 |
 |
SHËNIME PËR
AUTORIN
Ndue Ukaj
(1977) u lind në Stubëll të Epërme të Komunës
së Vitisë.
Ka kryer studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe
në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës,
ku ka ndjekur edhe studimet e magjistraturës. Ka qenë
editor i revistës për art, kulturë e shoqëri
"Identiteti" (2001-2002) që është botuar
në Prishtinë. Tekstet e tij letrare, eseistike, publicistike
janë botuar në Shqipëri, Kosovë, Mal të
Zi, Maqedoni, diasporë dhe më gjerë. Ndërsa
shumë tekste të natyrës së diskursit politik
janë përkthyer e komentuar në media ndërkombëtare
Gjatë kohës së okupimit serb dhe pas luftës
në Kosovë, Ukaj ka qenë aktiv në jetën
politike të Kosovë. Ndërsa viteve të fundit
ka jetuar përkohësisht ne Suedi.
Më 2004 ka botuar librin "Diskursi biblik në
letërsinë shqipe" (AIKD, Prishtinë).
Është i përfshirë në disa libra dhe
antologji të poezisë shqipe.
Po ashtu, është përfshirë në antologjinë
shqip-rumanisht, shtatë poet shqiptar dhe shtatë rumun,
Bukuria e bukurive" shtate poet shqiptar, shtat rumun, "Frumusetea
frumusetilor ", Bukuresht(2008).
Ndue Ukaj shkruan poezi, prozë, eseistikë, kritikë
letrare dhe publicistikë.
"Ujëvarat e metaforave" është libri
i tij i dytë.
Ndue Ukaj
(Poezi)
PËRLESHJE
Nganjëherë i kafshoj dhëmbët furishëm
Më mbetet gjuha në dhëmbë nganjëherë,
Me gjilpërë më duhet ta qep gjuhen,
Engjëllushka ime, jo pse dua, nganjëherë
Çuditem edhe me veten si i kafshoj ëndrrat.
Hahem me to deri në përgjakje
I kafshoj dhe përleshem me realitetin,
Nëpër net me ëndrra vjeshtore
Dhe pranvera me buzëqeshje dashurore
Hamendja për fitore mbyt trishtimin
I kafshoj ditët, edhe netët i kafshoj,
Të zeza si futa, netët e paperënduara,
Përgjakem krejt nganjëherë,
Me dhëmbët e mi të rëndë, të rëndë,
Sa shkëmbinjtë e Bjeshkëve të Nemuna,
Nganjëherë botën e zë gjumi n'mes të ditës,
Dhe aty përulet miti i fuqisë së qëndresës
Trulloset bota krejt e humbur përkundet,
Harron përuljen e gjurit bota nganjëherë
Bie në gjumë nëpër ninulla ledhatuese
Papritur tretet nga thartira që të qesin zorrët
Tëhuajësohet mendja dhe humb imazhin në pasqyrë
Pema e Jetës zë rrugën në mëngjesin me
vesë diellore
E unë, nganjëherë i vetmuar përleshem me botën
Dhe përhumbem në lakuriqësinë e poezisë
KUPTIMI
Tek e fundit çfarë kuptimi ka arti shpirti im
Mes gishtave të mi përvijohet shikimi yt
Dhe kalendari i grishur ku Kulla e Babelit u thye keq
Si të deshifrohen të pathënat, të pashkruarat,
E të kuptohen absurdet si lule të ujitura
Trazohet arena e mendimeve të bukura
Mëkatarë e papenduar ngarendin pas Përmendoreve Lavdie,
Ditë e natë çirren pa fije turpi nën hijen
e hijes së dhembjes
Që gulçon tmerrshëm
Këlshedra prej detit gulçon
Ne puthemi pa e ditë efektin e puthjes
E duhemi pa i ditë pasojat
Më ç'paftyrësi ecet rrugës së djallit,
Zot im
Me lëkurë të gjarprit veshur për të hijeshuar
trupin,
Dikush thumbon e dikush thumbohet
Karikaturat e vdekjes të përdhosin trutë
Ndërkaq misteri i pafund rëndon:
Një mollë e kafshuar natën mbin dhëmbët
e prishur
Dita nuk fsheh gjurmët e mëkatit të zi
Dhe ekzistencën e konceptit të humbjes
Gjarpri s'dihet në cilën ditë të krijimit u
zvarrit në Eden
As për misionin e tij nuk mësuam asnjëherë.
HAPAT E VEGJËL
E masë kohën me shikimin prej zogu
Atë ditë kur dielli rrëshqiste drejt perëndimit
Një korb parakaloi para syve tanë
E tokës iu zu fryma nga inati
Si s'u bë që ta kthej diellin
Aty ku puthi shikimin tonë përsëpari
Dhe rrugën deri në Kodër ta kaloja me pupla
Atë ditë kur shikimi im u tret
Toka dridhej nga të ftohtit
Dielli u dha si femër mëkatare pas Bjeshkëve
të Nemuna
Hapi i vogël për ta ndalë ishte pa përmbajtje
Shikimi im u mbyt krejt...
HIJA E KORBAVE
Në ishullin e pritjes vetmia e thartë
Dhe struktura e deformuar e seksit
Në lumin e kohës ecte zvarrë
Nuk e njoha Homerin as verbimin e tij
Me hapa të Akilit mas kohën që vjen
Dhe kilometrat deri matanë Itakës
Sythi yt kaltrosh përhumbet në lakuriqësinë
E natës së zezë ku tëhuajsohet mendja
Akti i çoroditur i shpirtit hije
Në të çarën e seksit tënd rrjedhin pikat
E dushit të ftohtë në ishullin e vetmisë
Drama e pashkruar në teatrin e gërmadhave
Dhe puthja e akullt që dogji sythin e përlotur
Një korb pa shikimin tim prej të dashuruari
Ditën me mendime të hallakatura
Dhe miti reflektoi fragmentin
E artit të shkruar nën hije korbash
Sytë nuk janë dritare prej motesh
As dyer të largimit nga trishtimi.
PIKTURA E DASHURISË
Mona Liza qeshte
Për të flasin aq shumë sytë e saj qiellorë;
Të njomë, të përmallshëm e të butë
Të veçantë sa s'gjejnë krahasim,
Për të flasin flokët e shprishura,
Aty ku atdheu i pasioneve ndërron trajtat
Dhe përhumbet bota para shikimit prej loti,
Tkurret si perde e hapur në skenë teatrore
E vockël bota përballë me shikimin që djeg
Dhe tërheq si magnet në botën e mistereve
Nën tisin e nurit të saj prehet qetësisht bota
Dhe nën presionin e heshtjes,
Numëron frymëmarrjet me damarë të fryrë
E shtrënguar nga plogështit e kohës
Për të flet gjoksi i mbuluar me hije misteresh
Një kafshatë për vargun e etur
Dhe gjitha ngjyrat e vizatuara në ata sy
Për të mposhtur mbrapshtitë
E pra, Mona Liza tek qeshte pëlciste nga dashuria
GJYQI PËR VJERSHËN TIME
Kështjella e drejtësisë s'mund të përmbyset
Me një të fryrë nga zgafella e gojës
Edhe nëse Jozefi K. vdiq si qen rrugëve të Parisit
a Pragës
Procesi s'u mbyll e ai mbetet prapë proces
Të premtet e mëdha s'kuptohen pa të dielën e
madhe.
Ç'faj ka poezia që e sulmon
Imunitetin s'mund t'ia marrësh as kur lakuriqësohet
Mjekrën time të pakrehur ndonjëherë,
Të rritur zjarreve përcëlluese
Mbuluar me merimanga gërdie
Edhe po deshe s'mund ta puthësh kurrë
Kjo poezi vlon për dashuri
Po deshe vraje, në varr mund ta vësh
Strukturën e mendimeve s'mund t'ia prekësh
Poezia është e panjollë
Po deshe vraje
Do pjellë gjarpinj, që sytë të t'i helmojnë
Macet e çartura vrapojnë gjoksit trishtueshëm
Po deshe vraje
Edhe nga varri shpirtin e trazon.
ALFABETI IM
Shkronjat si gurë zbresin
Në alfabetin me figura të pakuptimta
Fragmenti i jetës sime kthen në udhëkryq
Sikur nëpër ëndrra të çmendura
E nuhat ikjen deri në skëterrë
Alfabeti im
E zgjat rritën prej poezisë
Duke i zgjeruar pasionet deri në qiell
Dhe zanoret e afshit që shpërthejnë
Mbi sytë e mi
Pezmi i shkronjave të gurta,
Prish gjumin e kufijve
Në universin e kohës pa poezi
Si leckaman metropoleve të botës
Kërkoj këshilla nga poetë
Të kuptoj fjalën prej guri
Si i trazon mendimet abstrakte
Unë jam hapi im dhe rruga deri tek atdheu i poezisë
Në rrugën që prehet pas çdo ecje
Nga injorantë që vallëzojnë me zhurmën
Maratona e poezisë nëpër shpirtra të dergjur
Shumëzon ujin tamam si Krisht
ILUZIONI I FJALËS
Horizonteve të papara shtrydh kujtimet
Deri në pikën e fundit
I lidhja fjalët për iluzione
Me ngriheshin gishtat si shkëmbinj
Me tingujt e lehtë të kitarës
Ndërtohet ngrehina
Dhe iluzionit të fjalës
I vjen erë harrimi
Nëpër horizonte të papara ndrydhen ndjenjat si në
bronz
Në shtratin e çelur varrë
S'numërohen regjistrat e pafundme të dashurive
Vetëm fjalët lidhen për iluzione marrëzisht
PËRRALLA E MOÇME
Nga të vërtetat dalin rrenat si buburreca
Ndërsa këmbët tona nga turbulenca e mendimeve
Humbasin drejtpeshimin
Në kozmosin e fjalës e tundin pendimin
Një përrallë e moçme s'u tregua me shekuj
Pastaj për të njëjtën u bënë beteja
të çmendura
Plot vite u rropat dora jonë prej hijesh,
Si flamur disfatash e arenë takimesh
Të gjejë gjurmët e t'vërtetës në ngrehinat
prej lotësh
Trotuareve të akullta ku këmbët rrëshqisnin
tmerrshëm
Ecën injorantët të vërsulur pas tempullit të
marrinave
E mjerë ne për përrallën e moçme
KOHA SHUMËNGJYRËSHE
Me kërkue është art si me puthë diellin,
Me lundrue nëpër natën e braktisur, oh
Nga hëna bythprapë e ngjyrat e errëta
O natë e vetmuar me sy gjysmëqorre,
O kohë shumëngjyrëshe e trashur n'vete,
Lak e bërë mbi kokën time vallëzon
Kryelartë i shndrisin sytë e Ciklopit i ka
E sheh si i lëvizin këmbët e shpejta...
Akil s'është por fluturon si në beteja antike
Herë në Amerikë, e zë trishtimin në ëndërr,
Herë në Europë, e kap ankthi në shtrat,
Herë në Azi, e zë makthi në rrugë,
Herë zgjohet me kujtimet për kalin,
Bën dashuri në barkun e kobshëm
Dhe i ngatërrohen rrugët para këmbëve
Koha e pangjyrë, e paemër e pakënduar
E pashkruar, me muzikë të harlisur vallëzon
E çmendur përdridhet si vajzë në take t'larta
Cunam që s'i duron metaforat as ironitë
Me struktura të deformuara deri në përjashtim,
Endet me shikimin e tretur në asfaltet moderne
Dhe s'gjen pandehëm krahasimi nga modernistët
As nga progresistët e posmodernistet
Nga injorantët e regjur me fjalorë demagogjish
Që kurrë s' e kuptojnë artin e heshtjes
Për të mbytur zhurmën dhe gumëzhimën e
frikshme.
Koha ime e përveçme në globin e ngulfatur
E paemër, e pagëzuar natën e braktisur me muzikë
të harlisur
Me hije korbash e sorra të çartura
Si ngjan kurrsesii kohës së Virgjilit,
Me heronj të çmendur e luftëra absurde.
Madje s'i përngjan as kohës së Krishtit e Judës
tradhtar,
Koha ime kurrsesi s'është koha e lumit të Heraklitit.
Më duhet të kthehem nëpër të, dy herë
ta nuhas,
Dhe të ec nëpër kujtesën e trashur nga merimanga
E krimba që bluajnë pamëshirshëm.
I inatosur më duhet të mos pajtohem me Heraklitin,
Dy herë më duhet të lahem në të njëjtën
kohë:
Në të njëjtin ujë një herë me zjarr
përvëlues
Pastaj me artin e heshtjes dhe ujin e uratës.
Mes meje e kohës fluturon zogu pranveror
Me pupla të mërdhita e sythin e trembur,
E trazon pikëllimin e vizatuar në majën e Kështjellës
së mendimeve
Kohën e grabitur nga leckamanë me lëkurëgjarpri,
Dardania ime e Shenjtë e goditur nga antikoha.
Dhe miti i harresës që çelë si lule çdo
mëngjes
DRAMË
Shalli i zi në qafën e rënduar
Dhe një shikim i përvuajtshëm
Treten ngjyrat e shndritshme
Dhe rekuizitat e zeza na marrin sytë
Një gomar pallë sa të shurdhon veshët
Dhe hijet e korbave mistershëm
Kafshojnë fjalët e aktorëve të rraskapitur
Një puthje prej Jude
E deh aktoren me emrin Çudira
Zhvesh brekët me duhmë shurre
Dhe i hedh në publik e llastuar
Akti i parë pa orgazëm
Loja zgjati disa minuta
Dhe akti i dytë i kredhur në soditje
Një gomar lëviz në skenë për të satën
herë
Dy korba i bëjnë hije prej uji
ktori i turpshëm refuzon të lakuriqësohet në
skenë
Teksa mua perceptimi për dramën m'i gërryen sytë
As Godo nuk priti sa unë
KOMPROMIS
Fjala frymon jetë
Mesazhe jep
Edhe atëherë kur s'thotë gjë
Për këtë mos u hamend
Shiko poezinë
Çdo shkronjë të njomur me gjak
Varret në subjektin e saj
Beso në peshën e jetës
Në fjalën e vrarë në gjuhë
Beso në metafora
Në fjalën e brumosur që vlon në gji
Në kompromiset e vetëflijimit
Nëpër kabinete ofshamash epshore
Rritet shkurtohet njëqind herë mjekra ime
Bashkë me gjuhën që fjalët i mban të lidhura
Të heshtura në shpirt të ndrydhura lak
Bashkë me mendimet që i luftojnë muret e rrethimit
Kështjellat e çoroditura në sytë e mi
Gjarpri gojëhapur nuhat përulësinë
Dhe unë u detyrova të zhytem në heshtje
Në kompromisin e dhimbshëm me metaforat
Heshta derisa heshtja u shndërrua në zhurmë
Përsëri si për inat
Heshta derisa kënga në vargun tim shpërtheu
Nën mjekrën e pakrehur u tërbua heshtja
Nën qimet e pakrehura u dogj heshtja
KUJTIM I MERMERTË
Vjen dita jote poezi e mbytur nga pika e zezë në horizont,
I mermertë shtrihet kujtimi për kohën e Komedisë
Hyjnore,
Prapa hapave të molisur nëpër barrikada të panumërta
Rri hije shpirti im i etur për mijëra të fshehta
E shembur koha e pasioneve lakuriqe që fluturon si korb
Endet tamam si ylber mbi kokat tona të topitura nga betonet
e gjithfarshme
Të përgjumur dehemi në universin e mendimeve shpërthyese
Ka me ardhë prapë dita jote poezi
Rri e qetë në hijen e magjisë
Dhe mos e zhvesh imunitetin e trashëguar nga Zoti.
Zeus s'ka mbi tokë, fli e qetë dhe përkunde kohën
e hallakatur
Njeriun e përhumbur nëpër reklama çoroditëse
Dhe epokën e dokrrave, e zhurmës së gjithfarshme
S'ka vend për art, sa trishtueshëm, s'ka kohë për
poezi
Digjen merimanga digjen fjalë e zemra bashkë
Në horizontin e pritjes prehet një metaforë në
fyt,
I është zënë fryma, qan pa iu kuptuar dhembja,
E ledhatoj e në buzët e kallura të saj qetësohem
Kalendari im po tretet
Nga djersët verore që të djegin ballin,
Më duhet ta puth vargun e etshëm,
Sot nuk këndohet shpirti im,
Në vend të këngëve dëgjojmë zhurmë
çmendurake
Rropatje kotas për të prodhuar hamendësimet e panumërta:
Herdo kurdo çdo gjë zë vendin e vet
E natyrisht, edhe poezia do jetë në fatin e saj të
lumë...
THIRRJE
Muzë, mos fli hape sythin
Dhe më huazo zërin e kangës
Përkulem para teje
Digjem e flakë s'jam
Muzë, në fillim ishte fjala
Dhe fjala ishte gjithçka
Tanimë s'mbet gjë tjetër
Përpos fjala e dashuria
Më dëfto kufirin e jetës dhe vdekjes
Dhe mbretërinë poezisë
Në qytetin tim më kufij e mure
Më dëfto mbretërinë prej urate
Dhe më mëso të bëhem dishepull i fjalës
I muzikës së shpirtit të dëlirë
Që vallëzon kurrë pa ndalë
Më dëfto shumë
Se historia është nyje në këmbë
E shkruar dhe e rishkruar
Nëpërmjet gishtave të dridhur
Për të prodhuar mite
Dhe një kodër rrenash
E pra Muzë, këndo me mua
Dhe dashurinë që vlon
Në metamorfozën e kohës
Më dëfto Zoti im
Se dielli lind për të mirët dhe të këqijtë
Gjuha e zjarrtë shndërrohen në hije
Dhe shikimi im në horizontin e pritjes
Tek rikthen mendjen në ditën e djeshme
Dhe kundron strukturën e kohës
Në pikën e së nesërmes
POETËT VETMITARË
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Rrugës së qiellit thithte diellin
Kishte mbështjellë kokën me ëndrra
Që t'mos i harliseshin vargjet
Dje takova poetin e dashurisë së madhe
Rrugës së pyllit me ngjyra të panjohura
Kishte lidhë kokën me sytë e erosit
Që t'mos i çorodiseshin vargjet
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Rrugës së pluhurosur lëpinte gjurmët e tij
Kishte lidhë me histori kokën
Që t'i fashiste rrenat si koka prej gjarpri
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Rrugës së vetmisë së metaforave
Kishte dalë i lakuriqësuar
Të dehej në sytë e tij bota
Dje takova poetin e vetmisë së madhe
Me matematikën e zemrës
Zgjidhte të panjohurat e bëra lëmsh.
PËSHTJELLIM
Digjet mjekra ime
E këmbët e mia të lodhura
Askund s'mund të arrijnë
Një tym e ca shtëllunga përplasen syve
Zhurma të pakuptimta sillen nëpër veshë
Libri i historisë sime
Është djegur bashkë me Trojën
Të dashurit e mi
Diku nën Shkodër gjurmët e ikjes
Janë vizatuar me ngjyra hiri
Askush s'guxon t'i prekë
Asnjëherë s'arritëm të mësojmë
Historinë në trajtat e ferrit
Edhe pse At Zef Pllumi na tregoi:
Dante e ka shkruar Komedinë për ne
Në mërdhihemi e ikim nga dielli
S'kemi syza të zeza të mbrohemi- klith Ali Podrimja
Në parada orësh letrare dehemi
Interpretojmë si duam
S'i dëgjojmë metaforat e prera në fyt
Mbi portrete pshurrin qentë e çartur
Teksa na thuhet t'iu falemi tempujve prej rrenash
Uratë!
Asnjëherë s'e mësuam gjuhën e Fishtës
E ai na huazoi zërin e zjarrtë në formë stuhie
Mbi kokat tona vallëzojnë tragjeditë
Dhe mbi kokat tona portretet përhapen
Kafshohen nëpër heshtje ankthi
Teksa na kërkohet të heshtim
Budallakun ta përkundim si fëmijë
Kjo s'është kohë e Kafkës
Teksa sajohen mbretër pa mbretëri
E absurditetet çelin si lule në saksi
Intelektualë shitës lakrash
Akademikë lypës ndihmash
Migjeni çdo ditë vdes i ri
Nënës Terezës lotët varrë i shkojnë
nëpër gurë
Matrapazët kanë harruar pagëzimin me ujë
PËRPJEKJA
Asnjëherë s'kam besuar se pas kohës së myktë
Humb kujtimi dhe imagjinata përmbyset
E në kokë të njeriut çelin krimbat
Bashkë me gjarpërinjtë thatanikë
Djajtë engjëjt
Hanë pinë
Kuvendojnë e mashtrojnë
Kafkën time e nuhasin
Me epshin e dreqitnjeri
Ëndërr e paparë
Gjak kullojnë lulet
Kafshohen ëndrrat
Hatashëm kafshohen
Përleshën leshrat e kalbura
Dhe aroma e tyre na deh
Pantallonat që s'mund t'i mbajnë koqet
Shiten në tregjet tona mëkatare
Nuk është panair idesh
Dhe maskat e skenës së mashtrimeve
Krismat si zjarret me tym të zi
Zoti im, tamam si këpurdha pas shiu
Dhe, ku është arti... klith?
Kori i ideve
Letërsia shqipe sot
Arti i të Shkruarit
Ndue Ukaj
1.
Në traditën e shkrimit letrar, ekziston një debat
i pambarim për rolin që ka letërsia në një
shoqëri. Platoni donte t'i dëbonte poetët nga shteti
i tij ideal si prishës të moralit dhe ketë e bënte
nga fakti se pranonte ndikimin e jashtëzakonshëm të
letërsisë tek rinia, edukimi i pasioneve dhe ndjenjave
të saj. Më tej, dijetari tjetër antik Aristoteli
vë në spikamë katharsin si një aspekt funksional
të letërsisë në shoqëri. Ndërkaq shkrimtari
gjenial argjentinas Jorge Luis Borgesi, tek letërsia sheh shpirtin,
andaj ja dedikon librit atributin më te madh të lumturisë
njerëzore. Në këtë linjë mendimesh për
artin letrar na del edhe filozofi dhe esteticienti Friedrich Hegel,
i cili shkruan: "Vepra artistike vjen nga shpirti dhe ekziston
për shpirtin, dhe epërsia e saj rrjedh nga fakti që,
nëse një produkt natyror është një produkt
i pajisur me jetë, ai është i vdekshëm; ndërsa
një vepër artistike është një vepër
që vazhdon të ekzistojë". Pra, njëfarë
mënyre, nëse do synonim të interpretonim një
nga esencat e shumta të botës së madhe të letërsisë,
do të mund të pajtoheshim se: "vepra artistike është
e përcaktuar të ndërmjetësojë midis krijuesit
të saj dhe kolektivit" (Jan Mukarzhovski). Dhe pikërisht
ky aspekt e bënë letërsinë një univers
autonom e krejt specifik në përvojën njerëzore,
që vazhdon të qëndroj e fuqishme në çdo
kohë.
2.
Poesis, ky term antik aristotelian që ka kuptimin e "krijimit
nga asgjëja" nëpër kohë është
bërë paradigma e shkrimit imagjinativ. Në të
vërtetë, shkrimi konceptohet si përjetësia,
mbi të gjitha amshueshmëria e fjalëve të lidhura
me kuptime filozofike e ndjesore. Në universin e pafundmë,
aty ku Olimpi i magjishëm ruan pushtetin e shkrimtarit, ekziston
një fije transcendentale që e bën artin letrar të
përjetshëm. Shkrimtari, kjo qenie mistike, heshtur ndërton
botëra të ndryshme e të shumta, mbi të gjitha
specifike, të cilat njerëzimi përherë i admiron,
jeton me to, ndjen e frymëzohet nga to. Shkrimtari shëmbëllen
me Krijuesin, ngase ai krijon nga asgjëja, tamam si Krijuesi
dhe qëndron karshi universit të pafundmë me gjuhën
e orakujve, një gjuhë që ligjërimin krijues
e mishëron me përvoja të shumëfishta filozofike
e artistike. Shkrimtari është qenia më tipike që
ndërthur të bukurën dhe të madhërishmen,
të këndshmja dhe të shëmtuarën, më
tragjiken e lumturinë, brenda një simbioze letrare që
sfidon kohët dhe ekziston përjetshëm. Ky kontrast
dramatik e bën letërsinë gjithmonë aktuale,
gjithmonë të nevojshme për mendjen njerëzore,
për fisnikërimin e shpirtit njerëzor, mbi të
gjitha për të pastruar njeriun nga pasionet e shumta:
pra për domosdonë e një katharsis të përhershëm,
në të cilin aspekt letërsia ka një rol fundamental.
Është libri i letërsisë ai që me fuqi autonome
tejkalon konceptet e kohës dhe lidhet me pakohësi, duke
përmbys ligjet e ngurta të kohës, vjetërsisë,
harresës, etj. Sa më shumë ecin kohët aq më
i admirueshëm bëhet Homeri, Virgjili, Dante, Shekspiri,
Kafka, apo në rastin e letërsisë shqipe, Bugdani,
De Rada, Mjeda, Frashri, Fishta, etj.
3.
Për shkrimtarin e madh Jorge Luis Borges, ndër instrumentet
e shumtë të njeriut, më i mahnitshmi, pa dyshim mbetet
libri. Borgesi këtë atribut të posaçëm
për librin e mbështetet në një sërë
arsyesh, e mbi të gjitha, për faktin se libri ka fuqinë
e shpirti. Pikërisht fuqia e shpirtit si tipar themelor, e
nën substratin e së cilit qëndrojnë shumë
shtresa narrative dhe stilistike, si gjuha e kultivuar dhe atributive,
rrjeti imagjinativ me nuanca e prirje estetike e stilistike, e bëjnë
librin e botës së letërsisë të posaçme,
madje për shumë aspekte të veçantë, edhe
në raport me gjitha librat tjerë të fushave të
ndryshme shoqërore. Arti letrar, apo thënë ndryshe,
libri i letërsisë mbetet ndër referenca themelore
për emancipimin njerëzor. Letërsia gjithmonë
ka influencuar dhe sot ka një funksion të fuqishëm
në shoqëri. Pikërisht kjo fuqi e jashtëzakonshme,
e cila kur konvertohet në atë që e konceptojmë
shkrim letrar, krijojnë një soj lumturie të posaçme,
të cilën njerëzimi vazhdimisht e kërkon, e admiron,
e dashuron. Ky asociacion perceptimesh e bën letërsinë
fushë superiore dhe tërësisht autonome. Këndej
pari, prirja ndaj letërsisë, ndaj shkrimit letrar përgjatë
gjithë gjallimit njerëzor ka qenë prirja me sublime
për të bukurën dhe shëmtuarën, për
të këndshmen dhe të dobishmen (Dulce et Utule), siç
shkruante Horaci, për këto kategori estetike që përcjellin
qenien njerëzore përherë. Nga bota e madhe dhe e
pakufishme e letërsisë, shumëçka është
transformuar në kulturë globale, duke mbetur letërsia,
arena ku shkrihen shekuj, kultura, distanca dhe sintetizohen në
atë që është e bukura, sublimja, e madhërishmja,
tragjikja, etj. Prandaj, edhe në kohërat moderne ngjarjet
dhe motivet që i ka përcjell letërsia, s' mund të
shkëputen nga jeta, madje as pas qindra shekujsh. Kështu,
rrëfimi për Luftën e Trojës dhe Homerin vazhdon
të përdoret në arte e kulturë, ashtu sikurse
s'mund të shkëputet përvoja njerëzore nga "Komedia
Hyjnore" e Dante Aligerit, "Hamleti" i Shekspirit,
apo në kontekstin shqiptar nga "Lahuta e Malcis"
e At Gjergj Fishtës.
4.
Përkundër lashtësisë së saj, edhe në
shekullin tonë shtrohen pyetje për letërsinë,
për natyrën e saj, për funksionin e saj. Megjithë
përkufizimet e shumëfishta për artin e fjalës,
mbetet e vështirë të gjendet një përkufizim
i kënaqshëm për atë çfarë është
qenia e letërsisë. Përtej një përkufizimi
të pranuar si të mirëqenë, le ta kundrojmë
dhe shijojmë letërsinë si artin e shpirtit njerëzor,
shtratin ku derdhen emocione dhe drithërima vibruese, dashuri
dhe urrejtje të gjithfarshme, lindje dhe vrasje, paqja dhe
luftëra, shkruar me një ligjërim të veçantë
brenda një struktura komplekse, që quhet tekst letrar.
5.
Letërsia dhe libri që konceptohet brenda letërsisë,
për shoqërinë njerëzore është kult
në saje të kënaqësisë që krijon, prandaj
Borgesi e përkufizon një ese të tij, "Lumturia
e librit". Pra arti letrar, jashtë çdo qëllimi
praktik, sikundër do të shkruante Paul Auster, lumturon
shpirtin njeriut, lumturon njerëzimin dhe realizon katharsisin
letrar, ajo kumton me gjuhën e orakujve të pathënat,
ato që s' mund ta bëjë asnjë dije tjetër
shoqërore dhe asnjë formë tjetër e komunikimit
të mesazhit drejt recpetuesit/lexuesi. Mjetet e letërsisë
i mungojnë edhe muzikës, filmit, pikturës, skulpturës,
filmit. Nëse letërsia, në një aspekt sintetizon
shpirtin njerëzor, libri i letërsisë është
vetë shenjtëria e botës, memoria kolektive ku ruhen
me emocione të veçanta të mirat dhe të këqijat.
6.
Nëse e marrim për bazë mendimin e Borgesit se libri
është i shenjtë, dhe shtojmë se këndej
pari shenjtëria e tij krijon një soj lumturi të veçantë,
duhet të shtojmë edhe se libri mbetet ngushëllim
i kohëve, me librin ndjejmë e bashkëndiejmë,
me librin bashkudhëtojmë e bëhemi pjesëtarë
të kulturave të ndryshme, bëhemi pjesëtarë
të rrëfimeve të shumëllojshme, të lumturisë
së pakufishme dhe tragjikes tronditëse; asociacione dhe
ndjenja këto që sjellin kënaqësi të veçantë
estetike, por edhe drithërima nga më të ankthshmet.
Njëfarë forme libri është ngushëllim i
së kaluar, memorie e saj, mbi të gjitha ngushëllim
i së tashmes, një pasqyrë ku përthyen kohë,
një arene ku ndeshim lumturinë që vazhdimisht dëshirojmë
ta kemi në mbamendje, por edhe tragjiken që vazhdimisht
dëshirojmë ta kemi në mbamendje, madje edhe nëse
rrëfimi apo krijimi tragjik, krijon makth, tmerr, trishtim,
lemeri, prapëseprapë s'mund të shkëputemi nga
ai. Librin e letërsisë e ndjejmë, dëshirojmë
ta përcjellin tek tjerët edhe në qoftë se ai
ka reflekse tragjike. Është interesante të mendohet
se e gjitha kultura letrare, dhe jo vetëm ajo dëshiron
ta lexojë e rilexojë "Procesin" e Kafkës,
edhe pse e ka parakonceptin se Jozefi K do të dënohet
dhe vdes si një qen, pa ndonjë mëkat. Pra, tek ky
roman lexuesi gjënë diçka nga vetja, nga rrethi,
nga përditshmëria e tij. Në fund të fundit aty
është një pjesë e unit të tij. Prandaj
ai roman është kurdoherë aktual, i përballon
kohës, sepse lidhet me amshueshmërinë. Lexuesi, qoftë
ai model apo empirik i letërsisë (Umberto Eco) pikëllohet
me vuajtjet Gregor Hamzës dhe sfilitet në peripecitë
e tij që shkakton metamorfoza e çuditshme në horizontin
e një estetike të pritjes së ankthshme. Por, përfundimi
i tyre tragjikë nuk e molepsë lexuesin e pasionuar të
letërsisë, përkundrazi. Më tej, nëse e
marrim si shembull një nga prelat e artit botëror, dramën
Hamleti, tekst ky letrar që përfaqësuar kulmin e
tragjikes letrare e njerëzore, shohim se ai s'na moleps, përkundrazi
na trimëron, nga bën më të fortë. Ne e
duam Hamletin duke e përjetuar si fenomen universal, bashkëndjejmë
me të dhe çlirohemi nga ankthet bashkë me të.
Ne e ndjejmë dashurinë në këtë dramë,
ashtu sikundër fajin, tragjiken e vrasjes, hakmarrjen dhe së
fundi, zgjedhjen e dilemës e enigmës së vrasjes misterioze.
Ndërsa, tek Charls Bodleri ndeshim modelin më të
shkëlqyer te këtij konteksti, ku nga pelmi dhe krimbat
krijohet estetika e tekstit, që e lexojmë me kënaqësi,
edhe pse lexuesi he për he ec në tehun e tragjikes së
jetës. Ndërkaq nëse këtë çështje
e kontekstualizojmë brenda letërsisë shqipe, lexuesi
shqiptar ka makth nga tmerret e komunizmit, por dëshiron ta
lexojë letërsinë e Kadaresë, sikundër romanin
"Nata me hanë", "Hija", "Përbindëshi",
"Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazarekut", etj. Apo në
trajtat me rrëqethëse Atë Zef Pllumin dhe rrëfimin
e tij. Në memorien njerëzimit ekziston një galeri
personazhesh që mbesin në mbamendje përjetësisht,
qofshin edhe atëherë kur kanë elemente tragjike.
7.
Letërsia lexohet me endeje. Leximi i letërsisë mund
ndryshe të kuptohet edhe si një përqafim me idetë
kulturore. Letërsia më fuqinë e saj autonome të
komunikimit kënaq lexuesin."Kënaqësi e tekstit,
tekst kënaqësie. Këto shprehje janë me dy kuptime.
Sepse nuk ka fjalë të gjuhës frënge që
të japë njëherësh kënaqësinë
(përmbajtjen) dhe shijimin (emocionin). A nuk është
kënaqësia një emocion i vogël? Emocioni, a nuk
është në vetvete një kënaqësi e skajshme?"
shkruan Roland Barthes në esen "Kënaqësia e
tekstit". Në këtë ese të shkëlqyer
Barhtesi bën një raport mes kënaqësisë
së tekstit dhe institucionit të tekstit.
8.
Letërsia ka fuqinë të zbut dhe miklojnë zemrat
e njerëzve. Letërsia riprodhon te kaluarën, kohët,
librat, personazhet e saj pozitiv e negativ. Por letërsia edhe
projekton një realitet imagjinar të së kaluarës,
të së mundshmes, me një sens racional, të një
realitet që është specifik. Ndërsa në anën
tjetër, letërsia projekton të ardhmen, të cilën
e kundron në një prizëm krejt të veçantë,
me perceptimet e shpirti dhe imagjinatës. Në këtë
qerthull të krijimit, teksti letrar krijon e riprodhon. Ai
kthehet tek modeli pararendës, nga i cili asnjëherë
nuk dëshiron të shkëputet, edhe pse gjithmonë
tenton origjinalitetin. Pra, letërsia dialogun me autorë
të ndryshëm, me modele kulturash, reflekton tragjiken
dhe peripecitë e njeriut, përmes një mesazh specifik,
mesazh ky që konstruktohet me elementet e së bukurës
dhe figurativitetit të mendimit. Sikundër thoshte edhe
Aristoteli, Historia tregon të njëjtat ngjarje shpeshherë
sikurse letërsia, por nuk e arrit asnjëherë përmasën
e saj. Ato janë fakte që krijojnë një regjistër
ngjarjesh kronologjike pa asnjë asociacion ndjeshmërie,
emocioni, invencioni. Dhe këndej pari lexohen si të tilla,
përkundër librit të letërsisë i cili lexohet
me afsh, pasion, emocione.
9.
Letërsia duke riprodhuar kohët rikthen klasikët.
Kjo logjikë arsyeton faktin se shumë shkrimtarë me
nam rikthejnë klasikët; Xhems Xhojsi (James Joyces) rikthen
Homerin dhe Odisenë, ndërsa neoklasicizmi francez rikthen
antikitetin greko-romak. Në këtë linjë të
mendimit për librin dhe letërsinë dijetar i madh
Roland Barthes shkruan për kënaqësinë e tekstit,
për atë kënaqësi emocionale që shkakton
teksti letrar, duke evidencuar tipologjitë e mundshme të
kënaqësisë vë në spikamë aspektin
psikanalitike, ngase "kënaqësia nuk është
atribut, nuk është produkt, nuk është dukuri
sociologjike. Kënaqësia e frazës është
një ide kulturore. Kënaqësia e tekstit. Klasikët.
Kulturë (sa më shumë kulturë të ketë
në tekst, aq më e madhe do të jetë kënaqësia)".
Kjo qasje vetëm sa hap temat dhe dilemat lidhur qëllimin
e artit dhe vetë qenies së letërsisë.
10.
"Çka është letërsia", pse lexojmë
letërsi, çka është ajo që e bën
këtë fushë shpirtërore krejt të veçantë,
edhe përkundër faktit se letërsia nuk ka ndonjë
qëllim praktikë, sikur ta zëmë arkitektura.
Pse ndjejmë kënaqësi kur lexojmë letërsi,
qoftë edhe atëherë kur përmbajta e saj të
jetë tejet tragjike, sikundër ta zëmë Hamletit.
Pse edhe sot zhvillimeve marramendëse teknologjike, njerëzimi
ndjen nevojë për letërsi. Janë këto një
sërë pyetjesh që vazhdojnë të shtrohen
e tërheqin vëmendjen e dijetarëve të shumtë
të letërsisë. Janë këto pyetje e dilema
sa të vjetra aq edhe të reja. Megjithë pikëpamjet
e shumta ndonjëherë edhe kundërthënëse,
letërsia vazhdon të jetë domeni i së bukurës,
ku përthyhet historia e filozofia, religjioni dhe morali, e
bukura dhe e shëmtuara, etj.
11.
Natyrisht, nëpër libra teorik për letërsinë
gjenden shumë përgjigje të mundshme për pyetjen
komplekse "Çka është letërsia",
pastaj për natyrën e saj, si dhe funksionin e përmasat
e saj. Përgjigjet në nivel sprovash, tezash e teorish
japin shumë shpjegime teorike e semantike për përmasën
shumëdimensionale që ka qenia e letërsisë. Ato
përpiqen të sintetizojnë mendime dhe empiri për
të dhënë orientime të caktuara. Rezultat i këtyre
përplasjeve, në mendimin për letërsinë
dhe vet letërsinë, janë zhvilluar shumë shkolla
dhe formacione letrare. Kjo vetëm vë në spikamë
"mospërputhshmërinë" e ideve dhe mendimeve
për letërsinë dhe njëherit thellon "enigmën"
për këtë fushë superiore që e quajmë
letërsi. Njëra nga përgjigjet interesante dhe gjithherë
aktuale është se letërsia është dialog,
një dialog ku gjenerata të reja shkrimtarësh reagojnë
dhe përgjigjen për të tjerët kolegë shkrimtar,
lidhur me kuptimet për botën dhe njerëzit në
kohë të ndryshme e realitet të ndryshme, duke sfiduar
kështu kohët dhe harresën. Megjithatë letërsia
nuk është histori, por pasqyron historinë përmes
asociacionit të ndjenjave dhe gjuhës së figurshme.
Xhems Xhojsi (James Joyces) rikthen Homerin dhe Odisenë, ndërsa
ta zëmë, Kadare në kohën tonë rikthen Homerin
dhe Kalin e Trojës në romanin "Përbindëshi".
Pse ndodh kjo? Kjo lojë letrare është quajtur nga
njëherë si intertekstualitet, nocion ky që mbulon
përmasa semantike e estetike të tekstit, paratekstit,
hipertekstit dhe kontekstit si dhe diskursit. Kjo domethënë
se tekstet letrare, të poezisë apo prozës komunikojnë
me tekste tjera, marrin e japin në mënyrë reciproke.
Pra, në njëfarë forme kjo vetëpërkufizon
letërsinë si dialog, një dialog aktiv me sferat e
së cilës janë shpirtërore. Nevoja që të
krijosh është një ndër ndjesitë bazë
humane shkruan shkrimtari Paulo Auster (Pol Oster), për të
shtuar se çfarë qëllimi i shërben arti, në
veçanti arti i fiksionit, asaj që e quajmë botë
reale? -përpos lumturimit dhe fisnikërimit të shpirti
njerëzor përmes artit të së bukurës. Ngase
janë krijuesit ata që përmbushin boshllëqet
e botës. Prandaj, në këtë kontekst poeti bashkëkohorë
Gjekë Marinaj ia shton krijimit Hyjnor një ditë për
vete (dhe krijuesit), nga shtatë ditët e krijimit biblik,
ngase kësisoj përmbushet plotënia e universumit,
apo: "Engjëjt të zbresin nga parajsa/ e të bëhen
poetë".
Letërsia shqipe sot
Ndue Ukaj
Të thuhet se kultura shqiptare si tërësi shenjëzuese
nacionale është në gjendje të mjerë, mbetet
vetëm një konstatim, tanimë banall. Përkundër
këtij konstatimi, kulturës shqiptare dhe në këtë
aks, literaturës shqiptare, si njëra nga paradigmat me
qenësore të kulturës, i duhet një tretman tjetërfare,
mbi të gjitha i duhet një debat i thellë e përmbajtjesor
që do të shtronte shumë pyetje dhe do të jepte
përgjigje adekuate.
Krist Maloku, dijetarë i mirënjohur shqiptar, i cili i
përket periudhës së artë të viteve të
30-ta, kur diskutonte për literaturën shqiptare, pat shkruar:
Paralel me gjendjen dhe rjedhjet sociale qindron edhe literatura
e jonë e shkatrueme. Pa një drejtim, pa një qëllim
të përbashkët-mbasi u shterp edhe lopa e patriotizmit-vjershojn
poetet e sotshem ner gjithfarë anësh të Shqipëniës
e gjithfarë vendesh të huej, sejcili në mendje të
vetë, pa fije inspiracijonit e shije artistike. Referenca
e Malokut e kuptuar në kontekstin e kulturës letrare shqiptare
sot, na fut në një qerthull të ankthshëm mëdyshjesh
e përgjegjësish, pas së cilave shtrohen domosdoshmërish
pyetje e kërkohen përgjigje adekuate nga mendje të
ndritura e dashamirët e mirëfilltë të kulturës
letrare.
Gjendja e përgjithshme e literaturës shqipe, nuk dallon
shumë nga ajo që e vlerësonte Maloku, afërsisht
një shekull më parë. Në të vërtet,
letërsia shqipe edhe pse ka krijuar tanimë një traditë,
ka në gjirin e saj emra të denjë e artistë meritor,
por vazhdon të vuan mungesën e një komunikimi të
lirshëm, vazhdon të jetë e sfiduar nga grupe e qarqe
paraletrare, që më së paku i shërbejnë
kulturës letrare, vazhdon të jetë preh e disa emrave
që mund të jenë gjithçka tjetër përpos
shkrimtar, vazhdon të bën jetë prej klanesh e grupesh
të mbërthyera nëpër geto primitive. Në
fakt, letërsia shqipe më së tepërmi vazhdon
të vuan nga klanet dhe oportunistët shkrimtar, të
cilët sot realisht janë gangrena më e rrezikshme
e letërsisë shqipe. Ata, duke iu shërbyer klaneve
i shërbejnë më së miri antikulturës, kicit,
jo vlerave, i shërbejnë fragmentimit të letërsisë
shqipe, izolimit të saj. Letërsia dhe klanet është
sikur letërsia dhe jo vlerat. Prandaj janë klanet ato
që po e rrënojnë e izolojnë edhe më shumë
letërsinë shqipe.
Është pikërisht kjo gjendje e mjerë, që
e pengon integrimin e plotë të letërsisë shqipe,
si një sistem i vlerave universale, po e pengon komunikimin
e natyrshëm e të nevojshëm e po e mban letërsinë
të mbërthyer tek ca emra shërbëtor ideologjish
e autorë pa shije të kultivuar artistike. Pikërisht
klanet e bëjnë letërsinë të jetë e
fragmentuar, e shpeshherë e ekskomunikuar dhe paragjykuar,
jo me diktate politikë si më parë, por nga vet shkrimtarët.
Plotë autorë të mëdhenj struken
pas klaneve dhe grupeve të caktuara, duke harruar se arti i
mirëfilltë e vlerat universale nuk kanë nevoje për
apologjet, për mburoja. Së këndejmi, autorë
të shumtë shqiptar që vërtet përfaqësojnë
vlera të njëmenda, e kanë të vështirë
ti ofrohen lexuesit shqiptar, i molepsë kjo gjendje bizare,
dhe i vë përballë sfidave të shumëfishta.
Se ka krizë të leximit dhe ka krizë të vlerave,
thuajse pajtohet çdo shkrimtar racional në hapësirat
ku kultivohet letërsia shqiptare, Shqipëri, Kosovë,
diasporë e gjetiu. Rezultat e kësaj krize letrare dhe
çorientimit në vlera, ka rezultuar të bie në
gjendjen skandaloze lexueshmëria. E, mbi të gjitha në
këtë aspekt çalon sistemi i vlerave. Sot shumica
e emrave, të cilët ta zëmë janë ajka e
Prishtinës letrare, në botën perëndimore nuk
hyjnë as nivelin mesatar të literaturës. Megjithëkëto
mungesa, prapëseprapë ende nuk kemi një debat të
mirëfilltë letrar, nuk kemi shoqata të konsoliduara
shkrimtarësh, nuk ka komunikim të lirshëm të
vlerave, nuk ka një periodikë të guximshëm për
të ndarë vlerën nga jovlera, letërsinë
nga joletërsia, klanet nga kultura. E gjithë kjo gjendje,
po të përkthehet thjeshtë domethënë: letërsia
shqipe ka krizë, ashtu sikurse e gjithë shoqëria.
Por, cila është natyra e kësaj krize, a është
kaluese dhe çfarë duhet të ndërmerret për
të ndihmuar në kalimin e kësaj gjendje të tillë
çfarë kemi?
Nëse e lexojmë më tej Malokun, qëndrimi i tij
kritik vazhdon të kumbon më shkopin fishkëllyes,
kur shkruan se: ...deri sot nuk patem kurajën mi thanë
mikut ose shokut të vërtetën. Dhe pikërisht
në këtë referencë qëndron esenca e çalimeve
të letërsisë shqipe dhe sfidat e saj të shumëfishta.
Pikërisht e vërteta dhe largimi prej saj mbesin pengesa
të mëdha, pse letërsia shqipe gjendet në një
amulli të madhe, pa ndonjë orientim të caktuar, e
mbërthyer brenda klaneve, e fshehur dhe e kamuflazhuar nga
grupet jashta letrare, shërbëtore të pushteteve të
caktuara e shkrimtareca që grumbullojnë në fletën
e bardhë fjalë pa shije e pa asnjë kriter estetik.
Kjo është në fakt një ideologji letrare, pak
e dallueshme me atë që diktonte shijen letrare, vetëm
para dy dekadave. Nëse sot politika nuk e dikton letërsinë,
është pikërisht kjo e fundit që është
oportuniste e paskrupullt e politikës, i është mvesh
asaj duke e humbur rolin e saj opozitar që ka në çdo
kulturë normale, mbi të gjitha duke humbur statusin e
saj autonom dhe duke u bërë shërbyese.
Nëse pajtohemi me atë se literatura shqipe ka ec dhe është
paralel me gjendjen e kombit, pa marr parasysh rreth cilës
qendër graviton, Tiranë, Prishtinë, Shkup, Malësi,
Diasporë, domethënë ajo s është në
një gjendje të lakmueshme, përkundrazi. Mbase, letërsia,
për të keqen, në shumë dimensione qëndron
në majën e deformimeve, ku shija artistike është
bastarduar dhe ku shkrimtarët defilojnë tamam si surrogat
i shkrimtarit real. Një pjesë e madhe e letërsisë
shqipe është në dëlirë, duke u vetëkënaqur
pafundësisht, pa orientime, brenda një rrethi vicioz,
që nuk tejkalon kufijtë letrar të ca qendrave, apo
më mirë të themi, shkoqur, kafeve të qyteteve
tona, ku zakonisht bën jetën letërsia
shqipe dhe aty të shumtën e herëve vdes.
Që të jemi realist, as literaturat e konsoliduara, sikurse
ato franceze, italiane, anglo-amerikane apo suedeze nuk janë
në nivel të kënaqshëm, për shkak të
botës teknologjike që ka marr përpara
çdo gjë, por këto letërsi kanë sistem
vlerash të konsoliduar dhe funksionon një hierarki e qartë,
që domethënë shkrimtari është shkrimtar
e jo surrogat i tij.
Letërsia e një kombi pasqyron në trajtat më
të mira psiken e tij. Duke pasqyruar psiken, ndjeshmet dhe
shpirtin e një kombi, letërsia mbet kështu një
domen real i fizionomisë së një kombi. Për më
tepër, letërsia kuptohet e vlerësohet si segment
tejet me rëndësi brenda kulturës, si shkalla më
universale e identifikimit të një kombi, identifikimi
dhe paradigma ku ndërthuret shpirti e identiteti nacional.
Duke qenë me vlerë kaq qenësor, letërsia njëkohësisht
është paradigma ku ndërthuren kohë, ideale,
kontradikta, perceptime për botën në trajtat e shkrimit
fiksional. Duke qenë kaq e rëndësishme, letërsia
jo gjithherë është kuptuar drejt, ne mos ajo, në
trajtat e kundërta, në shoqëri tranzicionale ka qenë
e mbetet arena më përshtatshme prej ku manipulohet në
mënyrën më të paskrupullt e ku çorientimet
janë në shkallë të lartë. Këtij fati
nuk ka mundur ti ik as kultura shqiptare, e cila sot ec paralelisht
me numrin e pafundmë të mungesave që e karakterizojnë
jetën e njeriut shqiptar. Në një gjendje të
rënduar dhe me shenja të pakta shprese për këndellje,
në një ambient letrar ku pyetjet dhe dilemat janë
të shumta e përgjigjet e pakta, detyrë e komunitetit
të shkrimtarëve dhe artistëve, mendoj se mbetet,
që në vend se të ankohen për errësirë,
të ndezin një qiri (Nëna Terezë). Kjo
referencë me predimensionime morale, ka kuptim thelbësor,
edhe në dimensionet letrare, ngase literatura shqipe vazhdon
të vuaj nga mungesa e qirinjve që do të synojnë
te mbysin terrin, terrin që është në ne dhe
mbi ne. Në të kundërtën, shkrimtarët e
shumtë, madje edhe alamet emra të mëdhenj, luajnë
rolin e qeramanëve, duke hedh fajin andej e këndej, me
vetëdije e pavetëdije. Kjo mënyrë e të
perceptuarit të dukurive letrare, është mënyra
më e mira për ti shërbyer antikulturës,
vetëizolimit dhe mbetjes në geto.
Megjithëkëtë mungesa, shqetëson tej mase fakt
se si letërsisë shqipe vazhdon ti mungoj debati
i hapur, përmbajtjesor e qëllimmirë për këto
dukuri komplekse. Jo vetëm kaq, letërsisë shqiptare
duke i munguar debati, i mungon gjykimi i mbrehtë për
rolin dhe funksionin që ka në një shoqëri. Më
tutje, duke i munguar debati dhe duke mos e kuptuar rolin madhor
brenda shoqërisë, letërsia shqipe komunikimin e natyrshëm
e ka të cunguar, në mos të themi e ka bërë
të pamundshëm. Ajo nuk komunikon lirshëm, si pjesë
e shpirtit njerëzor e dedikuar për shpirtin njerëzor.
Ajo krijohet dhe konsumohet nga një grusht njerëzish dhe
ky për mendimin tim përbën një fenomen të
tmerrshëm që degradon literaturën shqipe. Të
rralla janë ngjarjet kur shkrimtarët shqiptar dalin dhe
komunikojnë me lexuesin, pyetën dhe japin përgjigje
për krijimtarinë dhe artin, për procesin e krijimit
dhe veprën letrare, të rralla janë ato libra që
gjejnë lexuesi. Pra, letërsia shqipe jetën e vet
e bën kryesisht nëpër kafe, me expresso të shumta,
ku vetëkënaqësia dhe mburravecia mbeten në gradën
më të lartë, e ku bëhen aleanca primitive dhe
ku luftohen gjoja jovlerat (lexo autorët e padëshiruar).
Nëse kuptojmë faktin se është pikërisht
kultura ajo që krijon fizionominë reale të një
kombi, atëherë qasja ndaj kësaj komponente kaq të
rëndësishme të shoqërisë duhet të
ndryshohet. Por, ky ndryshim jo gjithherë është i
lehtë. Ai ndeshet me dukuri sabotuese, me antivlera dhe degradime
artistike. Vetëm një kritikë e pastër dhe e
çiltër, do të krijon dijen e vetëdijen për
fenomenet në fjalë. Andaj është kohë për
tu fut në këtë betejë, me një përcaktim
qëllimmirë, për të ndërtuar hierarki dhe
për të ndërtuar sistem vlerash reale, jo abuzime
dhe shpërdorime me këtë fushë shpirtërore.
Ngase duke qenë shpirtërore, është tejet e delikate
dhe vështirë e riparueshme.
Bota shqiptare
Mungesa e dialogut parimor
Në përditshmërinë shqiptare, duke u nisur
nga politika e cila qëndron në majat e të këqijave,
pastaj tek strukturat tjera shoqërore, akademitë dhe institutet
e ndryshme, deri tek elitat e mediat, shohim se nuk eksiton madje
asnjë fushë ku të arrijmë të përbashkohemi
rreth të mirave të përbashkëta, duke i harruar
cenet e caktuara dhe të metat e ndryshme, që mund të
na diktohen nga çfarëdo faktorësh.
Ndue Ukaj
Kriza shqiptare, të cilën e përjetojmë,
edhe sot e gjithë ditën, ka ndërlidhje të pashmangshme,
mbase në disa aspekte esenciale, me dimensionet tona historike,
qytetëruese, shpirtërore, dhe natyrshëm në këtë
arenë hyjnë mungesa e dialogut parimor e të brendshëm,
që për pasojë ka sjellë humbjen e besimit në
të ardhmen, dvarrjën e idealeve deri në shkallmim.
Mungesa e ndjenjës së bashkëpunimit, është
një ndër faktorët që po bën pengesë
e mëdha, që po e trondit edhe sot e gjithë ditën
kombin tonë dhe po e pengon të ecë në rrugën
e përparimit, krahas kombeve tjera të qytetëruara,
për të përmbyllur kapitullin e vajtimit të tipit
që shkruante poeti Pashko Vasa, me vargun rrëqethës
e me status të veçantë tragjiciteti: O Moj
Shqypni, e mjera Shqypni.
Cenet, paragjykimet dhe shpirtngushtësia
Në të vërtetë, të pesë anarkitë
tona të cilat i identifikonte me një dije- analizë
të veçantë e lakonike Fan Noli, brenda një
strumbullari të larmishëm, të përkufizume si:
anarkia fetare, anarkia sociale, anarkia morale, anarkia patriotike,
anarkia e idealeve, në fakt, janë identifikimi i te pesë
pengesave që janë sforcuar deri në paradigma për
të tashmen dhe të ardhmen. Këto plagë, apo anarki,
si të këtilla, edhe pas shumë decenieve, janë
diga të fuqishme që na pengojnë ti flakim tutje
cenet tona, paragjykimet dhe shpirtngushtësinë, karshi
idealeve dhe të mirave të përbashkëta, për
të sforcuar moralin e mirëbërësisë (Branko
Merxhani), moral që duhet ndërlidhet me mendimin sistematik,
veprimin sistematik. Këto anarki, të ndërlidhura
edhe me sindromën e filozofisë së brohoritjeve dhe
duartrokitjeve të pakontrolluara, na kanë sjellë
para një gjendjeje anarkiste, edhe në fillimet e shekullit
XXI, kur besohej se çështja shqiptare do të përmbyllej
me jetësimin dhe sendërtimin në plotëni të
projekteve nacionale të nisura me shekuj.
Mungesa e idealit
Dijetari i viteve të tridhjeta, Lumo Skendo në shkrimin
Çna mungon? Çduhet të kemi?,
po ashtu sikur Noli, një ndër plagët tona sheh mungesën
e idealit. Ky dijetar shkruan: Një popull nuk rron dot pa ideale,
pa një shtytje, pa një qëllim që e bën
të ec, të përpiqet dhe të përparojë.
Idealet duhet të ushqehen nga qëllime të mira dhe
të përbashkëta. Një gjë e tillë, nuk
ndodh te ne. Në të kundërtën, shoqëria
jonë formësohet në kontraste të fuqishme, mes
dimensioneve civilizuese, të cilat konfrontohen mes perëndimoreve
dhe lindorëve, mes gegëve dhe toskëve, mes qytetarëve
dhe katundarëve, mes të djathtëve dhe të majtëve,
mes këtij dhe atij, etj. Si rezultat i këtyre divergjencave,
nuk kemi arritur të ndërtojmë kompromise për
asnjë aspekt të rëndësishëm nacional: shqiptarët,
varësisht nga vendi ku jetojnë, ndryshe e konceptojnë
problemin tashmë ekzistues të gjuhës shqipe, shqiptarët
ndryshe e konceptojnë dhe e vlerësojnë historinë
e tyre, shqiptarët ndryshe e konceptojnë letërsinë
e tyre, shqiptarët ndryshe e shohin të ardhmen e tyre,
shqiptarët pikë e pesë, nuk kanë arritur sot
e gjithë ditën të bëjnë një kompromis,
madje as për të shkruar një histori të letërsisë,
të historisë, etj. Në këtë konglomerat
problemesh, nuk mund të mohohet se fajin kulmor e ka politika,
por këtu nuk mund të justifikohen as elitat intelektuale,
shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët, gazetarët,
etj. të cilët nuk kanë ndërmarrë asnjë
përpjekje dashamirëse, qëllimmirës për
të ardhur deri te një kompromis unik, për ndonjë
çështje të rëndësishme.
Dialogu është thelbi i demokracisë
Në fakt, dialogu është thelbi i demokracisë,
shpirti i cili i jep fizionomi një kombi si njësi e veçantë
e një universi qytetërues më të lartë.
Përmes këtij instrumenti, shoqëritë arrijnë
të realizojnë paqen e qëndrueshme; përmes këtij
instrumenti të komunikimit dhe të ndërtimit- sforcimit
të marrëdhënieve ndërnjerëzore, grupet,
shoqëritë, kombet arrijnë të bashkojnë
forcat, idetë, idealet dhe potencialet në drejtim të
të mirave të përbashkëta, në të cilat
të mira të përbashkëta, të gjithë
kontribuojnë dhe nga të cilat të mira çdonjëri
përfiton. Në të vërtetë, përbashkimi
i kombeve, përveç për arsye etnike rreth të
mirave të përbashkëta, hap shanse të mira për
të përparuar shoqëria, vendi i caktuar. Njëherësh
e ul mundësitë për shpërthimin e diversiteteve
të rrezikshme, që mund te pasojnë me dhunë,
shkatërrime, luftë etj. Empiria na tregon shembuj të
shumtë në këto drejtime të lartshkruara; aty
ku ekziston dialogu dhe ku problemet diskutohen në mënyrë
parimore, humb gjasa për kërkimin e zgjidhjeve tjera me
forma jodialoguese.
Në kulturën perëndimore, dialogu është
alfa dhe omega e çdo problemi, angazhimi e vizioni. Perëndimi
mendon se ku përfundon dialogu, aty fillojnë të vijnë
në shprehje instrumentet e tjera që sjellin dhunë,
shkatërrime, destruktivitet, që sot i gjejmë anekënd
botës lindore, në të cilat kemi probleme të
thella, të cilat përveç mungesë e aspekteve
të tjera, janë rezultat i mungesës së dialogut
thelbësor. Sot virtytet karakteristike që e kanë
ndihmuar Perëndimin të krijojë mirëqenie të
lakmueshme, janë produkt i etikës së përbashkimit
dhe krijimit të vlerave të përbashkëta.
Në realitetin shqiptar, ky fenomen paraqitet mjaft kompleks
dhe fenomen në përshkallëzim, për të keq.
Disi ka humbur sensi i dialogut të mirëfilltë dhe
të sinqertë. Shqiptarët anekënd hapësirave,
dialog bëjnë për tia bërë qejfin
njëri-tjetrit, apo për ta kundërshtuar njëri-tjetrin.
Ndërsa, më së paku për të shtruar ide dhe
për të zgjidhur probleme. Ndaj, sot, si komb, vazhdojmë
të vërtitemi mes një të kaluare të mjerë
dhe një të ardhme të panjohur, pikërisht nga
mungesa e vullnetit dhe besimit për të ardhmen dhe nga
mosaftësia për të komunikuar, për tu marrë
vesh.
Dialogu ka munguar dhe ende po mungon
Kultura e dialogut është premisa e të gjitha
zgjidhjeve; është aspekti që shtreson elementet bazike
të një sistemi të qëndrueshëm shtetëror
dhe kombëtar. Në të kaluarën tonë, dialogu
ka munguar. Për fat të keq, edhe sot po mungon. Madje,
në momente më të rëndësishme për kombin,
dhe ka indikacione se do të mungojë edhe në të
ardhmen. Dhe atë, falë pikërisht njerëzve
të cilët janë të ngarkuar të promovojnë
dialogun. Të cilët, për fat të keq promovojnë
antidialogun, kulturën e bojkotit, mendësinë stereotipe
të zgjedhjes së problemeve, ikjes dhe kamuflimin e problemeve.
Me këtë strukturë të elitave, politikës
dhe arsimit, as që duken shenja të nisen debate të
mirëfillta, të cilat do të shtronin probleme, do
të analizonin shkaqet dhe pasojat, dhe do të nxirrnin
pastaj konstatime në bazë të premisave empirike për
problemet, që gjithsesi do të rezultonin me përbashkimin
rreth të mirave të përbashkëta, për të
cilat, të gjithë shqiptaret kudo që janë, duhet
të kontribuojnë, dhe nga të cilat të gjithë
duhet përfitojnë. Pa e ekzagjeruar këtë problem,
analizat e çfarëdoshme që bëhen në realitetin
shqiptar tregojnë se dialogu është për shqiptaret
gjithçka tjetër përpos aftësi për tu
marrë vesh, për të bashkëpunuar, për të
bashkërenduar dhe për të ndërtuar kompromise
të caktuara në drejtim të së mirës së
përbashkët. Madje, për shumëkënd, dialogu,
ndërdijshëm konceptohet turp, frikë, lëshim
e çka jo tjetër. Duke mos e kuptuar të kundërtën,
se pikërisht dialogu është vlerë, është
shans dhe shprehje e vetëdijes së lartë emancipuese.
Në përditshmërinë shqiptare, duke u nisur nga
politika e cila qëndron në majat e të këqijave,
pastaj tek strukturat tjera shoqërore, akademitë dhe institutet
e ndryshme, deri tek elitat e mediat, shohim se nuk eksiton madje
asnjë fushë ku të arrijmë të përbashkohemi
rreth të mirave të përbashkëta, duke i harruar
cenet e caktuara dhe të metat e ndryshme, që mund të
na diktohen nga çfarëdo faktorësh.
Në debatet e shumta që bëhen anekënd botës
shqiptare, sheh gjithfarë tezash e gjithfarë trajtimesh,
por më së paku gjen analiza që merren me realitetin
e problemit, atë që konceptohet shkak dhe pasojë.
Shqipëria lindi nga zoti( nga idealizmi), shpëtoi nga
rastësia dhe vdiq nga politikanët, shkruante dijetari
i madh Faik Konica. Sot, vrasësit e shqiptarëve nuk janë
armiqtë e jashtëm, ata nuk janë as vetëm politikanët,
ata janë brenda, duke tharmuar shpirtin shqiptar. Kundër
këtij fenomeni, duhet të dilet në betejë të
hapur dhe të pakompromis.
Kosovës i duhet një politikë kreative
Ndue Ukaj
"Pushteti, si dukuri specifike njerëzore, lyp që
të ketë një domethënie", shkruan dijetari
dhe filozofi gjerman Romano Guardini tek libri "Fundi i kohës
moderne, pushteti". Më tej, duke elaboruar çfarë
nënkupton ai me domethënien, ai shton se: "Pushteti
është një gatishmëri. Prandaj...nuk ekziston
asnjë pushtet që të ketë a priori domethënie
dhe vlerë. Ai merr domethënien e vet përmes njeriut
që ndërgjegjësohet për këtë pushtet,
që vendos për të, e kthen në veprim, pra që
merr mbi vete përgjegjësinë". Këto mendime
të profesorit Guardini po të kontekstualizohen në
kontekstin e jetës sonë shoqërore e politike, kanë
një vlerë të jashtëzakonshme, ngase prekin palcën
e gamës së gjerë të problemeve që ka politika
e jonë, në relacion me domethënien e pushtetit dhe
vlerën. Pushteti duke mos pas vlerën a priori, ai duhet
ta fitoj atë, duke vepruar me përgjegjësi. Pikërisht
ky mendim i rri karshi gjendjes politike dhe domethënies së
pushteti në Kosovë, i cili është i simplifikuar
deri në shkallë banale, prandaj që ta fitoj vlerën
dhe domethënia e tij, lypset të veprohet përmes njerëzve
që ndërgjegjësohen për këtë pushtet
dhe që marrin përgjegjësinë. Në Kosovë
këto kategorizime janë të debatueshme dhe si të
tilla tejet të diskutueshme. Se sa është në
veprim politika në Kosovë, sa ka gatishmëri, sa merr
përgjegjësi, mbesim pyetje e dilema që rrinë
mbi kokat tona frikshëm.
Kompleksiteti i përgjithshëm që e karakterizon
jetën tonë nacionale, e, në këtë kontekst
sfida e ndërtimit të shtetit të Kosovës, është
një sinjifikativ, lehtë i kuptueshëm që dëshmon
se jeta politike, shoqërore dhe ajo kulturore tek ne është
mjaft kaotike. Për këtë, madje ka një pajtueshmëri
të gjithanshme, tek të djathtit e të majtët,
opozitë e pozitë, tek mediat e shoqëria civile, tek
shkrimtarët dhe akademikët. Megjithatë, kjo gjendje,
nuk duhet kuptuar si pika e nyjëtimit dhe interpretimit vetëm
të krizave e problemeve, përkundrazi, si pika e kthimit
ka e vërteta dhe realiteti që na rrethon, pa asnjë
ekzagjerim, për të mirë a të keq. Jemi këtu
ku jemi, me suksese dhe dështime, të cilat duhet t'i lexojmë,
analizojmë dhe kuptojmë vetëm ashtu si janë.
E tashmja është tejet sfiduese, ndërkaq e ardhmja
e mjegullt. E, pikërisht kjo gjendje vë në pah domosdoshmërinë
që Kosova të ketë në ballë, para se gjithash,
një politikë kreative, me një dinamikë të
theksuar e mençuri të nivelit të kënaqshëm,
e aftë për të përballuar vështirësitë
e ndërtimit të shtetit, sidomos për t'i dhënë
përmbajte pushtetit. Tanimë kur sfidat e ndërtimit
të shtetit, shihet sheshazi se nuk janë të lehta,
përkundrazi, ato janë tepër të vështira,
jeta politike në Kosovë ka përpara vetës një
detyrë, të ndryshoj dhe atë esencialisht. Pikësëpari
politika në Kosovë nuk guxon të jetë imituese
e politikave të caktuara, por krijuese e tyre, ajo nuk duhet
të imitoj modele, por duhet të krijoj modele funksionale
për të sendërtuar aspiratën për një
shtet të suksesshëm. Ajo më së paku duhet të
besoj në vlerat e paqena e të vetëkënaqët
verëbësisht. Përkundrazi ajo duhet të krijojë
vlerat. Në këtë kontekst, sorrogatlleku dhe ndjenja
inferioritetit, duhet të shndërrohet në shprehi krenarie
që shtetin tonë ta ndryshojmë duke e ndryshuar jetën
shoqërore në çdo pore, e jo me parulla retorike
puro komuniste, çfarë shohim të defilojnë
në jetën tonë shoqërore e politike. Ndërsa
gjitha këto duhet të vijnë si rezultat i vetëdijesimit
dhe konsolidimit shoqëror, atëherë kur në krye
te agjendës sonë vinë idealet e përbashkëta.
Në këtë pikë nyjëtimi, duhet të vijë
në shprehje triniteti, të cilin e sugjeronte shkrimtari
dhe dijetari Atë Anton Harapi: Bashkimi, bashkëpunimi,
solidariteti! Këto tri fjalë kanë një emërtues:
të mirën e përbashkët, si paradigmë për
ideologji të pastër nacionale. E mira e përbashkët
sipas Anton Harapit ka një fuqi të bindshme. Në të
vërtet, kuptimi dhe jetësimi i idealeve të përbashkëta,
krijon mundësitë dhe parakushtet e nevojshme që shoqëria
jonë të orientohet drejt e pa ekuivoke në të
ardhmen.
Politika nuk duhet të ec pas proceseve, ashtu siç
shohim të ndodh shpesh, por ajo duhet t'i paraprijë ato.
Nëse analizojmë, pa asnjë tendencë qëllimkeqe
jetën politike në Kosovë, pa ndonjë dallim të
dukshëm mes pozitës e opozitës, shohim se subjektet
tona politike, ato institucionale, janë një surrogat i
improvizimeve të pafundme, që e ngufasin dimesnionin e
politikës kreative, së këndejmi e ngufasin përfshirjen
dhe kontributin e intelektualëve në jetën politike.
Dhe për më keq, jeta politike në Kosovë, ka
përfshi në laboratorin e saj mediokra të shumtë,
duke eliminuar kësisoj dimensionet intelektuale dhe individët
që kanë aftësi për të ndryshuar këtë
gjendje dhe këto modele shoqërore. Në fakt, ashtu
siç shkruante në vitet e 30-ta dijetari Branko Merxhani,
"Shqipëria jonë e sotme është një
Botë kaotike e vogël", ne mund të themi se Kosova
jonë e sotme është një botë kaotike e vogël.
Ndonëse, nga koha e Merxhanit na ndajnë disa dekada, jeta
politike shqiptare vazhdon të jetë tejet e trazuar, me
një vetëdije të ulët kulturore e shtetëformuese.
Dhe në këtë proces delikatë, politika duhet
të pasurohet me ide të reja, me fuqi kreative, që
asaj mund t'i japin një impuls të veçantë,
të formësojn kulturën e idealeve të përbashkëta,
një mungesë kjo e tmerrshme në jetën tonë.
Në Kosovë, duket se ekziston një unanimitet se jemi
në një proces historik, i cili, si i tillë kërkon
shumë syqeltësi dhe nuk lejon hamendësime. Dhe, në
të vërtet ashtu është. Por, që ky proces
dhe stuhia e kësaj gjendje të tejkalohet, lypet që
shoqëria jonë të orientohet drejt dhe ajo të
ndërtohet në baza të shëndosha, që të
eliminojnë çdo mundësi për të ndërtuar
diçka të dobët, e, edhe më keq, diçka
të lig. E ardhmja, lidhet drejtpërdrejt me tejkalimin
e kësaj gjendje. Prandaj, fuqitë e përgjithshme duhet
të orientohen me debate konstruktive, ide dhe filozofi të
mbrehtë, në krijimin e politikave të qarta, të
gatshme për të sfiduar të tashmen dhe tejkaluar atë,
drejt së ardhmes së ndritshme.
Politika në Kosovë ka përpara vetës sfida
të shumëfishta. Për të "thyer" botëkuptimin
se Kosova është një shtet i dobët, nëse
do të merrnim për bazë dijetarin Francis Fukuyama
dhe idetë e tij për ndërtimin e shtetit, "qeveritë
në këso rastesh duhet të përmirësojnë
legjitimitetin e tyre demokratik dhe të forcojnë institucionet
e vetëqëndrueshme". Që të ndodh kjo, lypset
transformim. Kësisoj mund të promovojnë e demonstroj
aftësi për të sforcuar substancën e shtetit,
në mënyrë që ai të bëhet funksional,
në gjitha aspektet dhe i tillë të jetë për
çdo kategori shoqërore. E, kjo mund të ndodh vetëm
kur në ballë të një politike janë forcat
kreative, ato që me ide dhe modele të dëshmuara sfidojnë
të kaluarat me luftëra e mungesa të shumta, të
kaluarat me glorifikime dhe patetizma. Kosova e sotme ka një
klasë politike që le shumë për të dëshiruar.
E barrikaduar në zyre, e vetëkënaqur e pa dialog
aktivë me idetë dhe forcën e tyre, që lëviz
botën, politika nuk ka arrit të transformohet dhe t'iu
përgjigjet nevojave të kohës. Ajo, vazhdon me retorikën
sterotipe të mburravecërisë, apo në rastin tjetër,
duke përdor filozofinë e qaramanit, i cili për çdo
gjë fajëson dikë tjetër. Në këtë
konglomerat të pafundmë problemesh, e para punës
që duhet të bëjë politika në Kosovë,
është të hapet ndaj ideve dhe forcave kreative. Kësisoj
pushteti dhe shteti merr domethënien dhe vlerën e tij.
Kjo nuk domethënë assesi se duhet të bëhen përjashtime,
selektime, por kjo nënkupton një dialog aktivë mes
forcave politike, liderëve tanë dhe kategorisë intelektuale.
Për më tepër, vetëm kësisoj jeta politike
në Kosovë mund të bëhet kreative dhe e aftë
për të ndryshuar të tashmen.
Darka si reminishencë artistike
Ndue Ukaj
Titulli i romanit "Darka e gabuar" i shkrimtarit të
përmasave planetare, Ismail Kadaresë, përveçse
është esencë, paradigmë e fabulës së
romanit, njashtu kuptohet si shenjë letrare, nëpërmjet
së cilës Kadare ndërton simbolin letrar të romanit.
Në të vërtetë, ky titull i interpretueshem në
kontekstin e subjektit të romanit, por edhe të diskurseve
të mëparshme letrare, për faktin se nuk ka ligjërim
të virgjër (Roland Barthes) ngërthen esencialisht
një semantikë ambivalente kuptimore, e cila shenjëzon
një raport të ndërvarshëm mes narracionit e
mundësisë së leximeve intertekstuale që ofron
teksti letrar në fjalë. Në fakt, ky raport karakteristik
edhe për gjithë letërsinë e Kadaresë, është
në përputhshmëri të plotë me qëllimin
e tekstit (Umberto Eco) dhe përpos tjerash ofron mundësi
të shumta leximi e interpretimi. Subjekti i këtij teksti
letrar, siç shkruhet në shënimin përcjellës,
bazohet në një ngjarje të vërtetë, por
Kadare tekstin e ridimensionon dhe aty lexuesi gjen sekuenca semantike,
si reminishencë e diskursit mitologjik, politik, ideologjik
e biblik. Këto korpuse tekstesh dhe shtresime stilistike e
ideore, në zhvillimin dhe zbërthimin e fabulës, enden
përgjatë gjithë romanit, me funksione të posaçme
për të dinamizuar narracionin, sikurse për të
përplotësuar synimet estetike e ideore. Romani, në
planin semantik ndërtohet mbi ngjarjen që motivohet nga
Darka e doktor Gurametos së madh, i cili e shtron për
miqtë e studimeve, gjermanët pushtues. Nga ky akt ndodh
që për dikë, ky të cilësohet si Judë
i qytetit, sinonim i Judës tradhëtar biblik, ndërkaq
për disa një filogjerman i dyshimit. Kësisoj kjo
darkë bëhet aq enigmatike e aq domethënëse,
njëkohësisht, sa që trondit gjithë qytetin,
i cili sillet vërdallë kësaj ngjarjeje, ashtu siç
jeta shqiptare në atë kohë ishte e dezorientuar nga
ndryshimet e shpeshta ideologjike, shpeshherë me përmasa
groteske. Andaj ndodh një kontrast shpërthyes mes së
pritshmes, se Gjermanët do të hedhin në ajër
qytetin, dhe së ndodhurës, kalimit paqësor të
tyre. Ndërsa ky kontrast narrativ, në romanin "Darka
e gabuar" ndërlidh kohë historike në kundërshti
të ashpër, nga periudha që njihet si "Shqipëri
gjermanike" në luftë me atë komuniste. Në
fabulën e romanit, kalimi "miqësor" i gjermanëve
nazistë në qytetin e Gjirokastrës ndërlidhet
me darkën në fjalë që patën miqtë
e vjetër të shkollës, ndërsa pikërisht
kjo do të shndërrohet në trajtën e "gabuar",
një cilësor ky që është i mbuluar nga një
tis dyshimi, ngase në mënyrë fatale sinkronizon jetën
e personazhit deri në epilog. Siç mund të kuptojmë,
Kadare subjektin e këtij romani e nxjerr nga një kontekst
real, nga një darkë reale, ndërkaq atë e zgjeron
me një rrjet tekstesh e kontekstesh, duke inkuadruar në
procesin e shkrimit modele të jashtme letrare, kulturore a
religjioze, ato që në mendimin për letërsinë
njihen si rrjet intertekstual i tekstit. Për të sforcuar
diskursin fiksional dhe për t'i dhënë përmasë
sa më të fuqishme estetike e polisemantike fabulës,
autori zhbiron në kohë, ndaj kontekstualizon modelin e
darkës biblike, si reminishencë që sforcon semantikën
e tekstit dhe, kësisoj në vete krijon relacione me subjektin
e romanit, Darkën e gabuar, siç e përshkruan Kadare,
Darkën e doktor Gurametos së madh, të shtruar në
nder të kolonelit gjerman Fritz von Schwabe, ndërsa ky
i fundit rezulton më vonë të jetë i vdekur nga
ai që shtron darkën. Një enigmë që ngjall
makth, në epiqendër të një romani, i cili në
substratin e tij shqipton ide e intenca të fuqishme ideore
e estetike. Një roman i përsiatjeve të mëdha
filozofike e shqiptimeve të fuqishme nacionale. Është
pikërisht kjo darkë, e cila autorit i shërben si
një simbolike domethënëse për të përçuar
idetë letrare dhe për të zgjeruar rrjetin ligjërimor.
Nëse e lexojmë tekstin e Kadaresë në planin
intertekstual të shkrimit, siç e përmendëm,
romani shëmbëllen në planin interletrar me Darkën
e mirënjohur Biblike, respektivisht darkën e Jezu Krishtit
me apostujt, nga e cila Kadare derivon kuptimet dhe statusin intencional
të shkrimit, ndërfutjen e një intrige në shkrim,
e cila trand njerëz të shumtë. Kadare në roman
huazon nga parateksti biblik emra, ngjarjen biblike dhe diskursin,
me një derivim imagjinativ. Darka biblike mbetet akti më
mistik i Biblës, prej ku zë fill ndërtimi i religjionit
kristian, ndërsa në anën tjetër Darka e Gjirokastrës,
është nyja ku ndërlidhet enigma e një ndodhie
kurrë të qartësuar, përplasjeve mes mbretërorëve
dhe komunistëve, perëndimorëve dhe lindorëve,
etj. Në këtë konglomerat përsiatjesh, Kadare
ridimensionon shumë përsiatje për tragjeditë
që komunizmi i pat shkaktuar Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Prandaj, lidhjet interletrare janë semantike dhe estetike.
Ndërsa kontekstualizimi letrar i diskursit biblik, i mundëson
autorit të transmetojë mesazhe ekuivoke: njëri sforcon
modelin ligjërimor biblik, si shkollë ndikuese themelore
brenda literaturës shqipe, ndërsa tjetri përçon
idetë e autorit për shumë dilema të mëdha
shqiptare. Në roman kemi një darkë, e cila ka krijuar
shumë dilema dhe mëdyshje në Gjirokastër, enigma
e së cilës ka trandur me dekada qytetarët, ndërkaq
kundruall saj rri Darka biblike, e cila siç del në sekuencën
narrative të mëposhtme, jep indiciet e një fronti
të hapur dihotomik që përfaqëson personazhi
doktor Gurametoja i madh, i cili as nuk është Krisht,
as Juda Iskarioti, pra tradhtari i Krishtit:
"Duke zbritur thellë e më thellë në
kohë, disa u kujtuan për darkën e Krishtit, siç
tregohej në shkrimet e shenjta, të sigurt se atje do të
gjenin, më në fund, enigmën. Ishin të gjithë
në darkë: Krishti vetë, pikëllimi i tij hyjnor,
apostujt, madje, dhe Juda Iskarioti. Kështu u duk se po e gjenin
të vërtetën, por shi atëherë, ajo nisi
të fironte. Që s'ishte Krisht doktor Gurametoja e, aq
më pak, mysafirët gjermanë, kjo dukej që larg,
por edhe Judë t'i quajë, ishte e tepërt". (fq.
45). E, kush është atëherë doktor Gurametoja
i madh? është pyetja e dilema sfilitëse që endet
në gjithë narracionin e romanit. Duke e vënë
kryepersonazhin mes identifikimit me Krishtin dhe Juden, Kadare
shpërfaq në mënyrë eksplicite peshën e
periudhës në fjalë dhe konsekuencat që ka bartur
jeta shqiptare më vonë. Në këtë aspekt,
ky roman, krijon marrëdhënie kuptimore poliletrare, ndërsa
këto shtresime letrare janë të pranishme në
nëntekst dhe kontekst, ndaj janë të identifikueshme
e të nënkuptueshme në të gjitha planet strukturore
të tekstit në fjalë.
Shkrimtari Kadare, romanin "Darka e gabuar" e konstrukton,
nëpërmjet shenjave të motivuara nga një ndodhi
reale, e cila zhvillohet në Gjirokastër, pikërisht
në vlimet e shumta e me përplot dramaticitet përgjatë
Luftës së Dytë Botërore. Në fakt, subjekti
i romanit duke u zhvilluar brenda një kohe të gjatë,
që nga dita kur ushtria italiane kapitulloi, për të
vazhduar me periudhën e pushtimit gjerman të qytetit,
pastaj "triumfin komunist", në vete pos tjerash ngërthen
periudhën deri në vdekjen e Stalinit; kohë kjo kur
Shqipëria ishte pre e ndryshimeve të njëpasnjëshme,
e shpeshherë me përmasa groteske, të cilat sekuenca
jete autori i transfiguron në art. Mirëpo, Kadare s'lejon
assesi që romani të simplifikohet vetëm brenda këtij
boshti narrativ. Teksti i Kadaresë, duke qenë projektim
imagjinativ i një darke reale të zhvilluar në një
kohë të caktuar në Gjirokastër, me personazh
kryesor doktor Gurameton e madh, bëhet arenë përsiatjesh
të fuqishme letrare e përtej letrare. Romani është
derivim imagjinativ i enigmës së darkës në fjalë,
e cila kishte tronditur qytetin, e në të cilën fusin
hundët jo pak edhe shtetet me ndikim të kohës. Këtë
enigmë Kadare e konstrukton me mjeshtri, ndërkaq implikimet
simbolike, siç e përmendëm, i shtreson në
relacion me Darkën biblike, nga e cila motivohet dhe identifikohet
teksti.
Personazhi kryesor, doktor Gurameto i madh, tipologjikisht nuk
përbën një karakter të fuqishëm për
të tronditur qytetin. Mirëpo kjo ndodh, edhe pse për
këtë, madje vetë ai ishte i pavetëdijshëm.
Ai pati studiuar në Gjermani, ndërkaq shtron një
darkë për oficerët gjermanë që erdhën
nga Greqia për të marrë nën kontroll Shqipërinë,
pas largimit të italianëve. Kjo darkë, krejt paradoksalisht
shndërrohet në enigmë sfilitëse, nga e cila
pësojnë jo pak njerëz. Njerëzia ngatërron
tingujt e muzikës gjermane me të shtënat e mitralozëve.
Po këtë ndodhi, doktor Gurametoja i madh, s'do të
jetë në gjendje të sqarojë rrethanat dhe enigmën
e darkës, ngase, "askush nuk mbërrinte te thelbi
i saj"-shkruan autori. Ai kthehet në hero, ndërsa
për disa të tjerë në armik. Ky pështjellim
shkakton tendosje të mëdha, e, këto Kadare i përcjell
me dramaticitet të mirëfilltë letrar, në fabulën
e një romani që zhvillohet me makth e në të
cilin autori ndërfut copëza jete nga të gjitha kohët
shqiptare.
Në esencë, shenjat letrare dhe simbolet eksplicite,
të cilat i artikulon Kadare në shkrim, darka e Gjirokastrës,
në njërën anë dhe implikimet e Darkës biblike,
si evidenca funksionale intertekstuale, në anën tjetër,
shfrytëzohen mjeshtërisht, si trampolina për ta sforcuar
diskursin letrar dhe për të artikuluar idetë, përsiatjet
dhe mesazhet letrare, në formën e një interkomunikimi
të fuqishëm e kreativ që bën teksti me modele
të shumëfishta shkrimi. Teksti i Kadaresë në
mënyrë eksplicite shfrytëzon modelin biblik brendapërbrenda
tekstit.
Duke transfiguruar një ndodhi reale, në shkrim imagjinativ,
autori krijon gjithashtu një distancë mes ngjarjes dhe
rrëfimit, ndërkaq fabulën e pasuron me një rrjet
tekstesh të inkorporuara brenda subjektit qendror, shtresime
e topose këto të cilat trupëzohen vetëm për
një qëllim, për të përplotësuar fabulën
e romanit. Duke u motivuar mbi një ngjarje të vërtetë,
subjekti i këtij romani tejkalon përmasat e së mundshmes,
reales dhe, me diskursin shumëplanësh që inkuadron
në fiksion, bëhet roman i përsiatjeve të mëdha
e universale, ku Kadare shqipton ide të mëdha për
pushtuesit, për kulturën e pastër nacionale, për
orientimet kulturore dhe civilizuese të shqiptarëve, për
traditën letrare dhe universalitetin e saj, për figura
të shumta të ekskomunikuara të jetës shqiptare,
për çështjen e Kosovës, Çamërisë,
etj. Është pikërisht kjo shkathtësi e thellësi
e këtij autori, krejtësisht të veçantë
e origjinal, që në një instancë tjetër,
përplotëson raportin letrar në trekëndëshin
e ndërliqshëm artistik: ngjarja, fiksioni dhe empiria.
Në këtë korpus tekstesh dhe shtresimesh tematike,
empiria si evokim i botës së madhe të librit, brendapërbrenda
strukturës tekstuale të romanit, vjen si produkt i referencialitetit
dhe ka destinim: narrativitetit t'i japë karakter të tejkohshëm,
e mbi të gjitha universal. Në fakt, komponentja e fundit
e sipërshënuar, përveç tjerash vë në
spikamë zhdërvjelltësinë e Kadaresë për
të ndërfutur brenda tekstit, me efekte të theksuara
stilistike e semantike, pjesë të diskurseve të mëparshme
(Linda Hacion) letrare e kulturore, si pjesë të empirisë
e referencialitetit. Këto inkorporime janë funksionale
sikundër në planin e diskursit letrar, njashtu të
futjes në lojë të intertekstualitetit, si element
brenda tekstit, pastaj futjes në lojë të ideve dhe
filozofisë morale biblike, me konotacione të motivuara,
që implikojnë Darkën e fundit të Jezu Krishtit
me apostujt e tij, prej së cilës ngjarje Kadare "shfrytëzon"
jo pak. Ky aspekt i ndërfutjes së intertekstit në
fiksion, shpërfaq potencën e narratorit të pasionuar
(Eco), i cili di mjeshtërisht të sintetizojë brenda
një shtrati narrativ, dimensionin empirik me atë fiksional,
madje në harmoni me kërkesat intencionale të shkrimit
imagjinativ.
Në universin letrar kadarean, komponentja fiksionale dhe
ajo empirike, janë paradigma të shkrimit artistik, të
cilat si të tilla funksionojnë paralelisht duke e përplotësuar
njëra tjetrën. Këto elemente kreative, i gjejmë
kurdoherë të mishëruara dhe bashkëfunksionale
në prozën e tij. Në përputhshmëri me subjektin
e romanit, "Darka e gabuar" Kadare na fut në një
qerthull të mirënjohur misteresh, ku fiksioni e bota empirike
shkrihen në sinkroni të plotë, për të konstruktuar
kësisoj qëllimin final të tekstit, zbërthimin
e enigmës për darkën e qytetit Gjirokastër.
E, kjo Darkë mund të trajtohet, duke pasur për shëmbëllim
darkën Biblike. Por, Kadare nuk është një narrator
i zakonshëm, ai depërton në thellësi të
thellësive, duke zhbiruar nëpër histori, mitologji,
bestytni, religjion dhe kështu jep fizionominë e një
universi narrativ, ku bashkëjetojnë e kaluara me aktualen,
e bukura në kundërshti me të shëmtuarën,
tradhtia me bujarinë, mëkati me faljen, besa me pabesinë.
Fabula e romanit e vendosur pikërisht në vlimet e mëdha
ideologjike dhe luftërat që zotëronin jetën
shqiptare, kalimet nga një pushtues tek një tjetër,
tejkalon shumëfish diskursin themelor të romanit dhe zbret
nëpër labirinte krijuese e ideologjike. Kështu proza
e tij modelohet si shëmbëllim më i mirë i universales,
edhe kur ajo është nacionale. Aluzionet që krijon
autori me Darkën e fundit biblike dhe ndërfutjen e diskursit
biblik në planin ligjërimor, stilistik dhe ideor, mbesin
shenja të motivuara, të cilat realisht janë palca
e romanit. Në këtë aspekt, projektimet dhe artikulimet
intencionale të autorit janë në përputhshmëri
semantike me reminishencën që krijon asociacioni i Darkës
së fundit biblike, me sekuencat e saj, si dhe personazhet themelore,
që në fund zbresin tek katharsisi letrar.
Kadare fut në narracion shpirtin dhe talentin fiksional.
Romani i tij është një botë e madhe e librit,
ku sintetizohet e ndodhura me të mundshmen, e kaluara me të
sotmen, e bukura me shëmtitë. Është, pikërisht
kjo fuqia e shpirtit artistik që e bën këtë
autor të përmasave universale, shkrimtar të dashur
kudo ka kulturë letrare dhe dashamirë të artit të
mirëfilltë.
Rivlerësimi i historisë së letërsisë shqipe
Vetë fakti se ndjehet nevoja e rivlerësimit të
historisë së letërsisë shqipe, tregon qartë
se ajo është lexuar keq, apo në trajtat tjera, është
lexuar sipas një diktati politikë, i cili ka rezultuar
me lexime të gjithfarshme, përpos letrare
Ndue Ukaj
Nisma për të rishkruar historinë e literaturës
shqipe, edhe pse e vonuar, është puna më e mirë
e cila mund t'i bëhet kulturës së shkrimit shqip.
Kjo për faktin e mirënjohur se letërsia shqipe asnjëherë
nuk është studiuar në tërësinë e saj,
është parakonceptuar sipas interesave që i kanë
karakterizuar kontekst e caktuara shoqërore e ideologjike.
Kjo ka ndikuar në masë të madhe që ajo të
fragmentohet. Si rezultat i kësaj, letërsia shqipe është
keqinterpretuar e paragjykuar, por, përveç këtyre
edhe është cunguar e gjymtuar (terma këto të
studiuesit Anton Nikë Berisha). Prandaj, rivlerësimi,
jo i pjesshëm, por i tërësishëm i historisë
së letërsisë shqipe mbetet një domosdoshmëri,
për të vënë kuptime adekuate, cilësore
dhe të vlefshme në një mjedis letrar me kontradikta
të shumta, ngase për dekada kemi trashëguar një
apori studimesh të gjithfarshme, të bëra më
së paku sipas principeve dhe cilësisë letrare. Më
tutje, rivlerësimi i trashëgimisë letrare shqipe,
është në përputhshmëri me rolin e kritikës
letrare, e cila, ashtu siç vlerëson dijetari i letërsisë
Ian Meclean ka si intencë: "roli i interpretimit është
të korrigjojë ose të arsyetojë një lexim".
Referenca e lartshënuar na fut në një qerthull subjektiv,
në procesin e leximit, që gjithsesi konceptohet se një
nga proceset me komplekse të letërsisë. Megjithatë,
qëllimi i këtij shkrimi nuk është të analizoj
procesin e leximit, por produktin e tij, interpretimin dhe vlerësimin.
Pra, interpretimi duhet të korrigjoj ose arsyetoj një
lexim, sikundër edhe të korrigjoj gabimet e trashëguara,
të cilat janë të shumta, sikundër na planin
e dukurive estetike-letrare, po ashtu në aspektet historike
e biografike të letërsisë.
Vetë fakti se ndjehet nevoja e rivlerësimit të
historisë së letërsisë shqipe, tregon qartë
se ajo është lexuar keq, apo në trajtat tjera, është
lexuar sipas një diktati politikë, i cili ka rezultuar
me lexime të gjithfarshme, përpos letrare. Ky dimension
e ka gjymtuar dhe dezintegruar letërsinë shqipe, duke
e cunguar, keqinterpretuar dhe paragjykuar. Prandaj, ky lexim i
ri, në kontekste tjera letrare e shoqërore, kur ideografia
e kritikut (Ezra Paund) nuk është e orkestruar nga ideologjitë,
sigurisht duhet të vë kuptime të reja brenda një
mjedisi letrar e kulturor, me përplot kundërshti. Një
apori letrare e krijuar për dekada të tëra, duhet
të qartësohet dhe ky qartësim duhet të bëhet
nëpërmjet rivlerësimit të tërësishëm
të korpusit të letërsisë shqipe që do të
rezultonte me integrimin e tërësishëm të historisë
së letërsisë shqipe dhe jo vetëm të asaj
që e njohim si periudhë e soc-realizmit.
Në komunitetin e literaturës shqipe, tanimë një
kohë të gjatë po vazhdon të debatohet për
rishkrimin e historisë së letërsisë. Në
princip, duket se ekziston një pajtueshmëri e gjerë,
përkundër ca reagimeve periferike dhe të pa efektshme,
se historia e letërsisë duhet rivlerësuar, dhe këndej
pari rishkruar e ridimensionuar. Kjo për faktin se historia
e letërsisë shqipe për dekada të tëra,
është karakterizuar për "shpërpjesëtime
sasiore, por edhe çhierarkizime cilësore"- shkruan
dijetari Aurel Plasari në tekstin brilant "Gjergj Fishta
dhe historia e letërsisë". Si rezultat i kësaj,
studimet letrare shqiptare kanë përjetuar një çintegrim
të plotë. Letërsia e traditës është
kundruar sipas principeve të ideologëve letrar, ndërkaq
ajo bashkëkohore është zhvilluar në masë
të madhe nën diktat.
Letërsisë shqipe i ka munguar intekromunikmi letrar
dhe debati i mirëfilltë për dukuri e fenomene letrare.
Madje dijetari i letërisë Sabri Hamiti mendon se "kurë
nuk ka pasur një komunikim letrar në arealin shqiptar.
Arsyet mund të jenë, në varshmëri nga kohët:
herë gjeografike, herë kulturore, herë ideologjike
e madje politike". Prandaj nga qenia e letërsisë
(Zherar Zhenet), për pesë dekada janë përjashtuar
autorët themelor të saj, Fishta, Konica, Harapi, Kuliqi,
Haxhiademi, Kuteli, Camaj, etj. Ndërkaq kjo periudhë ka
patur konsekuenca tejet negative edhe për produksionin fiksional
të krijuar gjatë këtyre viteve. Shumë autorë
që ka prodhuar soc-realizmi sot, jo që nuk lexohen, por
gjykohen si prishës të shijes estetike, ndërkaq autorë
të shtypur kanë filluar të ngriten në hierarkinë
e vlerave letrare.
Si formulim rishkrimi tingëllon si koncept me konotacione
të ngarkuara semantike. Ndërkaq, unë do të preferoj
ne këtë kontekst të përdoren termat: rileximi
dhe së këndejmi rivlerësimi i literaturës shqipe,
ngaqë korrespondojnë thellë me domosdoshmërinë
e ndreqjes së gabimeve të shumta që e kanë karakterizuar
për dekada literaturën shqipe.
Nëse e analizojmë literaturën shqipe në
diakroni, shohim se kundërshtitë brenda letërsisë
shqipe kanë si fillesë përplasjet e mëdha që
e kanë shoqëruar nacionin tonë nëpër shekuj.
Në këtë kontekst, trashëgimia jonë letrare
ka mbetur e pastudiuar në mënyrë integrale, apo në
raste tjera ajo është selektuar. Kjo ka ndodh sidomos
me korpusin e letërsisë së vjetër shqipe dhe
autorët themelor, Buzukun, Budin, Bogdanin e Jaribobën,
veprat e së cilëve janë konceptuar si tekste me vlera
filologjike dhe këndej pari është përjashtuar
dimensioni i tyre estetik e letrare. Këta autorë që
përfaqësojnë themeluesit e kulturës tekstuale
shqiptare (Anton Berishaj) për pesë dekada të sistemit
soc-realist në art e letërsi janë lexuar jashta metodave
letrare. Në njëfarë mënyre, ky korpus letrar
(Buzuku, Budi, Bogdani, Variboba, dhe ndonjë tjetër) u
bë për kritikën shqipe "Thembra e Akilit",
me të cilën në mënyrë të veçantë
u shërbye soc-realizimi në art dhe letërsi, për
ta zhvlerësuar këtë korpus letrar, i cili paraqet
shtresimin bazik për gjithë letërsinë e mëvonshme
shqipe me autorët e mëdhenj (Mjeda, Kuteli, Koliqi, Fishta,
Poradeci, Camaj, Pashku etj. Por problemi me selektimin nuk ndalet
këtu. Një çështje tjetër e debatueshme
brenda kulturës letrare shqipe mbetet letërsia shqipe
e shkruar në gjuhë tjera. Akoma në traditën
e shkrimit letrar shqiptar nuk është e definuar qartë
se çfarë është letërsia shqiptare e çfarë
është letërsia shkruar në gjuhën shqipe.
Një detyrë e rishkruesve të historisë së
letërsisë është të bëjë këtë
dallim të domosdoshëm.
Një nder aspektet e para problematike në vlerësimin
e letërsisë shqipe, i cili s' është prekur ne
mënyre sistematike, mbetet çështja e letërsie
se trashëgimisë iliro-shqiptare, e shkruar ne gjuhen latine
(apo gjuhe tjera te shkrimit), pjese e se cilës është
edhe një pjese e konsiderueshme e letërsisë perëndimore.
Kjo është letërsia parakombëtare. Ne ketë
kontekst, mendoj se janë bere "padrejtësi",
ngase prelatët e kishës së hershme katolike, qe shkruan
ne gjuhen latine (Nikete Dardani, Shën Jeronimi, etj.) janë
"përjashtuar" nga historia e letërsisë
shqipe pa ndonjë shpjegim, edhe pse konteksti i përgjithshëm
gjuhësor dhe kulturor, ne te cilin jetuan dhe krijuan ata i
përkiste latinitetit. Mos inkorpurimi i këtyre autorëve
në historinë e letërsisë shqipe sjell paradoksin
tjetër, ngaqë ne kemi një trashëgimi të
pasur në historinë e letërsisë nga gjuha latine,
sidomos velen të përmendën autorët e humanizmit
(Gjon Gazuli, Marin Becikemi, Mikel Maruli, Marin Barleti, etj),
të cilët autorë faktikisht janë pjesë e
historisë letrare shqiptare. Nëse e shohim këtë
dukuri në vazhdimësi, kemi autorët Sami e Naim Frasherit,
që një pjesë të krijimtarisë e shkruan
ne gjuhet orientale, ndërsa veprat e tyre janë pranuar
dhe integruar ne historinë e letrare shqiptare, edhe pse tanimë
kishim një kontekst të ndryshëm dhe gjuhet kombëtare
ishin ne kultivim e sipër dhe lidhjet e këtyre autorëve
me gjuhet orientale s'ishin domosdoshmëri e shkrimit letrar.
Pra veprat e tyre janë të inkuadruar në historinë
e letërsisë shqipe dhe ky përbën një aspekt
të selektimit. Atëherë, si të interpretohet
korpusi letrar parakombëtar dhe autorët Niketë Dardani,
Shën Jeronimi, etj, mbetet një çështje e rëndësishme
që duhet shpjeguar.
Rivlerësimi i letërsisë shqipe duhet të
shtresoj elementet bazike të kulturës letrare shqipe që
nga datimet më te hershme, deri tek aktualiteti. Në këtë
hallkë, kjo histori duhet ri/integroj autorët e përjashtuar
me diktat politikë, duke vënë hierarkinë cilësore,
sikundër duhet inkorporoj letërsinë shqipe të
krijuar jashta kufijve të Shqipërisë, letërsi
kjo që përbën rëndësi sikundër në
planin cilësor, njashtu në atë sasior. Në këtë
linjë, një çështje mjaft e rëndësishme
dhe komplekse mbetet studimi dhe vlerësimi i drejt i autorëve
shqiptar që jetojnë dhe krijojnë në diasporën
e gjerë shqiptare, e cila letërsi sot ka shumë autorë
me nam, pa të cilët letërsia shqipe do ishte shumë
më e cunguar.
Historia e letërsisë dhe kritika letrare
Një histori i letërsisë mund të shkruhet
drejt vetëm atëherë kur asaj i paraprinë një
kritikë letrare sistematike. Pa këtë ndërlidhshmëri,
s'mund të ketë rezultate të qëndrueshme dhe
të pranuara gjithandej. Në këtë kontekst ajo
që mendoj se duhet të shtrohet si temë diskutimi
ne sensin e debatit për rivlerësimin e letërsisë
shqipe, ne literaturën shqipe, mbetet pyetja nëse kritika
letrare është liruar nga dogmatizmi? Dhe pastaj, sa ajo
i ndihmon letërsisë dhe historisë së letërsisë?
Dijetari i letërsisë Northep Fraji shkruan se: "artet
janë memece, ndërkaq kritika mund të flasë".
Nëse pajtohemi me këtë tezë, që gjithsesi
ka mbështetje të gjerë ne studimet letrare, atëherë
mund të themi se problemet e letërsisë shqipe janë
të ndërlikuara dhe kanë një shtrirje të
gjerë, që prek relacione të komplikuar mes shkrimtarëve
dhe studiuesve të letërsisë.
Segmente të rëndësishme të mendimit për
letërsinë, apo më mirë të themi kritika
letrare shqipe ende nuk ka arritur t'i riparoj gabimet e trashëguara
dhe kjo përbën një pengesë në rrugën
e emancipimit të saj dhe zhveshjes nga dogmatizmi. De facto
kritika letrare shqipe, ende nuk e luan funksionin e saj për
të vlerësuar, karakterizuar, seleksionuar, ndërmjetësuar,
por kurdoherë mban rolin e apologjetit apo mohuesit. Kjo për
mendimin tim përbën një aspekt të dogmatizmit
që pengon rivlerësimin e letërsisë shqipe dhe
në këtë sens rishkrimin e historisë së
letërsisë shqipe. Ndërsa në aspektin tjetër
ky fakt pengon letërsinë shqipe të vlerësohet
si dukuri estetike.
Mendimi letrar shqiptar dhe kritika letrare përgjatë
shumë dekadave ka përjetuar dhe përjeton krizë
identitetit, që ka konsekuenca të fuqishme në konsolidimin
e kritikës letrare, por edhe letërsisë shqipe përgjithësisht.
Ka segmente të caktuara të kritikës letrare, të
cilat, jo që nuk janë shkëputur përfundimisht
nga dogmatizmi e kritika ideologjike, por tentojnë me çdo
çmim të krijojnë brezin pasardhës të
kësaj ideologjie letrare. Për fat të keq, në
këtë regjistër hyjnë të ashtuquajtur emra
të mëdhenj e autorë me famë, sikur në Tiranë
ashtu edhe në Prishtinë. Megjithatë, konsideroj se
kritika dogmatike përfundimisht është në zvetënim
e sipër. Tanimë ka një tendencë për hapje
të kritikës letrare dhe emra të rinj në Tiranë
e Prishtinë kanë qasje inovative dhe tejet të avancuara
letrare. Por, kriza e defamiljarizmit (nocion i formalistëve
rus) nga dogmatizmi, për mendimin tim ka krijuar një paradokse
tjetër, që është po aq i rrezikshëm, ngase
ekziston një tendencë çoroditëse e interpretimit
të letërsisë shqipe, përmes fenomenit të
glorifikimeve dhe përbuzjeve ekstreme, që gjithashtu ka
një segment dogmatizmi në vete.
Vlerësoj se dy dekadat e fundit në letërsinë
shqipe gjithsesi kanë shënjuar ndryshime dhe formësime
pozitive, në kuptimin e hapjes së studimeve letrare, përvetësimit
të metodave dhe shkollave të shumëfishta letrare.
Në fakt, sot nuk ndjehet ndonjë uniformitet në studimet
letrare, ndërkaq ka një shumësi e shkollash dhe vlerësimesh
letrare, duke u bazuar tek teoritë klasike e bashkëkohore.
Dhe kjo është një shenjë e shpresëdhënëse
që gjithsesi do të ndihmoj në shkrimin cilësor
të historisë së letërsisë shqipe.
Dy dekadat e fundit ka pasur një shtim cilësor të
studimeve të rëndësishme letrare për autorë
dhe dukuri të caktuara letrare. Në këtë periudhë
kemi një sfond të pasur dhe cilësor studimeve letrare,
që janë fokusuar tek letërsia e vjetër shqipe,
tek letërsia e arbëreshëve të Italisë,
tek autorët e shumtë të ekskomunikuar, (Fishta, Koliqi,
Harapi, Haxhiademi, Santori, Kuteli, Zorba, Pipa, Camaj), apo tek
autorët tjerë të rëndësishëm: Reshpja,
Podrimja, Pashku, Pllumbi, etj. Këto studime sigurisht se mund
të ndihmojnë shumë në një shkrim cilësor
të historisë së letërsisë shqipe, nëse
ajo do të shkruhet me qëllime të shëndosha,
për të vënë kuptime cilësore në një
mjedisi letrar të çoroditur.
Dy tekste te Petrit Palushit dhe Antoj Gojcajt, lidhur me librin
tim me te ri.
VARIACIONE TË DALLUESHME TEMATIKO-STILISTIKE
(rreth përmbledhjes poetike "Ujëvarat e metaforave",
të Ndue Ukajt)
"Ujëvarat e metaforave" është përmbledhja
e parë me poezi e Ndue Ukajt, pas një debutimi të
disakohshëm dhe me sukses në fushën e studimeve,
të kritikës letrare dhe të publicistikës.
Poezia e Ndue Ukajt, si një poezi që përpiqet
të zbresë tek honi i shpirtit të njeriut, tek ai
labirinth i çuditshëm, më së pari, na vjen
në trajtën e një rrëfimi të dlirtë
të autorit për vetveten, si jehonë e një shpirti
të trazuar, dhe që njëkohësisht prezanton një
krijues të përkushtuar, të mbështjellë
me ethet e vëzhgimit dhe të krijimit dhe që e bëjnë
poezinë e tij sa lirike, aq dhe gjysmëepike dhe dramatike
njëkohësisht, sa fantazoide, aq dhe të prekshme për
shqetësimet njerëzore që ngre, për temat e ndjeshme
që merr dhe rimerr, për atë frymë ekzistenciale
që funksionon dhe frymon në trupin e krejt poezisë.
Kjo ndodh, siç është thënë me të
drejtë se "Duket sikur poetët do ta kenë gjithmonë
punën që është bërë enkas për
ta" (V. Simborska).
Poezia e librit "Ujëvarat e metaforave" nuk sillet
brenda një rrethi të caktuar, të kufizuar tematik,
por natyrshëm shpërfillet njëanshmëria tematike
(që shpesh e ngushton rrezen e shikimit); kështu, tematika
në poezinë e Ukajt merr më tepër gjerësi,
përftohen variacione tematiko-stilistikore, shikimi i lexuesit
nuk pikëzohet vetëm dikund, por përftohet e drejta
hapësinore e depërtimit në shumë pika e pikëza
të shpirtit të njeriut, çka kemi të bëjmë
me një vështrim të gjithkundshëm, por dhe me
një depërtim tepër të hollë vetëm
në trupin e atyre gjërave që mund të shqiten
nga shumësia e gjërave dhe të vijnë si të
tilla për të shkaktuar dridhje tek shpirti i njeriut.
E, në këtë furtunë metaforash dhe hapësinë
tematike, nuk mund të ndodhë që poezia të mos
jetë më e pasur, më e lëngshme, më pranë
shpirtit të njeriut. Rrjedhimisht, ndjesia do të jetë
më e natyralizuar, efekti poetik më i gjallë, dhe
lexuesi t'i rikthehet kësaj poezie tabloide (mataforoide) me
një kënaqësi të re, si për të plotësuar
krejt imazhet që mund të përftohen prej saj, duke
e ushqyer vetveten me mendimin dhe dëshirën të mos
i largohet asgjë prej këtyre imazheve. Brenda variacioneve
të dallueshme tematiko-stilistike, shpalohen natyralisht variacione
temëzash, variacione idesh, motivesh, trajta të tjera
që gjallojnë për shkak të rrëfimit poetik.
Në përmbledhjen "Ujëvarat e metaforave",
koncepti i bashkëkohësisë dhe koncepti i së
shkuarës janë vetëm pamja më në reliev
e poezisë, është prezantimi parë se çfarë
lëngëzohet në këtë poezi. Është,
si të themi, vetëm një udhëzues ideotematik.
Imazhet lëvizin nga njëra kohë fizike në tjetrën,
ngarkohen me imazhe të tjera, rrudhet ajo çka është
e tepërt, jofunksionale, dhe mbetet më së fundmi,
thelbi i poezisë, mu aty ku komunikimi i autorit mund të
jetë vetëm përmes vijave të shpirtit. Dhe në
këtë komunikim, ndërfutet miti si pjesë e shkuarës,
por dhe si pjesë e bashkëkohësisë. Edhe disa
poezi në këtë përmbledhje ("At Pjetër
Bogdanit", "At Gjergj Fishtës", "Nënë
Terezës", "Anton Pashkut", "Dardania antike",
etj.), e japin rishfaqjen e mitit me pamje bashkëkohësie
dhe lexuesi njëmend mund të shohë (të parakuptojë)
mitin në trupin e bashkëkohësisë, si pjesë
të saj, si refleks i detyrueshëm i një të shkuare
të largët dhe t'afërt.
Kam përshtypjen se në poezinë e Ndue Ukajt, ka
përpjekje për të prishur disa shabllone që ekzistojnë
në aktivizimin e metaforës (një lloj ndërlikimi
i shprehjes, të sintaksës, të lëvizjes poetikë
në tërësi, etj), çka do të thotë
se autori, në këtë rrafsh, është në
përpjekje ta shohë metaforën jo vetëm si një
figurë thjesht poetike, por si një mjet të fuqishëm
që ve në lëvizje gjithë pamjen poetike, me shfaqjen
dhe joshfaqjen e vet. Kësisoj, krejt poezia në fjalë,
mund të shihet lehtas si një poezi që funksionon
vetëm brenda një shtëpie metaforash.
Është për t'u vënë në dukje se
në përmbledhjen "Ujëvarat e metaforave",
ka një rimarrje të aktivizimit të poezisë së
gjatë (nëse mund t'i marrim edhe si poema krijime të
tilla si "Vetëm heshtje", "Kënga e dritës",
etj.), dhe kjo formë transformuese, i jep më tepër
vlera poezisë, e bën të dallueshme si poezi e imazheve
të plota, shton kuptimësinë dhe dendësinë
e mendimit, krijon mundësinë e një shprehjeje më
të plotë poetike të autorit.
Si e tillë, poezia e përmbledhjes "Ujëvarat
e metaforave", është e mirëpritur, që vjen
me kodin e vet të komunikimit, dhe duke u profilizuar si një
poezi e një tematizimi dhe shprehimësie të veçantë,
ku një ansambël metaforash ndriçojnë edhe
pikat më të imta brenda shfaqjeve që përcjell
poezia për lexuesin.
PETRIT PALUSHI
NJË PSALMIST MODERN
(pjesë nga recensioni)
Ndue Ukaj deri tash është bërë i njohur si studiues,
kritik i letërsisë dhe publicist.
Tani e pas do ta njohim edhe si poet. Vërtet, vargjet e tij
ishin (janë) të pranishme në periodikun e shtypur
dhe atë elektronik edhe deri tani, por libri ka përmasa
të tjera dhe receptohet ndryshe.
Autori i këtij libri nuk është nga ata shkrimtarë
që mbyllen në kabinet dhe që të vërtetën
ta gërmojë në vetvete. Vargjet e tij paraqesin një
formë të komunikimit kreativ, të gjallë, me
personin e zemrës, me personalitete të mëdha, me
kontekstin kulturor e politik, me botën empirike, me historinë
e letërsisë
Ndue Ukaj nuk është as nga ata shkrimtarë që
e gdhendin fjalën duke e reduktuar atë deri në bërthamë,
por ai gjithsesi është një njohës shumë
i mirë i artit të të shkruarit. Ligjërimi i
poetit është shpërthyes, ngacmues, kërkues dhe
karakterizohet nga kultura enciklopedike. Për të komunikuar
me vargjet e tij lexuesi duhet të jetë i pajisur me njohuri
nga literatura mitologjike, ajo biblike, pastaj historiko-letrare
etj., që janë tipare të intertekstualitetit. Në
vargjet e tij kemi edhe ndonjë varg të huazuar të
Azem Shkrelit, apo ndonjë perifrazë të vargjeve të
Nënës Tereze etj., që autorit i shërbejnë
si pikëmbështetje për të zhvilluar poetikën
e vet.
Poeti shkruan në gjuhën standarde, por për efekte
të caktuara, në jo pak poezi përdor edhe shprehje
dialektore (idiomi).
Çdo poezi nënkupton një lexues, e në vargjet
e Ukajt me lexuesin herë flitet në vetën e dytë
e herë në atë të tretën. Një numër
të madh vargjesh Ndue Ukaj ia kushton të dashurës
së tij (në vetën e dytë) dhe këto janë
vargjet artistikisht më të realizuara të tij.
Disa poezi Ukaj ua kushton personave të njohur nga fusha e
kulturës, politikës apo humanizmit (Anton Pashku, Pjetër
Bogdani, At Gjergj Fishta, Rifat Kukaj, Ibrahim Rugova, Nëna
Terezë, kryesisht në vetën e tretë, por edhe
të dytë), të cilat kanë pak ngjyrim patetik,
por përmes tyre autori shpalos brenga dhe ide, kritika ndaj
dukurive të caktuara dhe vizione interesante për ardhmërinë
Ndue Ukaj poezisë, pra edhe poetit, i rezervon misionin e alkimisë
(alkimistit) dhe kjo është arsyeja pse ai shkruan.
Me matematikën e zemrës
Zgjidhte të panjohurat e bëra lëmsh
(Poetët vetmitarë)
Pra, Ndue Ukaj beson seriozisht se poeti mund ta ndryshojë
botën. E forca e besimit, thuhet në Ungjill, mund të
zhvendosë edhe malet.
Prandaj, edhe po e them krejt në fund: Ndue Ukaj është
një psalmist modern!
ANTON GOJÇAJ
|
 |
 |