mal dhe formonin çeta të armatosura. Ndërkohë nisën përgatitjet për aksione të armatosura në përmasa më të gjera. Pranvera e vitit 1910 i gjeti shqiptarët e Kosovës të organizuar në grupe të armatosura e të përgatitura për luftë kundër regjimit xhonturk.
Veprimet e para kundërqeveritare nisën në mars në Gjakovë, por qendra e tyre u bë në fillim Juniku, ku vepronin forcat e udhëhequra nga Halil Mehmeti.
Në muajin mars, me nismën dhe nën drejtimin e Idriz Seferit, u mbajt në Gjilan një mbledhje e shqiptarëve të këtij rrethi ku u diskutua rreth masave për organizimin e kryengritjes së re. Kryengritja u shtri edhe në Rrafshin e Dukagjinit. Në fillim të prillit kryengritësit kishin zënë të gjitha pikat strategjike në afërsi të qyteteve të Prishtinës, të Pejës e të Prizrenit.
Për të përballuar ekspeditën e madhe ushtarake që Porta po përgatiste kundër Kosovës, u pa e nevojshme të merreshin masa organizative e ushtarake, të cilat do të vendoseshin në tubimet e udhëheqësve shqiptarë. Një tubim i tillë u mbajt në mesin e prillit në vendin e quajtur Verrat e Llukës, në afërsi të Deçanit. Autoritetet xhonturke, me gjithë përpjekjet që bënë, nuk arritën ta pengonin mbledhjen e këtij kuvendi. Agjentura e tyre, e kryesuar nga disa bejlerë të Pejës, nuk arriti gjithashtu të qetësonte dhe të shpërndante turmat e armatosura. Tubimi u zhvillua nën drejtimin e Shaban Binakut, të Isa Boletinit, të Sulejman Batushës dhe të krerëve të tjerë.
Në mesin e prillit 1910 Turgut Pasha mbërriti në krye të një ushtrie prej 16 mijë forcash në kryeqendrën e vilajetit të Kosovës, në Shkup. I përforcuar me trupa të rinj, numri i forcave osmane që u vunë përballë kryengritësve shqiptarë, arriti në rreth 40 mijë veta. Me këtë ushtri Shefqet Turgut pasha filloi në mesin e muajit prill 1910 sulmin e përgjithshëm kundër forcave kryengritëse.
Ndërkohë kryengritësit vazhduan veprimet e tyre, të cilat tani i zhvilluan në tri zona. Luftëtarët e Shalës, të Llapit e të Drenicës, nën komandën e Isa Boletinit, u përqendruan në Grykën e Carralevës dhe vunë nën kontroll vijën Ferizaj-Shtimje-Prizren. Hasan Hysen Budakova me forcat e tij u përqendrua në rajonin malor në perëndim të Ferizajt deri në anën jugore të Carralevës. Grupimi tjetër, i tretë, i kryengritësve, që përbëhej nga luftëtarë të Gjilanit e të Preshevës, nën komandën e Idriz Seferit, mori përsipër të zotëronte e të mbronte Grykën e Kaçanikut dhe rrugën Tetovë-Shkup për të mos lejuar depërtimin e ushtrisë osmane, që vinte nga qendra e vilajetit në drejtim të pjesës së brendshme të Kosovës. Emisarë të posaçëm u dërguan në Shkodër, në Dibër e në Mat me thirrjen për t’u bashkuar me kryengritjen, ndërsa agjitatorë të tjerë filluan të vepronin në radhët e reparteve turke për t’i bindur ushtarët shqiptarë të dezertonin.
Lajmi rreth fillimit të luftimeve në Shtimje përshpejtoi veprimet e kryengritësve të Gjilanit, të Preshevës dhe të viseve përreth, që u hodhën drejt Kaçanikut. Më 24 prill 3 000 kryengritës, nën udhëheqjen e Idriz Seferit, shtinë në dorë Grykën e Kaçanikut dhe dolën në shpinë të ushtrisë turke, duke e vënë atë në një pozitë kritike. Kryengritësit vunë nën kontroll të plotë hekurudhën Shkup-Mitrovicë dhe ndërprenë lidhjen hekurudhore me kryeqendrën e vilajetit, Shkupin. Si rrjedhim i këtyre veprimeve, forcat ushtarake osmane, të vendosura në Ferizaj, u vunë në një gjendje të vështirë.
Sukseset e kryengritësve në Grykën e Carralevës dhe shtënia në dorë e Shkallës së Kaçanikut përbënin një fitore ushtarake të rëndësishme, e cila ndikoi në zhvillimin e mëtejshëm të kryengritjes në Kosovë. Forcat kryengritëse zotëronin tani një pjesë të mirë të territoreve të vilajetit të Kosovës, si dhe disa pika strategjike që u lejonin të kontrollonin vijat kryesore të komunikacionit. Ata paralizuan pushtetin civil të administratës xhonturke. Ndërkaq, ushtria osmane mbeti e bllokuar në qytetet kryesore të Fushë-Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit. E pafuqishme për të ndërmarrë ndonjë veprim luftarak jashtë tyre, ushtria osmane priste ardhjen e forcave të reja.
Veprimtaria e çetave të armatosura vijoi edhe pas kalimit të forcave osmane, të komanduara nga Shefqet Turgut pasha, nga Kosova në Shqipërinë e Veriut e të Mesme, madje edhe kur në Kosovë u vendosën përsëri forca të shumta ushtarake. U bënë të shpeshta përleshjet ndërmjet çetave shqiptare dhe ushtrisë osmane.
Kryengritja e Kosovës e vitit 1910 ishte e para lëvizje e armatosur aq e gjerë e popullit shqiptar në fillim të shek. XX, por që mbeti në kufijtë e një vilajeti të vetëm. Veprimet e suksesshme luftarake të kryengritësve në skajin verilindor të vilajetit të Shkodrës nuk ndikuan në zgjerimin e përmasave të saj.
Lufta e armatosur e popullit shqiptar kundër sundimit osman nuk arriti të shtrihej në një hapësirë të gjerë kombëtare as në rrafshin organizativ, as në atë politik e ushtarak. Madje edhe në kufijtë e vilajetit të Kosovës nuk u arrit një bashkërendim i veprimeve luftarake. Ndonëse luftuan për të përballuar marshimin e ushtrisë së komanduar nga Shefqet Turgut pasha, kryengritësit nuk arritën të organizonin një qëndresë të përgjithshme në gjithë vilajetin. Vatrat e qëndresës së shqiptarëve, siç qenë ato të Kaçanikut, të Carralevës etj., mbetën të shkëputura nga njëra-tjetra.
Kryengritja u shtyp edhe për shkak se shqiptarët u ndodhën përballë një ushtrie të madhe në numër, në armatime e në pajisje luftarake dhe e drejtuar nga oficerë të zgjedhur, të stërvitur nga instruktorë të huaj.
Kryengritja nuk pati përkrahjen e qarqeve politike të shteteve fqinje dhe të Fuqive të Mëdha që vijuan t’i përmbaheshin politikës, tashmë tradicionale, të ruajtjes së status quo-s politike kombëtare dhe ndërkombëta. Grupe të shumta luftëtarësh vijuan qëndresën edhe pas shtypjes së kryengritjes së vitit 1910.
Kryengritja e re filloi të përgatitej sipas këtij progami të përbashkët autonomist. Një nga detyrat kryesore, ashtu si më parë, ishte formimi brenda vendit i një qendre të vetme drejtuese për gjithë lëvizjen kombëtare. politike kombëtare dhe ndërkombëta.
Komitetet e fshehta shqiptare mendonin ta fillonin kryengritjen në pranverën e vitit 1911, pasi të bëheshin të gjitha përgatitjet e nevojshme. Komiteti i Manastirit udhëzonte atëherë komitetet e tjera që të formonin çeta prej 50 vetash. Përpjekje të shumta po bëheshin për të futur armë në Shqipëri.
Kryengritja filloi më 24 mars të vitit 1911 kur malësorët e Hotit, të udhëhequr nga Ded Gjo Luli, nga Gjek Marash Gjeloshi e të tjerë, filluan veprimet e armatosura dhe sulmuan fortifikatën kufitare të Rapshës. Lëvizja u shtri shumë shpejt në Grudë, në Kelmend dhe në Kastrat.
Më 30 mars u bë në Cetinë mbledhja e udhëheqësve të kryengritjes, e cila miratoi një memorandum drejtuar Fuqive të Mëdha. Në këtë dokument kërkohej paprekshmëria e territoreve shqiptare; të njihej gjuha shqipe si gjuhë zyrtare në të katër vilajetet, në zyra e gjyqe dhe si gjuhë mësimi në shkolla; të gjithë nëpunësit në Shqipëri të ishin shqiptarë dhe të njihej zyrtarisht kombësia shqiptare; të ardhurat buxhetore të shpenzoheshin në dobi të vendit; ushtarët shqiptarë të mos shërbenin jashtë trojeve shqiptare, me përjashtim të rasteve të luftës. Memorandumi ishte nënshkruar nga Muharrem Bushati, Isa Boletini, Sokol Baci, Ded Gjo Luli, Abdulla Aga, Preng Kola dhe Mehmet Shpendi. Shtypi i kohës theksonte se, megjithëse kryengritja zhvillohej në një trevë të ngushtë, të banuar kryesisht nga katolikë, kryengritësit dolën me kërkesa kombëtare. Ata në thelb kërkuan autonominë e Shqipërisë.
Fillimi i parakohshëm i kryengritjes në Veri, që ndodhi për shkak të presioneve të qeverisë malazeze, pengoi përhapjen e saj të menjëhershme në viset e tjera më të afërme. Kryengritja e malësorëve i gjeti këto pjesë të vendit ende të papërgatitura dhe të paorganizuara për veprime të armatosura të përbashkëta. Trevat veriore të vendit, sidomos Kosova, Mirdita e krahinat e tjera, ishin të çarmatosura nga ekspedita e vitit 1910. Megjithatë, Isa Boletini dhe Sulejman Batusha nuk hoqën dorë nga përpjekjet për zgjerimin e kryengritjes në viset e Rrafshit të Dukagjinit.
Në këto rrethana kryengritësit e Veriut iu drejtuan shqiptarëve të Jugut duke u bërë thirrje që të bashkoheshin me ta.
Në vilajetin e Janinës, në rajonet e Korçës, të Elbasanit, të Dibrës dhe të Ohrit komitetet e fshehta filluan të shpërndanin armë dhe të organizonin çeta. Më 16 prill u organizua në Manastirin e Cepos një mbledhje me krerët e kryengritësve të Gjirokastrës, të Delvinës dhe të viseve të tjera të Shqipërisë së Jugut, të cilët u betuan për t’u ngritur në luftë të armatosur kundër Perandorisë Osmane.
Në proklamatën e publikuar më 1 maj 1911, të shkruar në shqip, frëngjisht, gjermanisht e italisht, kryengritësit parashtruan edhe njëherë programin e tyre autonomist. Pasi flitej për vendosjen pas Revolucionit të regjimit xhonturk, të cilin e përkrahën edhe shqiptarët, në proklamatë shpalleshin këto kërkesa të kryengritësve: 1) Shqipëria të bëhej vetëqeverimtare me sigurim të qeverive të mëdha nën hije të Turqisë; 2) Shkollat shqipe të mbaheshin prej qeverisë; 3) Ushtarët shqiptarë të mos dilnin jashtë kufijve të Shqipërisë, përveç se në rast lufte.
Ndërkaq, përpjekjet luftarake u bënë më të shpeshta dhe më të rrepta. Më 3 maj u zhvillua një nga përleshjet më të mëdha të kryengritësve me forcat osmane, pas së cilës u hap rruga për në qendrën e vilajetit, në Shkodër.
Ngjarjet e Kryengritjes shqiptare të vitit 1911 patën jehonë brenda dhe jashtë vendit. Me kryengritësit u bashkuan, sado të paktë, edhe vullnetarë nga Italia e Bullgaria. Shtypi i huaj shkruante për trimërinë e grave shqiptare, për "amazonat shqiptare", të cilat, krahas burrave, prindërve dhe vëllezërve të tyre, luftonin kundër pushtuesve osmanë.
Gjatë muajit maj patriotët shqiptarë të grumbulluar në Korfuz, si Nikollë Ivanaj, Themistokli Gërmenji, Ismail Qemali, Pandeli Cale, Stefan Kondillari, Spiro Bellkameni e të tjerë, krijuan një degë të komitetit shqiptar të Barit. Ndërkaq u shtuan përpjekjet për organizimin e kryengritjes në Shqipërinë e Jugut, ku po punohej për sigurimin e armëve.
Me nismën e Komitetit të kryengritjes (të Podgoricës), u mblodh në pllajën e Greçës, në perëndim të Selcës, në Malësinë e Madhe Kuvendi i Përgjithshëm i krerëve shqiptarë, i cili më 23 qershor miratoi dokumentin më të rëndësishëm të kryengritjes, të njohur me emrin "Memorandumi i Greçës", i hartuar nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi. Me këtë akt kryengritja e armatosur e shqiptarëve të veriut kishte tani një program kombëtar në të cilin aderuan tashmë të gjithë shqiptarët.
Në memorandum parashtroheshin këto kërkesa: t’u jepej garanci se nuk do të përsëriteshin veprimet antikushtetuese nga qeveria qendrore dhe nga autoritetet lokale në të gjithë Shqipërinë dhe se do të respektoheshin fetë e zakonet e vendit; të njihej kombi shqiptar me po ato të drejta që kishin kombet e tjera të Perandorisë Osmane; të kishte liri të plotë për zgjedhjen e deputetëve shqiptarë, numri i të cilëve të ishte në përpjesëtim me popullsinë; të kishte liri për përhapjen e gjuhës shqipe dhe të shkollave shqipe; të bëhej bashkimi i vilajeteve, ku jetojnë shqiptarët, sipas decentralizimit administrativ, dhe të harmonizoheshin ligjet turke me të drejtat zakonore të vendit; nëpunësit e lartë të dinin gjuhën e zakonet e vendit; të gjithë nëpunësit civilë dhe financiarë të ishin shqiptarë, ndërsa gjyqtarët, xhandarët e policët të ishin gjithashtu vendas; të caktohej një guvernator i përgjithshëm nga sulltani për një periudhë të caktuar; të përdorej gjuha shqipe në administratë, në gjyqe e kuvende, përkrah turqishtes, që mbetej gjuhë zyrtare e qeverisë qendrore; shërbimi ushtarak i detyrueshëm për të gjithë në kohë paqeje të kryhej në vend, ndërsa për banorët e zonave kufitare të organizohej një shërbim i veçantë ushtarak, që do të kryhej në krahinat e tyre, për të ruajtur kufijtë; të përdoreshin në vend, për ndërtime rrugësh, hekurudhash, shkollash e të tjera, të ardhurat fiskale me përjashtim të atyre të doganës, të postës, të telegrafës, të duhanit, të alkoolit dhe të pullave, të cilat ishin monopole të shtetit ose u ishin dhënë të huajve sipas kapitulacioneve; t’u njihej fshatarëve e drejta për prerjen e pyjeve sipas një takse; këshillat e përgjithshme të kishin të drejtë të jepnin vendime për buxhetin e vilajeteve dhe të kontrollonin shpenzimet; të jepeshin fonde të nevojshme për rregullimin e shtëpive e të dëmeve të tjera të shkaktuara nga operacionet e ushtrive osmane dhe t’u ktheheshin shqiptarëve armët që u ishin marrë.
Memorandumi i Greçës parashtronte një program të plotë të autonomisë së Shqipërisë, ashtu siç ishte konceptuar ajo në platformën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare qysh nga koha e Lidhjes së Prizrenit. Ky memorandum kishte një rëndësi të veçantë, sepse dilte nga gjiri i kryengritjes dhe në formulimin tij morën pjesë veprimtarët atdhetarë të krahinave të ndryshme të vendit e të kolonive shqiptare të mërgimit. Përmbajtja kombëtare e këtij memorandumi ishte një argument i fuqishëm për të kundërshtuar trillimet e qeverisë turke dhe të propagandës së shteteve fqinje që mohonin karakterin e vërtetë kombëtar të lëvizjes shqiptare dhe e paraqisnin kryengritjen e malësorëve si kryengritje fetare.
Memorandumi ushtroi ndikim të fuqishëm edhe në pjesët e tjera të Shqipërisë dhe nxiti përpjekjet që u bënë për kthimin e kryengritjes së Veriut në një kryengritje të përgjithshme.
Përpjekjet për organizimin e kryengritjes në jug të vendit u drejtuan nga komitetet "Shoqëria e Zezë për Shpëtim". Në krye të çetave që vepronin në jug ishin Namik Delvina, Muharrem Rushiti, Musa Demi, Spiro Bellkameni, Qamil Panariti, etj. "Shoqëria e Zezë për Shpëtim" mendonte se mjeti më i mirë për ta detyruar Turqinë të njihte Memorandumin e Greçës ishin veprimet sulmuese të armatosura, të cilat filluan të kryheshin nga çetat.
Më 21 korrik u mbajt në Manastirin e Cepos, në Malin e Gjerë, Kuvendi i përfaqësuesve të popullsisë së Çamërisë e të Labërisë dhe të të gjitha kazave të vilajetit të Janinës, ku morën pjesë rreth 800 veta, midis të cilëve edhe përfaqësues të çetave të armatosura të Shqipërisë së Jugut. Këtu u diskutua për qëndrimin që do të mbahej kundrejt regjimit xhonturk në kushtet e shpërthimit të kryengritjes së Malësisë së Mbishkodrës dhe për përkrahjen e saj nga popullsia e Shqipërisë së Jugut. Kuvendi miratoi një memorandum, i cili, duke pasur 43 nënshkrime të pjesëmarrësve, iu dërgua qeverisë xhonturke. Memorandumi u nënshkrua nga përfaqësues të popullsisë së Gjirokastrës, të Delvinës, të Kurveleshit, të Himarës, të Filatit etj. Në memorandum përkrahej Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës dhe programi i saj i autonomisë së Shqipërisë. Kërkohej që qeveria osmane të zbatonte një administrim të njëllojtë si në veri, dhe në jug, duke e parë Shqipërinë dhe kombin shqiptar një e të pandarë. Reformat që do të zbatoheshin në Malësinë e Mbishkodrës të shtriheshin njëlloj në të katër vilajetet shqiptare, të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës.
Në verën e vitit 1911, gjendja e kryengritësve po keqësohej. Atyre u mungonin armët e municionet, në kohën kur gjendeshin përballë një ushtrie të shumtë armike. Si luftëtarët, ashtu edhe familjet e tyre vuanin për bukë.
Gjendjen e malësorëve e rëndonte edhe më shumë qëndrimi i qeverisë malazeze, që u bë më armiqësor kur kryengritësit nuk pranuan të vinin luftën e tyre në shërbim të politikës së Cetinës. Meqë edhe Rusia nuk i lejoi Malit të Zi ta përdorte kryengritjen shqiptare, si pretekst, për të nisur luftën kundër Perandorisë Osmane, qeveria e Cetinës u mundua të nxirrte ndonjë përfitim nga vetë Turqia. Stambolli ishte i interesuar të merrej vesh sa më shpejt me Malin e Zi, për shkak të gjendjes që ishte krijuar në gjithë Shqipërinë. Mali i Zi shpresonte, siç theksohet në dokumentet diplomatike të kohës, të siguronte ndonjë "kompensim për shpenzimet e bëra për ushqimin e malësorëve gjatë kryengritjes, i cili do të kishte formën e një rishikimi të kufirit në dobi të Malit të Zi". Në këto kushte, me ndërhyrjen e Rusisë cariste dhe të monarkisë Habsburge, u arrit më 28 korrik marrëveshja ndërmjet Turqisë e Malit të Zi për rregullimin e konfliktit kufitar dhe të çështjes së të arratisurveshqiptarë.
Në po këtë kohë Abdullah Pasha, komandanti i ri i trupave osmane, shpalli një amnisti të re, por vetëm për malësorët. Ai u njihte atyre disa privilegje, që nuk ishin të pranueshme për kryengritësit. Prandaj, siç dëshmon mikja e shqiptarëve E. Durham, shqiptarët nuk e pushuan qëndresën.
Meqë, me gjithë përpjekjet që u bënë, nuk u arrit që kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës të shndërrohej në një kryengritje të përgjithshme, që të përfshinte gjithë Shqipërinë e Veriut dhe atë Jugut, autoritetet osmane arritën të merren vesh veç me malësorët dhe veç me shqiptarët në jug.
Më 2 gusht në përfaqësinë e Perandorisë Osmane në Podgoricë u nënshkrua, sipas propozimeve turke, marrëveshja e malësorëve me përfaqësuesit e qeverisë xhonturke.
Pas 5 gushtit malësorët filluan të kthehen në grupe. Dedë Gjo Luli e disa të tjerë nuk pranuan të ktheheshin dhe vazhduan të ngulnin këmbë për njohjen e autonomisë. Dedë Gjo Luli nuk pranoi as shpërblimet dhe as postet, që i dhanë xhonturqit. Malësorët që nuk pranuan të ktheheshin, qeveria malazeze i internoi përtej Moraçës.
Nënshkrimi i marrëveshjes dhe njohja e disa kërkesave të pjesshme të malësorëve i shtyu edhe krahinat e tjera të Shqipërisë të kërkonin t’u jepeshin po ato të drejta që u ishin dhënë malësorëve të Shqipërisë së Veriut.
Pas përfundimit të kryengritjes në Veri, Porta e Lartë hodhi trupa të shumta ushtarake në Shqipërinë e Jugut. Në këto rrethana edhe kryengritësve të Shqipërisë së Jugut nuk u mbeti rrugë tjetër veçse të pranonin marrëveshjen me qeverinë xhonturke. Më 18 gusht 1911 u mbajt në Tepelenë mbledhja e përfaqësuesve të parisë dhe e komandantëve të çetave të kësaj treve.
Shqiptarët në jug të vendit u detyruan të pranonin propozimet e qeverisë: amnisti e përgjithshme; mësimi i gjuhës shqipe në shkollat shtetërore (me alfabetin latin); subvencionimi nga ana e shtetit i shkollave shqipe; caktimi i nëpunësve, që njohin gjuhën shqipe dhe zakonet e vendit; kryerja e shërbimit ushtarak në kohë paqeje në vend; caktimi i taksave të popullsisë, sipas mundësive të vendit; rindërtimi i disa urave; mbajtja e armëve me leje të posaçme; rihapja e Shkollës Normale të Elbasanit dhe caktimi i fondit për mbajtjen e saj.
Me mbledhjen e Tepelenës dhe me dorëzimin e shumicës së kryengritësve iu dha fund përkohësisht kryengritjes edhe në Shqipërinë e Jugut. Por edhe këtu, pati shumë kryengritës, që nuk e pranuan marrëveshjen me qeverinë
Kryengritja shqiptare e vitit 1911 përfundoi me një marrëveshje gjysmake për shkak se nuk arriti të shndërrohej në një kryengritje të përgjithshme. Ajo nuk arriti ta detyronte qeverinë xhonturke të pranonte kërkesat autonomiste të Memorandumit të Greçës. Megjithatë u arrit të vendosen kontakte midis kryengritësve të Shqipërisë së Veriut e asaj të Jugut si dhe me kolonitë. Atdhetarë të njohur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, si Ismail Qemali, Pandeli Cale, Salih Hoxha etj., u gjendën ato ditë në Mal të Zi, pranë malësorëve. Nikollë Ivanaj, Themistokli Gërmenji e Ismail Qemali shkuan gjithashtu në kolonitë për të siguruar ndihmën dhe përkrahjen e tyre. Luigj Gurakuqi, Nikollë Ivanaj, Fadil Toptani e Themistokli Gërmenji vajtën edhe në Korfuz për të punuar që andej për zgjerimin e kryengritjes në jug të vendit.
Kryengritja u zhvillua në kushte të vështira brenda vendit dhe në rrethana jo të favorshme ndërkombëtare. Shtetet ballkanike, duke e vlerësuar autonominë e Shqipërisë si një pengesë për plotësimin e synimeve të tyre pushtuese ndaj tokave shqiptare, vunë të gjitha forcat për ta penguar Kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës dhe për të mos lejuar që ajo të kthehej në kryengritje të përgjithshme.
Kryengritja e malësorëve ndeshi edhe në kundërshtimin e shteteve evropiane, sidomos të Rusisë e të Austro-Hungarisë, të cilat nuk donin turbullira në Ballkan. Në mënyrë të veçantë, u aktivizua monarkia Habsburge, e cila pengoi shtrirjen e kryengritjes në të gjithë vendin dhe u përpoq ta mbante lëvizjen shqiptare brenda kuadrit të kërkesave kulturore. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Italia.
Megjithëse Kryengritja e vitit 1911 nuk arriti të sendërtojë objektivat themelorë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ajo zë një vend të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Ajo shënoi një hap cilësor përpara në organizimin e lëvizjes kombëtare dhe ngriti në një shkallë më të lartë ndërgjegjenpolitiketëshqiptarëve.
Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës, si nga ana organizative, ashtu edhe nga ajo ideore, shënoi një hap të madh përpara në krahasim me kryengritjen e vitit 1910. Ajo u zhvillua nën udhëheqjen e një qendre të vetme, të Komitetit të Podgoricës. Kulmin e saj kryengritja e arriti në qershor, kur duke miratuar (më 23 qershor) Memorandumin e Greçës, shpalli kërkesën e autonomisë së Shqipërisë, si program të mbarë lëvizjes kombëtare.
Kryengritja e vitit 1911 mund të mbahet si prologu i Kryengritjes së Përgjithshme shqiptare të vitit 1912. Shqiptarët marrëveshjet me xhonturqit qenë vetëm një armëpushim i përkohshëm i nevojshëm për të mbledhur forcat e për t’i dhënë goditjen përfundimtare sundimit osman në Shqipëri.

C) – KRYENGRITJA E PËRGJITHSHME (1912)

Edhe pas marrëveshjeve që përfundoi me udhëheqësit e kryengritësve në vitin 1911, Porta e Lartë nuk ndërmori asnjë masë që do ta përmirësonte gjendjen ekonomike e arsimore të vilajeteve shqiptare, që vinte duke u rënduar. Moszbatimi i marrëveshjeve të gushtit të vitit 1911, vënia e taksave të reja dhe keqësimi i gjendjes ekonomike në vend e shtuan pakënaqësinë e popullit në fillim të vitit 1912.
Nga ana tjetër, shqiptarët i shqetësonte edhe përgatitja për krijimin e aleancës ballkanike, konturet e së cilës po ravijëzoheshin në horizontin ballkanik. Në këto rrethana qarqet e gjera atdhetare brenda dhe jashtë vendit filluan të mendonin për organizimin e një kryengritjeje të re, që duhej të fillonte në pranverën e ardhshme.
Ndërkohë gjendja politike në Shqipëri vinte duke u acaruar. Gjatë vjeshtës u dendësuan kontaktet ndërmjet përfaqësuesve të viseve të ndryshme, që kishin si objekt diskutimi organizimin e kryengritjes, për sendërtimin e programit politik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të autonomisë së vendit.
Në dhjetor të vitit 1911 deputetët shqiptarë, midis të cilëve u dalluan Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina?, duke përfituar nga kriza që kishte mbërthyer Perandorinë Osmane dhe qeverisjen e xhonturqve, kërkuan edhe njëherë zbatimin e reformave politike, ekonomike e kulturore në Shqipëri, të cilat kishin si qëllim të fundit ta shtynin Portën e Lartë të njihte kombësinë shqiptare dhe të drejtën e saj për t’u vetëqeverisur.
Përvoja e luftës trivjeçare (1909-1911) e shqiptarëve kundër regjimit xhonturk kishte provuar domosdoshmërinë e krijimit të një qendre të vetme drejtuese dhe udhëheqëse të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Përpjekja e parë për bashkërendimin e luftës së të gjitha trevave shqiptare kundër zgjedhës xhonturke u bë në Stamboll.
Pas këshillimeve, që u zhvilluan ndërmjet Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës më 12 janar 1912, u vendos të mbahej një takim i një grupi personalitetesh të jetës politike shqiptare. Takimi u bë në mesin e muajit janar, nën kryesinë e Ismail Qemalit, në shtëpinë e Syrja Vlorës, në lagjen Taksim të Stambollit. Në të morën pjesë, përveç Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës e Syrja Vlorës, edhe Myfid Libohova, Esat Toptani, Aziz Vrioni, Bedri Pejani, Mustafa Kruja e të tjerë.
Mbledhja e Taksimit ripohoi përfundimin se shqiptarëve, për të siguruar të drejtat kombëtare e politike, nuk u kishte mbetur rrugë tjetër përveç organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme. Aty u diskutua gjithashtu për aspektet organizative të lëvizjes së armatosur në Shqipëri.
Një nga detyrat parësore të kryengritjes së armatosur që po përgatitej mbetej sigurimi i aleatëve ose të paktën sigurimi i krahëve të forcave kryengritëse gjatë ndeshjes me forcat ushtarake osmane.
Hasan Prishtina, pas shpërndarjes së parlamentit, hyri në bisedime me deputetë arabë e kurdë dhe u bëri thirrje atyre që t’i kundërviheshin me kryengritjen e armatosur politikës nacionaliste dhe asimiluese të xhonturqve.
Ndërkohë, Ismail Qemali vazhdoi përçapjet diplomatike pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha në disa prej kryeqyteteve evropiane. Duke njohur qëndrimin e shteteve fqinje ndaj çështjes shqiptare, ai iu shmang vizitës në kryeqytetet ballkanike.
Edhe Hasan Prishtina, me t’u kthyer nga Stambolli në Kosovë, u përpoq të siguronte bashkëpunimin me lëvizjen bullgaro-maqedone në Shqipërinë Lindore. Për këtë qëllim pati një takim me ish-deputetin e Shkupit në parlamentin osman, Pavllov, të cilit i kumtoi se për të shpëtuar nga politika panturke e xhonturqve, që po u sillte pasoja shumë të rënda si shqiptarëve, ashtu edhe maqedonëve, ishte e domosdoshme të organizohej një kryengritje e përbashkët, për të arritur krijimin e një shteti autonom shqiptaro-maqedon.
Veprimtarët më të përkushtuar të komiteteve të fshehta e të shoqërive atdhetare të mërgimit iu vunë organizimit të kryengritjes dhe furnizimit të luftëtarëve me armë e me municione. Brenda vendit, përveç komiteteve që vepronin në Kosovë, me organizimin e çetave merreshin edhe komitetet e Manastirit, të Korçës, të Çamërisë, të Vlorës, të Elbasanit, të Dibrës etj., ndërsa jashtë vijonte veprimtarinë e tij Komiteti italo-shqiptar me Nikollë Ivanajn në krye. Në muajin prill Ismail Qemali rikrijoi në Korfuz një komitet të ri. Në dyjavorin e dytë të muajit prill ai, së bashku me Luigj Gurakuqin, u hodhën në Shqipëri për të organizuar kryengritjen, ku qëndruan afro tri javë, i pari në Shqipërinë e Jugut dhe i dyti në atë të Veriut.
Me gjithë mungesat në të holla, në armatime e në materiale luftarake, numri i kryengritësve rritej çdo ditë. Sipas shtypit të kohës ai kishte arritur në maj 1912 në 15 mijë veta.
Zgjerimi i veprimeve luftarake të kryengritësve shtroi si një detyrë të ngutshme bashkërendimin dhe organizimin e kryengritjes në shkallë kombëtare. Të parët që e ndjenë këtë nevojë të organizimit ishin udhëheqësit e forcave kryengritëse të Kosovës. Në thirrjen drejtuar popullit shqiptar në fillim të muajit maj nga Malësia e Gjakovës shtrohej kërkesa e bashkimit të kryengritësve nën drejtimin e një komiteti të vetëm kombëtar. Për këto qëllime u vendos të thirrej në Junik një kuvend shqiptar.
Kuvendi u mblodh në Junik më 21-25 maj 1912, me nismën e Hasan Prishtinës. Në të morën pjesë 250 delegatë nga vilajeti i Kosovës, si dhe nga sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit; ishin gjithashtu disa përfaqësues nga krahinat e Jugut.
Në Kuvend u lidh besa dhe u vendos të ndërmerrej një kryengritje e përgjithshme kundër sundimit të huaj. Krerët autonomistë, në kundërshtim me parinë turkomane të Kuvendit, shpallën këtu programin politik të kryengritjes, i cili u miratua nga Kuvendi dhe iu dorëzua qeverisë së Stambollit. Programi përmbante këto kërkesa: njohjen e autonomisë së Shqipërisë, vendosjen e administratës shqiptare, caktimin e gjuhës shqipe me alfabetin kombëtar si gjuhë zyrtare, ngritjen e flamurit shqiptar në të gjithë vendin, emërimin e një stërnipi të familjeve "princore" shqiptare si guvernator të përgjithshëm dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e këtyre kërkesave.
Vendimet e Kuvendit të Junikut i dhanë një shtytje të mëtejshme kryengritjes së përgjithshme shqiptare. Ato u përkrahën edhe nga kuvendet dhe komitetet e viseve të tjera të Shqipërisë.
Kryengritja shqiptare po merrte përpjesëtime gjithnjë e më të mëdha dhe po shndërrohej gradualisht në një kryengritje të përgjithshme, në të cilën merrnin pjesë shtresa të ndryshme shoqërore, fshatarë, qytetarë, oficerë dhe ushtarë shqiptarë, që kishin dezertuar nga ushtria osmane. Si rrjedhim, kryengritja mori karakter të gjerë popullor.
Kryengritja shqiptare shpërtheu në kushtet e thellimit të krizës së Perandorisë Osmane dhe të acarimit të gjendjes ndërkombëtare në Ballkan, kur shtetet ballkanike po bënin përpjekje për një aleancë ndërmjet tyre. Më 13 mars 1912 u nënshkrua Traktati i miqësisë dhe i aleancës ndërmjet Serbisë e Bullgarisë. Në "Aneksin e fshehtë" të tij bëhej fjalë edhe për ndarjen e tokave shqiptare midis aleatëve. Më 29 maj u nënshkrua Traktati greko-bullgar dhe në korrik Mali i Zi e Bullgaria përfunduan një marrëveshje verbale.
Sukseset e kryengritësve në Kosovë i dhanë një shtytje të mëtejshme lëvizjes kombëtare në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, forcuan gatishmërinë e popullsisë së tyre për t’u hedhur në kryengritjen e armatosur.
Megjithëse u ndodhën përballë një ushtrie të shumtë, të përqendruar në vilajetin e Kosovës, kryengritësit arritën të çlironin krahina të tëra, ku nuk ndihej më pushteti xhonturk. Kryengritja shqiptare e futi Portën e Lartë dhe pallatin sulltanor në një krizë të rëndë. Të gjitha masat që mori qeveria për shtypjen e kryengritjes së armatosur të shqiptarëve, nuk dhanë ndonjë përfundim.
Ndërkohë forcat kryengritëse në Kosovë u hodhën në sulm për çlirimin e qyteteve. Pasi kishin çliruar Gjakovën më 17 korrik, kryengritësit, të udhëhequr nga Hasan Prishtina e Bajram Curri, iu drejtuan Prishtinës. Qytetarët e Prishtinës, me një aksion të shpejtë, të përkrahur edhe nga xhandarët e vendit dhe nga një pjesë e ushtrisë, rrethuan zyrën e telegrafës dhe e detyruan komandantin osman që të hiqte dorë nga qëndresa. Kështu, kryengritësit hynë në Prishtinë pa luftë dhe e çliruan atë më 21 korrik.
Më 22 korrik forcat e Mitrovicës çliruan Pazarin e Ri. Autoritetet civile e ushtarake të qytetit u bashkuan me kryengritësit. Banorët shqiptarë të Senicës, të Novi Varoshit, të Akovës, të Prepoljes, të Plevljes, të Tërgovishtës, të Beranës dhe të Kolashinit hynë në lidhje me Isa Boletinin. Po më 22 korrik u solidarizuan me kryengritësit edhe forcat qeveritare që ndodheshin në Prizren.
Nga Pazari i Ri forcat e komanduara nga Isa Boletini, rreth 6 000 veta, u drejtuan për në Mitrovicë. Qyteti, pas bisedimeve të nënprefektit me Isa Boletinin, u dorëzua pa luftë më 27 korrik 1912. Pas Mitrovicës u çliruan edhe Vuçiterna e Ferizaj. Që këtej kryengritësit marshuan drejt Prishtinës për t’u bashkuar me forcat e Bajram Currit.
Në viset juglindore të Kosovës, rreth 2 000 kryengritës të drejtuar nga Idriz Seferi e Bejtullah Aga, pas vendimit që morën në kuvendin e organizuar në Pozharan, nisën sulmin mbi qytetin e Gjilanit, dhe e çliruan atë. Kryengritësit e kësaj treve ishin të gatshëm të marshonin drejt Kaçanikut e Shkupit. Më 27 korrik forcat kryengritëse çliruan Bujanovcin, ku vendosën rendin dhe qetësinë.
Në kuvendin e mbajtur në Ferizaj, më 6 gusht, u miratua nga përfaqësuesit e kryengritjes shqiptare dhe iu paraqit palës turke një parashtresë me emrin "Katërmbëdhjetë pikat e Hasan Prishtinës". Në parashtesën prej 14 pikash të Hasan Prishtinës kërkohej t’i njiheshin Shqipërisë të drejta të gjera kombëtare siç ishin: emërimi në Shqipëri i nëpunësve të aftë që njihnin gjuhën dhe zakonet e vendit; kryerja e shërbimit ushtarak në Shqipëri e në Maqedoni, me përjashtim të kohës së luftës; zbatimi i ligjit të maleve për krahina të caktuara; armatosja e shqiptarëve me armë moderne; hapja e shkollave reale e bujqësore, në programet e të cilave do të përfshihej edhe mësimi i gjuhës së vendit; lejimi për hapjen e shkollave private në Shqipëri; hapja e shkollave teologjike moderne në përputhje me nevojat e vendit; mësimi i gjuhës së vendit në shkollat fillore, qytetëse dhe në gjimnazet; zhvillimi i tregtisë, i bujqësisë, i punëve botore dhe ndërtimi i hekurudhave; zbatimi i organizimit të krahinave, ruajtja e zakoneve dhe e traditave të vendit; shpallja e faljes së përgjithshme për të gjithë pjesëmarrësit e lëvizjes kundërqeveritare; zhdëmtimi i shtëpive të djegura e të shkatërruara; nxjerrja në gjyq e pjesëtarëve të kabinetit të Haki e Said Pashës.
Meqenëse kryengritësit, edhe pas mbarimit të afatit të caktuar nuk morën asnjë përgjigje për kërkesat e paraqitura në 14 pikat e Hasan Prishtinës, u vendos të marshohej drejt Shkupit. Më 11 gusht hyri atje grupi i parë i kryengritësve, i përbërë nga 200 veta me Zefin e Vogël dhe me Bajram Daklanin në krye. Bajram Daklani, sipas gazetës "Shkupi", shpalosi në qytet flamurin kombëtar shqiptar. Më 13 gusht hynë forcat e komanduara nga Isa Boletini. Forcat kryesore të kryengritjes, rreth 6 000 veta, hynë në Shkupin e çliruar më 15 gusht, të udhëhequra nga Bajram Curri. Ushtarët osmanë nuk bënë asnjë qëndresë. Numri i kryengritësve në Shkup arriti në më shumë se 30 000 veta.
Nga Shkupi grupe kryengritësish marshuan drejt Tetovës, Kumanovës e Preshevës dhe i çliruan edhe këto qytete, duke liruar gjithashtu të burgosurit. Një grup kryengritësish u drejtua për në Velesh.
Lajmi i çlirimit të Shkupit i dha një hov të ri kryengritjes edhe në viset e tjera të Shqipërisë.
Më 14 gusht kryengritësit hynë në qytetin e Fierit, ndërsa më 15 gusht çeta e Përmetit (e komanduar nga Mehmet Pavari) dhe çeta e Spiro Bellkamenit hynë në këtë qytet. Forcat osmane si dhe në raste të tjera nuk bënë qëndresë. Në Gjirokastër, në Leskovik, në Prevezë e në Filat u organizuan mitingje, në të cilat u shpall "Bashkimi i toskëve me kërkesat e njohura kombëtare".
Përfundimi i kryengritjes dhe bisedimet e shqiptarëve me komisionin qeveritar shkaktuan shqetësime të mëdha te qeveritë ballkanike. Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë deklaroi ato ditë se, me pranimin e kërkesave të kryengritësve shqiptarë nga qeveria osmane, rrezikoheshin synimet e Beogradit në Ballkanin Perëndimor. Edhe Athina, duke pretenduar se zhvillimet e reja politike në Shqipëri rrezikonin interesat e Greqisë, të Malit të Zi, të Serbisë e të Bullgarisë, propozoi të "fillohej një aksion i përbashkët për t’i thyer shqiptarët".
Beogradi paralajmëroi qeverinë turke që, në rast se do të plotësoheshin kërkesat shqiptare, nuk do të mund të shmangeshin tronditjet e reja, që do të ishin shumë të rrezikshme, në radhë të parë për Turqinë.
Beogradi e Sofja kërkuan me këmbëngulje nga Rusia dhe nga Anglia që të ndërhynin në mënyrë energjike kundër njohjes së autonomisë së shqiptarëve.
Edhe Fuqitë e Mëdha i bënë të ditur qeverisë turke që, në rast se shqiptarëve do t’u jepeshin zyrtarisht koncesionet që kërkonin, kjo jo vetëm do të sillte acarimin e marrëdhënieve me ta, por Stambolli do të përballej dhe me shtetet ballkanike, të cilat, duke pasur përkrahjen e Rusisë, po përgatisnin luftën e armatosur kundër Perandorisë Osmane. Ambasadori rus Girs i bëri të ditur Stambollit, se qeveria e tij do t’i kundërvihej çdo kombinimi politik që synonte krijimin e vilajetit të ri shqiptar. Ai theksoi gjithashtu se çdo lloj reforme që do të zbatohej nga qeveria osmane në Ballkan, domethënë çdo lëshim ndaj shqiptarëve, do të shtrihej edhe në viset e banuara nga të krishterët dhe nga popujt e tjerë joturq.
Ambasadori francez në Stamboll i tërhoqi vërejtjen ministrit të Jashtëm të Turqisë për pasojat e rënda që do të sillte caktimi i kufijve të Shqipërisë. Në këtë rast, theksonte ai, Serbia e Bullgaria do të kundërshtonin në mënyrën më energjike që brenda vilajetit të ri shqiptar të përfshihej qoftë edhe pjesa më e vogël e viseve të banuara nga serbë e bullgarë.
Qëndrimi i Vjenës ishte i ndryshëm nga ai i Fuqive të tjera të Mëdha. Ajo i quajti të arsyeshme 14 kërkesat e shqiptarëve, ndërsa konti Berhtold u përpoq që ato të përkraheshin edhe nga Fuqitë e Mëdha. Por Vjena nuk kuptonte me këto njohjen e autonomisë së Shqipërisë. Më 13 gusht kur kryengritësit shqiptarë kishin hyrë në Shkup, ministri i Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë u propozoi Fuqive të Mëdha që të ndërmerrnin një hap kolektiv në Stamboll për të kërkuar zbatimin e politikës së decentralizimit, e cila t’i përshtatej gjendjes etnike reale në Turqi. Ballplaci propozoi gjithashtu që të këshilloheshin qeveritë ballkanike nga Fuqitë e Mëdha për të mbajtur një qëndrim paqësor.
Këto përçapje diplomatike të Vjenës synonin ta detyronin Stambollin t’i pranonte kërkesat shqiptare dhe njëherazi të parandalonte ndërhyrjen e shteteve ballkanike.
Por propozimi i Vjenës i 13 gushtit nuk gjeti përkrahje nga partnerët e saj evropianë. Kundër propozimit të Berhtoldit u shprehën edhe qeveritë e shteteve ballkanike. Ato deklaruan se zbatimi i politikës së decentralizimit do të çonte në krijimin e Shqipërisë autonome dhe se ato "shqetësoheshin" në këtë rast për fatin e bashkatdhetarëve të tyre në Turqi.
Nën trysninë e Fuqive të Mëdha dhe të shteteve ballkanike Porta e Lartë u përpoq që gjatë redaktimit të marrëveshjes me udhëheqjen e kryengritjes shqiptare të mos përmendeshin fjalët Shqipëri dhe shqiptarë. Ndërkaq Porta e Lartë synonte të qetësonte shtetet ballkanike duke u bërë të ditur se privilegjet që do t’u jepeshin shqiptarëve mund të shtriheshin edhe mbi popujt joshqiptarë të vilajeteve të Kosovës, të Manastirit e të Janinës.
Ministri i Jashtëm turk u deklaroi kolegëve të vet ballkanas se Porta dëshironte të kënaqte njëlloj të gjithë popujt dhe ishte kategorikisht kundër dhënies së koncesioneve vetëm një populli, duke diskriminuar të tjerët.
Pas udhëzimeve që mori nga Stambolli, Komisioni qeveritar rifilloi bisedimet rreth kërkesave të parashtruara nga kryengritësit në 14 pikat e Hasan Prishtinës. Më 18 gusht qeveria turke deklaroi se i pranonte ato, përveç kthimit të armëve të luftës dhe hedhjes në gjyq të pjesëtarëve të kabineteve xhonturke të Haki dhe Said Pashës, duke theksuar se miratimi i këtyre dy kërkesave ishte në kompetencën e parlamentit.
Udhëheqja e kryengritjes në Kosovë deklaroi se e pranonte këtë marrëveshje dhe shpalli ndërprerjen e kryengritjes. Në rrethanat e krijuara nuk mund të bëhej fjalë për të vazhduar marshimin e kryengritësve drejt Selanikut. Pas kësaj forcat kryengritëse lanë Shkupin. Hasan Prishtina njoftoi gjithashtu përfaqësuesit e Shqipërisë së Mesme dhe të asaj të Jugut që të ndërprisnin veprimet e armatosura kundër trupave qeveritare. Ai njoftonte në këtë rast se kërkesat e kryengritësve u pranuan për të gjithë Shqipërinë. Në këto rrethana kryengritja u ndërpre.
Thirrja që Hasan Prishtina u bëri kryengritësve për t’u larguar nga Shkupi dhe për të shkuar në vendet e tyre, do të ndihmonte në organizimin e mbrojtjes së atdheut nga agresorët ballkanas, të cilët po përgatiteshin të sulmonin tokat shqiptare.
Përgjithësisht, marrëveshja shqiptaro-turke e 18 gushtit ishte gjysmake dhe e pasigurt. Qeveria deklaroi gjithashtu se kërkesat e pranuara u njiheshin vetëm vilajeteve të Kosovës, të Manasirit e të Janinës. Kjo do të thoshte që ato nuk do të shtriheshin në vilajetin e katërt shqiptar, në atë të Shkodrës. Edhe pse pikat e kësaj marrëveshjeje nuk ishin të njëjta me 12 pikat që iu njohën më 1911 malësorëve të Mbishkodrës, Porta mendonte se kërkesat e asaj province (të vilajetit të Shkodrës) qenë plotësuar me marrëveshjen e Podgoricës.
Isa Boletini sapo u kthye në Mitrovicë, pas përfundimit të marrëveshjes shqiptaro-turke, ngriti atje këshillin administrativ dhe në njoftimin telegrafik, që i bëri valiut të Kosovës në Shkup, i kumtoi: "Tash e tutje për çdo gjë populli do të vetëvendosë në mënyrë të pavarur nga pushteti osman".
Por ky proces i realizimit të vetëvendosjes u ndërpre për shkak të fillimit më 9 tetor të Luftës Ballkanike dhe të dyndjes së ushtrive serbe e malazeze në trevat shqiptare. Lufta Ballkanike krijoi për Shqipërinë një gjendje nga më të rrezikshmet në historinë e saj, çoi në pushtimin ushtarak të territoreve të vendit nga agresorët ballkanas serbë, malazezë dhe grekë, duke i hapur kështu rrugën copëtimit dhe aneksimit të tyre.
*****

Ndryshe nga kryengritjet e mëparshme të armatosura, ajo e vitit 1912 u shtri në mbarë Shqipërinë, bashkoi gjithë shqiptarët pa dallim krahine, feje dhe përkatësie shoqërore.
Në rrafsh të jashtëm kryengritja u zhvillua në rrethana jo të favorshme për shqiptarët. Fuqitë e Mëdha vazhdonin t’i përmbaheshin ende politikës së tyre tradicionale të ruajtjes së status quo-së në Perandorinë Osmane dhe në Ballkan. Përveç kësaj, ata mendonin se njohja e autonomisë së Shqipërisë do të krijonte të çara në marrëdhëniet ndërmjet tyre. Kryengritja shqiptare dhe kërkesat e saj kombëtare u kundërshtuan në mënyrë të veçantë nga shtetet ballkanike, të cilat e shihnin mundësinë e shpalljes së një shteti autonom ose të pavarur shqiptar si një pengesë për synimet e tyre ekspansioniste në Ballkanin Perëndimor.
Pranimi nga shqiptarët i marrëveshjes shqiptaro-turke të 18 gushtit 1912 ishte në thelb një kompromis i pashmangshëm, një lëshim i detyruar, i imponuar kryesisht nga rrethanat ndërkombëtare. Megjithatë, në qoftë se qeveria turke do ta zbatonte tërësisht atë, kjo marrëveshje do t’i hapte rrugën zgjidhjes së çështjes shqiptare.
Kryengritja pati edhe dobësi të karakterit organizativ. Çlirimi i qyteteve, që ishte një sukses i madh i saj dhe mund të çonte në çlirimin e gjithë Shqipërisë, nuk u shoqërua, përveç disa rasteve, me likuidimin e administratës osmane dhe me vendosjen e një administrate të re shqiptare. Disa masa, si lirimi i të burgosurve a dëbimi i funksionarëve të veçuar, qenë të pamjaftueshme për t’ia arritur këtij qëllimi. Këtë detyrë të vendosjes së pushtetit të shqiptarëve në vend të atij osman, që do të ishte një garanci për zbatimin e marrëveshjes së pranuar nga Porta e Lartë, udhëheqja e kryengritjes nuk e shtroi fare për zgjidhje.
Kryengritja e vitit 1912 ishte e përgjithshme, u shtri në mbarë vendin, në Kosovë, në Shqipërinë e Mesme dhe në atë të Jugut, ku prej kohësh vepronin çetat e armatosura. Megjithatë, forca e veprimeve të saj luftarake nuk ishte kudo e njëjtë. Ajo qe më e fuqishme në vilajetin e Kosovës, krahasuar me territoret e tri vilajeteve të tjera (të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës). Përveç kësaj, nuk pati një bashkërendim në kohë të veprimeve luftarake, të cilat në viset e tjera, sidomos në Jug, filluan më vonë se në Kosovë.
Në ecurinë e kryengritjes së përgjithshme ushtruan ndikim negativ lëkundjet e përfaqësuesve të veçantë të parisë çifligare e bajraktare që u shfaqën sidomos në qëndrimin ndaj kërkesave kombëtare. Disa prej të tyre u treguan të gatshëm të shkëputeshin nga sundimi i huaj osman, ndërsa disa të tjerë u vunë në shërbim të qarqeve sunduese fqinje, u bënë përçues të politikës së tyre në udhëheqjen e kryengritjes dhe u përpoqën ta pengonin luftën e armatosur popullore.
Pavarësisht nga këto dobësi, Kryengritja e vitit 1912 shënoi hapa të rëndësishëm në sendërtimin e programit themelor politik të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ajo nxori në shesh dobësinë e Perandorisë Osmane, e tronditi atë dhe afroi fundin e saj. Në këto rrethana aleatët ballkanikë nuk e patën të vështirë t’i jepnin asaj goditjen e fundit. Kryengritja shqiptare dhe sukseset e saj ushtarake e politike ndikuan gjithashtu në përshpejtimin e shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike. Por ajo tregoi gjithashtu se shtetet ballkanike dhe Fuqitë e Mëdha nuk do ta kishin të lehtë tani të mënjanonin çështjen shqiptare nga të gjitha kombinacionet që do të shestoheshin pas kësaj lufte në tryezat e gjelbërta të diplomacisë.
Kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912 përbëjnë një faqe të re, një shkallë më të lartë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Nga qëllimet që shtruan, nga cilësia e organizimit, nga forca luftarake dhe veçanërisht nga rrjedhojat e tyre, këto kryengritje zënë një vend të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Ato kishin si objektiv kryesor plotësimin e programit kombëtar të lëvizjes shqiptare, të përcaktuar qysh në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, krijimin e shtetit autonom e më pas të pavarur shqiptar. Kështu do të përmbusheshin aspiratat kombëtare të të gjithë popullit shqiptar, do t’i bëhej ballë rrezikut të copëtimit të trojeve shqiptare dhe do t’i hapej rrugë përparimit ekonomiko-shoqëror e kulturor të vendit.
Kryengritjet e viteve 1910-1912 përbëjnë fazën e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila u mbyll me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor të vitit 1912. Gjithë ecuria e tyre dëshmon për zhvillimin e ndërgjegjes politike kombëtare të të gjithë popullit shqiptar, pa dallime krahinore.
Lëvizja shqiptare e viteve 1910-1912 luajti një rol të rëndësishëm edhe në rrafshin e jashtëm, në zhvillimin e ngjarjeve politike në Turqinë Evropiane, në mënyrë të veçantë në dobësimin e pozitave të Perandorisë Osmane në këtë zonë. Aleatët ballkanikë shpejtuan ta shfrytëzonin këtë faktor për interesat e tyre pushtues. Në vend që ta mbështesnin lëvizjen shqiptare të vitit 1912, ata shpejtuan të përfitonin prej saj, madje pa përfillur fare interesat kombëtarë të shqiptarëve.
Qarqet politike të shteteve fqinje ballkanike, synonin të pengonin me çdo mënyrë formimin e një shteti kombëtar qoftë dhe autonom shqiptar e përgjithësisht lëvizjen çlirimtare të popujve të shtypur ballkanikë dhe t’i zgjidhnin problemet e Ballkanit nëpërmjet një lufte grabitqare, pushtuese, siç qe ajo ballkanike. Beogradi, Athina e Cetina dëshironin që lufta e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane të përfundonte me cfilitjen e të dyja palëve.
Me shpërthimin e Luftës Ballkanike shqiptarët dhe lëvizja e tyre kombëtare u gjendën, ashtu si më 1878-1881, midis dy zjarresh: midis sundimtarëve shumëshekullorë osmanë dhe aleatëve ballkanikë, që filluan të kënaqnin lakmitë shoviniste të shpallura me kohë në programet e tyre nacionale, siç qenë "Naçertania", "Megali Ideja" etj.
Rreziku i ri i copëtimit të trojeve shqiptare nuk mund të mos ndikonte në strategjinë dhe në taktikën e luftës së shqiptarëve për çlirimin kombëtar. Kërkesë mbizotëruese e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare mbeti edhe në këtë kohë, deri tri-katër javë para se të shpallej pavarësia, ajo e autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë dhe jo pavarësia e plotë e vendit dhe shkëputja e tij nga Perandoria Osmane, siç ndodhi më 28 Nëntor 1912.
Realizimi i autonomisë mendohej si rruga më e mirë për t’i bërë ballë rrezikut imediat të copëtimit tashmë tërësor të trojeve shqiptare ndërmjet fqinjëve. Por kjo kërkesë nuk e mbyllte perspektivën e arritjes së pavarësisë kombëtare, përkundrazi, në ato rrethana vetëm kështu mund t’i hapej rruga dhe të shpejtohej sigurimi i saj. Si e tillë ajo ishte një kërkesë realiste dhe njëherazi kalimtare drejt pavarësisë.
Kjo strategji mbeti në fuqi edhe gjatë kryengritjeve të mëdha të viteve 1910-1912, të cilat qëndrojnë në themelet e Kuvendit Kombëtar të Vlorës dhe të Aktit të tij historik të Shpalljes së Pavarësisë, pavarësisht se midis tyre qëndron Lufta Ballkanike e viteve 1912-1913. Ato përbëjnë faktorin vendimtar në rrugën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

D)–SHPALLJA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

Kryengritjet e mëdha shqiptare dhe lufta italo-turke e kishin dobësuar pozitën e Turqisë në Ballkan dhe u kishin krijuar popujve të kësaj zone kushte të favorshme për zhdukjen e plotë të sundimit osman.
Shtetet ballkanike, me gjithë kontradiktat e thella që kishin ndërmjet tyre, shpejtuan të lidhnin një aleancë politike e ushtarake për t’i dalë përpara çdo të papriture dhe për ta zgjidhur çështjen në përputhje me interesat dinastikë. Formimin e një aleance të tillë e përkrahte edhe Rusia cariste, e cila kërkonte ta përdorte atë si gardh kundër shtrirjes austro-gjermane në Evropën Juglindore.
Bisedimet për formimin e kësaj aleance i kishin filluar qysh në tetor 1911 kryeministri bullgar Geshov dhe ai serb Milovanoviç. Një nga çështjet themelore të këtyre bisedimeve ishte, krahas asaj të Maqedonisë, edhe ajo e copëtimit të Shqipërisë. Kjo kishte të bënte me synimet e Serbisë për të dalë në detin Adriatik e për t’u lidhur me tregjet e Evropës Perëndimore.
Më 13 mars 1912 u përfundua marrëveshja serbo-bullgare. Ajo përmbante një shtojcë të fshehtë, sipas të cilës Bullgaria i njihte Serbisë jo vetëm tokat me popullsi serbe, por edhe aneksimin e tokave shqiptare në veri e në perëndim të Bjeshkëve të Sharrit (Shqipërinë e Mesme, Veriore dhe Verilindore), kurse Serbia i njihte Bullgarisë tokat në lindje të Rodopit dhe të lumit Struma. Territori midis Bjeshkëve të Sharrit, lumit Struma dhe liqenit të Ohrit, me qytetet kryesore Dibër, Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Kumanovë e Shkup, u quajtën si zonë e diskutueshme; si arbitër për zgjidhjen e kësaj çështjeje u caktua cari i Rusisë.
Në fund të shtatorit si Turqia, ashtu edhe shtetet ballkanike filluan mobilizimin e ushtrive të veta. Dukej qartë se konflikti i armatosur ishte i pashmangshëm. Lufta Ballkanike shpërtheu. Më 8 tetor Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë. Më 17 tetor i shpallën asaj luftë Serbia e Bullgaria dhe një ditë më vonë Greqia.
Lufta e Parë Ballkanike, përderisa drejtohej kundër Turqisë dhe kishte për qëllim bashkimin kombëtar të popujve ballkanikë, objektivisht kryente një funksion përparimtar. Por ajo u drejtua nga qarqet shoviniste të vendeve të Ballkanit dhe u kthye në një luftë grabitqare, pushtuese, sidomos ndaj Shqipërisë e Maqedonisë.
Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të shtypur të Ballkanit për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Përfaqësuesit e tyre bënë përpjekje për t’u lidhur me fqinjët në luftën e përbashkët kundërosmane, por këto përpjekje dështuan për faj të krerëve të Aleancës Ballkanike, të cilët nuk dëshironin t’i kishin shqiptarët si palë me të drejta të barabarta në këtë aleancë, sepse ishin marrë vesh ndërmjet tyre për copëtimin e Shqipërisë.
Ndryshe nga vendet e tjera ballkanike, Shqipëria edhe kësaj radhe, në këto çaste tepër kritike, u ndodh vetëm, me armikun e vjetër në vatër dhe e sulmuar nga agresorë të rinj. Ky rrezik kombëtar vuri në lëvizje të gjitha klasat e shtresat shoqërore të vendit. Përpara tyre u ngrit në mënyrë më serioze çështja e fatit të Shqipërisë, e qëndrimit që duhej mbajtur ndaj konfliktit ballkanik, e mënyrave dhe e mjeteve për ta shpëtuar Shqipërinë nga katastrofa që kërcënonte Turqinë.
Ushtritë e aleatëve ballkanikë brenda një kohe të shkurtër e shpartalluan ushtrinë turke në të gjitha frontet. Trupat bullgare, pasi thyen qëndresën e forcave turke, të përqendruara në Trakën Lindore, iu drejtuan Adrianopojës. Forcat e Malit të Zi, të ndara në tri kolona, sulmuan dy në drejtim të Shkodrës dhe njëra në drejtim të Pejës. Brenda tri javësh ato pushtuan Pejën dhe iu drejtuan Shkodrës.
Më 15 tetor filloi mësymja e trupave serbe në rajonin e Vranjës, ndërsa më 18 tetor u hodh në sulm gjithë ushtria prej 286 000 vetash, në drejtimin Nish-Manastir-Elbasan, Nish-Manastir-Selanik dhe Kurshunli-Prizren-Durrës. Forca të tjera sulmuan nga veriu, në drejtimin Rashkë-Mitrovicë-Pejë dhe Javor-Priepolje.
Turqia u gjend e papërgatitur për luftë. Qeveria turke vendosi të formonte repartet e armatosura vullnetare shqiptare, që do të pajiseshin me armë nga depot e shtetit. Doli edhe një urdhër i ministrit të Luftës për t’u dërguar shqiptarëve 50 000 pushkë. Megjithatë nuk u dërgua asgjë, shqiptarët u lanë pa armë, në mëshirën e fatit. Qeveria xhonturke nuk qe në gjendje të përfitonte nga forca e madhe e shqiptarëve dhe nga gatishmëria për të mbrojtur atdheun e vet.
Më 24 tetor ushtria turke u thye përfundimisht në Kumanovë. Pas pushtimit të Kumanovës, më 26 tetor forcat e Armatës së parë serbe pushtuan pa luftë Shkupin. Me pushtimin e Shkupit përfundoi faza e parë e Luftës Balkanike. Periudha e dytë ishte ajo e luftës për pushtimin e territoreve shqiptare në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, në vilajetet e Manastirit, të Shkodrës e të Janinës.
Pas pushtimit të Shkupit, ushtria serbe vazhdoi mësymjen drejt pjesës perëndimore të vilajetit të Kosovës (drejt Prizrenit, Pejës, Gjakovës etj.), drejt vilajeteve të Manastirit (pushtuan Manastirin), të Shkodrës e të Janinës. Ata kaluan nëpër luginën e Drinit, pushtuan Lumën, Mirditën e Matin, dolën në Lezhë dhe u dyndën në Shqipërinë e Mesme. Një pjesë e tyre iu drejtua Durrësit, kurse kolona të tjera u nisën drejt veriut dhe, së bashku me forcat malazeze që kishin marrë Shëngjinin, plotësuan rrethimin e Shkodrës.
Shqiptarët, të braktisur nga ushtritë osmane, edhe pse luftuan kudo me trimëri, nuk qenë në gjendje të ndalnin sulmin e kombinuar të aleatëve ballkanikë, të përgatitur ushtarakisht prej dhjetëra vjetësh dhe të armatosur deri në dhëmbë. Në fillim të dhjetorit të vitit 1912 ushtritë serbo-malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe arritën në jug deri në luginën e Shkumbinit, në vijën Durrës-Kavajë-Peqin-Elbasan-Pogradec-Strugë.
Ndërkohë edhe ushtria greke, pasi theu forcat turke në Thesali e në Epir, mori Selanikun, rrethoi Janinën, shtiu në dorë Sazanin dhe zbarkoi në Himarë, të cilën e pushtoi bashkë me disa fshatra përreth.
Menjëherë pas sukseseve të para qeveritarët e Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë, si edhe shtypi i tyre, filluan t’i deklaronin gjithnjë më hapur qëllimet e veta ndaj Shqipërisë, duke i justifikuar ato me argumentet absurde të paaftësisë së “fiseve të egra” e “barbare” shqiptare për të formuar shtetin e vet.
Këto deklarata u shoqëruan me një veprimtari gjakatare, terroriste, shfarosëse të ushtrive malazeze e serbe dhe më vonë greke kundër popullsisë shqiptare, që nuk mëshiruan as gratë, as fëmijët e as pleqtë. Pushtimi i Kosovës e i viseve të tjera të Shqipërisë u shoqërua me vrasje në masë të luftëtarëve kosovarë dhe me masakrimin e me shpërnguljen e popullsisë. Qëllimi i Beogradit ishte që “Serbia të bëhej shtet i pastër, thjesht serb, nacional”. Proklamatave të mbretit të Serbisë, për barazinë e shqiptarëve me serbët në shtetin e Serbisë, ua zunë vendin pas fillimit të luftës urdhrat për shfarosjen e shqiptarëve. Gjeneralët serbë pranonin haptazi atëherë se “ne i linim të qetë turqit, por vramë sa mundëm ç'qenë shqiptarë”. Deviza e ushtrisë serbe ishte: “Të shfarosim shqiptarët!”. Kudo që shkelën, në fshatrat e qytetet e Kosovës dhe të të gjithë Shqipërisë, serbët mbollën vdekje e shkatërrime.
Gjatë kësaj fushate persekutimesh ndaj shqiptarëve u arrestuan në rrethet e Shkupit, në muajin nëntor, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha, Kosum Seferi dhe mjaft udhëheqës të tjerë të lëvizjes shqiptare, të cilët, meqë nuk pranuan të nënshkruanin deklaratat e besnikërisë ndaj Serbisë, u hodhën në burgjet e Beogradit, ku u mbajtën deri më 16 maj 1913.
Pushtimi i Kosovës u shoqërua me shpërngulje në masë të popullsisë shqiptare nga trojet e tyre amtare. Vetëm në periudhën e Luftës së Parë Ballkanike u shpërngulën nga vise të ndryshme të vilajetit të Kosovës rreth 150 000 shqiptarë.

*****

Fitoret e rrufeshme të shteteve ballkanike i detyruan Fuqitë e Mëdha të rishikonin vendimin e tyre për të mos lejuar ndryshimin e status quo-së në Ballkan. Qysh në fund të tetorit në rrethet diplomatike dhe në shtypin evropian filloi të flitej për nevojën e ndryshimeve territoriale në të mirë të aleatëve ballkanikë. Në këto kushte, patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik. Qëllimi i këtij veprimi do të ishte të shpëtohej Shqipëria nga copëtimi, të ruhej tërësia e saj tokësore e të mblidhej një kuvend kombëtar që do të vendoste për fatin e saj. Nismën për këtë veprim të ri e morën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi, të cilët mendonin se do të kishin përkrahjen e Lidhjes Tripalëshe.
Ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri, që do t’u paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar, kishte gjetur përkrahjen e qeverisë austro-hungareze. Berhtoldi e njoftoi Ismail Qemalin se Vjena ishte për një Shqipëri autonome. I tillë ishte edhe opinioni që mbizotëronte në rrethet diplomatike të Fuqive të tjera të Mëdha. Por autonomia në kuadrin e Perandorisë Osmane tashmë nuk kishte asnjë kuptim. Ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat serbe, malazeze e greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.
Në këto kushte e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Në këtë përfundim arriti grupi i atdhetarëve i kryesuar nga Ismail Qemali, i cili më 19 nëntor deklaronte në Trieste, ku kishte arritur bashkë me shokët, se: “... menjëherë pas mbërritjes së tij në Shqipëri do të shpallej pavarësia e Shqipërisë dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme”. Nga Triestja komisionit që ishte formuar në Vlorë për përgatitjen e mbledhjes së kuvendit kombëtar iu dërgua një telegram, me anë të të cilit kërkohej që të merreshin masa për thirrjen e delegatëve.
Ideja e pavarësisë së Shqipërisë dhe lajmi i mbledhjes së kuvendit kombëtar u pritën me entuziazëm të madh në Shqipëri, ku gjetën një truall të përgatitur qysh më parë nga rrethet atdhetare të vendit. Këto rrethe kishin vendosur lidhje ndërmjet tyre dhe kishin caktuar Vlorën si qendër ku do të bëhej mbledhja e përfaqësuesve të kombit shqiptar.
Grupi i kryesuar nga Ismail Qemali arriti në Durrës më 21 nëntor. Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të Tiranës e të Krujës, Ismail Qemali me shokët e tij u nisën për në Kavajë. Prej andej nëpër Karatoprak kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës, dhe më 25 nëntor arritën në Vlorë. Këtu delegatët e popullit shqiptar u pritën me festë.
Ndërkohë, ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare. Ajo po i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Rrethet atdhetare të këtyre qyteteve vendosën ta shpallnin sa më parë pavarësinë për t’i vënë autoritetet ushtarake serbe përpara faktit të kryer. Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi e Tirana dhe më 27 nëntor Kavaja, Peqini e Lushnja.
Për shkak të përparimit të pandalur të ushtrive serbe, gjendja në Shqipëri po bëhej gjithnjë më kritike. Kjo ishte arsyeja që në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë, ndonëse nuk kishin arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, vendosën të mblidhnin të nesërmen kuvendin kombëtar.
Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Përveç Ismail Qemalit merrnin pjesë Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Vehbi Agolli, Nikollë Kaçorri, Jani Minga, Abdi Toptani, Pandeli Cale, Dudë Karbunara, Lef Nosi, Mithat Frashëri, Mehmet Dëralla, Hasan Hysen Budakova, Ajdin Draga, Sherif efendi Dibra, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Shefqet Daiu, Rexhep Ademi, Dhimitër Berati, Kristo Meksi, Xhelal Koprëncka, Spiro Ilo, Iljaz Vrioni, Hajredin Cakrani, Shefqet Vërlaci etj. Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë kosovarë më 29 nëntor, i pritur me gëzim të madh nga popullsia dhe nga delegatët e Kuvendit. Nga udhëheqësit e tjerë kosovarë, për shkak të rrethanave të luftës, nuk mundën të merrnin pjesë Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj., që ndodheshin në burgun e Beogradit, si edhe Bajram Curri, i cili, ndonëse u nis për në Kuvend, u pengua nga luftimet gjatë rrugës.
Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin, i cili foli për të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për luftërat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike “e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”. Nga Kuvendi i Vlorës doli gjithashtu qeveria e përkohshme e kryesuar nga Ismail Qemali.
Shpallja e Pavarësisë ishte një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar. Ajo, nga njëra anë, mbylli një epokë të tërë luftërash e përpjekjesh shekullore për të hequr qafe zgjedhën e huaj, për të ruajtur tërësinë territoriale të atdheut e për të formuar shtetin e lirë kombëtar shqiptar duke kurorëzuar veprën e Rilindjes dhe, nga ana tjetër, hapi një epokë të re, një epokë luftërash e përpjekjesh të tjera për ta mbrojtur pavarësinë e fituar nga rreziqet e jashtme e të brendshme, për të siguruar bashkimin kombëtar të gjymtuar rëndë dhe për të vendosur rendin demokratik.
Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë përfaqësonte fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare prej Rrafshit të Dukagjinit në veri e deri në Çamëri në jug, prej brigjeve të Adriatikut e të Jonit në perëndim e deri në fushat e Kosovës, të Tetovës, në pellgun e Shkupit, në luginën e Preshevës e të Kumanovës, në lindje. Këto treva, duke marrë pjesë gjallërisht me pushkë e me penë në lëvizjen për çlirimin kombëtar, vunë gurë në themelet e pavarësisë shqiptare, i çimentuan ato me gjakun e bijve më të mirë dhe i hapën rrugën formimit të shtetit shqiptar.
Kuvendi i Vlorës e shpalli pavarësinë në emër të të gjithë shqiptarëve, të të gjitha trevave shqiptare, që dërguan përfaqësuesit e tyre në të. Ai e trajtoi Shqipërinë një e të pandarë. Edhe qeveria shqiptare e Ismail Qemalit doli në rrafshin ndërkombëtar si përfaqësuese e gjithë popullsisë shqiptare dhe e të gjitha tokave shqiptare, edhe pse një pjesë e madhe e tyre ishte e pushtuar nga ushtritë e shteteve ballkanike.
Me Aktin e 28 Nëntorit 1912 sanksionohej e drejta e pamohueshme historike e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar, i lirë e i pavarur në trojet e veta, krahas popujve të tjerë të Gadishullit Ballkanik. Kjo ishte një e drejtë që buronte nga qenia e tij si popull me gjuhën, me kulturën, me individualitetin e me historinë e vet, e drejtë e fituar me mundime e sakrifica të panumërta në llogoret e luftës, e drejtë që i takonte për ndihmesën e vyer në dëbimin nga Ballkani të sunduesve të huaj osmanë. Kuvendi i Vlorës hodhi themelet e shtetit të ri sovran shqiptar.
Shpallja e autonomisë nga Lidhja e Prizrenit dhe ajo e Pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës më 1912 janë dy hallkat themelore në zinxhirin e ngjarjeve të lëvizjes kombëtare, të lidhura organikisht ndërmjet tyre si shprehje e vullnetit popullor dhe si pasojë e drejtpërdrejtë e përfundim logjik i luftës çlirimtare. Por, Shpallja e Pavarësisë shqiptare ishte në të njëjtën kohë një etapë më e lartë, e përcaktuar nga zhvillimi progresiv i lëvizjes dhe nga rrethanat ndërkombëtare.
Në Gadishullin Ballkanik Shqipëria, sikurse Maqedonia, ishte vendi që u çlirua i fundit nga sundimi i sulltanëve osmanë, në një kohë kur popujt e tjerë fqinjë kishin, kush më shumë e kush më pak, dhjetëra vjet që bënin jetë shtetërore të pavarur. Kjo vonesë u shkaktua nga faktorë ekonomikë, shoqërorë e politikë, të brendshëm e të jashtëm, që vepruan ndërsjelltas mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe përcaktuan ritmet e zhvillimit të saj.
Në këto kushte, lufta për pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të mbështetej veçse në forcat e popullit shqiptar dhe mund t’ia arrinte qëllimit vetëm kur të krijohej një koniunkturë e favorshme ndërkombëtare, kur kontradiktat ndërmjet Fuqive të Mëdha mund të shfrytëzoheshin me sukses për realizimin e saj.
Pavarësia e Shqipërisë u shpall në kushte të tilla ndërkombëtare. Udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në fazën e fundit të saj, ditën të shfrytëzonin me mjeshtëri koniunkturën politike që u krijua me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, kur në çështjen shqiptare u ndeshën me forcë interesat e kundërt të Fuqive të Mëdha. Është meritë e këtyre atdhetarëve largpamës dhe, në mënyrë të veçantë, e atdhetarit dhe e diplomatit të shquar Ismail Qemali, që, duke u mbështetur në luftën e popullit shqiptar brenda vendit, zgjodhën drejt çastin e përshtatshëm për të kaluar nga platforma e deriatëhershme politike e lëvizjes për autonominë në atë të pavarësisë. Dhe kjo u realizua pikërisht më 28 Nëntor 1912, kur Turqia po dëbohej nga Ballkani, kur Fuqitë e Mëdha vendosën të hiqnin dorë nga ruajtja e status quo-së në Ballkan dhe kur planet e aleatëve ballkanikë për ta zhdukur Shqipërinë, të përkrahura edhe nga fuqitë e Antantës, u kundërshtuan nga fuqitë e Lidhjes Tripalëshe.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë edhe pse, siç do të provohej me vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve të Gjashtë Fuqive të Mëdha të Londrës (1913), nuk arriti të bashkonte në një shtet të vetëm gjithë territoret e popullsinë shqiptare, duke krijuar pas pesë shekujsh robërie Shtetin e Pavarur Shqiptar përbën ngjarjen më të madhe, unikale, në historinë e kombit shqiptar gjatë shek. XX.
Duke formuar Shtetin e Pavarur Shqiptar ajo objektivisht krijoi gjithashtu premisat dhe atë bazë shtetërore e politike, aq të nevojshme për ta mbajtur të gjallë çështjen e çlirimit dhe të bashkimit të të gjitha trevave shqiptare dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan.

III - ËNDRRA PËR SHQIPËRINË
ETNIKE

ËNDËRR,-A,-T

Posa e përmend këtë emër shumicës së njerëzve dhe sidomos Shqiptarëve, mendja menjëherë u shkon për keq, për tallje dhe buzqeshin me ironi. "Qeshin e zgërdhihen" me përbuzje sepse aq dinë. Sepse shumica e njerëzve dhe e Shqiptarëve e dijnë se ëndrra është vetëm ajo që shohim në gjumë: një varg vegimesh, përfytyrimesh, sendesh, figurash dhe ngjarjesh të gëzueshme apo të trishtueshme.
Shumë të tjerë mendojnë se ëndrra është një fantazi, imagjinatë foshnjore apo iluzion i njerëzve që nuk kanë lidhje me realitetin objektiv që i rrethon dhe me të vërtetën shkencore. Ndaj ëndrrat i quajnë dëshira të kota e të pabazuara, me të cilat merren njerëzit që nuk kanë aftësi të gjykimit realist, të faktuar e shkencor. Zakonisht për njerzit ëndërrimtarë thuhet se "shohin ëndrra në diell", "ëndërrojnë zgjuar", "ëndërrojnë me sy çelur", "ëndërrojnë në mes të ditës",… etj.
Ëndrrat janë të shumëllojshme: ëndrra aktive e pasive, ëndrra pozitive e negative, ëndrra reale e ireale, ëndrra gjumi e zgjimi, ëndrra të realizueshme e të parealizueshme, ëndrra të mira e të këqija, ëndrra individuale e kolektive, ëndrra fantastike e shkencore, ëndrra politike e ekonomike, ëndrra egoiste e bujare, ëndrra tokësore e qiellore, ëndrra kombëtare e tradhëtare,…, si dhe ekziston ëndrra mbi ëndrra - ëndrra për lirinë, pavarësinë, bashkimin kombëtar shqiptar - Ëndrra për Shqipërinë Etnike.

*****

Shumë pak njerëz dhe pak shqiptarë e dinë se ëndrra nuk është vetëm ëndërr, nuk është vetëm përjetim (i mirë apo i keq) gjatë gjumit, por ëndrra për Shqipërinë Etnike, mbi të gjitha, është atdhetarizëm, kombëtarizëm, integritet, sovranitet, aspiratë, ideal, dëshirë, synim, objektiv, qëllim, opcion, vizion, vetëvendosje, largpamësi…
Ëndrra për Shqipërinë Etnike është frymëzim, parashikim, dituri, mençuri, zgjuarsi, qëndrim, vendim, vendosmëri, durim, këmbëngulje, qëndresë, besë, besim, besnikëri, betim, kushtrim, gatishmëri, trimëri, burrëri, guxim, mosdorëzim…
Ëndrra për Shqipërinë Etnike është devotshmëri, bekim, përkushtim, premtim, përgjërim, adhurim, nder, krenari, moral, dinjitet, vetëdije, ndërgjegje, përgjegjësi, atdhedashuri, përsosmëri, shpresë, optimizëm…
Ëndrra për Shqipërinë Etnike është përpjekje, shtegtim, marshim, sulm, dyluftim, përleshje, përballim, përgjakje, sakrificë, flijim, mbijetesë…
Ëndrra për Shqipërinë Etnike është rezultat, realizim, fitore, kurorëzim, triumf, liri, përparim, drejtësi, njerëzi, demokraci, zhvillim, jetë, vazhdimësi, ardhmëri, pafundësi, përjetësi…
Ëndrra për Shqipërinë Etnike është plan për organizim, projekt për pajtim, program për veprim, për bashkim, për unitet, për punë, për aksion, për luftë…, deri në çlirim dhe ribashkim kombëtar të Shqipërisë Etnike.

ËNDRRA-ËNDËRRIMI

Te çdo shqiptar atdhetar, në zemrat dhe mendjet e Shqiptarëve, Shqipëria Etnike lind e fillon si frymëzim, si dëshirë e dashuri, si vizion e synim, si aspiratë e ideal - pra, si ëndërr: Ëndrra për Shqipërinë Etnike, e cila pastaj imponon vendimin, përkushtimin, marshimin, sakrificën dhe realizimin.
Emëruesi i përbashkët i suksesit, thelbi i tij, është aftësia për të ëndërruar, aftësia për të imagjinuar dhe planifikuar në mendje e në zemër projektin e zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare, duke qenë në gjendje që të krijojmë një vizion për të ardhmen e trojeve tona, të kombit tonë dhe të ribashkimit të Shqipërisë Etnike. Ta bëjmë së pari atë realitet në ëndrrat dhe në zemrat tona, pastaj ajo do të bëhet realitet edhe në dritë të diellit, në realitetin jetësor, natyror, politik, juridik e shtetëror. Nëse nuk ekziston ëndrra nuk ekziston as realiteti. Ëndrra është më e fuqishme se realiteti, sepse ajo është vetë realiteti më i lartë, ajo është shpirti i realitetit, thelbi i tij. Ëndrrat i japin jetës dhe punës sonë kuptim e gjallëri. Prandaj Ne, Shqiptarët, duhet të kemi një ëndërr - Ëndrrën për Shqipërinë Etnike.
Kur analizojmë e studjojmë ngjarjet më të mëdha dhe kthesat më të shquara historike të popujve gjatë gjithë historisë së njerëzimit, do të shohim se çdo realizim i madh, çdo fitore e drejtësisë mbi padrejtësinë, e së vërtetës mbi gënjeshtrën, çdo fitore e lirisë mbi robërinë,… është arritur për shkak se njerëzit dhe udhëheqësit e popujve kanë ëndërruar të pamundurën, të pabesueshmen për shumicën e njerëzve të zakonshëm dhe kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e kohës dhe me ligjet në fuqi të pushtetarëve, të pushtuesve e të sundimtarëve.
Ëndërrimi, besimi dhe vendimi janë tre motorët që e shtyejnë një person që të veprojë. Së pari ne duhet të fillojmë të ëndërrojmë çlirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike, të përfytyrojmë një ide, një koncept. E dyta, që të fillojmë të besojmë me zemër e me mendje në mundësinë reale të realizimit të saj. Dhe në fund, që të vendosim dhe ta ndjekim deri në fund këtë ëndërr, këtë besim dhe këtë vendim, deri në përmbushjen e ëndrrës shekullore të kombit tonë, deri në bërjen e Shqipërisë Etnike. Nëse mund të ëndërrojmë edhe mund të realizojmë. Të gjitha gjërat janë të mundshme nëse besojmë sinqerisht dhe me tërë qenien tonë. Ëndërra është fara e suksesit. Kurse çelësi i fitores është vendosmëria jonë për ta çuar deri në fund ëndrrën tonë të madhe - Ribashkimin e Shqipërisë.
Çdo orë e çast, çdo ditë e natë, çdo muaj e vit është një rast i ri për t'i bërë realitet ëndërrat tona personale dhe ëndrrën mbi ëndrra, ëndrrën tonë kombëtare - Shqipërinë e Bashkuar. Por, që ta bëjmë këtë, Ne, Shqiptarët, duhet që vërtetë ta kemi këtë ëndërr në shpirtin dhe zemrën tonë dhe pastaj duhet të kemi një qëllim, sepse vetëm ëndrra dhe vendimi nuk mjaftojnë. Pra, duhet të kemi një cak, një synim dhe një orar pune e veprimi të përcaktuar saktë në hapësirë dhe në kohë.
Nuk është mëkatë nëse nuk plotësohen ëndrrat tona, nëse nuk fitojmë sot apo nesër lirinë dhe pavarësinë tonë kombëtare, por është mjerim e katastrofë të mos kesh ëndrra fare, të mos kesh fare ideal kombëtar dhe të jetosh e të vdesësh si një qenie e zbrazët emocionalisht e shpirtërisht, pa pasur pasurinë më të lartë njerëzore - ëndrrën dhe ëndërrimin, shpresën dhe besimin.
Pasi të gjithë Ne ta kemi bërë tonën këtë ëndërr fisnike, me përmbajtje pellazgjiko-ilirike, vetëm atëherë do ta shohim dhe do të bindemi se sa e fuqishme dhe çudibërëse është kjo ëndërr, kjo aspiratë, ky ideal. Sepse ëndrra është fara e suksesit. Është embrioni i jetës së lirë e dinjitoze të një populli dhe vendi.
Ne duhet të ëndërrojmë vetëm ëndrra të mëdha. Të ëndërrojmë të pamundshmen, për të realizuar të pabesueshmen. Në rastin tonë konkret, edhe ëndrra edhe realizimi është Shqipëria Etnike. Të dyja duken të pamundshme dhe të parealizueshme në sipërfaqe, por që të dyja në brendësi janë të mundshme dhe të realizueshme. Shqipëria Etnike është edhe Ëndërr edhe Realitet.

IMAGJINATA-FANTAZIA

Imagjinata është fantazi, kurse fantazia është aftësia e mendjes dhe vetëdijes sonë për të përfytyruar ngjarje të mëdha që mund të ndodhin në të ardhmen, duke u mbështetur në realitetin e sotëm. Fantazia është kreacion, është zotësi krijuese, shpikëse e zbuluese dhe fryt i përvojës sonë jetësore, shkencore, luftarake e historike.
Për të realizuar ëndrrën e Shqipërisë Etnike, Ne, Shqiptarët, duhet të vëmë në përdorim imagjinatën tonë, për ta parashikuar bërjen e saj realitet, duke lejuar mendjet tona që të marrin udhë, të kaptojnë male e dete, të shpërthejnë horizontet, të fluturojnë pa kufi dhe të besojnë të pabesueshmen. T'i flakim, t'i shkatërrojmë së pari prangat e robërisë në zemrat, mendjet dhe në shpirtin tonë, se pastaj do ta kemi fare lehtë që t'i thyejmë e dërrmojmë edhe prangat e hekurta të robërisë, të pushtimit dhe të kolonizimit të trojeve të okupuara të Shqipërisë Etnike nga sundimtarët dhe barbarët e huaj.
Çdo gjë që është krijuar nga dora e njeriut, është rezultat i imagjinatës së tij kreative e krijuese, është vepër e fuqisë së mendjes njerëzore. Edhe kjo Shqipëri e vogël e pavarur që e kemi është fryt i imagjinatës, parashikimit dhe zemrës e mendjes së paraardhësve tanë të zgjuar, atdhetarë e luftëtarë. Parashikimi arrihet jo duke hedhur zaret apo me fall, por me forcën e arsyes dhe mendjes së shëndoshë. Apo nuk parashikonte një Shqipëri të lirë, të bashkuar e të lulëzuar, me imagjinatën e tij largpamëse e shkencore, i madhi Sami Frashëri kur shkruante para më se një shekulli Manifestin Kombëtar - Shqipëria: çka qenë, ç'është dhe ç'do të bëhet.

IDEALI

Ideali është aspiratë, është dëshirë e madhe, synim për të arritur diçka në jetë dhe në punë. Ideali është qëllim të cilin kemi vendosur për ta realizuar. Në rastin tonë konkret, ideali është përpjekja titanike nga ana e veprimtarëve dhe aktivistëve atdhetarë e revolucionarë të popullit tonë për të realizuar aspiratën shekullore kombëtare të çlirimit dhe të bashkimit kombëtar.
Ideali është qëllimi më i lartë, suprem, i individit, grupit, partisë apo popullit për të arritur në cakun që ia kanë caktuar vetes. Është bindje e fortë dhe e pathyeshme që na udhëheq në punë e në luftë deri në fitore. Ideali është pasion, dashuri e zjarrtë për popullin, atdheun, lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe bashkimin kombëtar.
Ideali kombëtar është ndjenja universale më e përsosur që na bën krenar dhe të përkryer gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë sonë politike e luftarake. Ideali për Shqipërinë Etnike është ideal mbi ideale, është ndjenjë fisnike e magjike me përmbajtje hyjnore, që na mbush me energji pozitive dhe na bën të pamposhtur.

QËLLIMI

Qëllimi është synim dhe përpjekje për të përmbushur detyrat dhe detyrimet që ia kemi caktuar vetes. Është caku ku synojmë të mbërrijmë. Qëllimi është përgjegjësia që kemi marrë vullnetarisht mbi supe për ta çuar çështjen e bashkimit kombëtar deri në fund. Qëllimi është dëshirë, plan dhe ide e thurrur në mendje dhe e përpiluar në letër për ta zbatuar në praktikë, për ta vënë në jetë. Qëllimi është objektivi ynë për të goditur armikun në pikën më të dobët të tij. Qëllimi është vullneti ynë i çelikt për të çliruar e bashkuar Shqipërinë Etnike.
Qëllimi është ura nëpër të cilën ecim për të kaluar matanë te ëndrra. Ai është thjeshtë një ëndërr, por një ëndërr e shkurtër, me afat kohor. Ëndrra jonë është Shqipëria e Bashkuar, kurse qëllimi është koha, periudha brenda së cilës do ta realizojmë këtë ëndërr, ta zëmë brenda 4-5 vitesh. Duke caktuar periudhën kohore të realizimit të kësaj ëndrre, Ne faktikisht kemi vënë në fokus ëndrrën tonë dhe në këtë mënyrë e kemi shndërruar atë në qëllim.
Qëllimi na ndihmon që Ne të përqëndrohemi qind për qind, me një intenzitet të jashtëzakonshëm në bërjen e Shqipërisë Etnike. Qëllimi është si ajo thjerrëza që tubon rrezet e diellit në një pikë dhe ndez zjarrin. Qëllimi ynë i zjarrtë e fisnik për bashkim kombëtar ndez zemrat tona, shkrep armët dhe përflak armiqtë tanë, duke i djegur e bërë shkrumb e hi.

VIZIONI

Ekziston edhe një nivel tjetër që duhet të arrihet në procesin e realizimit të ëndrrës. Pasi të kemi projektuar ëndrrën dhe pasi të kemi caktuar edhe qëllimin dhe afatin kohor të arritjes së tij, Ne, Shqiptarët, pastaj duhet të krijojmë vizionin e Shqipërisë Etnike.
Vizioni është frymëzim, kurse frymëzimi është shkalla më e lartë e vetëdijes, gjatë së cilës shpërthen me hov e vrull të madh forca krijuese e njeriut, njerëzve apo popullit që gjakon për zgjidhjen e një çështjeje, përmbushjen e një ideali dhe realizimin e një programi politik.
Vizioni është frymëzim që buron nga një ëndërr e madhe dhe shumëdimensionale, siç është bërja e Shqipërisë Etnike. Është shpërthim vullkanik i ndenjave të forta të atdhedashurisë, të lirisë dhe të bashkimit kombëtar.
Vizioni është gjendje shpitërore kreative, që gjallëron e shumëfishon aftësinë krijuese, mobilizuese dhe vepruese të një populli për të luftuar dhe mbrojtur integritetin dhe dinjitetin e tij politik, ekonomik, historik e kombëtar.
Vizioni është vegim, kurse vegimi është aftësi parashikuese e udhëheqësve popullor dhe e luftëtarëve të mëdhenj që janë në gjendje ta projektojnë e ta parashikojnë gjithë rrugën nëpër të cilën do të kalojë marshimi i tyre drejt përmbushjes së vizionit.
Vizioni është realiteti subjektiv i ëndrrës, ëndrra e realizuar në zemrat dhe mendjet tona, para se të bëhet realitet objektiv. Kjo do të thotë se ëndrra e Shqipërisë Etnike, së pari bëhet vizion në zemrat dhe mendjet e gjithë shqiptarëve dhe pastaj, pas luftës dhe fitores, bëhet realitet, bëhet shtet i lirë, i bashkuar e i pavarur. Vizioni politiko-ushtarak është planprogrami i luftës së një populli për të fituar lirinë, pavarësinë, sovranitetin dhe demokracinë.
Vizioni është skica e ëndrrës, e cila shfaqet para syve të mendjes së prijësit politik apo ushtarak deri në detajet më të imëta. Vizionari është ëndërrimtar, ai e di me saktësi se ku fillon, ku vazhdon dhe ku, kur dhe si mbaron lufta për realizimin e ëndrrës kombëtare të tij dhe të popullit që ai udhëheq.
Vizioni është prirje për të paramenduar rrjedhën e ngjarjeve, për të përfytyruar të ardhmen e një populli e të një vendi. Vizionari i vërtetë është frymëzues i masave të gjera popullore, që ngjallë te ato ndjenja të thella e të larta kombëtare dhe e mbush popullin me energji revolucionare dhe luftarake për tu hedhur në aksion e veprim mbrojtës apo çlirimtar.


PROGRAMI

Programi është tërësia e detyrave dhe e punëve të parashikuara për t'u plotësuar në të ardhmen. Është plan i detajizuar për veprimtarinë politike e luftarake të një organizate, partie apo ushtrie për të çliruar vendin nga të huajtë. Programi politik kombëtar përcakton gjithë ecurinë dhe rrugëtimin e një populli drejt lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Ai përmban largpamësi, teza, qëllime, parime, rregulla, detyra e detyrime themelore për çdo anëtarë dhe pjesëtarë të partisë apo ushtrisë për të vënë në jetë programin ekonomik, politik apo ushtarak. Programi është përmbledhje e aspiratave, synimeve dhe idealeve të një populli për të qenë zot i trojeve të tij në atdheun e vet. Program mbi të gjitha programet politike të partive aktuale të shqiptarëve është Programi strategjik për bërjen e Shqipërisë Etnike. Ky është i vetmi Program Kombëtar.

OPCIONI

Opcioni është qëndrim, pikëpamje që shpreh formimin tonë patriotik, politik e ideologjik. Në veprimtarinë tonë politike dhe luftarake për Shqipërinë Etnike Ne, Shqiptarët, duhet të kemi një qëndrim të vetëm dhe të përbashkët. Duhet të kemi pikëpamje identike për mënyrën, format dhe metodat e çlirimit dhe bashkimit kombëtar të Atdheut tonë. Pra, duhet të kemi një opcion, një drejtim. Kjo nënkupton se Ne duhet të kemi vetëm një rrugë nëpër të cilën duhet të ecim për të arritur në cak. Ne nuk duhet t'i ndërrojmë opcionet orë e çast. Ne duhet të kemi vetëm një zgjidhje. Në rast të këtillë Ne nuk kemi çare pa e zgjidhur çështjen tonë, sepse ajo është vetëm një.
Opcioni është kombinim i të menduarit tonë, emocioneve, mënyrës së të shikuarit të ngjarjeve e rrethaneve përreth nesh dhe perspektivës së këtij opcioni. Opcioni është qëndrimi ynë se çfarë bëjmë dhe se si reagojmë ndaj ndodhive të jetës dhe të politikës. Pa dyshim opcioni ynë politik është përcaktuesi i suksesit apo dështimit në veprimtarinë tonë politike, kombëtare dhe çlirimtare.
Opcioni është çelësi dhe promotori që vë në lëvizje masat e gjëra popullore për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ai bën dallimin ndërmjet fitores dhe humbjes. Opcioni politik kombëtar është më i rëndësishëm se faktet. Gjendja jonë aktuale prej të pushtuari, robëruari, copëtuari e kolonizuari është një fakt, por rëndësia dhe epërsia e opcionit tonë politik kombëtar për Shqipërinë Etnike e tejkalon faktin, përballet me realitetin kolonialist dhe e ndryshon atë. Faktet mund të ndryshojnë vetëm atëherë kur nuk ndryshojnë opcionet. Opcioni e ndryshon faktin, kurse fakti nuk e ndryshon opcionin. Opcionin e Shqiptarëve për Shqipërinë Etnike, nuk ka fakt dhe gjendje faktike që mund ta ndryshojë. Është fakt se ne aktualisht jemi të pushtuar, të ndarë e të okupuar nga disa shtete, por, megjithatë, Ne nuk e ndryshojmë opcionin tonë për bërjen e Shqipërisë Etnike. Gjendja aktuale faktike e Shqipërisë Etnike varet nga të tjerët, por opcioni për çlirimin dhe ribashkimin e saj varet nga Ne.
Nëse Ne i ndërrojmë opcionet në atë mënyrë që sot kërkojmë të drejta të njeriut, nesër autonomi politiko-trritoriale, pasnesër autonomi substanciale apo ndonjë formë të republikës, atëherë Ne i shpërndajmë forcat tona, i shpenzojmë energjitë tona pozitive atdhetare e luftarake dhe në fund nuk realizojmë asnjërën nga këto synime, ose realizojmë një çerek të tyre.
Opcioni i Shqipërisë Etnike nuk ka dhe nuk duhet të ketë alternativë. Në çështje madhore si kjo e jona, në luftë frontale me armikun, nuk ka rrugëdalje tjetër, nuk ka kthim prapa, nuk ka opcion tjetër pos atij: Ja vdekje, ja liri! Në luftë për liri ose fitohet, ose humbet. Të mesme këtu nuk ka.
Nëse papritmas valët e detit të kanë marrë me vete në thellësi të tij, ti nuk ke zgjidhje tjetër përpos që të notosh, ose të mbytesh. Lufta për Shqipërinë Etnike i gjason detit të trazuar, ne ose do ta bëjmë atë, ose do të vdesim. Dhe vdekja në këtë rast nuk nënkupton vetëm vdekjen natyrore ose me plumb, por ajo nënkupton edhe vdekjen e ngadalshme: asimilimin e dhunshëm, vetëasimilimin, terrorin, gjenocidin dhe dëbimin me dhunë jashtë trojeve tona etnike nga ushtritë dhe policitë e armiqve tanë.

VENDIMI

Vendimi është qëndrim i prerë e përfundimtar që merret pas diskutimit, debateve, shqyrtimit dhe analizave të imëta për një çështje madhore, në rastin tonë konkret, për të jetësuar ëndërrën shekullore të Shqipërisë Etnike. Vendimi është urdhër i padiskutueshëm për zbatim.
Momenti kur ne, Shqiptarët, do ta marrim vendimin për bërjen e Shqipërisë Etnike dhe fillojmë të ecim përpara, është momenti kur çdo gjë do të jetë ndryshe dhe nuk do të ketë kthim prapa. Gjatë udhëtimit tonë drejt lirisë Ne vetëm mund të ndërrojmë shtigjet dhe drejtimin, po të jetë e nevojshme dhe e domosdoshme, por kurrë nuk duhet ta ndërrojmë apo ndryshojmë vendimin. Sekreti i bërjes së Shqipërisë Etnike qëndron te marrja e vendimit nga ana e popullit shqiptar, sepse ne jemi këtu ku jemi (nën sundim të huaj), jemi kështu siç jemi (robër e skllevër të kolonizatorëve sllavo-grekë), për shkak të vendimeve të gabueshme apo të mosvendimeve tona në të kaluarën dhe sot.
Ose Ne, Shqiptarët, duhet të vendosim për fatin tonë, ose fatkeqësia (robëria) do të vendosë mbi ne. Por, që ne të marrim një vendim, së pari duhet që ta dijmë se çka duam dhe ku duam të arrijmë. Duhet të kemi një ideal, një plan, një program, një vizion, pra, duhet ta kemi një ëndërr - Ëndrrën për Shqipërinë Etnike. Me vendimin, motivimin dhe luftën e tyre të vendosur, popujt kanë bërë realitet të pamundurën dhe të pabesueshmen.

ZOTIMI-BETIMI

Një tjetër sekret i suksesit të ëndrrës për Shqipërinë e Bashkuar është Zotimi dhe Betimi. Ne, Shqiptarët, duhet të zotohemi dhe të betohemi fuqishëm që nuk do ta braktisim ëndrrën tonë, që do ta çojmë atë deri në fund.
Ne duhet t'i premtojmë vetes sonë se do ta ndjekim pandërprerje ëndrrën tonë të bashkimit kombëtar. Ne duhet t'ia japim fjalën dhe besën popullit tonë se nuk do ta mashtrojmë, nuk do ta zhgënjejmë dhe nuk do ta braktisim ëndrrën popullore deri në fitore. Ne duhet të zotohemi dhe të betohemi se do ta zotërojmë Shqipërinë Etnike. Se do ta bëjmë zonjë atë. Ne duhet të zotohemi dhe të betohemi se kombin shqiptar do ta bëjmë zot të Atdheut të vet.
Ne, Shqiptarët, duhet të zotohemi e të betohemi dhe të jemi të gatshëm në çdo moment për të punuar, luftuar e sakrifikuar për realizimin e ëndrrës për Shqipërinë Etnike. Sfida dhe pengesa të panumërta do të na dalin në rrugëtimin tonë drejt lirisë, por me një vetëbesim të lartë tek forca jonë, tek përkrahja e aleatëve tanë natyrorë dhe me një besim të patundur tek ndihma e Zotit, ne do t'ia dalim që ta formojmë dhe jetësojmë çlirimin dhe bashkimin e trojeve pellazgo-ilire të Shqipërisë Etnike.
Kur Ne do të zotohemi dhe betohemi sinqerisht, me gjithë zemër e mendje, atëherë do të ndodhin ngjarje të mëdha e të jashtëzakonshme, të cilat në kushte normale nuk ndodhin. Këto ngjarje unike ndodhin, sepse zotimi dhe betimi i vërtetë dhe me gjithë shpirt kan në vetvete gjenialitetin, fuqinë mbinatyrore dhe magjinë misterioze të shndërrimit të ireales në reale.
Betimi është premtim solemn para vetvetes, familjes, shokëve dhe popullit se do t'u qëndrosh besnik deri në përmbushje të plotë idealeve dhe aspiratave shekullore të popullit tonë për një shtet të lirë, të bashkuar e sovran - Shqipërisë Etnike. Betimi është zotim për kryerjen e të gjitha detyrimeve dhe obligimeve të marra vullnetarisht mbi vete. Betimi është besë e burrëri, guxim e trimëri, vendim e vendosmëri, besim e besnikëri. Betimi është i shtrenjtë, i shenjtë, hyjnor dhe nuk guxon kurrsesi të shkelet mbi të, sepse është betim në gjakun e dëshmorëve dhe heronjve të të gjitha brezave, është premtim para popullit, është zotim para Zotit.
Betimi është llavë vullkani, forcë uragani, është lum rrëmbyes e zjarr përvëlues, është shpatë prej çeliku dhe vdekje armiku.

BESIMI

Asgjë nuk bëhet dhe nuk arrihet pa besim. Besimi është baza, themeli i fitores dhe i suksesit në jetë, në punë e në luftë. Besimi të jep forcë e kurajo për të bërë vepra të mëdha, për të bërë mrekullira, për të bërë vepra të përjetshme, për të bërë edhe Shqipërinë Etnike. Ne besojmë në vërtetësinë, ekzistimin dhe realitetin e Shqipërisë Etnike. Ne kemi besim në vetëvete, besim në popullin, besim në Zotin, besim në fitore.
Besimi është bindje e fuqishme në të vërtetën, në realen, në të drejtën dhe në atë që të takon: jetën, nderin, lirinë, pavarësinë. Besimi është qëndrim i patundur në përpjekjet tona për të bashkuar Atdheun tonë të copëtuar padrejtësisht dhe mizorisht nga shovenistët fqinjë.
Besimi është besim në vetëvete, besim në popullin, besim në Zotin. Dhe kur i posedon këto tri besime, atëherë ke besim edhe në fitore dhe në realizimin e ëndrrës për Shqipërinë Etnike.
Vetëm besimi i çiltër, i patundur dhe i ndërgjegjshëm i Shqiptarëve në idealin e tyre kombëtar, në drejtësinë e luftës së tyre, do ta zgjidhin përfundimisht çështjen kombëtare shqiptare. Besimi i vërtetë në ëndrrën për Shqipërinë Etnike të shton sigurinë, të forcon vetëdijen dhe të bën të pathyeshëm e të pandalshëm në marshimin historik për bërjen realitet të kësaj ëndërre madhore e madhështore.

SHPRESA

Ne shpresojmë, sepse besojmë. Ne shpresojmë në bërjen e Shqipërisë Etnike, sepse është mundësi, është dëshirë e madhe e Shqiptarëve dhe se është një realitet i realizueshëm. Shqiptarët nuk guxojnë ta humbin e ta lëshojnë ëndrrën për Shqipërinë Etnike, sepse kjo do të thotë ta humbasësh shpresën. Dhe gjithkush nga ne e di se shpresa vdes e fundit. Pa shpresë e pa ëndrra nuk jetohet. Prandaj të mbahemi fortë për ëndrrës dhe shpresës së jetës. Të shpresojmë e të besojmë në Shqipërinë tonë të lirë e të ribashkuar.
Shpresa dhe êndrra janë dhuratë e madhe hyjnore nga Zoti për njeriun, që ai të ketë ku të mbështetet në rrugëtimin e tij në këtë jetë. Ëndrra dhe shpresa janë arma më e sigurt e njeriut për fitore. Shpresa është fitorja më e madhe dhe më e vështirë që njeriu mund të korr mbi shpirtin e tij. Shpresa është forma më e lartë e dëshprimit të mposhtur, e kundërta e tij.
Njeriu pa ëndrra e pa shpresë jeton vetëm biologjikisht, por jo edhe shpirtërisht. Shqiptari pa ëndrra e pa shpresë do të ishte si një zog me krah të thyer dhe një zog i tillë nuk mund të fluturojë e as të jetojë. Flakja tej e ëndrrës dhe e shpresës për bërjen e Shqipërisë së Ribashkuar është dorëzim, kurse dorëzimi është vetëvrasje, është vdekje!
Prandaj, shqiptarët nuk duhet t'i lëshojnë ëndrrat dhe t'i humbasin shpresat për një jetë më të mirë, më të begatë, më dinjitoze në një Atdhe të lirë, të bashkuar e sovran - në Shqipërinë Etnike.

MENDJA

Përveç ëndrrës, shpresës dhe besimit, Perëndia na ka dhuruar edhe mendjen, e cila jo vetëm që mbanë mend, përmes kujtesës, të kaluarën tonë personale dhe kombëtare, jo vetëm që udhëheq me të tashmen, por mendja jonë është e aftë që ta parashikojë e projektojë edhe të ardhmen tonë, përmes imagjinatës dhe ëndërrimit.
Me anë të ëndrrës mendja jonë merr kontakt me të ardhmen tonë, të popullit tonë dhe hap horizonte të reja, shtron perspektiva, skicon dhe trason rrugën nëpër të cilën duhet të ecë kombi për të fituar lirinë, për të zhvilluar demokracinë dhe për të bërë Shqipërinë.
Mendja është logjikë, arsyetim, që studjon dhe analizon ligjet e mendimit, format e tij dhe na lidhë me ligjet e realitetit objektiv, me të vërtetën. Mendja është logjikë, kurse logjika është aftësi për të gjykuar drejt botën që na rrethon, për të zbuluar lidhjet ndërmjet sendeve e ngjarjeve, dukurive e rrethanave, si dhe përcakton gjendjen aktuale dhe rrugët e format për ndryshimin e saj. Logjika është arsyetim i luftës së një populli për të dalë nga gjendja e tij e vështirë ekonomike, nga padrejtësia politike dhe nga robëria neokolonialiste.
Mendja jonë është mendim, mençuri e zgjuarsi, është aftësi për të konceptuar drejt dhe saktë zhvillimet natyrore dhe shoqërore të botës që na rrethon. Është logjikë dhe arsye për të njohur ligjet e natyrës dhe njerëzimit dhe për të vepruar konform apo kundër tyre. Mendja (truri) është zotësia jonë për të gjykuar drejt, për ta njohur armikun e popullit tonë dhe për të marrë vendime konkrete për mposhtjen e tij.
Mendja jonë është urtësi, pjekuri, dituri, përvojë dhe mësim që përcillet brez pas brezi ndër shekuj e mijëvjeçarë për të mbrojtur vetveten dhe Atdheun, për të mbijetuar në çdo situatë e rrethanë historike. Mendja jonë kreative është këshilltari ynë më vizionar, udhërrëfyesi më i saktë që na tregon rrugën e vërtetë për të arritur qëllimin tonë - Shqipërinë Etnike.
Mendja jonë është mendësi, tërësia e pikëpamjeve tona për format, mënyrat dhe mjetet që duhen përdorur për të përmbushur synimet tona kombëtare e çlirimtare.
Mendo mirë, mirë do të bëhet. Mendo keq, keq do të bëhet. Mjeku thotë se shumica e sëmundjeve nga të cilat ne vuajmë janë psikomatike, që i krijon mendja jonë, pra, mënyra jonë e gabueshme e të menduarit. Ekziston një lidhje direkte midis trurit dhe trupit. Nëse ne mendojmë gjëra të trishtueshme në tru, truri e shpërndanë në trup dhe kështu trupi dëmtohet dhe sëmuret.
Nëse mendojmë për të grabitur, bëhemi grabitës. Nëse mendojmë për liri, bëhemi çlirimtarë. Nëse mendojmë për Atdhe, bëhemi atdhetarë. Të mirës duhet t'i prish për mbarë, me mendime të mira dhe pozitive. Nëse Shqiptarët mendojnë pandërprerje për Shqipërinë Etnike, nëse e kanë dhe e kultivojnë atë vazhdimisht në zemrat dhe mendjet e tyre, nuk ka arsye pse të mos realizohet një ditë prej ditëve.
Duke ecur me kohën, duke ndryshuar mënyrën e të menduarit, Ne do të ndryshojmë mënyrën e të vepruarit dhe në këtë mënyrë do të ndryshojmë edhe gjendjen tonë politiko-juridike prej skllavi.
Të mendojmë për Shqipëri, të punojmë për Shqipëri, që të bëjmë Shqipëri, që të kemi Shqipëri. Atë ditë që Ne do ta heqim nga zemra dhe mendja Shqipërinë Etnike, që nga ajo ditë Ne nuk do të jemi Shqiptarë, por krijesa të humbura, pa personalitet e dinjitet njerëzor. Ndaj, ta ruajmë si sytë e ballit, si vetveten tonë, Shqipërinë Etnike. Ajo është pasuria jonë më e çmueshme që na ka falur Natyra dhe Perëndia.

VETËDIJA-NDËRGJEGJJA

Vetëdija është aftësi e mendjes dhe shqisave të njeriut për të njohur dhe për të kuptuar botën që e rrethon. Zotësi për të njohur vetveten dhe të tjerët. Është aftësi për të gjykuar dhe vlerësuar situatën në të cilën jeton, punon dhe vepron. Aftësia për të përcaktuar se ti i takon jo vetëm vetvetes, por edhe një kombi, është vetëdije kombëtare. Vetëdija kombëtare është veprim i vullnetshëm i individëve dhe popullit për të ndërmarrë hapa konkretë për të ndryshuar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen. Është zotësi për të kuptuar vendin dhe detyrën e individit në shoqëri dhe të shoqërisë gjatë historisë. Kjo është vetëdije kombëtare.
Vetëdija kombëtare është dituri dhe njohuri se ti ekziston si individ, se i takon një populli të caktuar, se ky popull ka një atdhe dhe se ky atdhe është i robëruar dhe duhet çliruar. Është vetëdije kombëtare, kur ti e di se atdheu është në rrezik dhe duhet shpëtuar. Kur ti je i vetëdijshëm se Shqipëria Etnike është e ndarë dhe duhet bashkuar.
Ndërgjegjja është shkalla më e lartë dhe më e përsosur e vetëdijes. Ajo është nder e moral, është përsosmëri e mendjes dhe shpirtit të njeriut. Ndërgjegjja është forma më e lartë e pasqyrimit të realitetit objektiv. Është zotësia jonë për të njohur botën tonë të brendshme dhe të jashtme.
Ndërgjegjja është ndjenja më e pastër, më e përkryer e njeriut, lartësia e së cilës përcakton të gjitha sjelljet tona të përditëshme. Njeriu pa ndërgjegje i gjason shtazës. Personi që nuk ka ndërgjegje njerëzore, nuk mund të ketë as ndërgjegje kombëtare.
Ndërgjegjja është ajka, kulmi i vetëdijes sonë humane dhe shkencore. Vetëm punët e bëra me ndërgjegje të lartë kanë sukses. Nërgjegjja është përkushtim, devotshmëri dhe përgjegjësi ndaj detyrime të marra, ndaj premtimeve të bëra dhe ndaj betimit të dhënë para vetvetes, familjes, shokëve dhe popullit se do të punosh dhe luftosh gjatë gjithë jetës në të mirë të shoqërisë dhe të Atdheut.

OPTIMIZMI

Një faktor tjetër që e forcon ëndrrën për Shqipërinë Etnike është optimizmi. Optimizmi është energji pozitive, që reflekton gëzim e gjallëri në jetë dhe në punë. Ai shpreh siguri, vendosmëri dhe besim në vetvete dhe besim tek të tjerët. Optimizmi rrezaton guxim e mençuri, gatishmëri për sakrifica dhe vizion për të ardhmen e kombit dhe Atdheut tonë. Optimizmi është qëndrim në pritje për të ndodhur gjëra pozitive, ndryshime të mëdha dhe kthesa historike. Optimizmi është besim në fitore, besim në të ardhmen më të ndritur të popullit tonë. Optimizmi është ushqyes i shpresës për një të nesërme të lirë e të sigurt të Atdheut tonë.
Dielli shndrit vazhdimisht, si ditën ashtu edhe natën, si kur qielli është i kaltër, ashtu edhe kur retë e zeza e mbulojnë tokën. Kështu duhet që të shndrisin, pandërpreje, ëndrrat tona. Kështu duhet të shkëlqejnë sytë tanë nga ideali dhe frymëzimi, nga besimi dhe optimizmi i perspektivës së ndritur të çlirimit dhe të ribashkimit të Shqipërisë Etnike.
Politikani, lideri dhe luftëtari optimist është në gjendje që t'i shohë gjërat e padukshme, ta ndjejë të paprekshmen dhe ta arrijë të pamundshmen. Ai është në gjendje që ta bëjë edhe Shqipërinë Etnike, por,natyrisht, vetëm "në ballë të këtij populli dhe te këmbët e këtij populli,…", siç ligjëronte heroi Jusuf Gërvalla.
Optimizmi është shëndet e vullnet, me të cilin Ne do të çajmë errësirën neokolonialiste dhe do të dalim në dritë të diellit e të lirisë kombëtare.

DASHURIA

Dashuria është ndjenjë e fuqishme dhe e thellë që e bën njeriun që ta duaj me gjithë zemër dikend apo diçka. Dashuria është miqësi e sinqertë dhe e çiltërt. Dashuria është adhurim, është art që nuk njeh kufinj. Dashuria është ndjenjë e zjarrtë, ndjenjë mbi ndjenja, është vetë mirësia, drita e brendshme që ndriçon njeriun dhe i dhuron atij ngrohtësi e forcë për të "tundur male". Pra, ajo është vetëmohim, sepse kur e don dhe e dashuron dikend apo lirinë e Atdheun, ti je në gjendje të japësh jetën për atë dashuri.
Dashuria për njeriun dhe për Shqipërinë Etnike është sakrificë dhe flijim. Dashuria është vuajtje. Një popull i armatosur me dashurinë e fuqishme për lirinë dhe atdheun e tij është i pamposhtur, përballë gjithë armëve shkatërrimtare të botës.
Dashuria ka fuqinë për të krijuar, për të shpresuar, për të ndryshuar, për të ripërtrirë, për të duruar, për të besuar, për të qëndruar, për të luftuar, për të fituar,… Dashuria e vërtetë bën çudira, ajo kurrë nuk dështon.
Dashuria është e kundërta e urrejtjes. Urrejtja e paralizon jetën, dashuria e liron atë. Urrejtja e bën lëmsh jetën, dashuria e bën atë harmonike. Urrejtja e nxinë jetën, dashuria e ndriçon atë. Dashuria është ilaç, bar, melhem për plagë. Qoftë ajo plagë personale trupore, qoftë plagë robërie kombëtare. Dashuria e shëron dhe e gjallëron individin dhe popullin. Dashuria rrënon mure dhe ndërton ura. Dashuria është dhuratë hyjnore për njerëzimin.

KALITJA-PROVA

Jo vetëm shqiptarët e dobët pa ëndrra e ideale kombëtare, por edhe idealistët dhe luftëtarët më të devotshëm të çështjes sonë kombëtare kanë nevojë që ta kalisin e forcojnë vazhdimisht veten e tyre që të mos dobësohen e ligështohen në veprimtarinë e tyre të përditëshme për bërjen e Shqipërisë Etnike. Kjo kalitje bëhet përmes stërvitjeve dhe ushtrimeve të vazhdueshme psiko-fizike, përmes kontaktit permanent me popullin dhe tokën amtare, si dhe me anë të leximit të vazhdueshëm. Harresa është armiku më i madh i njeriut dhe nëna e përsëritjes së gabimeve. Duhet që pandërprerë të kalitemi ideologjikisht, politikisht dhe fizikisht që të jemi sa më të përgatitur për betejat vendimtare që na presin në rrugën tonë drejt Shqipërisë Etnike. Kalitja e përditshme sjellë qëndrueshmëri, fuqi dhe energji për të përballuar vështirësitë aktuale dhe të nesërme që janë të pashmangshme, por jo të pamposhtme, në luftën tonë politiko-revolucionare për bashkim kombëtar. Kalitja është edhe edukim dhe çelikosje e ëndrrës sonë të madhe kombëtare për Shqipërinë e Bashkuar.
Gabim është kur ne brenda vetes sonë i caktojmë barriera e pengesa vetëvetes, duke e bindur veten tonë, pa e provuar fare, se kjo apo ajo rrugë është e paarritshme, ky apo ai ideal është i parealizueshëm, etj. Asnjë qëllim nuk arrihet pa e provuar. Për asgjë nuk mund të thuhet se është e pamundshme dhe e paarritshme pa e provuar. Po të mos kishin luftuar me penë e pushkë të Parët tanë me shekuj të tërë, ne sot nuk do ta kishim as edhe këtë Shqipëri që e kemi sot, edhepse e vogël është. Ata provuan, ata u përpoqën dhe na lanë trashëgim këtë pjesë Shqipërie të lirë dhe një përvojë kolosale si orientim e busullë për të vazhduar punën dhe luftën e tyre për liri e pavarësi. Gjërat e vogla sjellin të mëdhat. Shqipëria e vogël me siguri do të sjellë Shqipërinë reale, natyrale, Etnike.

REÇETA

Reçeta është mënyra dhe forma se si duhet të zgjidhet një problem. Êshtë udhëzim konkret dhe detal se si kryhet një veprim, një aksion apo një luftë.
Jo të gjithë Ne, jo të gjithë veprimtarët kombëtar, jo të gjithë luftëtarët e lirisë, jo të gjithë udhëheqësit popullorë, jo të gjithë komandantët ushtarakë kanë sukses të njëjtë në veprimtarinë, përpjekjen dhe luftën e tyre për çlirim, liri e pavarësi kombëtare, sepse jo të gjithë e kanë, apo jo të gjithë e njohin tërësisht reçetën e suksesit e të fitores, jo të gjithë e zotërojnë plotësisht artin e bukur e të vështirë të luftës për liri dhe pavarësi.
Shumica e këtyre patriotëve dhe luftëtarëve duan të jenë të sukseshëm, por nuk arrijnë dot, sepse nuk e kanë, ose nuk e njohin reçetën, nuk posedojnë mënyrën dhe metodologjinë e veprimit të sukseshëm. Shumica e tyre e kalojnë gjithë veprimtarinë e tyre politike e atdhetare në një gjendje konstante të provave dhe gabimeve: ata provojnë dhe gabojnë, përpiqen dhe dështojnë,… përsëri ngriten dhe sërish rrëzohen, kështu riciklojnë përpjekjet dhe gabimet,… derisa më në fund heqin dorë nga qëllimi i tyre, nga ëndërrat e tyre kombëtare dhe pasivizohen.

"FARA"

Çdo gjë e gjallë mbi tokë e nëntokë që ekziston, lind, zhvillohet, rritet dhe jeton është rezultat i farës, i embrionit fillestar. Poashtu edhe ëndrra për Shqipërinë Etnike është një pikënisje, një fillim i suksesit, është fara e realitetit. Sa më shumë farë lirie që të mbjellim, aq më shumë fryte të fitores do të korrim.
Ashtu sikurse hedhë bujku farën me kujdes në arë, ashtu edhe ne duhet të hedhim farën e lirisë në popull. Kush mbjellë korrë, thotë populli. Të mbjellim kudo farën e lirisë, që të korrim fitoren.
Ashtu si fara e një bime që duhet mbjellë në tokë, duhet ujitur dhe kujdesur për të që të rritet e shëndetshme, ashtu edhe ëndrra për Shqipërinë Etnike duhet të mbillet në të gjitha zemrat e Shqiptarëve, duhet të ujitet me djersën dhe gjakun e bijave e bijve të këtij populli, me qëllim që të rritet e të lulëzojë e shëndetshme pema e bukur dhe me plotë fryte e Shqipërisë së lirë e të bashkuar.
Ashtu siç është fara riprodhim, ringjallje e jetës, poashtu edhe ëndrra, aspirata dhe ideali ynë kombëtar për Shqipërinë Etnike është ringjallje, është jetëzgjatje e Pellazgjisë dhe e Ilirisë. Është ripërsëritje e Arbërisë. Është pavdekësi e Shqipërisë.

ARMIKU I BRENDSHËM

Përveç armiqve dhe pseudomiqve, në rrugëtimin tonë drejt Shqipërisë Etnike, ne nuk duhet të harrojmë kurrsesi edhe armikun apo armiqtë e brendshëm të kësaj Shqipërie. Dhe ky armik (armiq), fatkeqësisht, janë disa shqiptarë, të cilët nuk e kanë ëndërr dhe ideal Shqipërinë e Bashkuar dhe si të tillë bëhen pengesë serioze për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare. Dhe të tillët, mjerisht, nuk janë të paktë në numër. Shumë prej tyre janë nëpër vende udhëheqëse. Pra, armiku më i madh dhe më i rrezikshëm i Shqipërisë Etnike është brenda nesh, është në veten tonë, jemi vetë Ne, Shqiptarët!
Kemi shumë njerëz të dobët në mesin tonë, të cilët s'kanë ëndrra kombëtare, s'kanë ideale shqiptare! Duhet të përpiqemi që këta njerëz pa ëndërra t'i kthejmë në ëndrrimtarë dhe të gjithë ata shqiptarë që janë pa ideale t'i bëjmë idealistë, se kështu forcojmë veten tonë, rrisim unitetin, afrojmë realitetin dhe shpejtojmë fitoren mbi të huajtë. Duke luftuar armikun brenda nesh, ne luftojmë dyfish armikun jashtë nesh, armikun pushtues të vatrave tona, të Shqipërisë sonë Etnike. Në momentin kur ne do ta kemi mundur armikun tonë brenda nesh, po në atë çast ne do t'i kemi fituar edhe armiqtë pushtuesë jashtë nesh.

PESIMIZMI

Antipodi i optimizmit është pesimizmi. Ndër shqiptarë ka numër të konsiderueshëm të pesimistëve. Shqiptarë që shohin vetëm zi, errësirë edhe në pikë të ditës me diell. Ka shumë frikacakë e ndjellakëqinj, të cilët nuk kanë besim as në Zotin, as në vetëveten dhe as në forcën çudibërëse të sovranit popull, kur ky ngritet në këmbë, si një trup i vetëm, dhe marshon përpara drejt lirisë.
Pesimistët në rradhët e popullit tonë janë të pasigurt në çdo hap, shohin gjithkund pengesa dhe nuk kanë besim në të ardhmen e tyre, të vendit dhe të popullit të tyre. Janë njerëz që gjithmonë ankohen, janë të pakënaqur me realitetin, por që nuk kanë besim e guxim ta ndryshojnë atë. Për pesimistët nuk vlen deviza, se pas hidhërimit ka gëzim, se pas natës vjen dita, se pas humbjes vjen fitorja, se pas rënies do të ngritemi përsëri, etj. Ata për gjithëçka fillimisht kërkojnë garanci, por harrojnë se asgjë në jetë e mbi këtë tokë nuk është e garantuar. Asgjë nuk është absolute, çdo gjë është relative dhe art i të mundshmes.
Në mesin tonë ka njerëz të ngarkuar me energji negative. Ne ose duhet t'ua heqim atyre këtë energji dhe t'i mbushim me energji pozitive, ose duhet t'ua bllokojmë me çdo kusht këtë energji të dëmshme e antikombëtare, në mënyrë që ajo të mos përhapet në popull dhe të mos e pengojë rrezatimin e energjisë pozitive që shpërndajnë mbi kombin tonë patriotët, revolucionarët dhe luftëtarët e lirisë, të pavarësisë dhe të ribashkimit kombëtar.

NEUTRALITETI

Përveç optimistëve dhe pesimistëve në gjirin e popullit tonë ka edhe shumë neutralë. Njerëz që rrinë mënjanë dhe bëjnë sehir, vështrojnë nga anësh se ç'po ndodhë rretheqark, por nuk bëhen pjesëmarrës aktiv në ngjarjet politike. Ata janë asnjanës, nuk angazhohen në parti e grupe politike, nuk marrin pjesë nëpër protesta e demonstrata politike, bile nuk marrin pjesë aktive as në rast të luftës së armatosur. Ky grup i njerëzve, është pjesa dërrmuese e popullit tonë.
Neutralët e duan lirinë, bashkimin kombëtar dhe Shqipërinë Etnike, por nuk janë të gatshëm të veprojnë konkretisht për realizimin e kësaj aspirate shekullore kombëtare. Ata nuk kanë ëndrra kombëtare, por vetëm ëndrra personale. Nuk kanë ëndrra politike, por vetëm ëndrra ekonomike. Bërja për vete e këtyre neutralëve shqiptarë, angazhimi i tyre politik kombëtar dhe armatosja e tyre me ëndrrën për Shqipërinë Etnike, është proriteti më i madh i forcave të organizuara patriotiko-revolucionare e demokratike që kanë ëndërr, ideal dhe program çlirimin dhe bashkimin e Shqipërisë Etnike.

FRIKA

Një armik tjetër mjaft i rrezikshëm i ëndrrës për Shqipërinë Etnike është frika. Ajo është biologjike. Është fenomen njerëzor dhe logjik. Sipas studimeve të ndryshme ekzistojnë vetëm dy lloje biologjike të frikës, të cilat janë të lindura që në fëmijëri: frika nga rrëzimi (kur foshnja fillon të ecë) dhe frika nga zhurma e madhe (që nga momenti i lindjes kur foshnja fillon të qajë me rastin e daljes në jetë). Frikat tjera, sipas studimeve shkencore, janë frika të mësuara, janë rezultat i mënyrës së edukimit në familje, në shkollë e në shoqëri. Frika ngulitet në vetëdijen e njeriut edhe nga kushtet e rrethanat jetësore ku ai rritet dhe jeton.
Frika përhapet nga konfliktet e ashpra midis njerëzve, nga grindjet dhe përleshjet ndërmjet grupeve të ndryshme të interesit brenda shoqërisë, si dhe nga luftërat e pandërprera në mes të grupeve etnike dhe në mes të popujve. Frika mbillet tek njeriu edhe nga fenomenet shkatërrimtare të natyrës, siç janë vetëtimat e rrufetë, bubullimat e motit, vërshimat e përmbytjet, tërmetet, vullkanet, uraganet, etj.
Frika, mbi të gjitha, është pasiguri, pafuqi e njeriut për të mbrojtur veten para forcës natyrore apo njerëzore. Frika është ndjenjë e rrezikut dhe e kërcënimit permanent të jetës dhe pasurisë së njeriut nga e papritura, nga e panjohura, nga e keqja, nga e fuqishmja, nga njerëzorja dhe mbinjerëzorja.
Frika është e pashmangshme, është pjesë e jetës njerëzore, është rezultat logjik i analizave që bëjnë njerëzit e arsyeshëm. Është fryt i përfundimeve të faktuara që ata sjellin në fund. Por frika duhet të identifikohet e të kanalizohet drejt. Ajo nuk bën kurrsesi të zmadhohet dhe të lejohet që të marrë në dorë frenat drejtuese të jetës dhe veprimtarisë sonë personale apo kombëtare.
Ilaçi i vetëm i frikës është guximi dhe veprimi. Frikën duhet ta shikosh në sy dhe ajo dobësohet. Ndaj frikës duhet të kundërveprosh dhe ajo zhduket. Frika është e pafuqishme ndaj veprimit, ajo nuk mund t'i rezistojë hovit tonë luftarak. Ne kemi frikë nga dështimi, por harrojmë se ashtu siç mësojmë nga pësimet tona, poashtu ne fitojmë nga dështimet tona. Në luftën tonë çlirimtare, ne mund të humbasim disa beteja, mund të dështojmë disa herë, por në fund ne do ta fitojmë luftën. Dështimi është pjesë e suksesit, por vetëm atëherë kur ne mësojmë nga dështimet tona dhe në fund fitojmë. Kush punon edhe gabon. Kush vepron edhe dështon. Por kush nuk punon dhe nuk vepron ai kurrë nuk fiton.
Shqiptarë, frika është nëna e disfatës. Ndaj vriteni frikën, mposhteni atë me veprime konkrete, me aksione atdhetare, me sulme revolucionare. Frika i ngulfat dhe i prangos ëndrrat tona, shterron energjitë tona pozitive, frenon vrullin tonë drejt lirisë. Frika, e mbjellur në zemrat tona, është robëri, është nënshtrim, është poshtërim, është varfëri, është skllavëri. Mos u frikësoni dhe do të shihni se jeni të lirë. Dhe kur Ne, Shqiptarët, do të çlirohemi nga frika, atëherë edhe Atdheu ynë do të çlirohet nga pushtimi dhe kolonizimi i huaj. Pra, çlirojeni vetveten nga frika, që të çlironi edhe Shqipërinë Etnike.

GUXIMI

Guximi është antipod i frikës. Guximtari është ai që u del përballë rreziqeve e vështirësive dhe i kryen pa ngurrim të gjitha detyrat që ia shtron për zgjidhje koha dhe lufta popullore për liri e pavarësi kombëtare.
Nëse Shqiptarët e kanë aftësinë dhe vullnetin që të ëndërrojnë për Shqipërinë Etnike, atëherë ata do ta kenë edhe guximin për ta realizuar këtë ëndërr. Kjo do të thotë se, nëse guxojmë që të ëndërrojmë, atëherë do të guxojmë edhe të fitojmë. Sepse, nuk mund të zbehet e të hidhet poshtë një ëndërr kaq e madhe, një aspiratë historike, një ide që i ka ardhur koha.
Nëse ne dëshirojmë që të realizojmë ribashkimin kombëtar, atëherë ne duhet të guxojmë që të ngrisim zërin dhe ta njohtojmë kombin tonë dhe botën mbarë se çka duam, çka kërkojmë dhe për çka luftojmë.
Guximi është trimëri e burrëri, është vendosmëri e këmbëngulje, është gatishmëri e mosdorëzim, është qëndresë që e karakterizon ndër shekuj e mijëvjeçarë popullin shqiptar.
Prandaj, Shqiptarë, filloni të ëndërroni, vazhdoni të guxoni, që të fitoni!


DURIMI-KËMBËNGULJA-MOSDORËZIMI

E kemi thënë se ëndërrat janë fara e suksesit, por kush është sekreti i suksesit tonë? Ky është durimi, këmbëngulja e mosdorëzimi. Durimi është aftësi e njerëzve dhe popujve për të përballuar vështirësitë, shqetësimet, vuajtjet, fatkeqësitë, varfërinë, luftërat,…pa u ligështuar, pa u ankuar dhe pa u dorëzuar. Durimi është edhe cilësi e udhëheqësit popullor për t'u treguar i matur, i përmbajtur, i qetë e gjakftohtë, për të mos rënë në provokime të kundërshtarëve, për të mos u rrëmbyer në situata të paqarta dhe për të mos vendosur në këmbë, pa analizuar detajisht rrethanat.
Durimi sjellë gjithmonë suksesin. Nuk thotë kot urtësia popullore: "I duruari, i fituari". Të durosh do të thotë të kesh vetëpërmbajtje, nerva të forta dhe, në të njëjtën kohë, të jesh këmbëngulës për ta çuar deri në fund luftën çlirimtare. Durim do të thotë papërkulshmëri dhe mosdorëzim. Durimi është gjithashtu vullnet i patundshëm për të realizuar kërkesat e popullit. Durimi është kokëfortësi pozitive, kur luftëtarët e lirisë dhe i mbarë kombi ngulin këmbë dhe nuk bëjnë kompromis me lirinë dhe Atdheun e tyre. Durimi është mosdorëzim edhe atëherë kur je në pozita më të vështira se kundërshtari politik apo ushtarak. Durimi është durim i të gjitha të zezave të kësaj bote, por mosheqje dorë nga ëndrrat, idealet dhe aspiratat shekullore të Shqiptarëve. Durim për mosnënshtrim. Durim për fitore.
Durimi është nështrim vetëm atëherë kur nuk ke ëndrra kombëtare, kur s'ke ideale të lirisë dhe kur nuk ke aspirata të bashkimit kombëtar. Durimi është disfatë, atëherë kur je disfatist e pacifist dhe i ke humbur shpresat dhe besimin në vetvete dhe në luftën e drejtë të popullit tënd. Durimi është robëri vetëm atëherë kur nuk vepron, kur je dorëzuar dhe pret që fati yt të ndryshojë spontanisht e rastësisht.
Durimi aktiv është blerje e kohës, organizim, mobilizim dhe rigrupim i forcave goditëse për të vazhduar luftën. Durimi në luftë është "pushim" ndërmjet dy betejave.
Ne kurrë nuk duhet të heqim dorë nga ëndrrat tona. T'i ndjekim ëndrrat tona përmes stuhishë, sfidash e rrebeshesh, duke duruar me stoicizëm të gjitha plagët e marra trupore e shpirtërore në përleshjet tona me armiqtë e Shqipërisë Etnike. Ne duhet ta gjejmë rrugën e drejtë të fitores, t'i krijojmë kushtet e luftës çlirimtare, t'i trasojmë shtigjet e lirisë dhe të marshojmë me durim e këmbëngulje deri në çlirim dhe bashkim kombëtar. Ne duhet të kemi besim në vetvete, të zotohemi për të duruar, për të këmbëngulur dhe për të mos u dorëzuar kurrë.
Nuk është aq e rëndësishme robëria, sa është e rëndësishme se çka bëjmë ne për ta hequr qafe atë robëri. Nëse ne ulemi e vajtojmë se jemi të pushtuar, të copëtuar, të robëruar, etj., atëherë ne jemi qaramanë e jo kapedanë. Atëherë ne jemi skllevër të përkulur e jo revolucionarë luftarakë.
Vetëm durimi i shoqëruar me veprim luftarak, rezistencë aktive dhe mosdorëzim do të na e heqë nga qafa zgjedhën e rëndë të robërisë. Do të na heqë nga duartë e këmbët prangat dhe zinxhirët e robërisë dhe të neokolonializmit modern. Edhe po të zihen e bllokohen të gjitha rrugët e shtigjet aktuale, Ne, me durim prej Sizifi, duhet të hapim rrugë e shtigje të reja, por sulmin dhe marshimin tonë drejt Shqipërisë së Ribashkuar nuk duhet ta ndalim kurrsesi. Për luftëtarët e vendosur, të durueshëm, këmbëngulës e atdhetarë gjithmon ka rrugë, gjinden shtigje për të ecur përpara drejt lirisë. Asgjë nuk është e pamundshme për patriotët dhe revolucionarët e devotshëm, të cilët Atdheun e duan më shumë se veten. Fitimtarët kurrë nuk dorëzohen, kurse ata që dorëzohen kurrë nuk fitojnë. Nuk është fundi i botës humbja e disa betejave, është humbje e luftës dhe fundi i Shqipërisë Etnike mosluftimi fare, dorëzimi pa luftë. Shqiptarë, duroni dhe mos u dorëzoni! Qëndroni dhe luftoni, që të fitoni e të mbijetoni! Vetëm kështu Shqipërinë Etnike do ta çlironi dhe do ta bashkoni.
Këmbëngulja dhe mosdorëzimi e plotëson çdo disavantazh tonin përballë lukunisë së pafund të armiqëve tanë. Epërsia në njerëz, në potencial ekonomik dhe në armatim ushtarak e kundërshtarëve tanë mund të kompenzohet vetëm nga durimi, vendosmëria, këmbëngulja dhe mosdorëzimi ynë. Guri apo shkëmbi është shumë herë më i madh e më i fortë se pika e ujit, por këmbëngultësia dhe mosdorëzimi i pikës së ujit triumfon kundër shkëmbit, me goditjen e saj ritmike e të pandërprerë, derisa guri apo shkëmbi çahen më dysh. Ne duhet të veprojmë si pika e ujit kundër ushtrive e policive pushtuese të armiqve të Atdheut tonë dhe në fund do të jemi ne fitimtarët. Dhe në këtë rast nuk fiton forca, por këmbëngulja jonë permanente.
Vendosmëria është qëndrim, kurse këmbëngulja jonë është veprim, veprim për të goditur pandërprerje, veprim për të mos u dorëzuar. Këmbëngulja dhe goditja konstante e thyen rezistencën, qoftë të gurit, qoftë të ushtrisë armike. Asgjë nuk është e plotëfuqishme dhe e pathyeshme përballë durimit, këmbënguljes dhe mosdorëzimit.

SAKRIFICA-FLIJIMI

Sakrifica është vetëmohimi i vetvetes, heqje dorë nga disa dëshira të momentit, për të arritur një qëllim të lartë e të shenjtë, siç është liria e Atdheut. Sakrifica është mundim, vuajtje dhe dhimbje që i shkaktojmë vetvetes për të përmbushur ëndërrat tona kombëtare, për të realizuar idealin tonë kombëtar të Shqipërisë Etnike. Sakrifica është humbje, peripeti, shqetësim dhe dëmtim personal për hir të interesit të përgjithshë, për interesa të larta kombëtare e shtetërore. Sakrifica është gatishmëri për flijim.
Flijimi është sakrificë dhe sakrifikim i vetvetes për ideale dhe interesa të larta kombëtare. Flijimi është theror, martirizim i vetvetes për të mbrojtur popullin dhe atdheun. Flijimi është dhënje e jetës, rënie dëshmor në altarin e lirisë, në fushëbetejë për të çliruar dhe ribashkuar Shqipërinë Etnike. Pa sakrifica dhe flijim, s'ka liri as bashkim. Sakrifica dhe flijimi janë rezultati përfundimtar dhe më i saktë i vetëdijes dhe ndërgjegjes patriotike dhe kombëtare të luftëtarëve të lirisë, të dëshmorëve dhe heronjëve të një populli.

VEPRA

Vepra është materializim, vënie në jetë e ideve tona, është përmbushje, zbatim, kryerje, përfundim, plotësim, realizim. Ëndrra për Shqipërinë Etnike duhet patjetër që të materializohet, të vihet në jetë, të shndërrohet në vepër. Duhet të kalohet nga teoria në praktikë. Vepra është realitet, kurse realiteti është shndërrimi i diçkaje nga inekzistenca në ekzistencë. Realiteti është kalimi i së vërtetës në vërtetësi, në veprim praktik.
Êshtë e vërtetë, reale ekzistenca e Shqipërisë Etnike, por ajo ende nuk është bërë realitet, ende nuk është çliruar e bashkuar, ende nuk funksionon si shtet juridik, i pavarur e sovran. Shqipëria Etnike, aktualisht, është realitet vetëm në ëndrrat e Shqiptarëve, në zemrat dhe mendjet tona, në Programin tonë Kombëtar për bërjen e saj realitet dhe shtet. Që ëndrra të bëhet vepër, realitet, duhet që të ketë një fillim, një veprim dhe një përfundim. Duhet të ketë një program politiko-ushtarak, një luftë çlirimtare dhe një fitore.
Një ëndërr pa vepra është thjeshtë një dëshirë. Dhe dëshirat shpesh u përngjajnë tekave e huqeve, janë pa përmbajtje dhe në shumicën e rasteve janë të paarritshme. Dëshira shpeshherë është e ngjashme me fantazinë, kurse ëndrra ka përmbajtje, ajo mbështetet në realitetin objektiv e subjektiv dhe në artin e të mundshmes.
Në veprimtarinë tonë atdhetare e çlirimtare nuk duhet që t'i ngatërrojmë ëndrrat me dëshirat, sepse ka dallim të madh në mes asaj që ne duam që të bëhet Shqipëria Etnike (dëshirës) dhe asaj që ne bëjmë (veprojmë) që ajo të bëhet.
Një ëndërr e mbështetur në veprim, aksion, goditje, lëvizje, këmbëngulje dhe vendosmëri, është e destinuar të shndërrohet në vepër. Vepra është rezultati final i gjithë mozaikut të gjerë të veprimtarisë shoqërore, politike, ekonomike, organizative, propagandistike, kulturore, artistike, letrare, shkencore dhe luftarake të mbarë popullit.
Vepra për Shqipërinë Etnike është një punë kolosale dhe tepër e vështirë. Është një barrë e rëndë, të cilën vetëm një komb i tërë, i vendosur dhe i mobilizuar plotësisht mund ta bartë mbi supe dhe ta çojë përpara deri në realizimin e plotë të saj. Vepra është kurorëzimi i fitores, ngadhnjim mbi pushtuesët. Vepra e Shqipërisë Etnike mund të bëhet vetëm nga kombi shqiptar e jo nga individët, grupet, shoqatat, organizatat, partitë apo qeveritë e ndryshme.

POROSI BREZASH

Shqipëria Etnike është ëndërr brezash, amanet gjeneratash. Është vazhdimësi e punës dhe e përpjekjeve të të Parëve tanë. Shqipëria Etnike është kërkesë dhe dëshirë e paraardhësve tanë, që ne ta vazhdojmë luftën e tyre për çlirimin dhe ribashkimin e Atdheut. Êshtë ngarkim dhe detyrim për Ne që ta vazhdojmë veprimtarinë patriotike, revolucionare dhe luftarake të stërgjyshërve tanë, për ta çuar më tej veprën e tyre për ruajtjen dhe mbrojtjen e Shqipërisë Etnike.
Shqipëria Etnike është trashëgim për brezat që vijnë. Shqipëria Etnike është mësim, këshillë dhe udhëzim nga ana jonë për brezat që vijnë, se si të përpiqen dhe si të punojnë për bërjen e Shtetit tonë Kombëtar. Shqipëria Etnike është porosi dhe lënie në besë e besim nga ne tek gjeneratat e ardhshme që ta forcojnë e përparojnë më tej në të gjitha fushat: politike, ekonomike, ushtarake e kulturore.
Shqipëria Etnike është një Pishtar drite e lirie që përcillet nga pellazgo-iliro-shqiptarët dorë më dorë, zemër më zemër, brez pas brezi nga Parahistoria deri në ditët tona, dhe më tej deri në Ardhmëri e Përjetësi.

*****

Ëndrra për Shqipërinë Etnike është vetëm fillimi, kurse vendimi për ta ndjekur atë është vazhdimi. Por që ta ndjekim këtë ëndërr duhet që t'i besojmë asaj, duhet ta bëjmë pjesë të qenies sonë, të punës dhe të jetës sonë. Duhet që këtë ëndërr të lartë e fisnike ta ushqejmë çdo çast, që ajo të rritet e të lëshojë shtat në Ne e përreth nesh. Është një rrugë e gjatë, e vështirë, e mundimshme dhe madhe, por ne do ta bëjmë atë. Duket si rrugë e pafund, por çdo gjë që ka fillim, ka edhe fund. Dhe fundi i kësaj rruge të gjatë mijëravjeçare do të jetë Rilindja e Ilirisë, bërja e Shqipërisë Etnike.
Dhe mbi të gjitha, këtë ëndërr e ideal kombëtar duhet ta ruajmë e ta mbrojmë nga ëndërr-rrënuesit, nga pesimistët e disfatistët, nga egoistët e nihilistët, nga pakurrizorët e puthadorët e shumtë që i ka populli ynë. Sepse ata janë varrmihësit e ëndrrës sonë për Shqipërinë Etnike. Ata janë po aq të rrezikshëm e të dëmshëm sa edhe pushtuesit dhe sundimtarët sllavo-grekë.
Ta kultivojmë e ta ruajmë ëndrrën e Shqipërisë Etnike porsi sytë e ballit, si vetëveten nga armiqtë dhe miqtë e rrejshëm. Sepse ata synojnë që të na e rrënojnë ëndrrën tonë më të madhe, më jetike e vitale, që pastaj të na vrasin e tjetërsojnë më lehtë e më shpejt edhe neve dhe trojet tona stërgjyshore.
Ëndrra e cila mbështetet nga vendosmëria, këmbëngulja, durimi, qëndresa, mosdorëzimi, dhe besimi i madh e i patundshëm heret a vonë do të bëhet realitet. Sa më e madhe që të jetë ëndrra, aq më e madhe do të jetë fitorja. Dhe ëndrra e Shqiptarëve për Shqipërinë Etnike është një ëndërr vigane, një ëndërr antike, e lashtë qindra - mijëravjeçare, është epokale, një ëndërr brezash e gjeneratash të tëra popullore, prandaj edhe realizimi, përmbushja dhe fitorja e kësaj ëndrre do të jetë kolosale, do të jetë e pakrahasueshme për nga vlera dhe me përmasa mbarëkombëtare.
Ëndërra për Shqipërinë Etnike është ëndërr njerëzore, popullore dhe kombëtare e një kombi të stërlashtë, vendës, antik e heroik që punon, jeton e lufton për ruajtjen e atdheut të tij, për ribashkimin e trojeve pellazgo-ilire të Shqipërisë Etnike. Ëndrra kombëtare është gjakim, rrugëtim, është ëndërr për Shqipërinë Etnike. Lum ai shqiptar që e ka këtë ëndërr, që ëndërron për këtë ëndërr dhe që punon e lufton për realizimin e kësaj ëndrre.

IV – REALITETI I SHQIPËRISË ETNIKE

REALITETI

Shqipëria Etnike është një realitet, sepse ekziston me të vërtetë, është një realitet natyror, objektiv, që ekziston jashtë vullnetit të miqve dhe armiqve të saj. Ajo është një realitet i gjallë, i prekshëm, që duket dhe që jeton në zemrat dhe mendjet e Shqiptarëve, në vetëdijen dhe ndërgjegjen e tyre kombëtare si pasardhës të Pellazgëve dhe të Ilirëve. Por ajo, aktualisht, është një realitet pasiv, jofunksional. Është ende një realitet i parealizuar, sepse ende nuk është e çliruar nga barbarët dhe se ende nuk është e bashkuar nga shqiptarët. Ajo ende nuk është bërë shtet me kufinj, me integritet, me sovranitet, me një qeveri dhe me një kryeqytet.
Shqipëria Etnike është reale, sepse ekziston, është faktike, ka territorin dhe të kaluarën e saj historike, ka banorët e saj - Kombin Shqiptar, si pronar të parë dhe të vetëm të këtij territori, i cili ka pastaj historinë, gjuhën, artin dhe kulturën e tij mijëravjeçare të ngritur e të ngulitur mbi këto troje antike të Shqipërisë Etnike. Është reale sepse i plotëson të gjitha vetitë, kriteret, parametrat dhe parakushtet që nevojiten për një shtet, prandaj edhe ka mundësi reale për tu bërë shtet.
Shqipëria Etnike është një aspiratë realiste e një populli të tërë, të stërlashtë, legjitim dhe autokton në trojet e tij pellazgo-ilire - e kombit shqiptar. Është një kërkesë realiste, e cila merr parasysh gjendjen, kushtet dhe rrethanat e vërteta të realitetit objektiv e subjektiv dhe që vepron në përputhje me to.
Shqipëria Etnike është një ideal, një dëshirë dhe një ëndërr e realizueshme, e cila mund të përmbushet, mund të plotësohet, mund të realizohet dhe mund të bëhet realitet nga përpjekja, veprimtaria dhe përkushtimi i përhershëm dhe i vendosur i kombit shqiptar.
Shqipëria Etnike është realitet, reale, realiste dhe e realizueshme.


"PESË" SHQIPËRITË

Historikisht ekzistojnë pesë Shqipëri:

1.Iliria Antike

Përfshin trojet e Ilirëve dhe kufijtë e Ilirisë, duke filluar nga Istra e Sllovenia, në perëndim, deri në kufijtë e Rumanisë, në lindje dhe nga brigjet e lumenjve Sava e Danub në veri, e deri në More (Peloponez), në jug, si dhe nga brigjet e Adriatikut dhe të Jonit e deri në kufijtë e Bullgarisë dhe të Turqisë, me një sipërfaqe prej 400 000 km2.

2. Arbëria ose Shqipëria Ilirike

Është një territor gjeografik e historik më i madh se Shqipëria Etnike. Në të bëjnë pjesë, përveç Shqipërisë aktuale Etnike, edhe disa territore të Ilirisë, por të cilat aktualisht nuk janë të banuara me shumicë dërrmuese të popullit shqiptar, ose nuk janë fare të banuara me shqiptarë, për shkak të dëbimit të tyre me dhunë nga vatrat e tyre ose asimilimit gjatë shekujve.
Arbëria ose Shqipëria Ilirike përfshin Principatën e Gjergj Ballshës I në shek.XIV, e cila përfshinte një pjesë të Bosnjës, Malin e Zi, Kosovën dhe Shqipërinë e Mesme. Dhe kjo Shqipëri Ilirike vazhdoi pastaj katër shekuj më vonë me Pashallëkun e Shkodrës, të udhëhequr nga Kara Mahmud Pashë Bushati dhe me Pashallëkun e Janinës, të udhëhequr nga Ali Pashë Tepelena. Pikërisht tërësia tokësore e këtyre tri principatave apo pashallëqeve shqiptare, që shtriheshin nga Bosnja në veri dhe mbaronin në fund të Epirit (Çamërisë) te Gjiri i Artës në jug, përbëjnë atë që sot mund të quhet Shqipëri Ilirike, me një sipërfaqe tokësore prej rreth 200 000 km2.

3.Shqipëria Etnike

Është një territor i caktuar gjeografik dhe historik në hapësirën e Ballkanit, i cili ka qenë dhe është edhe sot i banuar me shumicë të popullit shqiptar. Është territor kompakt e homogjen dhe është atdhe i shqiptarëve që nga parahistoria dhe antika e deri në ditët tona.
Shqipëria Etnike përfshin territoret e katër Vilajeteve Shqiptare që ekzistonin para, gjatë dhe pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881): 1.Vilajeti i Janinës, 2.Vilajeti i Manastirit, 3.Vilajeti i Kosovës dhe 4.Vilajeti i Shkodrës. Kufijtë e Shqipërisë Etnike fillojnë te Gjiri i Artës në jug të Çamërisë dhe ngjiten lart në veri te Molla e Kuqe afër Nishit në Toplicë, kurse mbarojnë në Tivar të Malësisë së Madhe në veriperëndim. Po këtë Shqipëri Etnike, me këto troje dhe me këta kufinj shtetërorë e shpalli shtet të Pavarur dhe Sovran Kuvendi Mbarëkombëtar, me Ismail Qemalin në ballë, më 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Shqipëria Etnike, atëherë dhe tani, ka një sipërfaqe tokësore prej rreth 100 000 km2.
Shovenistët fqinj propagandojnë se Shqipëria Etnike nënkupton pushtimin dhe aneksimin nga ana e shqiptarëve të territoreve të tyre etnike, pra, okupimi nga ana jonë e territoreve të huaja. Por dihet historikisht se shumica e atyre territoreve ku sot banojnë popujt fqinj kanë qenë territore ilire, pra shqiptare, dhe se po këta popuj janë agresorë, sepse i kanë pushtuar me dhunë territoret iliro-shqiptare ku kanë ngritur sot shtetet e tyre. Themelet e shteteve të tyre janë të ngritura në pronë të huaj, mbi troje të tjetërsuara! Dhe kjo ka ndodhur jo më larg se para pak më shumë se 100 vitesh.

4.Shqipëria Natyrale

Këto kohët e fundit në skenën politiko-terminologjike është shfaqur edhe një term i ri politik me emrin Shqipëria Natyrale, i cili, në njëfarë mënyre, përpiqet që të zëvendësojë nocionin politik Shqipëria Etnike. Shqipëria Natyrale bazohet në atë që quhet realpolitika shqiptare, kurse Shqipëria Etnike bazohet në politikën historike dhe mbi të drejtën e pronësisë së Shqiptarëve, të Kombit Shqiptar, mbi trojet e tyre stërgjyshore.
Por, megjithatë, termi politik Shqipëria Etnike nuk është i njëjtë dhe i barabartë me nocionin politik Shqipëria Natyrale. Emërtimi Shqipëria Etnike është nocion etnik (kombëtar), kurse termi Shqipëri Natyrale është nocion politik. Shqipëria Etnike është më e madhe se Shqipëria Natyrale. Shqipëria Etnike shtrihet nga Tivari, Sanxhaku e Toplica në veri dhe deri në fund të Çamërisë te Gjiri i Artës (Ambrakisë) në jug. Kurse Shqipëria Natyrale nuk e përfshinë as Tivarin, as Sanxhakun, as Toplicën, as Veleshin, Manastirin e Ohrin dhe as Çamërinë. Shqipëria Natyrale është një rrudhosje e mëtejshme e Shqipërisë Etnike. Ithtarët e Shqipërisë Natyrale në një rast shkruajnë kështu: " Shqipëria natyrale nuk merret me Mollën e Kuqe, as me Pargën, as me Kosanicën dhe Toplicën. Por ajo është e detyruar të merret me Mitrovicën, me Preshevën, me Ulqinin, me Strugën etj etj." (Shih: 13:55/04.09.06 «Shqiperia Natyrale» eshte nje nocion europerendimor (Analize nga Koço Danaj). Në këtë mënyrë, që në start, pa na kërkuar kush, ne përmes Shqipërisë Natyrale do të bënim kompromis të madh, duke lënë jashtë Shqipërisë Etnike gjysmën e trojeve shqiptare të saj! Në këtë mënyrë Shqipëria Natyrale nuk do të ishte më Natyrale, por do të shndërrohej në Shqipëri Artificiale, siç është sot Shqipëria londineze e Tiranës!
Më tej, në të njëjtin shkrim, autori i shkrimit Shqipërinë Natyrale e quan "Dhimbje e së Vërtetës", kurse Shqipërinë Etnike e quan "Dhimbje e Mashtrimit"(!) dhe Shqipëri artificiale(!). Po citoj nga origjinali i shkrimit: "Por dhimbja e se Vertetes eshte shume here me e lehte se Dhimbja e mashtrimit. Shqiperia Natyrale eshte pjese perberese e dhimbjes se realitetit, prandaj ka edhe te ardhme. Shqiperia artificiale eshte pjese e dhimbjes se mashtrimit, prandaj edhe nuk do te kete te ardhme."
Të kërkosh Shqipërinë Etnike, sipas ithtarit e ithtarëve të Shqipërisë Natyrale do të thotë të ngritesh mbi gjëra të paqena e ireale, mi artificialitete dhe të themelosh shtetin e bashkuar etnik shqiptar - Shqipërinë Etnike mbi mite, legjenda dhe në toka të huaja, e jo mbi trojet autoktone, etnike e stërgjyshore shqiptare! Bile ai shkon edhe më tej, qet fall dhe na "parashikon" se Shqipëria Etnike nuk ka të ardhme, nuk do të bëhet kurrë! Autori i lartpërmenduar, në të njëjtin shkrim-analizë shkruan: "…Shqiperia natyrale nuk ngrihet mbi artificialitete, nuk ngrihet mbi mite dhe legjenda, nuk ngrihet mbi te tjeret." Nga kjo del se Tivari e Sanxhaku, Toplica e Çamëria dhe më se gjysma e Iliridës janë toka të huaja, të të tjerëve, janë pjesë e miteve dhe legjendave artificiale!
Se ithtari i Shqipërisë Natyrale vërtetë Shqipërinë Etnike e quan artificiale dëshmon edhe artikulli tjetër i tij i mëhershëm, në të cilin shkruan tekstualisht: "Duket se atë (Drashkoviçin-Shën.im) e tremb termi real “Shqipëri Natyrale”, e cila nuk ka cilësoret artificiale “E Madhe apo Etnike”, por vetëm atë që është cilësori reale, natyrale." (Shih: 13:45/27.08.06 Le te takohemi fillimisht ne Shqiperine Natyrale (Interviste e kryetarit te AMS dhe drejtor i IPPS, Koço Danaj dhene gazetes Epoka e Re date 24 gusht 2006).
Shqipëria Etnike, përveç që është etnike, kombëtare pellazgjike, ilirike e shqiptarre, njëherit ajo është edhe natyrale, edhe reale, por edhe e madhe në krahasim me shtetin e sotëm shqiptar të Shqipërisë londineze dhe Shqipërinë Natyrale të autorit të lartpërmendur. Shqipëria Natyrale nuk është Shqipëri Etnike dhe as e madhe, sepse ajo nuk përfshinë të gjitha territoret shqiptare në kufijtë e saj shtetërorë. Shqipëria Natyrale nuk i bashkon 4 ish-Vilajetet Shqiptare në një shtet të vetëm, por lenë jashtë saj gjysmën e territoreve të tyre.
Kombi Shqiptar dhe Shqipëria Etnike nuk kanë troje për të falur fqinjëve grabitqarë, sepse edhe ashtu ata mjaftë kanë marrë e pushtuar troje pellazgo-iliro-shqiptare që nga antikiteti e deri më sot!
Nacionalizmi okupues serb nuk duhet të jetë më i fortë se nacionalizmi çlirimtar shqiptar. Disa shqiptarë kanë kujtesë të dobët kombëtare dhe i harrojnë shumë shpejt trojet shqiptare të Shqipërisë Etnike! Disa shqiptarë janë shumë "bujarë" dhe i falin shumë lehtë trojet stërgjyshore, sepse i kanë "mall babe" e nuk i kanë fituar me djersë, ndaj nuk i mbrojnë dhe as nuk i çlirojnë me gjak!
Shqipëria Etnike është Maksimumi i zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan, kurse Shqipëria Natyrale është Minimumi i zgjidhjes së çështjes shqiptare. Ajo është zgjidhje e pjesëshme, është zgjidhje kompromisi, sepse nuk i përfshinë brenda kufijve të saj të gjitha trojet etnike dhe historike shqiptare.
Shqipëria Natyrale është një hap i madh përpara, por jo i fundit, drejt zgjidhjes së tërësishme e përfundimtare të çështjes kombëtare shqiptare, është hap kualitativ drejt bërjes së plotë të Shqipërisë Etnike. Shkurt e shqip: Shqipëria Natyrale nuk është Shqipëri Etnike.
Shqipëria Natyrale, përafërsisht, ka një sipërfaqe prej rreth 50.000 km2.

5."Shqipëria e Madhe"

Për ta luftuar dhe kompromituar luftën tonë të drejtë për Shqipërinë Etnike, shovenistët sllavo-grekë bëjnë zëvendësimin e termit Shqipëri Etnike me termin "Shqipëri e Madhe"! Por ajo çka duhet të sqarohet këtu është se, kur serbomëdhenjtë dhe të tjerët përdorin termin Shqipëri e Madhe, ata aludojnë në "Shqipërinë e Madhe" fashiste me qëllim të identifikimit të së drejtës sonë dhe veprimtarisë sonë kombëtare me një ideologji antidemokratike e raciste dhe me një krijesë shtetërore të nazifashizmit.
Edhe Shqipëria Etnike, edhe "Shqipëria e Madhe" fashiste janë territore etnike iliro-shqiptare, dallimi ështe se Shqipëria Etnike është më e madhe territorialisht se "Shqipëria e Madhe" që e krijuan nazifashistët italo-gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
"Shqipëria e Madhe" ka qenë rezultat i bisedimeve ndërmjet Ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Ribentrop dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Çiano, të cilët në vitin 1941, pas pushtimit të Jugosllavisë (Prill 1941), në Vienë të Austrisë arritën pajtimin për ndarjen e Jugosllavisë dhe gjithë Ballkanit. Kjo marrëveshje midis Gjermanisë hitleriane dhe Italisë musoliniane u quajt Marrëveshja Ribentrop-Çiano.
Sipas kësaj Marrëveshjeje Kosova u nda në tre pjesë:
1.Gjermania mbajti për vete Veriun e Kosovës me rrethet e Vushtrrisë, Besianës dhe Mitrovicës, të cilat më pastaj ia dha nën administrim direkt qeverisë kuislinge fashiste serbe të Millan Nediçit!
2.Pjesa tjetër e Kosovës iu dha Bullgarisë së Car Borisit, si aleate fashiste e Gjermanisë, që përfshinte territoret e Kosovës Lindore (Preshevë e Bujanoc), Kumanovën, Shkupin, Vitinë, Kaçanikun, Shtërpcën etj.
3.Pjesa "e luanit" të trojeve shqiptare të Kosovës dhe të Iliridës iu dha Italisë fashiste, e cila me ato territore dhe me Shqipërinë londineze formoi të ashtuquajturën "Shqipëri e Madhe".
Pra, sa e "Madhe" mund të jetë Shqipëria pa gjysmën e Kosovës Qendrore, pa Kosovën Lindore, pa gjysmën e Iliridës, pa Malësinë e Madhe, pa Çamërinë, pa Sanxhakun dhe pa Toplicën?! Kjo "Shqipëri e Madhe" nuk i kishte më shumë se 40.000 km2 sipërfaqe!
”Shqipëria e Madhe”, si krijesë e fashistëve italo-gjermanë, nuk ka qenë aspak e ”Madhe”, sepse ajo nuk i ka përfshi të gjitha territoret e Shqipërisë Etnike. Kjo "Shqipëri" nuk është krijuar me vullnetin e kombit shqiptar, ajo është imponuar me dhunë ushtarake nga okupatorët italo-gjermanë. Jashtë saj kanë mbetur troje të pastra etnike shqiptare të banuara me shumicë nga populli shqiptar. ”Shqipëria e Madhe” fashiste ka qenë pak më e madhe se Shqipëria e vogël londineze, prandaj nga fashistët italo-gjermanë, nga shovenistët sllavo-grekë dhe nga disa kolaboracionistë shqiptarë është quajtur ”Shqipëri e Madhe”. Okupatorët shovenistë do të "gëzoheshin" shumë po të kërkonin shqiptarët territoret e ish-"Shqipërisë së Madhe" fashiste, por ata tmerrohen kur shqiptarët kërkojnë bërjen e Shqipërisë Etnike, e cila territorialisht është më e madhe se dy "Shqipëria të Mëdha".
Po të kërkonin shqiptarët Shqipërinë e Madhe e jo Shqipërinë Etnike, atëherë kjo Shqipëri e Madhe nuk do të nënkuptonte ”Shqipërinë e Madhe” fashiste, por do të ishte Arbëria ose Shqipëria Ilirike, e cila, territorialisht është sa dyfishi i Shqipërisë Etnike. Kësaj i frikësohen serbo-greko-malazezët kur ata akuzojnë shqiptarët se po kërkojnë Shqipërinë e Madhe, që ne të mos e kërkojmë Shqipërinë Ilirike dhe e transferojnë çështjen tek ”Shqipëria e Madhe”, si term gjeopolitik i kompromituar dhe i cunguar nga fashizmi.
Sa herë që ne potencojmë se po kërkojmë bërjen e Shqipërisë Etnike, shovenistët alarmohen me qëllim, duke thënë se ne po kërkojmë ”Shqipërinë e Madhe” dhe në këtë mënyrë e kompromitojnë edhe termin historiko-gjeografik Shqipëri Ilirike, që kështu shqiptarët të heqin dorë nga kjo Shqipëri, sepse na qenka ”Shqipëri e Madhe” fashiste. Pra, sllavo-grekët me termin ”Shqipëri e Madhe” po tentojnë të kompromitojnë edhe termin Shqipëri Etnike, edhe termin Shqipëri Ilirike, që shqiptarët të heqin dorë nga të dyja këto Shqipëri dhe të mos synojnë bashkimin dhe formimin e asnjërës prej tyre, që të pajtohen me copëtimin e trojeve shqiptare dhe të pajtohen me këtë çerek Shqipërie të vitit 1913 që kanë sot.
Ka pasur raste (tepër të rralla) kur në gojën dhe shkrimet e disa shqiptarëve naivë është përmendur apo përmendet termi politik “Shqipëria e Madhe”, si kërkesë dhe aspiratë e shqiptarëve, dhe këtë naivitet, mendjelehtësi dhe injorancë të disa kalemxhinjve dhe politikanëve shqiptarë e shfrytëzojnë me mjeshtëri shovenistët sllavo-grekë për të kompromituar luftën tonë për Shqipërinë Etnike, për t’i dhënë veprimtarisë sonë ngjyra fashiste, duke aluduar në “Shqipërinë e Madhe” fashiste dhe në këtë mënyrë tundin para hundëve tona dhe ndërkombëtarëve gogolin "Shqipëri e Madhe" që kundërmon era fashizëm! Kështu, sllavo-grekët tentojnë të na trembin që ne të heqim dorë nga lufta jonë për Shqipërinë Etnike. Kurse faktorin politik ndërkombëtar përpiqen ta manipulojnë që ai të mos e përkrah zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare - bërjen e Shqipërisë Etnike.
Prandaj, nuk ka pasur dhe nuk ka as Shqipëri të madhe as Shqipëri të vogël, por ka pasur një Iliri e Arbëri, ka pasur dhe ka vetëm një Shqipëri Etnike, të banuar me shumicë nga populli shqiptar që në kohërat e lashta e deri më sot. Për këtë Shqipëri ëndërrojnë, punojnë e luftojnë shqiptarët që ta çlirojnë dhe ribashkojnë në një shtet të vetëm.

*****

Kjo është (përafërsisht) madhësia në kilometra katrorë (km2) e sipërfaqeve të 5 Shqipërive:

1.Iliria Antike - rreth 400.000 km2
2.Arbëria ose Shqipëria Ilirike - rreth 200.000 km2
3.Shqipëria Etnike - rreth 100.000 km2
4.Shqipëria Natyrale - rreth 50.000 km2
5."Shqipëria e Madhe" - rreth 40.000 km2


NDARJA E SHQIPËRISË ETNIKE

Sot, në fillim të mijëvjeçarit të tretë të erës sonë, shekulli XXI, të vitit 2007, Shqipëria Etnike është një territor etnik shqiptar i ndarë, i copëtuar, i robëruar, i pushtuar dhe koloni e shteteve fqinje: Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë. Vetëm 28.748 km2 të kësaj Shqipërie Etnike janë territor i lirë, i pavarur e sovran që formojnë Republikën e Shqipërisë me kryeqytet Tiranën. Kurse rreth 10.887 km2 të Shqipërisë Etnike që përbëjnë protektoratin ndërkombëtar të Kosovës janë territore gjysmë të lira e gjysmë të pavarura të kësaj Shqipërie. Kjo do të thotë se mbi gjysma e Shqipërisë Etnike, ose rreth 2/3, është ende e paçliruar dhe e pabashkuar.
Sipas historiografisë, Kosova që nga antikiteti e deri më1864, kur Turqia nxori Ligjin për Vilajetet, është quajtur Dardani, e cila ka qenë trevë e pandarë etnike, hapësinore (territoriale), kulturore, ekonomike, sociale dhe tradicionale e Shqipërisë. Prej vitit 1864, përkatësisht 1868, Dardania është quajtur Vilajeti i Kosovës dhe ka qenë njëri prej vilajeteve më të mëdhenj të Shqipërisë me një sipërfaqe prej 32.900 km2.
Vilajeti i Kosovës përfshinte shtatë sanxhaqe (prefektura): të Prishtinës, të Nishit, të Pirotit, të Prizrenit, të Tregut të Ri (Jeni Pazarit), të Shkupit dhe të Dibrës. Përbëhej nga 37 kaza (nënprefektura), 8 nahie (treva) dhe 1400 vendbanime, ku jetonin 830.771 banorë, shumica absolute e popullsisë ishte shqiptare.
Nga të dhënat kadastrale të administratës osmane del se trevat shqiptare, që nga Mesjeta e deri më 1912, kishin një sipërfaqe prej rreth 100.000 km2. Nga ky territor, fuqitë europiane, me politikën e tyre imperialiste, lejuan krijimin, më 1913, të shtetit shqiptar në një sipërfaqe prej vetëm 28.748 km2.
Kongresi i Berlinit (1878) dhe më pas Konferenca e Londrës (1913), me vendimet e tyre antishqiptare, ia grabitën kombit shqiptar dhe Shqipërisë Etnike 71.252 km2 territor me popullsi shqiptare prej 85 deri në 96 %.
Katër vilajetet shqiptare, para vitit 1912, kishin këto sipërfaqe në kilometra katrorë:
1.Vilajeti i Kosovës me 32.900 km2.
2.Vilajeti i Shkodrës me 10.800 km2.
3.Vilajeti i Manastirit me 28.500 km2.
4.Vilajeti i Janinës me 17.900 km2.
Nga kjo del se më 1912 Shqipëria Etnike kishte 90.100 km2.
Krahinat e Shqipërisë Etnike, të cilat janë ende nën pushtim e sundim të huaj janë:
1.Malësia e Madhe në Mal të Zi,
2.Sanxhaku, Toplica dhe Kosova Lindore në Serbi,
3.Ilirida në Maqedoni dhe,
4.Çamëria (Thesprotia dhe Epiri) në Greqi.
Kosova Qendrore nga qershori i vitit 1999 de facto është protektorat (neokoloni) e OKB-së, kurse de jure është pjesë integrale e Serbisë! Pra, as nuk është e robëruar as nuk është e lirë, as nuk është shtet as krahinë autonome, apo i përngjanë një shteti autonom! Kosova nuk është e Shqipërisë, nuk është as e Serbisë, por nuk është as e vetvetes! Është havá, qëndron pezull, as në tokë as në qiell! Është në një gjendje kaotike, kontraverse e kontrasti! Por, mbi të gjitha, është në një gjendje të mjerueshme ekonomike, në një varfëri të skajshme, pa rrymë, pa ujë, pa punë, pa bukë e pa shpresë!
Kësaj ndarjeje e këtij copëtimi territorial të Shqipërisë Etnike i kanë kontribuar edhe vetë shqiptarët, sepse liderët e tyre politiko-ushtarakë ende janë të brumosur me mentalitetin feudal mesjetar. Ata ende mbrojnë me fanatizëm dhe karrierizëm primitiv prej bajraktarësh feudalë feudet apo principatat e tyre në të cilat pak a shumë kanë ndikim dhe njëfarë pushteti vazal nën ombrellën e robërisë dhe sundimit greko-sllav!
Motoja e heshtur e këtyre vazalëve modernë është: ”më mirë i pari në fshat, se i dyti në qytet”! Kjo do të thotë se ata kënaqen që të jenë krytarë partishë, komunash apo deputetë në krahinat e pushtuara shqiptare, se sa të jenë nëpunës të thjeshtë apo qytetarë të lirë të Shqipërisë Etnike.


"VILAJETET" MODERNE SHQIPTARE

Derisa në kohën e sundimit të Perandorisë Turke Shqipëria Etnike ndahej në 4 vilajete historike:
1.Vilajeti i Janinës
2.Vilajeti i Manastirit
3.Vilajeti i Kosovës dhe
4.Vilajeti i Shkodrës

Sot Shqipëria Etnike ndahet në 8 "vilajete" moderne:
1."Vilajeti" i Shqipërisë (londineze)
2."Vilajeti" i Kosovës Qendrore (protektorat)
3."Vilajeti" i Iliridës
4."Vilajeti" i Kosovës Lindore
5."Vilajeti" i Malësisë së Madhe
6."Vilajeti" i Çamërisë,
7."Vilajeti" i Toplicës (Nishit)
8."Vilajeti" i Sanxhakut

Nga ky realitet i sotëm del se "vilajetet" shqiptare janë dyfishuar dhe se Shqipëria Etnike jo vetëm që nuk është bashkuar, por ka shkuar drejt shpërbërjes së mëtejshme, copëtimit dhe përçarjes ndërshqiptare! Ky është realiteti i sotëm gjeopolitik i Shqipërisë Etnike.
Por, ajo që e bën edhe më tragjike, edhe më të dhimbshme këtë mozaik gjeopolitik të trojeve etnike shqiptare është qëndrimi indiferent, anacional e mosfërfillës i klasës politike shqiptare të këtyre 8 vilajeteve mjerane, e cila kurrë nuk ka marrë inisiativë të vendosur, të qartë e serioze për hartimin e një Programi Kombëtar për çlirimin dhe ribashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar!
Motoja e rilindasve tanë kombëtarë, ”Një komb, një shtet”, është anashkaluar vazhdimisht nga qendrat e politikës shqiptare anembanë "vilajeteve" moderne të Shqipërisë Etnike! Udhëheqësit dhe pushtetarët shqiptarë ende nuk e kanë një ëndërr, një ideal, një aspiratë, një opcion, një strategji politike dhe një qëndrim të vetëm e të përbashkët zyrtar për shtruarjen dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare – çlirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike.
Opcioni i përbashkët dhe i vetëm i liderëve dhe partive shqiptare deri më sot ka qenë karrierizmi, pushteti, pasurimi personal dhe asgjë tjetër. Ata, jo vetëm që kanë zhvilluar një politikë antikombëtare, por kanë bërë edhe një poplitikë antipopullore.
Klasa politike e të gjitha "vilajeteve" moderne shqiptare të Shqipërisë Etnike është sjellur e po sillet ndaj çështjes shqiptare me një nihilizëm e përçmim të hapur e të pa shoq, deri në një mohim e injorim të plotë të ekzistimit të saj si një çështje e shtruar për zgjidhje. Ekzistojnë një numër i pambarim deklaratash e pohimesh kundër ribashkimit kombëtar, duke e cilësuar atë si iluzion, fantazi, të tejkaluar apo si utopi e aventurë të një grupi idealistësh, nacionalistësh apo ekstremistësh shqiptarë që nuk marrin vesh nga politika, duke mos ngurruar që t’i etiketojnë edhe si njerëz me maska, kriminelë dhe terroristë!


SHQIPËRIA (Londineze)

Është vend në Evropën Juglindore, në perëndim të Gadishullit Ilirik (Ballkanit), me një sipërfaqe prej 28.748 km2. Shqipëria kufizohet nga Mali i Zi në veriperëndim, Kosova në veri, nga Maqedonia në lindje dhe Greqia në jug. Në kufirin natyror perëndimor Shqipëria ka dalje të hapur në Detin Adriatik dhe në jugperëndim në Detin Jon. Ky kufizim i lartpërmendur është zyrtar, politik, kurse në realitet Shqipëria londineze, Shqipëria e vitit 1913, nga të gjitha anët tokësore të kufirit të saj kufizohet me vetveten: me kombin e vet dhe me trojet e veta, pra shqiptare, të cilat e rrethojnë nga të gjitha anët, por që gjenden nën sundimin e huaj, siç janë: Malësia e Madhe (në veriperëndim), Kosova (në veri), Ilirida (në lindje) dhe Çamëria (në jug). Ky është rast unikal në botë, që një shtet i pavarur e sovran të kufizohet nga të gjitha anët me vetveten, të ketë fqinj popullin e vet. Shqipëria londineze është shtet artificial e jo natyral, sepse jashtë saj ndodhen më tepër se gjysma e kombit dhe trojeve shqiptare. Edhe Serbia, Maqedonia, Greqia dhe Mali i Zi janë shtete artificiale, sepse ose brenda territoreve të tyre nuk i kanë të gjitha trojet etnike, ose brenda shtetit të tyre kanë territore të huaja, sidomos shqiptare. Shqipëria politike londineze është vetëm çereku i lirë i tërësisë tokësore të Shqipërisë Etnike. Si shtet i pavarur funksionon që nga shpallja e Pavarësisë më 28 nëntor 1912.

*****

Shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të Ilirëve. Ilirët u formuan si etnos autokton mbi bazën e popullsisë së lashtë, të cilët e identifikonin veten me emrin Pellazgë. Ilirët, gjatë shekujve të antikës, formuan disa shtete e mbretëri të fuqishme dhe të zhvilluara.
E ndodhur në një territor gjeostrategjik dhe në udhëkryq në mes të Evropës dhe Azisë, Iliria u sulmua dhe u pushtua disa herë nga fise barbare, si dhe nga disa perandori të kohës. Në vitin 168 p.e.s., pas shumë luftërave të përgjakshme, Iliria u pushtua nga Perandoria e Romës. Ilirët e përballuan politikën asimiluese romake për arsye të shkallës së lartë të zhvillimit etnik e kulturor. Në Mesjetën e hershme, shek.II i erës sonë, në qendër të Ilirisë ilirët arritën nivelin më të lartë të zhvillimit politik, shtetëror e kulturor dhe filluan të paraqiten me emrin e ri etnik Arbër.

*****

Me ndarjen e Perandorisë Romake, në vitin 339 të erës sonë, Iliria hyn në përbërjen e Perandorisë Bizantine. Në kufijtë e saj u dyndën Gotët, Avarët etj. Gjatë she.IV-VII Sllavët pushtuan një pjesë të Ilirisë veriore e lindore dhe Maqedoninë, të cilët me kohë u sllavizuan. Popullsia kompakte e provincave të Epirit, Arbërisë dhe Dardanisë, me gjithë ngushtimin që pësoi, e përballoi depërtimin sllav, që nisi në shek.VI-VII.
Gjatë viteve 861-1018 Arbëria ishte nën sundimin bullgar dhe më pas përsëri nën atë bizantin. Nga fundi i shek.XI deri në fund të shek.XII, Arbëria ishte fushëbetejë e luftërave midis Normanëve të Italisë Jugore dhe Bizantit dhe vërshimit të turmave të Kryqëzatës së Parë. Në këtë kohë Arbërit ishin të organizuar në bashkësi territoriale dhe drejtoheshin nga krerët e tyre, të cilët udhëhoqën popullin në kryengritjet e viteve 1040-1041 dhe më 1073-1080 kundër Bizantit. Pikërisht në këtë kohë, në burimet historike bizantine, përmendet Arbanoni, si bashkësi etnike, ekonomike e fetare autonome që shtrihej në ndërmjet Durrësit, Ohrit e Dibrës. Më u bashkuan edhe krahina të tjera me Arbanonin, i cili u bë boshti i parë i shtetformit arbëror. Në këtë mënyrë, rreth vitit 1190 lindi Principata e Arbërit, shteti i parë shqiptar në mesjetë me kryeqytet Krujën.
Formacionet politike arbërore në she.XIV u shtrinë në trevat e tjera të ish-Ilirisë që fillonin nga Tivari e Prizreni në veri, deri në Kostur e Vlorë në jug. Kurse krahinat arbërore në jug të Arbërisë e ruajtën edhe më tej emrin Epir. Bizanti përfundimisht u largua nga Arbëria më 1347.Por, në vitet 40-të të shek.XIV, Arbërinë, përveç Durrësit, e pushtoi mbreti serb Stefan Dushani, pushtim i cili zëvendësoi atë bizantin. Pushtimi serb zgjati deri në vitin 1355. Pas dëbimit të sundimtarëve serbë, Arbërit përsëri formuan principatat e tyre të lira, siç ishte në veri, në krahinën e Zetës (Mali i Zi), Principata e Balshajve me qendër Durrësin. Në jug, në Principatën e Artës, sundonte Gjin Bue Shpata, me qendër Artën. Muzakajt sundonin në Berat, kurse Zenebishët në Gjirokastër. Arbëria filloi të shkonte drejt unifikimit të principatave, sidomos në kohën e Balshajve, shteti i të cilëve në kulmin e fuqisë së tij u shtri nga Tivari deri në Berat e Kostur.

*****

Kah fundi i shek.XIV, në Ballkan filloi të depërtoi Perandoria Osmane, e cila më i 1387 u thye nga aleanca ballkanike, e cila përbëhej nga Gjergj II Balsha, Teodor Muzakës, princi i Bosnjës Tvrtko dhe mbreti i Serbisë Llazari. Aleanca ballkanike u ndesh përsëri më 1389 me ushtrinë e Perandorisë Osmane, por këtë herë pësoi disfatë në Fushë të Kosovës. Në këtë betejë mori pjesë, kundër osmanëve, edhe ushtria arbërore e udhëhequr nga kapedanët Gjergj Balsha II dhe Dhimitër Jonima.
Në vitet 1419-1421 në Arbëri vendoset sistemi i egër feudalo-ushtarak osman i timareve. Kundër kësaj gjendjeje të padurueshme shpërthyen kryengritjet arbërore të udhëhequra nga princërit shqiptarë Gjon Kastrioti, Gjergj Arianiti etj. Por çlirimin dhe bashkimin e vendit dhe të forcave ushtarake e bëri Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-1468), i cili u kthye në Krujë më 1443 dhe e çliroi pjesën më të madhe të Arbërisë, pas formimit të Lidhjes Arbërore të Lezhës më 1444. Skënderbeu udhëhoqi arbërinë e lirë për 25 vjet rresht deri më 1468. edhe pas vdekjes së tij lufta vazdoi deri me rënien e Krujës (1478), të Shkodrës (1479 dhe të Ulqinit (1511). Qëndresës arbërore kundër pushtimit osman gjatë viteve 1494-1506 i ka prirë djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti, kurse pas tij nipi i tij Gjergj Kastrioti.
Kryengritjet shqiptare antiosmane nuk u ndërprenë asnjëherë gjatë 5 shekujve të robërisë osmane. Në kushtet e reja historike gjatë shek.XVI-XVII emri Arbër dhe Arbëri u zëvendësua me emrin e popullit - Shqiptar dhe të vendit - Shqipëri. Gjatë shek.XVII-XVIII nisi rënia e Perandorisë Osmane. Feudalët shqiptarë u forcuan, zgjeruan pronat dhe u kthyen në qeveritarë gjysmë autonomë. Në këtë kohë lindën Pashallëqet e mëdha shqiptare. Kështu, rol të madh në ngjarjet historike të shek.XVIII-XIX, luajtën Pashallëku i Shkodrës nën sundimin e Bushatlinjve dhe Pashallëku i Janinës nën sundimin e Ali Pashë Tepelenës.
Lufta e popullit shqiptar për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar fazën më të lartë të saj e arriti në kohën e Rilindjes Kombëtare, që nisi në vitet 30-40-të shek.XIX, e cila ishte një lëvizje demokratike, revolucionare e kombëtare për një zhvillim kulturor e arsimor dhe për formimin e shtetit kombëtar shqiptar. Kulminacionin kjo lëvizje e Rilindjes Kombëtare e arriti me formimin dhe luftërat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881). Ajo e afirmoi çështjen tonë kombëtare dhe e përfaqësoi kombin shqiptar edhe në arenën ndërkombëtare, në Kongresin e Berlinit (1878), i cili vendosi për copëtimin e trojeve shqiptare në favor të shovenistëve sllavo-grekë!
As pas shuarjes me dhunë nga perandoria turke të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shqiptarët nuk i pushuan përpjekjet dhe luftërat e tyre për liri dhe pavarësi. Ata vazhduan rezistencën dhe organizmin për luftë të re dhe përgatitën e shpërthyen Kryengritjet e viteve 1908, 1910, 1911 dhe në fund shqiptarët u ngritën në Kryengritjen e Përgjithshme të vitit 1912, e cila u kurorëzua me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Por, me ndërhyrjen e ushtrive shoveniste ballkanike dhe me aprovimin e Fuqive të Mëdha (Konferenca e Londrës më 1913), Shqipëria u copëtua, u ripushtua dhe si shtet i pavarur mbet vetëm 1/4 e Shqipërisë së vërtetë etnike, reale e natyrore!

*****

Me fillimin e Luftës së Parë Botërore Shqipëria u kthye përsëri, si në mesjetë, në një shesh lufte. Ajo u pushtua nga forcat italiane, serbe, malazeze,greke, franceze dhe austrohungareze. Pas mbarimit të Luftës I Botërore trupat italiane mbetën në Vlorë dhe në krahinën përreth. Konferenca e Paqes në Paris (1919) nuk e zgjidhi çështjen shqiptare. U desh të zhvillohet Lufta e Vlorës që t'i largojë pushtuesët italianë nga toka shqiptare.
Në fillim të viteve 20-të të shek.XX problemi më i madh në shtetin shqiptar ishte demokratizimi i vendit, zgjidhja eçështjes fshatare etj. Për zgjidhjen këtij problemi forcat demokratiko-revolucionare u bashkuan në shoqërinë "Bashkimi", kurse forcat reaksionare drejtoheshin nga Ahmet Zogu. Në maj 1924 shpërtheu kryengritja, e cila arriti fitoren më 10 qershor. Në fuqi erdhi Qeveria demokratike e drejtuar nga Fa. S. Noli. Por reaksioni çifligar, i mbështetur nga trupat serbo-ruse e rrëzoi Qeverinë e Nolit dhe më 24 dhjetor 1924 në Tiranë u vendos regjimi i Ahmet Zogut. Kurse më 21 janar 1925 u shpall Republika e Shqipërisë me president Ahmet Zogun. Ndërsa më 1 shtator 1928 u shpallë Monarkia shqiptare, kurse Ahmet Zogu u kurorëzua mbret i Shqiptarëve.
Më 7 prill 1939 Italia fashiste, me 35000-40000 ushtarë, sulmoi dhe pushtoi Shqipërinë, pa ndonjë rezistencë të organizuar të Ushtrisë Shqiptare. Atdhetarët shqiptarë luftuan me armë në dorë në Durrës, Sarandë, Vlorë, shkodër etj. Mbreti Zog grabiti thesarin e shtetit dhe u largua nga vendi!
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar zuri fill me qëndresën popullore që në muajt e parë të pushtimit italian me demonstrata, protesta, greva, manifestime etj. Në mars 1941 u bë përpjekja e parë e Çetës së Myslim Pezës me fashistët italianë. Më 17 prill 1941, në Tiranë, Vasil Laçi shtiu me plumba mbi Perandorin italian Viktor Emanueli III. Organizatore dhe udhëheqëse e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare u bë Partia Komuniste e Shqipërisë (PKSH), e cila u themelua më 8 nëntor 1941. Lufta çlirimtare mori hov të madh me bashkimin e popullit rreth Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili u formua në Pezë më 16 shtator 1942. Pas çlirimit të Tiranës, më 28 nëntor 1944, Qeveria Demokratike u vendos në kryeqytet. Shqipëria u çlirua nga nazifashizmi.
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ishte njëkohësisht edhe revolucion popullor. Në Shqipëri u vendos diktatura e proletariatit dhe u krijuan rrethanat politiko-historike për të hyrë në rrugën e zhvillimit socialist. Me zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 u mblodh Asambleja Kushtetuese, e cila më 11 janar 1946 e shpalli Shqipërinë Republikë Popullore. Më 14 mars 1946 u miratua Kushtetuta e Republikës popullore të Shqipërisë dhe Asambleja Kushtetuese u kthye në Kuvend Popullor.
Qeveria Demokratike e Shqipërisë u pranua nga vendet e Lindjes, por nuk u njoh nga vendet e Perëndimit. Më 1948 u ndërprenë marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë. Më 28 maj 1955 Shqipëria hyri në bllokun ushtarak të Traktatit të Varshavës. Kurse më 14 dhjetor 1955 Republika Popullore e Shqipërisë u pranua anëtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në vitin 1961 Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, kurse më 13 shtator 1968 ajo doli edhe nga blloku ushtarak i Traktatit të Varshavës. Ndërsa më 29 korrik 1978 Shqipëria i ndërpreu përfundimisht marrëdhëniet edhe me Republikën Popullore të Kinës.

*****

Në vitet 1989-1990 u shemb sistemi socialist në Shqipëri nga lëvizja studentore dhe popullore. Partia e Punës ndërroi emrin në Partia Socialiste më 1992. Në vitin 1991 u themelua Partia Demokratike e Shqipërisë, si parti opozitare e Partisë së Punës në pushtet.
Kur erdhi dita për t'u çliruar nga skllavëria e errësirës, drita demokratike në vend që t'ua hapë sytë shqiptarëve të Shqipërisë, ajo bëri të kundërtën, ua verboi mendjen! Dhe u lëshuan si lukuni ujqërish, të "djathtë" e të "majtë", duke shkatërruar çka gjetën në këmbë mbi faqe të Atdheut! Disa nga urrejtta që ua kishte verbuar gjykimin, disa nga uria e skajshme për pasuri e pasurim me anë të grabitjes, vjedhjes e uzurpimit dhe shumë të tjerë nga hakmarrja personale dhe ideologjike brenda një kohe të shkurtër e bënë rrafsh me tokë Shqipërinë! Të gjitha fabrikat e uzinat, të gjitha shkollat e spitalet, kooperativat e brezaret me pemë,… gjithëçka që qëndronte në këmbë u shembën përdhe në emër të shembjes së "socializmit", duke harruar se të gjitha këto nuk ishin pronë individuale, partiake apo ideologjike, por ishin djersa dhe gjaku i popullit punonjës të Shqipërisë, ishte pronë e përbashkët shtetërore, kombëtare dhe popullore!
Në Shqipëri aktualisht nuk ka as pozitë as opozitë të mirëfilltë dhe të fuqishme me orientim të djathtë dhe demokratik properëndimor. Janë Partia e Ballit Kombëtar, Partia zogiste e Legalitetit dhe ndonjë partizë e vogël pa ndonjë ndikim të posaçëm. Kurse Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë që të dyja parti të majta, sepse burojnë nga ish-Partia e Punës e Shqipërisë. Gati të gjithë aleatët e Partisë Socialiste janë fraksione të Partisë Socialiste (me ndonjë përjashtim), kurse disa nga aleatët e Partisë Demokratike, në një mënyrë apo tjetër, janë fraksione të Partisë Demokratike. Por që të dyja aleancave koka u lidhet te ish-Partia e Punës e Shqipërisë, sepse atje e kanë bërë stazhin politik shumica e anëtarëve dhe liderëve të sotëm të shumicës së partive politike të Shqipërisë.
E gjithë grindja që bëhet ndërmjet Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, si dhe aleatëve të tyre, bëhet për shkak të marrjes së pushtetit dhe jo se ato dallohen për nga aspekti ideologjik apo programet e tyre politike, ekonomike e sociale. U krijuan shumë parti. E parti në Shqipëri do të thotë pushtet. E pushtet në konceptin e njerëzve të mësuar me përulje do të thotë vjedhje, korrupsion, përfitim e mirëqenie personale. Shumë parti do të thotë përçarje, kurse pushtet do të thotë grabitje. Kështu e kanë kuptuar deri më sot shqiptarët në Shqipëri demokracinë dhe sistemin shumëpartiak.
Që të dy taborret nuk kanë jo vetëm asgjë të përbashkët me djathtizmin (të cilin kurrë deri më sot nuk e përqafuan), por nuk kanë asgjë të përbashkët as me majtizmin (të cilin e braktisën që më 1992). Këto dy taborre, apo grupizime politike, më tepër u ngjajnë partive centriste, pra parti politike të qendrës djathtisto-majtiste. Kanë një ideologji të përzier dhe e përdorin atë sipas rastit. Para dite Partia Socialiste flet me sllogane të majta, kurse pas dite me parulla djathtiste. Të njëjtën gjë bën edhe Partia Demokratike, e cila para dite flet për antikomunizëm, kurse pas dite propagandon me teza të majta për barazi sociale,… etj.
Shqipëria nuk ka përfituar sa duhet nga koha e instalimit të demokracisë në vend. Gjendja ekonomike ende është shumë e dobët. Vendi vuan nga mungesa e ujit të pijshëm, nga rryma elektrike, nga papunësia e madhe, nga korrupsioni, nga krimi i organizuar,… dhe shumë probleme të tjera të kësaj natyre. Ngecje ka edhe në reformimin e sistemit legjislativ, të aprovimit të ligjeve demokratike në administratë, në drejtësi, në sistemin zgjedhor etj. Probleme të mëdha ekzistojnë në të gjitha fushat e jetës politike, ekonomike, shëndetësore, të arsimit, të infrastrukturës, të industrisë, të ekonomisë etj. Shkurt, Shqipëria është prapa vendeve tjera të rajonit në të gjitha fushat e jetës shtetërore, shoqërore e politiko-ekonomike.
E gjithë kjo ngecje është si rezultat i prapambeturisë dhe varfërisë së trashëguar nga sistemi i kaluar, si dhe nga organizimi i dobët, paaftësia për të përfituar nga ndryshimi i gjendjes, si dhe nga mosuniteti në mes partive në pushtet dhe partive në opozitë kur është në pyetje interesi kombëtar dhe zhvillimi i përgjithshëm shoqëror. Nga sistemi i kaluar populli shqiptar dhe klasa e sotme politike në Shqipëri kanë trashëguar, përveç të tjerave, dy gjëra të cilat bien më së shumti në sy - një të mirë dhe një të keqe:
1.E mira është arsimi e kultura e lartë që kanë marrë disa gjenerata me radhë nga sistemi shkollor i sistemit të kaluar deri në vitin 1990. Pra, shqiptarët e Shqipërisë janë shumë të ditur, të zgjuar, me tituj pedagogjikë e shkencorë, janë të mençur, të kthjelltë e të zhdërvjelltë. Klasa politike sot përbëhet nga një plejadë e tërë intelektualësh me arsimim të lartë, nga njerëz të ditur, të cilët njohin disa gjuhë të huaja dhe kanë përgatitje shkollore që të përballen në nivel europian me çdo diplomat apo qeveritar të huaj.
2.E keqja është se sistemi i kaluar, me mungesën e lirive dhe të drejtave njerëzore, si dhe me izolimin që përjetoi vendi për disa dekada me radhë, e la popullin shqiptar shumë prapa për nga zhvillimi ekonomik e industrial. E la popullin shqiptar në një varfëri të skajshme. Me ndërrimin e sistemit dhe hapjen e kufijëve, me njohtimin me realitetin e botës demokratike dhe nga krahasimi që bënë shqiptarët në mes tyre dhe fqinjve, e sidomos Europës, ata u tmerruan dhe u dëshpruan aq shumë nga ky dallim i thellë sa që u ”çmendën” nga inati e nga befasia, pësuan traumë dhe depresion psiqik e shpirtëror, pësuan "goditje" në tru e në zemër. Kjo ishte si rezultat i izolimit të gjatë, i varfërisë së thellë dhe i realitetit të hidhur në krahasim me vendet tjera europiane.
Arsimimi universitar, dituria e madhe, në njërën anë dhe varfëria e skajshme e realiteti i vrazhdë me të cilin u ndeshën shqiptarët e Shqipërisë me vendosjen e demokracisë në vend, shkaktoi një tjetërsim të tyre. Ata e humbën aksidentalisht vetëdijen kombëtare, ndjenjën e përgjegjësisë, ndërgjegjen njerëzore dhe dashurinë e nderimin për njëri-tjetrin dhe për Atdheun. Ata ”brenda natës” u shndërruan në nihilistë e mohues të Shqipërisë dhe në armiq të njëri-tjetrit. Filloi shpërngulja dhe ikja masive nga atdheu, duke mos zgjedhur rrugë e mjete, duke u mbytur me qindra nëpër dete. Vendin e dashurisë dhe të rrespektit për njëri-tjetrin e zëvendësoi një urrejtje patologjike, një armiqësi e pakufishme, e cila e ka çuar vendin disa herë afër luftës qytetare e vëllavrasëse, që shtetin e ka afruar disa herë buzë greminës dhe shkatërrimit total.
Varfëria që trashëguan ua ka terruar aq shumë sytë dhe vetëdijen njerëzore e kombëtare, sa që për t’u pasuruar sa më shpejtë dhe me çdo kusht, shqiptarët e Shqipërisë londineze dhe klasa politike e saj nuk zgjedhin mjete. Ata përdorin metoda nga më të ndryshmet, nga më antiligjoret, nga më kriminalet e çnjerëzoret. Për klasën politike shqiptare dhe një pjesë të konsiderueshme të popullit Paraja dhe Pasurimi u bënë ideali i tyre i vetëm, ”Zoti” i tyre i vërtetë, ”udhërrëfyesi” i tyre në punë dhe në jetë. Vrapimi pas parasë e pasurisë, sa më shpejt dhe me çdo kusht, e degjeneroi, e tjetërsoi dhe e zvetnoi shpirtin fisnik të shqiptarit e të klasës politike të Shqipërisë! Padyshim që tërë thelbi i prapësive në shoqërinë shqiptare konsiston në mungesën e moralit njerëzor te klasa politike udhëheqëse, te partitë politike dhe qeveritë e institucionet tjera të vendit. Fatkeqësisht e drejta morale, besa, sinqeriteti, ndërgjegjja,… janë nocione që në Shqipëri ende nuk njihen dhe nuk rrespektohen nga klasa politike dhe pushteti qendror, që nga Qeveria e Kuvendi dhe deri te institucionet vendore lokale.
Mjafton që të ndiqen me vëmendje seancat plenare dhe debatet në Kuvendin Popullor të Shqipërisë dhe grindjet, ofendimet, sjelljet prej rrugaçësh të shumë deputetëve dhe përleshjet e demolimet që i bëhen sallës së Kuvendit dhe do të shihni në ç’gjendje imoraliteti njerëzor ka rënë klasa politike shqiptare dhe sa është e ndërgjegjshme e kombëtare për misionin dhe detyrën që ka për të udhëhequr popullin dhe vendin drejt zhvillimit shoqëror, progresit dhe demokracisë europiane. Lufta e klasave, tani jo aq ideologjike sa politike, po vazhdon me tërë egërsinë e saj dezintegruese e përçarëse në rradhët e klasës politike dhe ndërmjet dy blloqeve politike: djathtistëve e majtistëve!

*****

Kjo gjendje e vështirë psiqike, shpirtërore dhe ekonomiko-politike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve të saj, ka ndikuar dhe ndikon negativisht në luftën e pjesës tjetër të shqiptarëve që jetojnë në trojet e Shqipërisë së okupuar Etnike. Shqipëria londineze e të gjitha kohërave, nga 1913 e deri më sot, kurrë nuk ka mundur dhe nuk i ka dhënë ndihmë reale dhe të nevojshme pjesës tjetër të kombit dhe pjesës tjetër të robëruar të Shqipërisë. Përveç ndihmës verbale, gojore e teorike dhe ndihmës së vogël humanitare, në raste shpërnguljesh dhe dëbimesh nga serbo-grekët, tjetër ndihmë për të qenë, për të mundur shqiptarët që të çlirohen shteti i Shqipërisë nuk u ka dhënë bashkëkombasve të vet.
Këto 100 vitet e fundit shteti shqiptar dhe Shqiptarët e robëruar nuk i kanë zhvilluar luftërat çlirimtare së bashku. Humbjet dhe fitoret i kanë pasur të ndara, personale. E kaluara e njëqint viteve të fundit të jetës, të zhvillimit politik, ekonomik, arsimor e kulturor ka qenë ndaras. Interesimi i klasës politike dhe një pjese bukur të madhe të shqiptarëve të Shqipërisë londineze për bashkim kombëtar është tejet i dobët, i pamjaftueshëm për të ndodhur një akt i tillë madhor që kërkon sakrifica të mëdha.
Rrofshin e qofshin vëllezërit e Shqipërisë londineze aty ku janë, por për të qenë gati për bashkim kombëtar ata duhet së pari të zhvillohen ekonomikisht dhe tek pastaj të ndërgjegjësohen për nevojën e bashkimit kombëtar, për çlirimin dhe bërjen e Shqipërisë Etnike. Për nga vetëdija kombëtare dhe gatishmëria për sakrifica për bashkim kombëtar, pjesa e kombit të robëruar të Shqipërisë Etnike është shumë më e lartë, më e gatshme dhe më e përgatitur, por si për luftë, si për bashkim duhen dy palë.
Shqipëria londinaze ende nuk është gati, as shpirtërisht, as kombëtarisht, as politikisht, as ekonomikisht, që të bashkohet me pjesën tjetër të Shqipërisë Etnike. Prandaj edhe nuk ka ndihmuar dhe nuk ndihmon konkretisht në luftën e shqiptarëve jashtë saj për çlirim dhe ribashkim kombëtar. Ajo kurrë nuk ka luajtur rolin e aktorit në zgjidhjen e çështjes shqiptare, por ka luajtur dhe luan rolin e spektatorit! Megjithatë, kohë më të mira do të vijnë edhe për shqiptarët dhe Shqipërinë londineze. Ajo tashmë e ka kaluar Rubikonin dhe, ndonëse tejet ngadalë, po marshon drejt demokracisë, ekonomisë, rimëkëmbjes dhe shqiptarisë.
Rrugët e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike nuk janë dy vija paralele që nuk takohen kurrë, por janë rrugë me kthesa e dredha të cilat herë takohen e herë ndahen, me synimin që një ditë historike të takohen dhe të bashkohen për të mos u ndarë më kurrë e përjetë. Perspektiva ekziston. Êndrra për Shqipërinë Etnike vazhdon.


KOSOVA (Shtet-Protektorat)

Qysh në kohën e hekurit Kosova ka qenë e banuar nga Ilirët dardanë, territori i së cilës ka qenë disa herë më i madh se territori i sotëm i saj. Emri ilir i Kosovës, nga antika e deri në fund të mesjetës, ka qenë Dardania. Kufijtë Dardanisë ilire fillonin në jug nga Dibra e Kërçova, vazhdonin drejt lindjes në Velesh e Kumanovë, ngjiteshin drejt veriut në Vranjë, arrinin në Nish (Naisus) dhe përfundonin lartë në Sanxhak. Pas pushtimit osman Dardania u quajtë Vilajeti i Kosovës dhe përfshinte pothuaj të njëjtat territore dardane.
Në gjysmën e dytë të shek.III p.e.sonë, në kuadër të mbretërisë hyri edhe Peonia dhe qyteti me rëndësi gjeo-strategjike Bylazora (Veleshi i sotëm). Kosova, duke përfshirë edhe territorin e Shkupit, përbënte hapësirën qëndrore të kësaj mbretërie.
Dardania kishte një pozitë të volitshme gjeografike dhe gjeostrategjike, që mundësoi krijimin e ndërlidhjeve me hapësirat fqinje dhe ato më të largëta. Territori i saj, duke u përshkuar nga luginat e lumenjve Vardar, Drin, Moravë, Ibër dhe Sitnicë, përbënte një udhëkryq të rrugëkalimeve të rëndësishme ballkanike që shpinin drejt Egjeut, Adriatikut dhe Detit të Zi.
Mbretëria Dardane doli në skenën historike në shek.IV p.e.sonë dhe u bë një prej faktorëve relevantë, politikë dhe ushtarakë në Evropën Juglindore gjatë shekujve III-I p.e.s. Shteti i Dardanisë, duke i bërë sfidë dominimit romak për një kohë të gjatë, ra nën pushtetin e Perandorisë Romake. dhe iu bashkangjit Provincës së Mezisë së Epërme (Moesia Superior) në vitin 44 të erës sonë. Mëvehtësia e dikurshme, që krijoi identitetin dardan dhe rezistenca e vazhdueshme, bënë që në vitin 279 të erës sonë të krijohej njësia e veçantë administrative-politike romake, Provinca e Dardanisë.
Mbretëria Dardane në shekujt III e II p.e.s. u shfaq në ngjarjet historike të Ballkanit si një formacion politik i fuqishëm dhe i rëndësishëm. Treva në të cilën u krijua kjo mbretëri ndodhej në zemër të Ballkanit dhe identifikohet me truallin në të cilin autorët antikë kanë vendosur fisin e madh ilir të dardanëve. Kjo trevë në kohën e lulëzimit të Mbretërisë së Dardanëve arrinte në veri deri në lumenjtë e Angros (Morava e Ibri) dhe te qyteti Nais, në kufirin me autariatët e skordiskët. Në jug ajo shkonte deri te rrjedha e lumit Aksios (Vardar), duke u kufizuar me Paioninë, Pelagoninë e Penestinë. Në lindje lumi Margos (Morava Perëndimore) e ndante Dardaninë nga Thrakia, kurse në perëndim lumi Drin e mali i Sharrit e kufizonin me truallin e shtetit ilir. Dardania e lashtë në vija të përgjithshme i përgjigjet krahinës së sotme të Kosovës.
Në Dardani jetonin një varg fisesh, por nga burimet e shkruara ngelën të njohur vetëm fisi i dardanëve, galabërve, daunëve dhe i thunatëve Pa dyshim, fisi i dardanëve, pas konsolidimit dhe fuqizimit të aristokracisë fisnore, në shekujt VI-IV p.e.s., mori rolin udhëheqës mbi bashkësitë fisnore duke i dhënë emrin mbretërisë. Në shek.V p.e.s. këto fise banonin në hapësirën midis lumenjve Axios (Vardar), Drilon (Drin), Margus (Moravë) dhe Timakus (Timok).
Etimologjia e emrit dardan, përkatësisht e Dardanisë, lidhet me glosën indoevropiane dardh -a, shqip: dardha, dhe do të thotë vendi i dardhave. Edhe qytetet antike dardane e përcjellin zhvillimin fonetik të shqipes, si Naissus-Nish, Scupi-Shkup, apo emrat e maleve e të lumenjve në Dardani, si Scardus mons (Mali Sharr), Drinus (Drini) etj.
Vilajeti i Shkupit, më vonë u quajt i Kosovës, ishte një ndarje administrative gjatë sundimit të Perandorisë Osmane. Krijimi i tij është bërë më 1873 i njohur si Vilajeti i Prizrenit, ku e kishte edhe qendrën. Në këtë kohë Vilajeti i Kosovës shtrihej në territorin e sotëm të Kosovës, në Sanxhakun e Dibrës, në Sanxhakun e Shkupit dhe në Sanxhakun e Nishit. Në veri dhe në veri-lindje kufizohej me Serbinë (me Pashallëkun e atëhershëm të Beogradit), në jug-lindje me Maqedoninë (me Vilajetin e atëhershëm të Selanikut), në jug me Vilajetin e Manastirit, në jug-perëndim me Vilajetin e Shkodrës, ndërsa në veri-perëndim me Malin e Zi dhe Bosnjën. Më 1877 Vilajeti i Kosovës shtrihej nga Dibra deri në Nish.

*****

Gjatë Luftës I Ballkanike Kosova u pushtua nga ushtritë e Serbisë dhe Malit të zi. Konferenca e Fuqive të Mëdha në Londër, më 1913, e njohu këtë pushtim. Ky okupim dhe aneksim i Kosovës nga shovenistët serbo-malazezë u konfirmua edhe nga Konferenca e Paqes në Paris më 1919, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Pasi më parë, më 1918 ishte formuar Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene dhe i ishte marrë shtetësia Malit të Zi, tani Kosova ishte koloni e këtij shteti të ri. Kurse në vitin 1929 ky shtet do të quhet Mbretëria e Jugosllavisë.
Populli shqiptar i Kosovës nuk u pajtua kurrë me pushtimin sllav dhe bëri rezistencë të pandërprerë të armatosur për çlirim dhe ribashkim kombëtar, sidomos gjatë viteve 1918-1924, i organizuar në Lëvizjen Kaçake, që udhëhiqej nga Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.
Në prill 1941, pas kapitullimit të Mbretërisë Jugosllave, Kosova dhe trojet tjera shqiptare nën Jugosllavi u ndanë midis pushtuesëve fashistë gjermanë, italianë e bullgarë.
Si të gjithë popujt tjerë të Jugosllavisë e të Ballkanit edhe populli shqiptar i Kosovës luftoi me armë në dorë kundër nazifashizmit italo-gjerman, për liri, pavarësi dhe barazi kombëtare, duke u rreshtuar nëpër çeta, batalione e briga partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës.
Si rezultat i luftës heroike të popullit të kosovës për çlirim kombëtar, më 31 dhjetor 1943 - 2 janar 1944 u mblodh në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës, Konferenca Themeluese e Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit. Konferenca miratoi njëzëri Rezolutën dhe Proklamatën, ku shprehej vendosmëria e popullit të Kosovës për të luftuar kundër pushtuesëve fashistë dhe klikave reaksionare të brendshme për të siguruar me luftë lirinë e vërtetë. Në këtë Rezolutë, ndër të tjera thuhej: "Kosova e Rrafshi i Dukagjinit asht nji krahinë e banueme në shumicë nga populli shqiptar, i cili si gjithmonë ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipninë".
Por udhëheqja e PKJ-së qysh në fillim të vitit 1944 i hodhi poshtë vendimet e Konferencës së Bujanit, duke i konsideruar ato vendime në kundërshtim me vendimet e Mbledhjes II të AVNOJIT të mbajtur më 29-30 nëntor 1943 në Jajcë të Bosnjës. Në këtë mënyrë edhe titistët jugosllavë, ashtu si edhe kralët serbë, shkelën mbi të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje dhe ribashkim kombëtar me Shqipërinë. Për ta mbajtur nën pushtim Kosovën, në shkurt të vitit 1945 u vendos pushteti i administratës ushtarake, kurse divizionet serbo-malazeze terrorizuan popullin, duke vrarë me mijëra shqiptarë.
Në fund të Luftës II Botërore, udhëheqja jugosllave, në kundërshtim me parimin e vetëvendosjes dhe të barazisë së popujve, vendosi (në prill 1945) që pjesën më të madhe të Kosovës t'ia aneksojë Serbisë, kurse pjesë tjera iu dhanë Malit të Zi dhe Maqedonisë. Kjo ndarje e Kosovës përfundimisht u sanksionua në gusht 1945. Kështu vazhdoi gjenocidi, terrori dhe shpërngulja me dhunë e shqiptarëve nga kosova nën presionin politik, policor dhe ushtarak të titisto-rankoviçistëve jugosllavë. Vazhdoi robëria mbi shqiptarët e të gjitha trojeve etnike shqiptare nën Jugosllavi.
Kosova nga viti 1913 dhe deri në vitin 1941 ishte një krahinë shqiptare e okupuar nga Serbia e kralëve. Nga viti 1945 e deri në vitin 1968 Kosova ishte një obllast serbo-maqedono-malazez e sunduar nga titisto-rankoviçistët jugosllavë. Nga viti 1968 e deri në vitin 1989 Kosova ishte Krahinë Autonome e RSFJ-së titiste. Nga viti 1989 e deri në vitin 1999 ishte krahinë e pushtuar nga Serbia millosheviçiane.
Pas heqjes së Autonomisë së Kosovës nga Serbia, më 1989, Kuvendi i Kosovës, korrik 1990, shpalli Deklaratën për Pavarësi. Në të njëjtin vit, më 7 shtator 1990, në Kaçanik u mblodh Kuvendi i Kosovës, i cili miratoi Kushtetutën dhe e shpalli Republikën e Kosovës. Më 26-30 shtator 1991 u mbajtë Referendumi Popullor për Pavarësinë dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës. Dhe më 24 maj 1992 u organizuan zgjedhjet e para shumëpartiake për zgjedhjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjet për President të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe, 1990-1999, në Kosovë ka vepruar pushteti paralel i shqiptarëve dhe ai i serbëve, të cilët nuk e kanë njohur njëri-tjetrin, por ajo çka është më keq, Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj nuk i ka njohur faktori politik ndërkombëtar.
Përveç të tjerave, kthesën historike për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës e kanë bërë demonstratat e mars-prillit të vitit 1981 dhe lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e udhëhequr nga Kryekomandanti i saj legjendar Adem Jashari me shokë. Si rezultat i luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe intervenimit ushtarak të Aleancës Ushtarake Veri- Atlantike të NATO-s kundër Serbisë, Kosova nga 12 qershori 1999 është një vend i lirë, është Protektorat i OKB-ës, e qeverisur nga UNMIK-u në bashkëpunim me institucionet vendore.

*****

Kosova e Pavarur apo Shtet-Protektorat është një ndër krahinat më të mëdha dhe më të rëndësishme të Shqipërisë Etnike. Shtrihet në jugperëndim të Ballkanit. Në veri kufizohet me Serbinë. Në lindje me Kosovën Lindore. Në jug me Maqedoninë dhe në perëndim me Shqipërinë dhe Malin e Zi. Por faktikisht, edhe shteti-protektorat i Kosovës, ashtu si edhe Shqipëria londineze, nga të gjitha anët kufizohet me vetveten, apo me troje shqiptare. Kështu, në veri kufizohet me Sanxhakun dhe Toplicës (dy krahina shqiptare), në lindje kufizohet me Kosovën Lindore, kurse në jug kufizohet me Iliridën. Në perëndim Kosova kufizohet me Shqipërinë, kurse në veriperëndim kufizohet me Malësinë e Madhe.
Tani që Kosova po bëhet Shtet (nëse bëhet), ajo në rrafshin e brendshëm duhet të orientohet në zhvillimin sa më të shpejtë e të hovshëm ekonomik, kurse në rrafshin e jashtëm politik, ajo duhet të angazhohet në dhënien e ndihmës morale e materiale shqiptarëve të Malësisë së Madhe, Sanxhakut e Kosovës Lindore që ata, fillimisht, të fitojnë Autonominë Politiko - Territoriale. Kurse shqiptarëve në Maqedoni t'u ndihmojë në formimin e Republikës së Iliridës. Kosova duhet t'ua kthej borxhin moral e kombëtar këtyre shqiptarëve dhe këtyre trevave shqiptare, të cilat kanë ndihmuar jo pak ekonomikisht dhe ushtarakisht për çlirimin dhe bërjen shtet të Kosovës.
Bëhet apo nuk bëhet Kosova Shtet sovran dhe i pavarur, për luftëtarët e ribashkimit kombëtar pak rëndësi ka, lufta për bërjen e Shqipërisë Etnike vazhdon dhe do të vazhdojë deri në realizimin e plotë të idealit dhe të aspiratës mijëravjeçare të popullit tonë për një shtet të lirë e të bashkuar kombëtar.


ILIRIDA

Ilirida - Shqipëria Verilindore ose Maqedonia Perëndimore, ka qenë e banuar që në periudhën më të lashtë parahistorike, të Neolitit, nga popullsi bartëse të Kulturës Mediterane. Më vonë, nga kjo popullsi parahistorike u formuan Pellazgët dhe fiset Ilire, të cilët në Iliridë, përveç tjerash, ndërtuan edhe këto qytete historike: Oeneu (Tetova), Draudaku (Gostivari) dhe Uskana (Kërçova) të cilët banosheshin nga fisi Ilir i Penestëve. Linkestët dhe Enkelejtë banonin rreth qyteteve Strugë dhe Ohër (Lyhnidis). Kurse pjesa veriore e Maqedonisë, Shkupi (Scupi), Kumanova, etj., ka qenë e banuar nga fiset ilire të Dardanëve dhe Paionëve.
Në Enciklopedinë serbe theksohet: "Maqedonia në periudhën antike ishte shtet i pavarur, i banuar me fise iliro-thrakase, nga maqedonasit iu dha emri MAQEDONI". Më poshtë thuhet: "Shtrihej rreth brigjeve të Detit Egje. Në histori është njohur me emrin Maqedonia, me kryeqytet Selanikun. Më vonë Filipi II, i ati i Lekës së Madh, i zgjeroi kufijtë në Veri. Kjo njihej me emrin Maqedonia II, me kryeqytet Stobi (Shtipi). Kufiri i Maqedonisë II shtrihej deri te lumi Astibo dhe rrjedha e poshtme e lumit Erigon". (Malla Enciklopedija, Prosveta, Beograd, 1978, f .461).
Pra, siç shihet, Maqedonia asnjëherë nuk është shtrirë në veri të lumit Erigon (Crna Reka), dhe se në perëndim asnjëherë nuk e ka pasur territor të saj Maqedoninë e sotme Perëndimore. Ata ishin të banuara me fiset tjera ilire, si: dardanët, paionët, lynkestët, penestët, enkelejtë etj. Këtë e dëshmojnë edhe gërmadhat e vendbanimeve të vjetra dhe objektet e shumta arkeologjike të zbuluara anekënd hapësirës së Maqedonisë së sotme.
Kurse, sa iu përket maqedonasve pellazgo-ilirë, një historian do të theksonte: ”Herët u paraqitën në histori dhe shumë herët u zhdukën”. Kjo tregon, se maqedonasit antikë nuk patën jetë të gjatë në histori. Në shek. III p.e.s nuk u dëgjuan më fare, ndërsa Leka i Madh vazhdoi të "veprojë" në arenën historike. Ai bëri bujë dhe la gjurmë të thella në histori. Edhe sot është i pranishëm në lëminë e historisë. Për të dihet se është i biri i Filipit II e i nënës Olimpi dhe se mësues e ka pasur Aristotelin (aristokrat Telin, filozof ilir). Leka i Madh ishte kushëri i Pirros së Epirit. Që në moshë 6 vjeçare mbet jetim dhe e mori në mbrojtje dhe e rriti mbreti i Taulantëve, Glauku, i cili më pas i ndihmoi që të bëhet mbret i Maqedonisë. Çka është me rëndësi, Leka i Madh, ishte mbret i Maqedonisë prej v. 336 deri në v. 323 p.e.r., pra, deri në vdekjen e tij. Përkatësinë etnike maqedonase, askush nuk mund ta injorojë, prandej edhe quhet Leka i Maqedonisë (Aleksandri i Maqedonisë).
Pra, më mirë do të ishte që historianët dhe politikanët sllavo-maqedonas të mos merren me kuazishkencë, sepse kjo sjell huti brenda vetë popullit sllavo-maqedonas. Përpjekjet e tyre që të jenë pasardhës të një populli të stërlashtë, me të cilin mburret historia antike dhe historia më e re, janë pretendime të kota, sepse nuk munden të jenë edhe sllavo-maqedonas edhe maqedonas antikë. Nuk munden të jenë në të njëjtën kohë edhe sllavë edhe ilirë, sepse maqedonasit e Lekës së Madh kanë jetuar në një hapësirë dhe në një kohë krejtësisht tjetër. Fisi i Maqedonëve të Lekës së Madh ka qenë fis pellazgo-ilir. Këtë e dëshmojnë vetë historianët dhe filozofët helenë (grekë) të asaj kohe, duke i quajtur Maqedonët, ashtu si edhe Ilirët, fise "barbare", pra fise të huaja, jo greke, që nuk kishin gjuhën dhe etninë e tyre.

*****

Shteti që sot zyrtarisht quhet Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM), për herë të parë si gjysmështeti, si Republikë e ish-Federatës Jugosllave, u konstitua në vitin 1945.
Republika e Maqedonisë u nda nga ish-Federata Jugosllave pas mbajtjes së Referendumit të 8 shtatorit 1991, duke shpallur po atë vit edhe pavarësinë shtetërore. Ende pa përmbushur kushtet e parashtruara nga Komisioni i Badinterit u bë njohja e Maqedonisë si shtet i pavarur, dhe më 1993 ajo u pranua anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Me gjithë njohjen e saj si shtet i pavarur nga OKB-ja, Republika e Maqedonisë (apo zyrtarisht: IRJM - FYROM) ende ka shumë probleme të pazgjidhura me fqinjët e saj.
Kështu, Bullgaria nuk ia njeh kombësinë (etninë), duke pretenduar se në Maqedoni ka vetëm pjesë të kombit bullgar e jo ndonjë komb maqedonas. Greqia nuk ia njeh as etninë, as emrin shtetit sllavomaqedonas, duke pretenduar se ajo është e vetmja "trashëgimtare" e emrit antik "Maqedon dhe Maqedoni". Serbia Maqedonisë nuk ia njeh pavarësinë e Kishës Ortodokse Maqedonase, duke tentuar që ta mbajë gjithmonë nën sqetullën e saj këtë kishë. Kosova nuk ia njeh kufijtë Maqedonisë, sepse Serbia mbolli "mollën e sherrit" midis dy vendeve kur ia dhuroi Maqedonisë një pjesë të madhe të tokës së Kosovës. Republika e Shqipërisë e njeh Maqedoninë si shtet të pavarur e sovran dhe nuk ka probleme ndërshtetërore me të, por populli shqiptar i Iliridës nuk e njeh Maqedoninë si shtet të vetin, sepse nuk është i barabartë me popllin sllavo-maqedonas, sepse nuk është popull shtetformues në këtë republikë.

*****

Pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE, kjo parti dhe qeveria e saj përpiloi një program pune ku pjesën më të madhe të këtij programi e përbën problemi ekonomik dhe zgjidhja e këtij problemi. Kurse problemi politik lihet nën hije të ekonomisë. Çështjet e pazgjidhura etnike, implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit etj., lihen në plan të dytë, edhepse ato janë problemet numër një me të cilat përballet shteti i Maqedonisë. Në këtë mënyrë qeveria e VMRO-s po ikë nga problemet e mprehta reale politike dhe shkon e fshihet pas problemeve ekonomike, të cilat poashtu janë të mëdha dhe duan zgjidhje urgjente, por jo në kurriz të problemeve etnike dhe të pabarazisë ligjore ndërmjet etnive.
Duhet theksuar se, në mars-prill të vitit 2001, Kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë kërkoi ndarjen e saj, por shqiptarët nuk e pranuan këtë tezë, sepse Kryeministri i atëhershëm sllavomaqedonas u jepte shqiptarëve vetëm dy-tre komuna të këtij shteti, kurse pjesën e ”luanit” të trojeve shqiptare të Iliridës propozonte ta mbante për vete! Kurse në maj të po atij viti (2001), kur UÇK kishte shti në dorë luginën e epërme të Vardarit dhe ishte afruar te portat e Shkupit, Kryeministri u tërhoq nga ideja dhe ngarkoi Akademinë e Shkencave të Maqedonisë për ta elaboruar më tej tezën e ndarjes së saj. Nuk vonoi shumë dhe gazeta Veçer e datës 25 maj 2001 botonte hartën e ndarjes së Maqedonisë. Ky skenar jorealist e antishqiptar nuk u realizua atëherë, por skenari vazhdon të qëndrojë në sirtarët e kësaj partie sllavomaqedonase.
Sllavomaqedonasit VMRO-istë duan ta ndajnë Maqedoninë, por faji përballë Europës dhe botës ”duhet” t’u mbetet Shqiptarëve, që ne të etiketohemi e anatemohemi nga faktorët politik relevantë ndërkombëtarë si ektremistë, nacionalistë, separatistë, paqeprishës,… deri edhe terroristë! Por, faktikisht dhe historikisht, Maqedoninë (ta quajmë kushtimisht) Etnike e kanë ndarë vetë ideologët sllavomaqedonas të VMRO-së së shekullit të kaluar: Jane Sandanski (nga Maqedonia e Pirinit), Goce Dellçevi (nga Maqedonia e Egjeut), Nikolla Karevi, etj., të cilët nuk luftuan në koalicion me shqiptarët e Hasan Prishtinës për të krijuar Shqipërinë Etnike dhe Maqedoninë Etnike, por luftuan për të pushtuar sa më shumë territore të Shqipërisë Etnike në prag të shekullit të kaluar. Prandaj tani Maqedonia sllavomaqedonase e Pirinit gjendet nën Bullgari, kurse Maqedonia sllavomaqedonase e Egjeut gjendet nën Greqi. Dhe jo vetëm kaq, por politika antishqiptare e VMRO-së së sotme moderne dhe e të gjitha partive tjera politike sllavomaqedonase ende vazhdon me avazin e vjetër. Ata me ngulm po përpiqen të mbajnë të pushtuara tokat shqiptare të Shqipërisë Etnike (Iliridën) dhe po vazhdojnë të injorojnë të vetmit aleatë të tyre natyrorë në Ballkan – Shqiptarët, me të cilët i bashkon idea për krijimin e Shqipërisë Etnike dhe Maqedonisë Etnike. Dhe Maqedonia Etnike e tyre nuk shtrihet në tokat shqiptare të Iliridës, por gjendet në Bullgarinë e Pirinit dhe në Greqinë e Egjeut, si dhe në Maqedoninë e sotme juglindore (rrjedha e poshtme e Vardarit).
Sllavomaqedonasit dhe Shqiptarët kanë të përbashkët të njëjtin pushtues shovenist – Greqinë, por këtë fakt pushtetarët sllavomaqedonas të Shkupit nuk e marrin parasyshë dhe vazhdojnë të armiqësohen më tej me Shqiptarët, duke mos qenë të vetëdijshëm se në këtë mënyrë ata po godasin, më shumë se Shqiptarët, vetveten dhe çështjen e tyre kombëtare. Me apo pa "aleatët" sllavomaqedonas, kombi shqiptar do të vazhdojë rezistencën dhe luftën e tij për bërjen e Shqipërisë Etnike.
Mosimplementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit dhe vazhdimësia e diskriminimit të shqiptarëve të Iliridës nga pushtetmbajtësit sllavomaqedonas të Shkupit, vetëm se do ta shpejtojë ndarjen dhe shpërbërjen e Republikës së sotme të Maqedonisë (IRJM-FYROM). Dhe faji do të rëndojë mbi ta, sepse bota demokratike nuk është as e verbër e as naive që të mos e identifikojë fajtorin e kësaj ndarjeje.

*****

Republika e Maqedonisë është shtet unitarist multietnik, ku pushteti ushtrohet nga lart – poshtë, dhe ku sundon etnia sllavomaqedonase mbi etninë shqiptare dhe mbi pakicat tjera kombëtare. Ky lloj pushteti etnocentrist është burim i konflikteve të vazhdueshme ndëretnike. Multietniciteti i shtetit është njëherit dhe pasuri e atij vendi, por vetëm kur bëhet decentralizimi i pushtetit qendror, kur pushteti dhe të drejtat e qytetarëve ushtrohen nga poshte-lartë. Kjo formë e qeverisjes bën të mundur që etnitë dhe pakicat e ndryshme që nuk kanë etni, gjuhë, fe e as tradita të përbashkëta, megjithatë mund të bashkëjetojnë në paqë dhe harmoni ndëretnike në një shtet të tillë ligjor.
Gjithë kohën ka pasur premtime të pushtetit maqedonas se do t’i plotësojë kërkesat dhe të drejtat e shqiptarëve, por nuk i ka plotësuar kurrë. Poashtu tërë kohën, sidomos gjatë fushatave elektorale, ka pasur premtime të partive shqiptare për zgjedhësit shqiptarë se do t’i avansojnë të drejtat e tyre kombëtare, se do t’i përmbushin kërkesat e tyre politike, kombëtare, ekonomike, të arsimit etj., por kur kanë hyrë në qeverisje nuk i kanë mbajtur premtimet. E gjithë politika e sllavomaqedonasve dhe e partive shqiptare është ndërtuar dhe është zhvilluar mbi premtime gojore dhe shumë pak gjëra janë të shkruara e të inkorporuara në ligj. Edhe ato të drejta të sanksionuara në kushtetutë dhe ligjet e shtetit nuk janë realizuar fare ose tepër pak në praktikë.
Çdo shtet jodemokratik njëherit është edhe ilegjitim për etninë që shtypet e shfrytëzohet politikisht dhe ekonomikisht. Pjesëmarrja e partive politike të etnive tjera në Parlament dhe në Qeveri, pa përmbushur standardet demokratike, pa rrespektuar dhe zbatuar marrëveshjet paraprake dhe ligjet në fuqi, nuk e bën një shtet legjitim. Përfaqësuesit e shqiptarëve në pushtetin maqedonas, deputetë apo ministra, deri më sot kanë shërbyer vetëm si dekor dhe për të legalizuar pushtetin e sllavomaqedonasve karshi botës. Pushteti legal kur është jodemokratik, ai automatikisht është pushtet ilegjitim, i paligjshëm dhe i papërfillshëm nga etnia apo pakicat që janë objekt i padrejtësive të pushtetit legal.
Shqiptarët në Maqedoni, që nga viti 1945 e deri më sot, nuk kanë qenë të barabartë me sllavomaqedonasit, prandaj kurrë nuk e kanë pranuar atë si shtet të vetin, sepse janë nëpërkëmbur e diskriminuar vazhdimisht nga të gjitha qeveritë e Shkupit. Për këtë shkak, më 24 mars 1990 shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni e shpallën Iliridën Republikë Autonome, por nuk e vazhduan punën e mëtejshme për jetësimin e saj në vepër! Kurse në pranverë të vitit 2001 shqiptarët e Iliridës iu bashkangjitën thirrjes së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) për luftë nacionalçlirimtare dhe ndarje nga Maqedonia.

*****

Asnjë marrëveshje nuk mund të ketë karakter të përjetshëm. Ajo, çka është edhe më keq, Marrëveshja e Ohrit as nuk është implementuar në tërësi as edhe pas kaq vitesh të përpilimit të saj. Kjo Marrëveshje është shumë e vështirë që të implementohet në tërësi, sepse kundër saj ka qenë gjysma e popullit sllavomaqedonas. Këtë e dëshmoi edhe Referendumi Popullor i 7 nëntorit 2004, i organizuar nga partia aktuale në pushtet - VMRO-DPMNE, ku rreth 445.000 qytetarë sllavomaqedonas votuan kundër Marrëveshjes së Ohrit!
Marrëveshja e Ohrit është Marrëveshje për ekzistencën e Maqedonisë, ajo nuk është marrëveshje vetëm e shqiptarëve, por edhe e sllavomaqedonasve. Prandaj pushtetarët VMRO-istë të Shkupit janë të obliguar që ta implementojnë atë deri në shkronjën e paragrafin e fundit tä saj, nëse nuk duan shpërbërjen apo ndarjen e Republikës aktuale të Maqedonisë.
Marrëveshja e Ohrit ka luajtur rolin historik të ndërprerjes së luftës dhe tani është obligim i të gjitha forcave politike që të angazhohen për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe ende të pazgjidhura politike e kombëtare në Maqedoni. Një gjë e tillë mund të realizohet vetëm përmes një dialogu konstruktiv, ku hiqen “temat tabu” dhe me ndihmën e forcave demokratike ndërkombëtare të gjenden format dhe mënyrat e zgjedhjes së problemeve pa gjakderdhje të reja. Republika Shqiptare e Iliridës ende është opcion politik dhe kombëtar i popullit shqiptar të Iliridës.
Si duket pushteti maqedonas nuk ka mësuar asgjë nga konflikti ushtarak shqiptaro-maqedonas i vitit 2001! E meta e historisë është se ajo, në një formë apo në një tjetër, përsëritet. Historia përsëritet kur njerëzit, partitë politike apo pushtetet shtetërore nuk mësojnë apo nuk duan të mësojnë asgjë nga ngjarjet historike. Dhe atëherë historia përsëritet, por përsëritet me një egërsi, intenzitet dhe përmasa shumë më të mëdha se sa herën e kaluar.
Prandaj, si dje edhe sot, Maqedonia po përballet me konflikte të hapura e të fshehura ndëretnike. Ky shtet nuk është demokratik dhe si i tillë nuk ka të ardhme. Ardhmëria e Maqedonisë qëndron vetëm në decentralizimin demokratik të pushtetit qendror, i cili shprehet përmes konceptit të demokracisë konsensuale, autonomisë rajonale, federatës apo konfederatës. Dhe rruga tjetër është vetëvendosja demokratike e popullit shqiptar të Iliridës, përmes Referendumit Popullor dhe ndarja e tij nga Maqedonia, duke formuar shtetin e ri - Iliridën, me të drejtë bashkimi me Shqipërinë ose Kosovën.
Përndryshe, Ilirida është Shqipëri Verilindore, e banuar në masën 90% nga shqiptarët autoktonë pellazgo-ilirë që nga antika dhe deri në ditët tona. Kurse në nivel republikan Shqiptarët përbëjnë rreth 45% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së Maqedonisë.
Ilirida është pjesë integrale e Shqipërisë Etni

KOSOVA LINDORE

Krahina shqiptare e Kosovës Lindore është skaji më veri-lindor i Shqipërisë Etnike dhe shtrihet në drejtimin veri-jug, duke filluar nga qyteti i Medvegjës, nëpër Bujanoc, vazhdon në Preshevë dhe mbaron në kufi me Maqedoninë në jug. Në perëndim kufizohet me Kosovën, në veri kufizohet me krahinën e Toplicës, kurse në lindje me Bullgarinë.
Kosova Lindore shtrihet në zonën lindore të Dardanisë antike, me një sipërfaqe tokësore prej 1249 km2 dhe 139 vendbanime. Është e banuar me rreth 100.000 banorë, prej të cilëve mbi 90% janë shqiptarë.
Kosova Lindore banohet nga popullsia shumicë shqiptare dhe qysh në Antikë ka bërë pjesë në territorin e Dardanisë. Para dhe gjatë okupimit romak Kosova Lindore, së bashku me Kosovën Qendrore dhe Kosovën Jugore (Iliridën apo Maqedoninë e sotme veri-perëndimore), bënte pjesë në kuadër të provincës ilire të Dardanisë. Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy shtete: Perëndim - Lindje, Kosova Lindore ngeli nën okupimin e Perandorisë së Lindjes, që tani mori emrin Bizant.
Kur filloi dyndja e fiseve barbare, nëpër këtë krahinë kaluan: kazarët, peçenjegët, kumanët (nga rrjedh emri i Kumanovës), avarët dhe sllavët, të cilët erdhën nga diku prapa Karpateve, dhe në shekullin VII u vendosën në Gadishullin Ballkanik. Në shekullin X Kosova Lindore ra nën sundimin bullgar. Në atë kohë mbreti i Bullgarisë, Simeoni, e pushtoi Rashkën, selinë e Serbisë mesjetare.
Në shekullin XIII Kosova Lindore ra nën sundimin e mbretit serb të Rashkës, Millutinit, i cili më 1283 pushtoi Shkupin. Në kohën e sundimit të Stefan Dushanit, i cili më 1346 u kurorëzua në Shkup perandor, duke pushtuar tokat: shqiptare, greke e bullgare, u krijua shteti i madh feudal serb. Pas vdekjes së car Dushanit, shtetin ekspansionist serb, feudalët separatistë e shpartalluan. Në vitin 1371 komandanti i ushtrisë turke, Lala Shahin pasha në betejën te lumi Marica, në Bullgari, e mundi ushtrinë e koalicionit ballkanik.
Emri iliro-dardan i Preshevës ka qenë Presiana. Presheva për herë të parë, pas kohës ilire, përmendet më 1381. Turqit e quanin Preshova, që në përkthim do të thotë Fusha e Preshëve.
Në Kosovën Lindore turqit erdhën në vitin 1455. Prej atëherë deri në vitin 1912 Kosova Lindore ka qenë nën administrimin e sanxhakut të Prishtinës.
Kosova Lindore gjithmonë ka qenë pjesë e pandarë e Vilajetit të Kosovës. Pas Kongresit të Berlinit, më 1878, kufiri midis Vilajetit të Kosovës dhe Serbisë kalonte nëpër Ristoc, përgjatë Bujanocit dhe Vrajës. Njohja e kufirit të Serbisë në këtë periudhë mbi trojet shqiptare të Toplicës deri në afërsi të Nishit, pati për pasojë gjenocidin e vërtetë mbi shqiptarët e këtyre viseve nga shteti serb, me ç’rast u shpërngulën mbi 700 fshatra shqiptare, u shpronësuan, u vranë dhe u ndoqën familjet shqiptare.
Në Kuvendin Kombëtar nga i cili doli Lidhja Shqiptare e Prizrenit më 1878 morën pjesë edhe disa delegatë nga kjo trevë.
Me rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 ishin të pranishëm edhe disa luftëtarë të Idriz Seferit nga Presheva, Bujanovci, Kumanova dhe Gjilani.
Gjatë Luftës së Parë Ballkanike, 1912-1914, Kosova Lindore pësoi keq prej pushtuesve sllavë. Gjatë Luftës së Parë Botërore, 1914-1918, ishte nën okupimin gjermano-austro-hungarez dhe atë bullgar.
Pas mbarimit të luftës, që nga viti 1918-1929 ra nën sundimin e shtetit të quajtur Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, që ishte një krijesë artificiale e Konferencës së Versajës të vitit 1919 dhe bënte pjesë në krahinën e Zhupës me seli në Shkup.
Kurse nga viti 1929 deri në vitin 1941 Kosova Lindore ishte nën administrimin e Banovinës së Vardarit me seli në Shkup, të shtetit tani të quajtur Mbretëria Jugosllave.
Më 1945, kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore, Kosova Lindore përjetoi edhe një ndarje tragjike. Ajo, arbitrarisht, u shkëput nga Kosova dhe iu bashkangjit Serbisë.
Kosova Lindore ka një pozitë specifike gjeostrategjike, e cila lidhë luginën e Moravës me luginën e Vardarit, nëpër të cilën kalon arterja rrugore shumë e rëndësishme ekonomiko-politiko-ushtarake, automobilistike dhe hekurudhore e Siujdhesës Ballkanike në drejtimin veri-jug: Beograd - Nish - Shkup - Selanik – Athinë.
Për këtë shkak, pas Luftës II Botërore, Serbia këtë krahinë shqiptare, me rëndësi të veçantë jetike, e ndërroi me Leposaviqin dhe me Zubin Potokun, të banuara me serbë. Pra këto dy komuna ia dha Kosovës, e prej saj e ndau dhe mori për vete vendin më të vlefshëm, pjellorë e gjeostrategjik – Kosovën Lindore.

*****

Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës - Kosova Lindore, me Referendumin Popullor të mbajtur më 1 dhe 2 mars 1992, u deklaruan për Autonomi Politike e Territoriale me të drejtë ribashkimi me Kosovën, por nuk i qëndruan besnik këtij referendumi dhe nuk punuan për zbatimin në praktikë të tij. Nuk bëri punë dhe nuk solli asnjë përparim e përmirësim politiko-ekonomik as lufta e UÇPMB-së dhe Marrëveshja e Konçulit e 12 marsit 2001.
Si në të gjitha trevat shqiptare, edhe në Kosovën Lindore pas shembjes së sistemit njëpartiak u formuan shumë parti politike, të cilat nuk i kanë sjellë deri më tani ndonjë dobi të madhe kësaj krahine. Nuk mund të quhet demokraci as atdhetarizëm, por është bajraktarizëm, karrierizëm, egoizëm e marrëzi formimi i 7-8 partive politike në tri komunat e vogla të Kosovës Lindore!
Paria politika e Kosovës Lindore bëri edhe një gabim të madh politik, historik e kombëtar kur ia ndërroi emrin vendit nga Kosova Lindore në "Lugina e Preshevës", duke mohuar kështu edhe faktin se është pjesë e shkëputur me dhunë nga Kosova. Emërtimi i vendit Kosova Lindore filloi të përdoret menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore kur Serbia e ndau këtë territor nga Kosova dhe ia bashkangjiti me dhunë ushtarako-policore shtetit serb. Dhe për të treguar se kjo krahinë ishte dhe është pjesë përbërse e Kosovës, banorët dhe politikanët kombëtarë, historianët dhe të tjerët e emërtuan vendin si Kosova Lindore.
Sipas onomastikës, emri i vendit, i tokës, trevës apo krahinës është tapia e një vendi. Nuk ka dështim më të madh se të heqësh dorë nga emëri i vendit, që dëshmon tapinë e pronësisë historike dhe etnike, siç ka ndodhur dhe po ndodhë aktualisht me heqjen e emërit të vendit Kosovë Lindore dhe futjen e konceptit me kuptim gjeografik "Luginë", përkatësisht "Luginë e Preshevës”. Vetë emri Kosovë Lindore nënkupton se ky vend është pjesë integrale, por e shkëputur, e Kosovës dhe rrjedhimisht duhet të bashkohet me të.
Por ajo që është edhe më paradoksale dhe që nuk do asnjë koment, është fakti se paria politike e Kosovës Lindore organizoi në mars 1992 një goxha Referendum, përmes të të cilit populli i kësaj ane u deklarua për Autonomi Politike e Territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën, kurse po në këtë dokument të këtij farë referendumi u hoq emri i vendit: Kosovë Lindore dhe u zëvendësua me emrin "Luginë e Preshevës"! Pra, hipokritët politikë të kësaj krahine në njërën anë deklarohen "për bashkim me Kosovën", kursen në anën tjetër nuk duan ta quajnë veten Kosovarë dhe vendin e tyre Kosovë Lindore! Pra, de facto, janë kundër këtij bashkimi! Kjo është një demagogji e tejdukshme, një antishqiptarizëm i hapur dhe një veprimtari e dënueshme antikombëtare.
Aspak më mirë nuk vepruan luftëtarët e lirisë të UÇPMB-së, të cilët e pranuan në heshtje këtë ndërrim emri të krahinës nga paria politike, duke mos e emruar Ushtrinë me emrin kombëtar: Ushtria Çlirimtare e Kosovës Lindore, por e emëruan me një vargan të tërë emrash e germash, si UÇPMB! Kjo vërteton shkurtpamësinë dhe mungesën e pjekurisë politike dhe kombëtare të udhëheqjes së kësaj Ushtrie.
Në këtë mënyrë, si paria politike, ashtu edhe paria ushtarake, hoqën dorë nga tapia për vendin e tyre dhe nga e drejta legjitime për bashkim natyror me Kosovën, sepse deri më 1992 ata ishin vetë Kosova, pjesë e trungut të Kosovës, me emër e mbiemër. Me vetëdije apo pa vetëdije ata e flakën tej konceptin dhe emrin Kosovë Lindore, emër i cili për dekada me rradhë kishte hyrë në Abetare, në librat shkollorë e studimorë, në librat e historisë, të etnografisë dhe të gjeografisë. Si Kosovë Lindore kishte hyrë në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, në vetëdijen dhe ndërgjegjen e gjithë kombit shqiptar.
Koncepti gjeopolitik e antikombëtar “Lugina e Preshevës” do të përligjësohet veçanërisht me Marrëveshjen e Konçulit, më 12 mars 2001 dhe me rastin e formimit të të ashtuquajturit Këshillit Koordinues të Përfaqësuesve Politikë Shqiptarë të Luginës së Preshevës, më 1 gusht 2002.
Nga vetë përmbajtja e konceptit gjeopolitik të mësipërm del qartë se shqiptarët, pikërisht bajraktarët e tyre në rend të parë, kanë hequr dorë nga argumenti i prekshëm i tapisë së vendit. Koncepti “Kosovë Lindore” ngërthente në vete këtë tapi të pronësisë, kurse koncepti “Lugina e Preshevës” nuk tregon përkatësinë e tapisë. Ajo mund t’i takojë, dhe do t’i takojë atij vendi dhe atij kombi që është më i forti. Duhet gjak tjetër që t’i rikthehet tapia e vendit amë, Kosovës, sepse liderët e saj politikë e luftarakë kanë hequr dorë nga tapia e saj historike dhe etnike kosovaro-shqiptare!
Partitë politike të Kosovës Lindore zhvillojnë një politikë jo serioze. Ata herë e njohin herë nuk e njohin si shtet të tyre Serbinë, herë dalin herë nuk dalin në zgjedhjet e shtetit serb! Është patriotike të mos e njohish Kushtetutën e Serbisë, por është papjekuri politike dhe paradoksale që të dalësh në zgjedhjet serbe të organizuara në bazë të po asaj Kushtetute! Disa parti shqiptare të Kosovës Lindore nuk kanë një politikë stabile dhe parimore kombëtare. Por për këtë akt ato nuk janë të vetme, sepse fajin kryesor e kanë qendrat e politikës shqiptare: Tirana, Prishtina dhe Tetova, nga ku i morën instruksionet partitë politike të Kosovës Lindore që ato duhet të dalin në zgjedhjet e 21 janarit 2007 në Serbi! Edhe pse mbi gjysma e popullsisë shqiptare të Kosovës Lindore i bojkotoi këto zgjedhje, humbës dolën shqiptarët, sepse u thellua hendeku i përçarjes ndërmjet partive politike, si dhe brenda popullit shqiptar të krahinës.
Ardhmëria e Kosovës Lindore është jetësimi i Autonomisë Politiko-Territoriale, brenda Serbisë, si fillim dhe pastaj bashkimi i kësaj Krahine Autonome me shtetin amë - Kosovën.


MALËSIA E MADHE

Kjo krahinë shqiptare shtrihet në pjesën veri-përëndimore të Shqipërisë, që nga Shala deri te Shpella e Berishës në brigjet e lumit Moraça. Përbëhet nga këto 7 nënkrahina të vogla: Hoti, Gruda, Kelmendi, Kuçi, Kastrati, Shkreli dhe Triepshi.
Malësia e Madhe ndahet në tri zona: zonat bjeshkore, zonat malore dhe zonat fushore.
Zonat bjeshkore janë: Triepshi, Korita e Hotit, Kelmendi dhe disa zona të Shkrelit.
Zonat malore janë: Koja, Fudnat, një pjesë e Grudës, pjesa e madhe e Hotit, një pjesë e Kastratit dhe e Shkrelit.
Zonat fushore janë: Kopliku, Gruemira, Buz-Uji, një pjesë e Kastratit dhe e Hotit, si dhe Gruda, e cila ka më së shumti fushë: Fusha e Cemit, Dheu i Zi, Fusha e Vllanës, Fusha e Vranës, Fusha e Tuzit, Fusha e Mileshës dhe Fusha e Dinoshës.
Lumi i vetëm në Malësi të Madhe është Cemi, i cili e ndanë Malësinë në dy pjesë.
Në kohën e Ilirisë në Malësi të Madhe jetonte fisi i madh ilir, Labeatët. Në atë kohë Malësia e Madhe quhej Malet e Labeatëve (Mons Labeatis). Kurse Liqeni i Shkodrës është quajtur Liqeni i Labeatëve (Lacus Labeatus).
Para pushtimit turk, në shek.XV, Malësia e Madhe bënte pjesë në Principatën e Pultit. Më 1479 Malësia e Madhe u pushtua nga Turqia, e cila e ndau në disa nahi (krahina): Kuç (ku bënte pjesë edhe Triepshi e Koja), Kelmendi, Hoti dhe Zhabjaku. Gruda hynë në kuadër të nahisë së Zhabjakut. Por grudasit, në krye me Vuksan Gjelën do të luftojnë kundër turqëve dhe sllavëve derisa Gruda fitoi statusin e krahinës (nahisë) më vehte.
Malësia e Madhe ka zhvilluar pandërprerje luftë kundër pushtuesve turq nga viti i 1479 deri më 1912. Janë të njohura luftërat dhe kryengritjet kundër Perandorisë Turke dhe shovenistëve sllavë të viteve: 1565-1575, 1596, 1601, 1609, 1610-1612, 1624, 1638, 1652-1653, 1668-1669, 1698-1699, 1712, 1732, 1808, 1822, 1832-1834, 1838, 1844, 1856, 1862, 1871-72, 1879, 1883, 1869, 1910-1912.
Kryengritjet më të njohura janë ato të viteve 1565-1575 në Hot e Grudë. Kryengritja e viteve 1610-1611 në tërë Malësinë e Madhe. Pastaj kryengritja e vitit 1638 në Kelmend. Ajo e viteve 1832-1834 në Hot e Kastrat. Kryengritja e vitit 1883 në Hot e Grudë. Ajo e vitit 1869 ne Grudë dhe kryengritja e famëshme prej 24 mars - 2 gusht 1911 e udhëhequr nga Dedë Gjon Luli (Dedëvukaj) me ç’rast u ngritë, në malin e Deçiqit, Flamuri ynë Kombëtar, për herë të dytë pas ngritjes në Krujë nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Ndër kërkesat, apo memorandumet më në zë të malësorëve është "Libri i Kuq", i përpiluar nga Luigj Gurakuqi dhe të tjerët, që u miratua në Kuvendin e Grecës, më 23 qershore 1911.
"Libri i Kuqe" (Memorandumi i Grecës) është shkruar shqip dhe frengjisht i nënshkruar nga Sokol Baci (Grudë), Dedë Gjon Luli (Hot), Dedë Nika (Grudë), Dodë Preci (Kastrat), Tomë Nika (Shkrel), Cal Dedi (Selcë), Lulë Rapuka (Vukel), Llesh Gjergji (Nikç), Gjeto Mark Ujka (Hot), Mehmet Shpendi (Shalë), Avdi Kola (Gimaj), Nikë Mëhilli (Shllak), Tup Cuni (Prekal), Binak Lulashi (Toplanë), Bash Bajrami (Nikaj) dhe Bek Delia (Dukagjin).
Më ndryshimin e parë të kufirit malazezo-turk të vitit 1876, një pjesë e Malësisë së Madhe - Koja e Kuçit dhe Trieshi mbetën nën sundimin malazez. Kurse në Konferencës e Londrës të vitit 1913 u vendos që Malit të Zi t’i jepeshin edhe krahinat tjera shqiptare që ka sot dhe në këtë mënyrë Malësia e Madhe u nda në dy pjesë. Kufirin shtetëror shqiptaro-malazez do ta vendosi Komisioni Ndërkombëtare i drejtuar nga rusi Sergej Potapov.
Pjesa malore e Malësisë së Madhe kurrë nuk iu nënshtrua pushtimit, kurrë nuk pranoi pushtetin turk dhe nuk i pagoi taksat dhe tatimet (haraçin).
Shqiptarët në Malësinë e Madhe në të gjitha regjimet serbo-malazeze kanë qenë të shtypur e pa të drejta kombëtare e njërëzore. Të tillë janë edhe sot. Megjithatë, ata votuan për pavarësinë e Malit të Zi, për shkëputjen e tij nga Serbia dhe mirë bënë, sepse e hoqën qafe një pushtues të madh. Tani kanë përballë vetes një shtet më të vogël dhe më pak të fuqishëm. Përpara ishin përballë dy shteteve, tani do të përballen me shtypjen vetëm të një shteti të dobët, ndaj edhe qëndresën dhe luftën e tyre për të drejta kombëtare shqiptarët e Malësisë së Madhe do ta kenë më të lehtë. Me votën e tyre demokratike shqiptarët e Malësisë së Madhe e bënë Malin e Zi shtet, këtej e tutje ata duhet të organizohen dhe të punojnë që ta bëjnë edhe veten e tyre shtet dhe të bashkohen me shtetin shqiptar.
Gjysma e Malësisë së Madhe që është në Mal të Zi duhet të punojë e të kërkojë Autonomi Politiko-Territoriale brenda Malit të Zi, si minimum dhe pastaj të kërkojë bashkim me shtetin shqiptar - Shqipërinë, ku gjendet edhe gjysma tjetër e Malësisë së Madhe.


ÇAMËRIA

Thesprotia ishte emri i vjetër i pjesës jugore të Shqipërisë me emrin Çamëri.
Krahinë që përbën pjesën më jugore të trevave të banuara prej shqiptarëve. Shtrihet gjatë bregdetit Jon dhe në veri kufizohet me Republikën e Shqipërisë dhe me Maqedoninë. Në jug përfundon në qytetin e Prevezës, te gjiri i Artës.
Thesprotët e vjetër i perkasin popullit Pellazg. Ishin të një gjaku dhe kishin të njejtën gjuhë me popullin e Kaonisë dhe të Mollosisë. Përveç thesprotëve në Çamërinë antike banonin edhe fiset tjera pellazgo-ilire si: Mollosët, Dodonët, Kaonët, Kasopianët, Efyrianët etj. Thesprotët (Çamët) për shumë kohë u qeverisën nga krerët e tyre dhe pastaj u pushtuan nga sundimtari i Mollosëve, Pirrua dhe më vonë iu aneksuan shtetit pellazgo-maqedonas të Lekës së Madh.
Emri Çam lidhet me emrin antik të lumit Thyamis (Kalama) që e përshkon. Në kohën antike Çamëria ishte banuar prej fisit ilir të Thesprotëve. Historia e saj bën pjesë në historinë e Epirit antik. Më vonë kaloi nën sundimin e Romës dhe të Perandorisë Bizantine. Në fillim të shekullit XIII ishte pjesë e Despotatit të Epirit, kurse në gjysmën e dytë të shekullit XIV bënte pjesë në Despotatin shqiptar të Artës të prirë nga Gjin Bue Shpata, Pjetër Loshi, Gjon Zenebishi etj.
Më 1449 Çamëria u pushtua nga Perandoria Osmane. Në shekullin XV u bë shesh i luftës kundër vërshimit osman, nën udhëheqjen e feudalëve të familjes Zenebishi. Nën sundimin osman, Çamëria bënte pjesë në Sanxhakun e Delvinës si dhe të Janinës dhe u bë shesh i kryengritjeve anti-osmane në shekullin XVI e fillim të shekullit XVII.
Në shekullin XVIII filloi islamizimi i një pjese të mirë të popullsisë. Një pjesë e popullsisë së Sulit dhe të Pargës, për t'i shpëtuar islamizimit, emigroi duke u vendosur në ishujt e Greqisë. Edhe në Çamëri u përforcua në shekullin XVIII pushteti ekonomik i feudalëve çifligarë vendas, të cilët u bënë faktorë politikë me rëndësi në luftën për pushtetin lokal, deri sa Çamëria ra nën sundimin e Ali Pashë Tepelenës, sundimtarit të Pashallëkut të Janinës. Në vitet 1820 - 1850 Çamëria u përfshi në kryengritjet e mëdha anti-osmane. Më 1854 dhe 1877 inkursionet e bandave të andartëve grekë u pritën me armë në dorë nga popullsia.
Gjatë viteve l878-81, degët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Çamëri morën pjesë në luftën e përgjithshme të popullit shqiptar për mbrojtjen e paprekshmërisë dhe tërësisë së trojeve amtare. Çështja Çame u ngrit me forcë në periudhën pas Kongresit të Berlinit (1878) kur u kërkua që Çamëria të coptohej dhe t'i kolonte Mbretërisë Greke. Forcat atdhetare pa dallime shoqërore e fetare nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit, si një trup i vetëm, u bënë ballë pretendimeve grabitqare greke si dhe Fuqive të Mëdha. Në luften për ruajtjen e tërësisë tokësore shqiptare u shqua biri i madh i Çamërisë Abedin Dino, politikan, diplomat dhe erudit i shquar i kombit shqiptar, i cili në krye të lëvizjes bëri të mundur që Çamëria për 35 vjet të mos bëhej pre e pretendimeve grabitqare.Gjatë kryengritjeve shqiptare të dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX , Çamëria ka qenë fushë veprimi e çetave patriotike dhe e një vargu komitetesh kombëtare. Gjatë Luftës Ballkanike 1912-1913, në Çamëri vërshuan trupat greke. Në ndihmë të popullsisë vendase që kishte rrokur armët, nga qeveria e Vlorës u dërguan forca ushtarake, por me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, më 1913, Çamëria iu aneksua shtetit grek.
Pas Luftës së Parë Botërore (l9l4-l8), qeveritë e ndryshme greke shpërngulën me forcë me mijëra banorë të popullsisë shqiptare myslimane për në Turqi, me pretekstin se për shkak të fesë së tyre ishin "turq". Qeveritë e ndryshme greke prej atëherë deri më sot, me metodat më mizore kryen masakra, spastrime etnikofetare, ndaluan shkollat në gjuhën shqipe dhe mohuan çdo të drejtë njerëzore, duke grabitur tokat me lloj - lloj menyrash dhe duke mbjellë terror psikologjik.
Në mars të vitit 1913 u masakruan 72 intelektualë dhe personalitete të Çamërisë. Në vitet 20-të u shprnguleën me dhunë rreth 15.000 muslimanë çamë, duke i këmbyer me grekë të Anadollit. Në vitin 1940 ndanë nga familjet 6.000 burra nga 15 – 70 vjeç dhe i internuan në ishujt e Egjeut pa asnje shkak ku vdiqën nga torturat mbi 500 vetë.
Në periudhën 27 qershor 1944 - 13 mars 1945 u krye spastrimi etnikofetar përfundimtar i mbi 50.000 shqiptarëve çamë të religjionit musliman nga trojet e tyre me gjenocid të pashembullt, ku humbën jetën rreth 9.000 vetë dhe vdiqën rrugëve për në Republikën e Shqipërisë, nga uria dhe sëmundjet, rreth 2400 të tjerë. Popullsia e Çamërisë ishte rreth 93 % shqiptare, ndërsa pjesa tjetër përbehej nga grupe të tilla si grekë, vllehë dhe romë etj.
Në periudhën mes viteve1913-1944 gati 850.000 shqiptarë çamë janë dëbuar me dhunë në drejtim të Turqisë, Shqipërisë dhe vendeve tjera të Ballkanit dhe Europës.
Qendrat e banuara kryesore të Çamërisë janë: Filati, Gumenica, Paramithia, Margëlliçi, Parga, Preveza, Arta, Janina, Kosturi, Konica, Florina, etj.
Nga gjiri i populli shqiptar të Çamërisë kanë dalë figura të ndritura të kombit shqiptar si: Pirro i Epirit, Pjetër Losha, Gjin Bue Shpata, Gjon Zenebishi, Marko Boçari, Foto Xhavella, Luli Çapari, Osman Taka, Çelo Mezani, Maksim Artioti, Muhamet Kyçyku, Hasan Tahsini, Abedin Dino, Elena Gjika (Dora D'lstria), Kolë Idromeno, Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko),... etj.
Sot në Çamëri banojnë Arvanitët dhe Shqiptarët çamë ortodoksë, por pa të drejtë arsimi në gjuhën amtare, pa të drejta kombëtare dhe njerëzore dhe pa të drejtë të deklarimi të identitetit të tyre kombëtar. Kurse popullsia çame e besimit musliman u dëbua tërësisht në vitin 1945 nga ushtria shovenisto-fashiste e Greqisë.
Fillimisht në Çamëri duhet të kthehen, të riatdhesohen dhe t'u kthehen pronat e tyre të gjithë refugjatëve çamë dhe pastaj Çamërisë t'i njihet e drejta e Krahinës Autonome Politiko-Territoriale brenda Greqisë, me perspektivë për Referendum e Vetëvendosje demokratike dhe bashkim me Shqipërinë.


TOPLICA

Kjo krahinë shqiptare është pjesa më veriore e Shqipërisë Etnike. Ajo fillon nga Medvegja e Vranja në jug dhe përfundon te Molla e Kuqe afër Nishit në veri. Në kohën e sundimit turk krahina e Toplicës ka qenë pjesë e Vilajetit të Kosovës me emrin Sanxhaku i Toplicës (Nishit).
Çlirimi i viseve të Pashallakut të Beogradit dhe 6 nahijet tjera gjat viteve 1800-1875 nga sundimi osman ishte e drejtë legjitime e popullit serb. Mirëpo, në anën tjetër, pushteti serb largoi popullsinë joserbe nga ato treva. Kështu, sipas dokumenteve historiografike, nga viti 1800 e deri në vitin 1875 qarqet ushtarake dhe qeveritare serbe i larguan nga viset e Toplicës dhe nga Lugina e Moravës rreth 150.000 banorë shqiptarë. Regjimet e dinastisë së Obrenoviçve (1817-1903) vazhduan politikën terroriste shtetërore ndaj shqiptareve e boshnjakëve edhe gjat viteve 30-të shekullit XIX, me qëllim të spastrimit etnik të trojeve shqiptare.
Në frymën e kësaj politike, qeveria e Principatës së Serbisë urdhëroi me 1832 që çdo shqiptar dhe boshnjak, që kapet ne territorin e Serbisë, të goditet me nga 25 të rëna me shkop! Ndërsa me 1834 urdhëroi që të përdoret ushtria për të djegur fshatrat shqiptare. Pushteti serb më 1856, me marrëveshjen e Paqes së Parisit, kishte fituar njëfarë të drejte që t'i largojë të gjithë shqiptarët nga qytetet e Shumadisë, si dhe nga Hercegovina.
Më 2 Mars 1865 Knjaz Mihajli kishte nxjerrë ligjin për kolonizimin e vendeve të pushtuara. Me atë ligj territoret, të cilët i posedonin shqiptarët, sidomos nga Qarku i Nishit dhe i Pirotit u serbizuan, u kolonizuan menjëherë pas Kongresit të Berlinit, me njohjen e Serbisë si shtet nga ky kongres.
Duhet theksuar se shqiptarët deri kah fundi i shekullit XIX qenë te vendosur në shumicën e qyteteve, qytezave dhe fshatrave të Qarkut (Kazasë) të Nishit, të Qarkut të Vranjës, të Qarkut të Pirotit. Banorë shqiptarë kishte edhe në vendet tjera, sidomos në qytete, si p.sh. në: Qupri, Paraqin, Uzhicë, Krushec, Aleksinc, Kralevë e deri në Beograd.
Rreth 350 000 shqiptarët vendas të Sanxhakut të Toplicës u dëbuan me dhunë ushtarako-policore nga mbretëria serbe e Obrenoviçëve gjatë luftës ruso-turke në vitet 70-të të shek.XIX. Në atë kohë u bë një gjenocid dhe pastrim etnik total i kësaj krahine shqiptare, kur janë vrarë e masakruar reth 70 000 shqiptarë, të cilët banonin në afro 700 fshatra e qytete shqiptare të Sanxhakut të Toplicës. Me qëllime kriminale të spastrimit etnik, janë zbrazur trojet me shumicë shqiptare të Jagodinës, Kosanicës, Pirotit, Quprisë, Pllanës, Krushecit, Nishit, Leskocit, Gurdulicës, Vranjës, Përkupës, Kurshumlisë,… etj. Popullsia e shpërngulur shqiptare, që i shpëtoi plumbit dhe bajonetës serbe, u vendos në jug të trojeve shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni.
Në fillim të vitit 1878 situata në frontin e luftës ruso-turke u përmbys plotësisht. Pasi kaluan malet Ballkan, ushtritë ruse filluan të përparonin me shpejtësi në drejtim të jugut, pa ndeshur ndonjë rezistencë serioze nga ana e ushtrive osmane. Më 4 janar 1878 ato pushtuan Sofjen, më 18 janar Edrenenë dhe më 28 janar arritën në fshatin Shën-Stefan, në periferi të Stambollit. Nga paniku që e pushtoi Perandorinë Osmane, përfituan ushtritë serbe, të cilat marshuan pa vështirësi drejt Toplicës në Vilajetin e Kosovës dhe pushtuan Pirotin, Nishin, Leskocin, Përkupën, Kurshumlinë, Vranjën dhe në fund të janarit arritën në Gjilan. Po ashtu, ushtritë malazeze pushtuan më 10 janar Tivarin, më 19 janar Ulqinin dhe një javë më vonë dolën në brigjet e liqenit të Shkodrës e të lumit të Bunës.
Nga një çështje territori, sot Krahina e Toplicës është shndërruar në një çështje "pronash" nga disa politikanë, historianë e publicistë, të cilët nuk kanë bosht kurrizor kombëtar. Këta pseudopatriotë mjaftohen që Serbia t'ua paguaj dëmshpërblimin dhe çmimin e pronave ish-pronarëve shqiptarë dhe çështja të mbyllet me kaq.
Por, ata harrojnë se prona është e shenjtë, ajo duhet t'i kthehet pronarit, që ai vetë pastaj të vendosë a do ta shesë apo jo. Pastaj, të gjithë Shqiptarët duhet ta dinë se Toplica as nuk shitet, as nuk blehet, ajo vetëm trashëgohet nga zotërinjtë e saj - Shqiptarët. Shqiptarët e Toplicës duhet të kthehen në vendlindjen e tyre dhe në pronat e tyre. Toplica ka qenë, është dhe do të mbetet një krahinë shqiptare, pjesë integrale dhe sovrane e Shqipërisë Etnike.


SANXHAKU

Sanxhaku është krahina më veri-perëndimore e Shqipërisë Etnike. Serbia është përpjekur vazhdimisht ta mbuloj me një harresë publike gjendjen dhe emrin e Sanxhakut. Krahina e Sanxhakut ka një sipërfaqe prej 8.686 km2 dhe një popullsi prej 530 000 banorësh, nga të cilët 67 përqind janë boshnjakë (prej të cilëve gjysma janë shqiptarë të asimiluar që ende belbëzojnë shqip) dhe të tjerët serbë, malazezë, shqiptarë etj. Krahina është e ndarë ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi (2/3 e territorit nën Serbi dhe 1/3 e saj nën Mal të Zi). Diskriminimi i thellë që i është bërë dhe po i bëhet popullsisë joserbo-malazeze të Sanxhakut, e ka shtyrë atë që shpesh të protestojë hapur, duke kërkuar të drejtat dhe liritë e veta kombëtare.
Në tetor të vitit 1991 në Sanxhak është zhvilluar një Referendum popullor, ku është votuar për Autonominë politike dhe territoriale, me të drejtë bashkimi me Shtetin e Kosovës, ku 98 % e votuesve votuan për Referendumin.
Udhëheqësit politik i kanë përcaktuar qartë kufinjtë e Sanxhakut dhe harta e tij është shpërndarë nëpër të gjitha institucionet ndërkombëtare që nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së e deri te qeveritë e të gjitha vendeve me peshë në skenën ndërkombëtare.
Që në fillimet e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, sanxhakasit u deklaruan për shkëputje nga Sërbia dhe Mali i Zi dhe për bashkim ose me Kosovën, ose me Bosnjen. Por vitet që pasuan, Sanxhakun më tepër e larguan nga Kosova dhe shqiptarët dhe më shumë e afruan me Bosnjën dhe boshnjakët, për arsye se shqiptarët e robëruar i kanë hallet e veta, kurse Shqipëria londineze nuk është në gjendje të përkrahë e të ndihmojë sa duhet Shqiptarët e jo më Sanxhakasit.
Diplomacia boshnjake, edhe pse e ndodhur në katarzin e luftës, u tregua më e shkathët se sa ajo shqiptare. Tani gjithnjë e më tepër Sanxhaku po del në skenën politike si faktor që më shumë i përket çështjes boshnjake se sa asaj shqiptare. Gjithë ambasadat boshnjake nëpër botë kanë marrë përsipër afirmimin e çështjes së Sanxhakut. Po ashtu faktori Sanxhak po luan një rol të rëndësishëm edhe në vetë Bosnjen. Luftëtarët më të shkathët dhe komandantët më të shquar në ushtrinë boshnjake janë pikërisht sanxhakasit.
Natyrisht, Sanxhaku nuk paraqet ndonjë faktor të rëndësishëm ekonomik, siç paraqet Kosova, por ai është jashtëzakonisht i rëndësishëm në aspektin gjeopolitik e gjeostrategjik. Aktualisht, territoret e Bosnjës, me përjashtim të qytetit të Gorazhdës, i cili është nën mbrojtje të OKB-së, nuk kanë lidhje territoriale me Sanxhakun, nuk kanë dalje në Sanxhak, sepse u ka "hy" ndërmjet e ashtuquajtura "Republika Serbe". Një ndër qëllimet prioritare boshnjake, sipas udhëheqësve të tyre ushtarakë, është shpërthimi në këtë drejtim dhe dalja në Sanxhak. Futja e zjarrit brenda kufinjve republikanë të Serbisë do të nxiste reaksione zinxhirore në vetë Serbinë dhe Malin e Zi, gjë që do t'u lehtësonte punë boshnjakëve. Kuptohet, as Kosova nuk ka se si të mbetet jashtë këtyre operacioneve ushtarake, sepse ajo kufizohet me Sanxhakun, i cili, në fund të fundit, është pjesë integrale e territoriale e saj. Shqipëria dhe Shqiptarët duhet të jenë të përgatitur për çdo rrethanë të re, që mund të krijohet në të ardhmen, që t'i dalin zot Sanxhakut, si krahina më veriore etnike e saj. Sanxhaku është një "bombë me sahat", e cila herëdokur do t'i shpërthejë Serbisë shoviniste në dorë e në fytyrë dhe do ta plandosë për tokë.
Kërkesa e sanxhakasve për Autonomi bazohet në të drejtat historike dhe juridike. Sanxhaku ka qenë rajon autonom që në kohën e Kongresit të Berlinit. Ai u pushtua ushtarakisht më 1912 nga Serbia, e cila e aneksoi dhe ia hoqi Autonominë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore Kshilli Antifashist i Sanxhakut e shpalli atë Krahinë Autonome, por regjimi komunist titist ia hoqi këtë të drejë dhe madje administrativisht e ndau në dy pjesë, duke ia aneksuar një pjesë Serbisë dhe një pjesë Malit të Zi.
Populli i Sanxhakut asnjëherë nuk ka hequr dorë nga e drejta e tij për Autonomi Politiko-Territoriale dhe vetëvendosje, prandaj edhe në shtator të vitit 2006 prfaqësuesit e katër partive politike dhe të 9 organizatave joqeveritare të Sanxhakut nënshkruan një Deklaratë të përbashkët, ku kërkojnë që të zgjidhet statusi i boshnjakve në Serbi dhe që Sanxhaku të jetë një krahinë Autonome Vetadministrative. Ato i kërkojnë qeverisë serbe që ajo të zbatojë më parë të drejtat dhe Autonominë e Sanxhakut në Serbi, përpara se të kërkojë "autonomi" për serbët e Kosovës, të cilët janë tre herë më pak në numër se popullsia josllave e Sanxhakut.
Fillimisht krahina e ndarë më dysh e Sanxhakut ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi duhet që të bashkohet dhe të shpallë Krahinën Autonome të Sanxhakut, që pastaj populli i Sanxhakut të vendosë vetë se me cilin shtet fqinj don të bashkohet: me Kosovën apo me Bosnjën.
Përndryshe, historikisht, Krahina e Sanxhakut ka qenë dhe mbetet krahinë integrale e Shqipërisë Etnike.

Në vend të Pasthënies


SHQIPËRIA ETNIKE

Gurthemeli i Pellazgjisë,
është krijesë e Perëndisë.
Panteoni i perëndive,
është vullneti i hyjnive.
Embrion për shqiptarinë,
këtu Zeusi kish selinë.

Është legjendë mitologjike,
është baladë e lashtë kreshnike,
është etni pellazgjike,
është hyjneshë ilirike.

Është tempulli i Dodonës,
piedestali i Shqiponjës,
është altari i lirisë,
sot është zemra e Ilirisë,
është rilindja e Arbërisë.

Është si Dielli kur rrezon,
porsi Hëna kur ndriçon,
është kështjellë gur mbi gur,
është Shqiponjë e Flamur,
është Feniks që nuk vdes kurrë.

Është burim e gurrë lirie,
është betim e gjoks rinie,
është ylber e yll gjithësie,
është kala - themel Shqipërie.

Është prush që përvëlon,
është këmbanë që ushton,
është rrebesh që shkatërron,
ortek bore që mbulon,
është tërmet që tmerron.

Është si lulja plotë me erë,
dallëndyshe në pranverë,
është kullë brezash me bajrak fisi,
vatër arbërore me bardhësi plisi.

Është zjarr e vullkan,
është stuhi e uragan,
është furtunë e bubullimë,
është rrufé e vetëtimë,
është top e jatagan,
është princ e kapedan,…
që luftojnë për vatan.

Është gjaku ynë që nuk falet,
zemra jonë që nuk ndalet,
është si buka në çerep
dhe si uji nën një kep,
është si ajri n'atmosferë,
është si drita në humnerë,
pa të cilat s'ka jetë as nderë.

Shqipëria Etnike është e gjallë,
si baroti e guri strallë,
është një rrënjë që s'shkulet fare,
ëndrra jonë mijëravjeçare,
është si nuse me kurorë lavdie,
zanë e bukur Ilirie.

Kjo Shqipëria jonë Etnike,
është trimëreshë heroike,
që nuk njeh asnjë pushtet,
derisa të bëhet Shtet.

Mars 2007

BIOGRAFIA
e Shkurtër e Autorit

Shefki Ollomani u lind në vitin 1959 në fshatin Tuhin të rrethit të Kërçovës. Shkollën tetëvjeçare e ka kryer në vendlindje, kurse shkollën e mesme në gjimnazin "Zef Lush Marku" në Shkup. Ka të kryer 3 vite të Fakultetit Juridik në Prishtinë.

Si aktivist dhe veprimtar ilegal i OMLK-së, në Shtator 1982 detyrohet të ndërpresë studimet dhe të emigrojë në Zvicër, ku qëndron deri në Vjeshtë të vitit 1985. Në Zvicër angazhohet në rradhët e LR(S)SHJ-së, sot LPK, si bashkëpunëtor dhe pastaj si anëtar i Redaksisë së "Zërit të Kosovës", janar 1985 - nëntor 1987.

Ishte anëtar i Redaksisë së organit intern të MLK-së - "Pararoja", 1985 - 1987.

Gjatë viteve 1987 - 1990 ka qenë Redaktor Përgjegjës (në cilësinë e Kryeredaktorit) i organit intern të GKK-së - "Rruga e Revolucionit".

Gjatë viteve 1991 - 1992 ka qenë Redaktor Përgjegjës (në cilësinë e Kryeredaktorit) i organit të ORSH-së - "Kushtrimi i Lirisë".

Në vitet 2002 - 2003 ka qenë Sekretar i Kolegjiumit të Redaksisë së organit të FBKSH-së - "Ribashkimi i Shqipërisë".

Aktualisht është krijues i pavarur. Merret me poezi dhe publicistikë. Nga dhjetori i vitit 1985 punon dhe jeton, me familje, në Suedi.

Ky është libri i tij i katërt që ia boton Shtëpia botuese "Shkupi" nga Shkupi.



PËRMBAJTJA

Parathënie

I – PARAHISTORIA E SHQIPËRISË ETNIKE

1.Pellazgjia

II – RRUGËTIMI I SHQIPËRISË ETNIKE

1.Iliria
A-Antika
B-Fiset ilire
C-Shtetet ilire
2.Arbëria
A-MesjetaB-Familjet fisnike arbërore
C-Principatat arbërore
3.Shqipëria
A-Vilajetet shqiptare
B-Paritë (oxhaqet) shqiptare
C-Pashallëqet shqiptare
4.Rilindja Kombëtare
A-Lëvizja Kombëtare Shqiptare
B-Lidhja Shqiptare e Prizrenit
C-Lidhja e Pejës
5.Pavarësia e Shqipërisë
A-Hyrje
B-Kryengritjet shqiptare (1908-1911
C-Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare (1912
Ç-Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë

III – ËNDRRA PËR SHQIPËRINË ETNIKE

Ëndërr, -a, -t
Ëndrra-Ëndërrimi
Imagjinata-Fantazia
Ideali
Qëllimi
Vizioni
Programi
Opcioni
Vendimi
Zotimi-Betimi
Besimi
Shpresa
Mendja
Vetëdija-Nërgjegjja
Optimizmi
Dashuria
Kalitja-Prova
Reçeta
"Fara
Armiku i brendshëm
Pesimizmi
Neutraliteti
Frika
Guximi
Durimi-Këmbëngulja-Mosdorëzimi
Sakrifica-Flijimi
Vepra
Porosi brezash


IV – REALITETI I SHQIPËRISË ETNIKE

Realiteti
Pesë Shqipëritë
Ndarja e Shqipërisë Etnike
"Vilajetet" moderne shqiptare
Shqipëria (Londineze
Kosova (Shtet-Protektorat
Ilirida
Malësia e Madhe
Çamëria
Toplica (Sanxhaku i Nishit
Sanxhaku

- Në vend të Pasthënies (Poezi
- Biografia e Autorit
- Përmbajtja



 

 

       
E Maili yn

na shkruani

   

© gusht.2004 by " www.malsia.eu®